Maqedonia, bullgarizim masiv
Albeu.com
Përcaktimi i identitetit nacional tek maqedonasit po lëkundet dhe kjo krizë identiteti po e rrit koston e dëmit që gërryen prej kohësh tabanin e këtij etniteti të molisur. Popullsia sllave, e thirrur ne kodin nacional maqedonas, po e braktis vetveten, dhe në këtë braktisje po ndërthuren rëndshëm faktorë socialë-ekonomikë, nevoja e lëvizjes së lirë dhe interesa të tjera që shkojnë në favor të palëve të dyta. Çfarë po ndodh? Në dy dekadat e fundit hasnim shumë maqedonas me shtetësi nga ish-Jugosllavia, (kryesisht Serbia), por sot destinacioni ka ndryshuar. “Adresa” e re e shtetësisë së preferuar është Bullgaria, deri dje një vend i varfër dhe i nënçmuar. Realiteti i sotëm është tragjikomik: deputetë maqedonas, kryetar komunash në verilindje të vendit, madje edhe ministra, i janë bashkuar një armate të vërtetë dhjetëra- mijëra vetësh, që posedojnë tashmë shtetësinë bullgare. Një taksi vozitës në Shkup (me shtetësi të dyfishtë maqedonase dhe bullgare) nuk heziton të përmendë benificionet që sjell shtetësia apo pasaporta bullgare: “Me një pasaportë bullgare dyert e BE-së janë të hapura, shikohesh me sy tjetër dhe diçka më ndryshe derisa zbret në aeroportin e Brukselit apo Frankfurtit, ndjehesh minimalisht i përafërt me një euroqytetar të zonës së Shengenit..”. E saktë. Ndërkohë, një pasaportë e Maqedonisë të ofron “zgjedhje të varfër”. Mund të shkosh në Shqipëri, Serbi, Kosovë, Mal të Zi, si dhe vende të tjera që janë të përfshira në zonat e rrezikut të nivelit të mesëm apo të lartë.

Ky nivel i joshjes së një maqedonasi të thjeshtë për shtetësinë bullgare nuk është fakt shqetësues, përballë një numri politikanësh në rritje që po bëjnë të njëjtën gjë. Është thuajse çmenduri kur një lider partie, që është pjesë e qeverisë në Shkup dhe një ish-kryeministër, shfaq bindjet dhe përcaktimet e veta si “nacionale bullgare, të bazuara në origjinë dhe histori”.

Ish-kryeministri Lubço Georgievski, deputet aktual në Shkup, që posedon shtetësinë bullgare dhe një lider partie me disa deputetë (që janë pjesë e qeverisë) kanë deklaruar hapur këto ditë për interesat bullgare në Maqedoni. Pa hezitim kanë rrezikuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, madje ditëve të fundit ata janë më të zëshëm, duke marrë krah nga një lobing gjithnjë e më i hapur i aleatëve të tyre në Sofje.

Ky prizëm i veprimit dhe konceptimit publik nga personalitete publike në Shkup e Sofje po përjetohet me ndjenja të kundërta në publik. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se ai nuk duhet të nënçmohet, sepse “sido që të jetë, Bullgaria është një anëtare e BE-së dhe NATO-s, që ka qasje në të gjitha nivelet e diplomacisë dhe koluareve në Bruksel e Strasburg”.

Egziston një frikë e dukshme për të nxitur debatin nacional tek maqedonasit. Në vend të kësaj, politika shtetërore përballë rrezikut të kësaj kataklizme nacionale, preferon të ndjekë me hapa stoikë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE, si pikëvështrime që do të ndalin shthurjen nacionale. Kuoatat e fundit për pakicat kombëtare që i sigurojnë atyre 10 vende deputetësh duken si pjesë e tendencave për të barrikaduar bullgarizimin masiv.

Nëse garancitë për procesin e euro-integrimit do të mbeten vetëm në kufijtë e demagogjisë politike, siç ndodh rëndom, atëherë nuk do të duket e çuditshme që partia nacionaliste bullgare VMRO-BND e Krasimir Karakaçanov të garojë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë Lindore, dhe pse jo edhe në zgjedhjet parlamentare. Atëherë, çdo tentativë për moshapjen e debatit mbi këtë çështje paraqet rrezik dhe sfidë për të ardhmen e këtij vendi dhe popullësinë shumicë.

Naser Pajaziti - *Autori është analist dhe bashkëpunëtor i “A1 Chanell” në Shkup
Shtuar më 15/09/2007, ora 07:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori