"Maqedonia Veriore dhe Shqiperia Lindore"
Albeu.com
“Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” është emër që duhet të mbështesin forcat politike shqiptare për emrin e ri të Maqedonisë. Në Komunikatën e 5 dhjetorit Bashkimi Demokratik Shqiptar vuri theks në faktet se siguria e Maqedonisë nuk ...... rrezikohet nga jashtë por destabilizimi i vendit vjen, në mënyrë të pashmangshme nga politika e diskriminimit permanent të shqiptarëve në këtë shtet.

Duke u nisur nga fakti se mbështetja e Maqedonisë në integrimet euro-atlantike pa hequr diskriminimin që ky shtet aplikon ndaj shqiptarëve është politikë shkurtëpamëse dhe nuk i shërben as paqes dhe as sigurisë afatgjate të kësaj pjese të Ballkanit ne kërkuam nga të gjitha aktorët e interesuar që kjo pjesë e Ballkanit të jetojë në paqe dhe siguri që të ushtrojnë ndikimin e tyre që Maqedonia të heq të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit racial dhe të sillet në përputhje me orientimet e Aleancës për liri, siguri, demokraci dhe vlera të përbashkëta.

Bashkimi Demokratik Shqiptar konstaton, me keqardhje, se strategjia e përqendrimit të vëmendjes jashtë kontekstit të brendshëm të Maqedonisë ka sjellë rezultatet e dëshiruara për Shkupin. Në vend që të kërkohet me ngulm heqja e diskriminimit dhe respektimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, kërkesa e vetme që dëgjohet për anëtarësim në NATO lidhet me angazhimet diplomatike për të gjetur konsensus me Greqinë për emrin e këtij shteti.
Duke mos lënë anash asnjë nga kërkesat që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe plotësimin e të gjitha kushteve paraprake për anëtarësim në strukturat euro-atlantike Bashkimi Demokratik Shqiptar insiston në faktin që shqiptarët duhet të integrohen edhe në bisedimet lidhur me emrin e ri të Maqedonisë.
Për këtë arsye rikujtojmë faktet se:

- Shpërbërja e Perandorisë Otomane që u shoqërua me krijimin e shteteve të reja në Ballkan u hapi rrugë apetiteve ekspansioniste të fqinjëve të shqiptarëve në kurriz të territoreve të banuara me shumicë dërmuese shqiptare;
- Një pjesë e madhe e Shqipërisë Veriore dhe Shqipërisë Lindore iu aneksua Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene;
- Krahas copëtimit të territoreve, shtetet e reja të krijuara edhe mbi territoret shqiptare aplikuan politikën ekspulsioniste (dëbuese) në funksion të ndryshimit të strukturës demografike të territoreve shqiptare;
- Politika ekspulsioniste ka qenë karakteristika dominonte e të gjitha regjimeve në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor: Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, Jugosllavia e Vjetër, Jugosllavia e Titos, shteti serb dhe Maqedonia e pas shpërbërjes së Federatës jugosllave kanë aplikuar të gjitha format e presioneve dhe të diskriminimit me qëllim të realizimit të spastrimit etnike;
- Sot, kur sytë e popujve të kësaj pjese të Evropës Juglindore janë kthyer në drejtim të strukturave euro-atlantike autoritetet e Shkupit, me arrogancë tentojnë të imponojnë vështrimin e tyre historik si interpretim i vetëm i të kaluarës. Ata këmbëngulin në përvetësimin e të kaluarës së huaj si pjesë të identitetit të vet.

Në pengesat që Greqia nxjerr lidhur me emrin e shtetit të Maqedonisë dhe divergjencat toponimike imponuan bisedime me ndërmjetësues të Kombeve të Bashkuara.

Në këto bisedime nuk u përfillën aspak shqiptarët e Shqipërisë Lindore, territoret e të cilëve ju aneksuan fillimisht Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e që sot bëjnë pjesë në shtetin e Maqedonisë.
Edhe pse përbëjnë më shumë se 1/3 e popullsisë së këtij shteti dhe fakti se emri i shtetit ekzistues nuk përmban asgjë që lidhet me identitetin e shqiptarëve propozimet që vijnë për të gjetur “kompromis me Greqinë” injoron tërësisht domosdoshmërinë e komponentëve të identitetit shqiptar në emrin e ri të këtij shteti.

Propozimet lidhur me ndryshimin e emrit, dhe sidomos propozimi i fundit i ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, z. Metju Nimic , i cili na prezantohet si propozim i mbështetur edhe nga Parlamentit Evropian, për emrin “Maqedonia e Veriut” është i njëanshëm dhe antihistorik për shqiptarët e Shqipërisë Lindore.
Çdo tendencë që të na imponohet emri që nuk ka lidhje edhe me identitetin tonë kombëtar fsheh qëllimin për të përjetësuar diskriminimin e shqiptarëve në këtë shtet.
Bashkimi Demokratik Shqiptar del me propozim që emri i ri i shtetit të jetë “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore”.
Arsyetim
- Emërtimi “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” do të mbulonte toponiminë reale të kësaj hapësire gjeografike;
- Emërtimi “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” do të integronte komponente të dy etnive që përbëjnë shumicën e popullsisë se këtij shtetit;
- Emërtimi “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” . si emërtim që mbulon disa hapësira territoriale, nuk do të paraqiste asnjë precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fakti se një numër i madh i shteteve anëtare të OKB-së kanë emra të kësaj natyre (shembuj: Bosnja dhe Hercegovina, Vincent dhe Grenadine, Sao Tome dhe Principe, Antigua dhe Barbuda, Papuazia dhe Guineja e Re e shumë shtete tjera që janë anëtarësuar në OKB para Maqedonisë)
- Figurimi i toponimit “Shqipëri” në emërtimin “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” nuk do të paraqiste asnjë precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fakti se kemi numër shtetesh, anëtare të OKB-së, që kanë në emrin e tyre toponimin e njëjtë ( Guineja, Guineja Bisau, Guineja Ekuatoriale, Guineja e Re )

Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel të gjitha medieve që të hapin një debat publik rreth këtyre çështjeve ku intelektualët, organizatat joqeveritare dhe qytetarët do të mund të jepnin mendimet dhe kontributet e tyre për të gjetur një konsensus minimal rreth këtyre çështjeve.
Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel të gjitha forcave politike shqiptare që të organizohet një tryezë për harmonizimin e pikëpamjeve dhe që të dalim me një qëndrim që emri i ri i shtetit të marrë parasysh komponentë edhe të identitetit të shqiptarëve të Shqipërisë Lindore.
Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron si të domosdoshme harmonizimin e qëndrimeve dhe me një zë unik t’u drejtohemi negociatorëve ndërkombëtare dhe institucioneve euro-atlantike për heqjen e diskriminimit që nga emërtimi i shtetit e deri te të gjitha institucionet shtetërore e publike në këtë shtet.
Bashkimi Demokratik Shqiptar mendon se shqiptarët nuk duhet të ngelin rob të realitetit të hidhur historik të komunitetit maqedonas dhe të fundosen në anijen e përbashkët me ato. Një emër i cili do përmbante komponentët e shqiptarëve të Shqipërisë Lindore do ishte hap i duhur drejt integrimit të maqedonisë në strukturat e NATO-s dhe BE-së.

Bashkimi Demokratik Shqiptar
Shtuar më 20/06/2009, ora 17:26
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori