Maqedonia, ndermjet luftes dhe paqes
Albeu.com
Fejzi HAJDARI*A jemi më afër luftës apo paqes? Kjo është pyetja, e cila për fat të keq po u imponohet shqiptarëve të Maqedonisë edhe një herë, brenda një periudhe kohore më të shkurtë se 10 vite.Zhvillimet e fundit në Maqedoni, pas zbulimit të një sasie të madhe të armatimit në afërsi të kufirit Kosovë-Maqedoni, të shoqëruara me ngritjen pothuajse të skajshme të tensioneve ndëretnike, të paketuara bashkë po vijnë pas rënies permanente të rejtingut partiakë të të dy partive më të mëdha shqiptare në Shkup, BDI (Bashkimit Demokratik për Integrim) dhe PDSH (Partisë Demokratike shqiptare). Ndodhitë e këtilla pasojnë dhe pas pozicionit “pat”, në të cilin gjendet Kryeministri Gruevski, karshi tajmingut në qershor të këtij viti, për kur duhet të gjejë zgjidhje rreth kontestit me emrin me shtetin fqinj Greqinë. Përvojat e deritanishme në Maqedoni, por edhe të më hershme, tregojnë se kur partitë respektivisht pushtetarët (partitë në pushtet në veçanti) janë gjetur në situata të këtilla, nuk kanë zgjedhur mjetet, format dhe mënyrat për të shpëtuar vetveten, qoftë edhe duke rrezikuar perspektivën e qytetarëve. Incidentet e realizuar konform skenarëve qeverisës, kanë marrë edhe viktima në njerëz, të cilët në të shumtën e rasteve, sidomos kur kanë ndodhur në rajonet shqiptare, asnjëherë nuk janë ndriçuar. Ky mund të jetë njëri ndër kontekstet të dimensionit të situatës së krijuar, e cila, duke analizuar të gjitha veprimet, aktivitetet dhe dimensionet, më shumë i ngjanë zhvillimeve të koordinuara nga distanca, se sa incidenteve aksidentale. “Shatëll diplomacia” e dy krerëve partiakë të BDI dhe PDSH-së, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, sidomos deklaratat e tyre pas takimit me kreun e ekzekutivit shqiptar, Sali Berishën, më shumë i ngjajnë deklaratave farsë, se sa angazhimit të tyre praktikë. Ata, edhe tani, kur situata ka mbërritur një shkallë jo mospërfillëse të tensionit, sillen njësoj sikurse në fushatë parazgjedhore. Japin premtime dhe zotime verbale, sa për sy e faqe, pa kurrfarë sinjali se do të ndërmarrin diçka konkrete për përmirësim të situatës!. Analizat e zhvillimeve të fundit, si dhe të veprimeve dhe deklarimeve të krerëve partiakë shqiptarë, dyshimin e kanalizojnë në përpjekjet e tyre, për të rikthyer pozicionet e tyre kundrejt elektoratit shqiptarë, sikundër i kishin para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Mungesa e potencës politike në sjelljen e vendimeve që kanë rëndësi vitale kombëtare për shqiptarët e këtushëm, si dhe mosimplementimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (marrëveshje politike që ndali luftën e vitit 2001), në mënyrë të vazhdueshme kanë rritur pakënaqësinë ndër shqiptarët, si dhe kanë shtuar në mënyrë enorme dëshpërimin nga politika shqiptare, në përgjithësi. Si rezultat i kësaj, madje edhe fanatikët më të mëdhenj partiakë, së fundmi, kanë filluar t’i braktisin radhët e partive. Interesi për të rikthyer pozicionet e humbura nuk mund të jetë vetëm se i njërës parti, por i të dyjave, prandaj edhe veprimet e tyre pothuajse janë identike. Edhe BDI, por edhe PDSH, pothuajse me të njëjtën retorikë e “dënojnë dhunën”. Që lë të kuptohet se diçka e koordinuar po i serviret elektoratit.
Pozicionet e dobëta të këtyre dy partive, pothuajse në mënyrë automatike do të krijonin edhe hapësirë për lindjen e subjektit të tretë politikë, të cilin realisht, elektorati do ta kishte mirëpritur për shkak të dëshpërimit nga politikat e deritanishme shqiptare në Shkup. Realisht, një parti e tretë ose alternativë e re politike ndër shqiptarët e Maqedonisë, ende s’po shihet në horizont. Pikërisht, frika nga lindja e një alternative të tretë politike shqiptare, nxjerrë në pah mundësinë e realizimit të skenarëve të këtilla aventureske nga dy partitë më të fuqishme shqiptare BDI dhe PDSH.
Thonë në politikë ka interesa dhe jo dashuri. Prandaj, gjasat janë reale që kjo frikë t’i fusë dy armiqtë të mëdhenj të skenës politike shqiptare, për të ndërmarrë hapa të koordinuar, me qëllim të ngushtimit hapësirës për paraqitjen e një opsioni të ri politik ndër shqiptarët e këtushëm. Ose edhe për të pamundësuar lindjen brenda vetë partive të tyre, opsione të cilat do të ofrojnë diçka të re për elektoratin. Lojërat e këtilla janë të lejuara në politikë, mirëpo, vetëm deri në një kufi. Kufiri duhet të jetë te interesat madhore kombëtare, me të cilat assesi nuk guxon të manipulohet, aq më pak, në lojërat për ruajtjen e pozitave në skenën politike.
Edhe Gruevski, sikurse hallexhinjtë politikë shqiptarë, orvatet te përfitojë nga kjo situatë. Bashkëmendimtarët e tij partiakë (të kryeministrit Gruevski), që mbajnë poste të larta shtetërore, nuk shohin rrezik nga gjendja e këtillë e tensionuar. Ata për situatën e tanishme kanë vlerësim diametralisht të kundërt me vlerësimet e ndërkombëtarëve, të cilët po shprehin shqetësim për zhvillimet e fundit. Afrimi i qershorit për kur është paraparë marrja e datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian (BE), ka shtuar shqetësimin e Gruevskit, nga frika se elektorati maqedonas do të mund ta ndëshkojë politikën e tij, e cila shoqërohet nga qëndrimi përjashtues ndaj proceseve eurointegruese. Të përkujtojmë mos anëtarësimin e Maqedonisë në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, kurse tani në qershor Gruevski gjendet para një momenti identik, por kësaj radhe para BE-së. Pikërisht indiferenca dhe mosmarrja e veprimeve konkrete për daljen nga kjo situatë e tensionuar, të gjitha dyshimet dhe hipotezat e mësipërme, i bënë si shumë të besueshme.
*Autori është analist dhe botues i gazetës LAJM - Maqedoni
Shtuar më 12/05/2010, ora 17:23
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori