Maqedonia, GJND dhe Kosova
Albeu.com
nga Hamdi NuhijuEdhe përkundër realitetit të ri në Ballkan, pavarësisë së Kosovës, Maqedonia filloi që të luaj lojën e Serbisë në këtë mes. Fillimisht nuk njihte autoritetet kosovare duke ...... problematizuar raportet midis këtyre dy shteteve, më pastaj kërkonte bisedime me autoritetet ndërkombëtare në formë të përbuzjes dhe zhvlerësimit të pozicionit të ri shtetëformues të Kosovës.
Edhe pas dy dekadash shtet, Maqedonia me Kosovën u soll në formë foshnjarake sikur Maqedonia të kishte fituar pavarësinë në vitet e vonshme e jo Kosova.
Autoritetet maqedonase bën çmos për t`iu përgjigjur presioneve të Serbisë për ta demoralizuar politikën e jashtme kosovare. Edhe pse kishte vizita të ndërsjella midis krerëve të këtyre vendeve, përsëri pamë elementet e diskriminimit nga ana e autoriteteve maqedonase.
Gafat e qeverisë së Maqedonisë, më saktësisht të ministrisë së punëve të brendshme me ministrin e punëve të brendshme të Kosovës ishin vetëm se një turp i radhës i diplomacisë kosovare, por edhe një nënçmim dhe servilizëm ndaj politikës dhe strukturave serbe në Ballkan nga ana e autoriteteve maqedonase.
Problemi i demarkacionit kufitar midis Kosovës dhe Maqedonisë u zgjidh në atë mënyrë që të dy palët u paraqitën të kënaqura. Por, populli nuk është i kënaqur me pazarllëqet që bën Kosova me Maqedoninë për shkëmbimin e territoreve në formë të përcaktimit të vijës kufitare.
Nuk çuditemi shumë me raportin e politikës maqedonase ndaj diplomacisë dhe autoriteteve kosovare. Jemi mësuar me një raport të këtillë midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Edhe pse Shqipëria është shtet qysh prej 1912, ajo nuk ishte dhe nuk po është në gjendje edhe sot e kësaj dite t`i mbyll dyert ose portat e diskriminimeve politike që bën politika maqedonase në raport me autoritetet shqiptare të Shqipërisë.
Gati për çdo vit libri shqip ndalohet në kufirin e Maqedonisë, dhe në këtë mënyrë politika maqedonase ndikon direkt në asimilimin e shqiptarëve të Maqedonisë përmes moslejimit të takimit të shqiptarëve të këtushëm me librin shqip. Ky mendim është mbjell në koloaret e ideologëve të tyre, edhe pse është iluzion, sa që ishte iluzion beteja e humbur e Vuk Jeremiçit në Hagë.
Vinston Çerçil diplomatin e definon si:” Diplomat është ai i cili mendon dy herë para se të flas dhe pastaj asgjë nuk thotë”.
Ndërsa autoritetet kosovare po thuan shumëçka. Ata përveç që po sillen si pula pa krye në diplomaci duke iu frikësuar edhe një shteti të vogël si Maqedonia, nuk po janë në gjendje edhe ti përballojnë sfidave që po lindin në rajon.
Me ndihmën e SHBA-ve dhe Turqisë, Maqedonia dhe Kosova arritën që ti normalizojnë raportet e tyre fqinjësore, por Serbia me ndihmën e Kinës dhe Rusisë, ende po i bën presion edhe Maqedonisë edhe Kosovës.
Nëse diplomati mendon dy herë edhe pastaj nuk fol asgjë por vepron në terrenin e diplomacisë, atëherë, sipas këtij përkufizimi në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, nuk ekzistojnë diplomat dhe nuk bëhet diplomaci, por kakofoni.
Gjithkund ka përjashtime dhe tolerime, por diplomacia me përjashtime dhe me tolerime qysh pa hedhur hapin e parë është dështim i një vendi të caktuar karshi një kauze.
Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë në Hagë dha vlerësimin e saj për pavarësinë e Kosovës. Pas sjelljes së të gjitha fakteve nga të dy anët u soll vendim i drejt në dobi të fakteve, dhe jo të etnitetit të caktuar. Por, dënimi i Ramush Haradinajt dhe përsëritja e gjykimit të tij, ishte thjeshtë një dëshmi për shqiptarët e këtushëm se si vepron diplomacia serbe në të gjitha fushat njëkohësisht.
Dhe Maqedonia, e cila dikur nuk priste presidentin Sejdiu zyrtarisht sot përshëndet vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë në këtë mënyrë duke i dhënë të drejt historike vetvetes për një servilizëm të radhës në Ballkan.
Rregullimi i raporteve të Maqedonisë me Kosovën duhet të jetë prioritet edhe i shqiptarëve të Maqedonisë dhe nuk duhet llogaritur si servilizëm, por duke njohur autoritetet maqedonase ne kësaj duartrokitje i themi servilizëm.
Maqedonia as në të kaluarën, as në të tashmen e as në të ardhmen nuk do t`ia kthej shpinën Serbisë ngaqë e kaluara e përbashkët në një shtet të dikurshëm Jugosllavi ka lënë ato rrënjët e veta që nuk shkulen lehtë. Por, me rëndësi është që të mos pengohen proceset demokratizuese në Ballkan për shkak të politikave shoviniste të Serbisë, Greqisë e Bullgarisë.
Shtuar më 24/07/2010, ora 13:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori