Lufta per korridore energjetike dhe Kosova
Albeu.com
nga Shaqir VukajNë luftën e madhe që bëhet sot në botë dhe në Evropë për korridore energjetike, Ballkani po kthehet në një prej rajoneve më të rëndësishme, nëpërmjet të cilit do të kalojnë naftësjellës e gazsjellës për në Evropë.Veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit, por edhe më përpara, janë hedhur e përpunuar disa projekt-ide e projekte për tranzitimin nëpërmjet Ballkanit të naftës e gazit.

Sipas vlerësimeve të shumë analistëve e politologëve, në Ballkan përplasen interesat e shteteve të fuqishme dhe të kompanive më të mëdha energjetike, ku rolin kryesor sot për sot e luan Rusia. Aktualisht, ajo zë vendin e parë në botë për eksportin e gazit, dhe të dytin pas Arabisë Saudite për eksportin e naftës. Sot, Rusia plotëson nevojat e vendeve të Bashkimit Europian me 40% të gazit dhe rreth një të tretën e naftës.

Sipas burimeve të medias ruse, vitin e kaluar, Rusia ka pompuar drejt Ballkanit 73 miliardë metër kub gaz dhe 59 milionë ton naftë, duke u bërë furnizuesi kryesor i rajonit tonë. Për Rusinë, Ballkani në radhë të parë është tepër i rëndësishëm për pozicionin gjeostrategjik e, në këtë kuadër, për mundësitë e jashtëzakonshme që ka për tranzitimin e lëndëve energjetike drejt Evropës. Eshtë kuptimplotë fakti se brenda tre muajve, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ardhur dy herë në Ballkan e në të dy rastet vetëm për probleme energjetike. Në muajin mars, në Athinë Putin nënshkroi me Greqinë dhe Bullgarinë, marrëveshjen për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandropolus, nëpërmjet të cilit do të transportohen, fillimisht 35 milionë ton naftë e që më vonë do të shkojnë deri në 50 milionë ton në vit.

Në muajin qershor, Presidenti rus shkoi në Zagreb në Samitin Energjetik Ballkanik, ku morën pjesë të gjitha vendet ballkanike, e ku siç shkruante media ruse, "Vladimir Putin ishte pjesëmarrësi kryesor", pasi sipas Moskës, "nuk ka kuptim të diskutohen problemet energjetike pa Rusinë". Duke folur në këtë samit, ndër të tjera, Putin tha: "Rusia si një ndër liderët botërorë për nxjerrjen e naftës dhe të gazit është e gatshme të bëjë gjithçka të mundshme për zgjidhjen e problemeve energjetike të rajonit. Kuptohet mbi bazën e balancës së interesave dhe përgjegjësisë së barabartë të furnizuesve, transportuesve, trazistuesve dhe përdoruesve të burimeve energjetike".

Në muajin mars të këtij viti, në Moskë u publikua Dokumenti mbi Politikën e Jashtme të Rusisë, miratuar nga Presidenti Putin, ku ndërmjet tjerave thuhej: "Duke patur parasysh lidhjet tona tradicionale me Ballkanin, si dhe rolin e tij për ruajtjen e sigurisë europiane, përfshijë aspektin energjetik, atij i duhet kushtuar vëmendje e posaçme".

Në prag të Samitit të Zagrebit, "Gazprom"-i rus (kompania më e madhe energjetike ruse) nënshkroi me kompaninë italiane ENI marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit "Rrjedha jugore" (me kapacitet vjetor 30 miliardë metër kub), që kalon nëpërmjet Detit të Zi, me destinacion përfundimtar Evropën Perëndimore (Itali dhe Austri). Kujtojmë se para pak vitesh është ndërtuar një gazsjellës tjetër ("Rrjedha e kaltër") po nëpërmjet Detit të Zi, që lidh Rusinë me Turqinë, nëpërmjet të cilit Rusia eksporton rreth 7 miliardë metër kub gaz në vit. Në një konferencë shtypi ato ditë në Zagreb, Presidenti Putin, duke folur për këtë gazsjellës, tha se "do desha të shtoja se kolegët italianë kanë informuar në kohë Komisionin Evropian për këtë projekt", gjë që nuk kaloi pa u vënë re nga specialistët dhe politikanët, e që ndryshe do të thoshte se gjithçka është bërë me aprovimin e Bashkimit Evropian.

Ato ditë në median ruse e atë evropiane u fol shumë edhe për projekte të tjerë naftësjellësish e gazsjellësish, që do të kalojnë nëpërmjet Ballkanit, ndërmjet të cilëve u fol gjatë për gazsjellësin "Nabuko" dhe naftësjellësin "Panevropian". Sipas projekteve, i pari do të pompojë gazin nga rajoni i Kaspikut e ndoshta edhe nga Irani në drejtim të Evropës, ndërsa i dyti do sjellë naftë në Evropë nga zona naftëmbajtëse e Kaspikut.

Por siç diskutohet në Rusi, e pse jo edhe në botë, të dy këta projekte janë konkurrentë dhe u bien ndesh interesave të Rusisë. Madje pyetjes provokative të një gazetari se si do të reagojë Rusia lidhur me projektin "Nabuko", ministri rus i Ekonomisë, Hristenko, iu përgjigj: "Për realizimin e ideve të tilla duhen tre kushte - baza e resurseve, infrastruktura dhe tregu i shitjes dhe, nëse njëri prej tyre mungon, atëherë projekti nga ekonomik kthehet në projekt politik", çka la të kuptohej se sipas Moskës, ky projekt vështirë se mund të realizohet.

Por sipas të dhënave të medias amerikane, Moska ka ndërmarrë hapa konkretë që në projektin "Nabuko" të përfshihet dhe "Gazprom"-i rus, por ka ndeshur në kundërshtimin e Perëndimit. Ndaj Moska po përpiqet, në mos të pengojë, të paktën të gjejë mënyra e rrugë për t‘i futur shkopinj nën rrota këtij projekti. Dhe sipas gazetës "The Washington Quarterly", datë 24 tetor, ndërtimi i gazsjellësit "Rrjedha Jugore" është një kërcënim serioz për gazsjellësin "Nabuko". Në Rusi flitet e shkruhet shpesh se për realizimin projektit "Nabuko" ka probleme, që lidhen në radhë të parë me mungesën e resurseve të domosdoshme për një ndërmarrje të tillë. Po ashtu për realizimin e tij thuhet se ka edhe probleme politike etj.

Megjithatë me marrëveshjet që ka bërë "Gazprom"-i me shumë nga kompanitë më të mëdha evropiane ENI (Itali), Gasunie (Holandë), BASF (Gjermani), E.ON Ruhrgas (Gjermani) dhe Gaz de France (Francë), si dhe me futjen nën kontroll të shumë kompanive energjetike në shtetet e krijuar në ish-hapësirat post-sovjetike, Kremlini ka arritur ta fusë Evropën, në një shkallë të konsiderueshme nën vartësinë e tij energjetike.

Me të drejtë, lexuesit i lind pyetja: Po Kosova dhe pavarësia e saj, ç‘lidhje kanë me burimet energjetike dhe rrugët e tranzitimit?

Dua të bëj një parantezë të vogël. Rrugët e tranzitimit të lëndëve energjetike në kohën e sotme lozin pothuajse atë rol që kanë luajtur dikur rrugët hekurudhore. Po t‘i referohemi të kaluarës jo të largët, në prag të Luftës Parë Botërore, ka ekzistuar një projekt për ndërtimin e një linje hekurudhore që do të lidhte Vjenën (si kryeqendra e perandorisë austro-hungareze) me Lindjen e Afërme, e cila do të kalonte nëpërmjet Kosovës. Po ashtu, është përpunuar edhe një projekt tjetër "Rruga hekurudhore danubiane", që do të lidhte Rusinë me Detin Adriatik e që do të kalonte nëpërmjet Kosovës. Fillimi i luftës, shpërbërja e perandorive austro-hungareze dhe cariste ruse bënë që të dy këto projekte të mbeteshin në letër dhe tashmë i përkasin historisë.

Pa iu referuar të shkuarës së largët, kur nëpërmjet Kosovës kanë kaluar rrugë tepër të rëndësishme, vetëm këto dy projekte tregojnë peshën, krahas tjerave të Kosovës, nga pikëpamja strategjike. Në muajin mars të këtij viti kur problemi i pavarësisë së Kosovës ishte shtruar në tavolinat e mëdha diplomatike për zgjidhje, personaliteti i njohur amerikan, Noam Çomski, pyetjes për motivet që shtyjnë SHBA të mbrojë me kaq vullnet pavarësinë e Kosovës iu përgjigj: "Unë mendoj se Kosova është e rëndësishme për SHBA-në për dy arsye: e para - mundësia për ndërtimin aty të një baze të madhe ushtarake, e dyta - mundësia e kalimit të naftësjellësit e gazsjellësit që do të kalonin nëpërmjet saj ose afër saj".

Në komentet e shumta që bëhen sot lidhur me të ardhmen e Kosovës, shihet qartë përplasja e interesave politike e ekonomike e disa shteteve e kompanive të mëdha, ku Ballkanit e veçanërisht Kosovës i jepet rëndësi e veçantë. Siguria për burime energjetike dhe furnizimi i Evropës me gaz dhe naftë nga rajonet e Kaspikut dhe të Azisë Qendrore, përplasja e interesave midis SHBA, Rusisë dhe vendeve tjera lidhur me kontrollin e burimeve energjetike dhe korridoreve të tranzitimit, ka tërhequr vëmendjen e analistëve e politologëve në shumë vende.

Nga ndjekja e këtyre analizave e komenteve tërheq vëmendjen konkluzioni i një grupi studiuesish kanadezë, të Qendrës së problemeve të globalizimit, publikuar në artikullin "Loja e madhe luhet në Detin Mesdhe: gazi, nafta dhe gjeopolitika", botuar në muajin tetor. Autorët e shikojnë problemin, para së gjithash, nga këndvështrimi i krijimit të një poli të ri gjeopolitik, si kundërpeshë ndaj NATO-s, pol që do të kryesohet nga Rusia, Kina dhe Irani, me perspektivë bashkimin me të edhe të shteteve të tjera. Autorët përpiqen të vërtetojnë se në arenën botërore po bëhet rishpërndarje e raportit global të forcave, e cila do të përcaktojë zhvillimet e mëtejshme të krejt shekullit të XXI, ku lufta kryesore, do të zhvillohet për ndërtimin e gazsjellësit të ri "Nabuko", të kontrolluar nga amerikanët, i cili sipas projekteve, do të shmangë Rusinë dhe nga baseni i Kaspikut, nëpërmjet Ballkanit, do të furnizojë Bashkimin Evropian.

Sipas këtij projekti, ky gazsjellës, që do të kalojë nëpërmes Kosovës, me destinacion Austrinë dhe Evropën Perëndimore, mund t‘i furnizojë Evropës dy herë më shumë gaz se sa është në gjendje t‘i ofrojë sot Rusia. Nëse Kosova bëhet e pavarur atëherë, thuhet më poshtë në artikull, nuk do të ketë pengesë që sektori i rëndësishëm i gazsjellësit "Nabuko", që ndodhet nën kontrollin e SHBA dhe NATO-s të përshkojë Maqedoninë dhe Kosovën e të përfundojë në destinacion.

Pikërisht, nisur nga ky këndvështrim dhe kjo analizë, autorët e këtij studimi përpiqen të shpjegojnë kundërshtimin e ashpër e pa asnjë lëshim të Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës. Fjalët dhe argumentet e Moskës, për gjoja mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare që po propagandon Moska, sipas studiuesve kanadezë, janë vetëm tymnajë e dyshimtë, që i vinë në ndihmë Beogradit. Sigurisht që studiuesit kanadezë kanë të drejtë në argumentet e tyre, por nuk është vetëm problemi i korridorit energjetik që mund të kalojë nëpërmjet Kosovës. Moska kundërshton për shumë arsye pavarësinë e Kosovës. Ajo i ka dalë në shteg Rusisë dhe po përpiqet ta shfrytëzojë deri në fund për të përfituar njëkohësisht në shumë plane, në radhë të parë për të forcuar pozitat e veta në botë, për t‘u paraqitur si superfuqi pa të cilën nuk mund të zgjidhet asnjë problem i rëndësishëm në botë, për të rritur praninë në Ballkan, për të përçarë Bashkimin Evropian, për të mbajtur pas vetes Serbinë, për ta përdorur "rastin Kosovë" si shembull për hapësirat postsovjetike e për të ruajtur praninë në Kaukaz, për të bërë presion kundër zgjerimit të NATO-s e shumë arsye të tjera.

Duke u kthyer edhe një herë tek argumentet e studiuesve kanadezë, të cilët vënë në plan të parë problemet energjetike dhe korridoret e tranzitimit, duke i lidhur këto edhe me pavarësinë e Kosovës, do të shtoj se shumë vizita e takime të kohëve janë zhvilluar pikërisht në funksion të problemeve energjetike. Siç vënë në dukje shumë analistë, nga ky kënd dhe në funksion të këtyre problemeve, duhen parë edhe vizitat e takimet e zhvilluara kohët e fundit mes personaliteteve të larta të politikës botërore (vizita e K. Rajs dhe R. Gejtsit në Moskë dhe Teheran, vizita e Presidentit francez, Sarkozi, në Moskë, takimi i Presidentit rus, Putin, me kancelaren gjermane, Merkel, në Visbaden etj). Aq të mprehta e me probleme zhvillohen marrëdhëniet SHBA-Rusi në këtë fushë, sa Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Rajs, në një intervistë që i dha para pak ditësh gazetës "Dallas Morning News", ndërmjet të tjerave, pohoi: "Mendoj se mund të merremi vesh për problemin e vendosjes së sistemit antiraketë të SHBA (në Republikën Çeke dhe Poloni). Ne mund te merremi vesh se kur duhet miratuar rezoluta tjetër për Iranin. Por kur është fjala për situatën e brendshme politike në Federatën Ruse dhe kur përdorimi i naftës dhe gazit bëhet për qëllime politike, atëherë gjithçka komplikohet shumë". /G. Shqip/
Shtuar më 21/11/2007, ora 15:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori