Lufta në Bosnjë, gjenocid apo përplasje ndëretnike
Albeu.com
Gjykata Botërore do të vendosë të hënën nëse Serbia ka kryer gjenocid në Bosnje, gjatë luftës së viteve 1992-1995, një vendim ky që mund t‘i hapë rrugën Bosnjës të kërkojë miliarda dollarë kompensim nga fqinji i saj ballkanik. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, instanca më e lartë kjo e Kombeve të Bashkuara, e hapi këtë çështje vitin e shkuar, 13 vjet pasi Bosnja kish paraqitur padinë e parë kundër shtetit jugosllav, nga i cili ajo u shkëput në 1992, çka edhe shkaktoi luftën ku mbetën të vrarë të paktën 100 mijë njerëz.Të hënën, fjala e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë

"Nëse Serbia shpallet fajtore për gjenocid, kjo do të ketë pasoja të rënda që do të peshojnë mbi të ardhmen e vendit tonë për dekada të tëra", tha avokati Radoslav Stojanoviç. Kjo është hera e parë që një shtet është i paditur para një gjykate për gjenocid, çka ka nxjerrë jashtë ligjit nëpërmjet një konvente të Kombeve të Bashkuara në 1948-ën, pas holokaustit nazist mbi hebrenjtë. Gjykata tjetër e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, në Hagë, ka dënuar ndërkohë disa individë si fajtorë për kryerjen e gjenocidit në Bosnje. Në prag të dhënies së vendimit, mëria dhe zemërimi vazhdon të ekzistojë nëpër linjat etnike që përshkojnë Bosnjën, tani të ndarë në një federatë myslimano-kroate dhe një republikë serbe nën ombrellën e qeverisë. Myslimanët e Bosnjës shpresojnë që gjykata të vendosë se Serbia ishte agresore dhe fajtore për gjenocid, ndërsa serbët e Bosnjës, e vlerësojnë procesin dhe vetë padinë, të paligjshme, për shkak se ajo ishte ngritur pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tyre, nga ana e qeverisë së asaj kohe, e kryesuar nga myslimanët. Myslimanët e Bosnjës dhe kroatët, ndoqën shembullin e Sllovenisë dhe Kroacisë dhe u shkëputën nga Jugosllavia në prill 1992, përkundër dëshirës së serbëve të Bosnjës, të cilët mbetën një minoritet prej një të tretës në atë që më parë kish qenë një Republikë jugosllave e qeverisur nga Beogradi. Të mbështetur nga ushtria jugosllave, serbët reaguan duke kapur plot dy të tretat e territorit të Bosnjës, duke rrethuar Sarajevën dhe duke kryer spastrim etnik, gjatë të cilit dhjetëra mijëra jo-serbë u vranë dhe qindra mijëra u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Gjatë procesit të gjykimit, Bosnja ka shfrytëzuar provat e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka vendosur ndërkaq se masakra e serbëve mbi 8 mijë myslimanë në Srebrenicë, në lindje të Bosnjës, në vitin 1995, ishte me të vërtetë gjenocid. Serbia ndërkohë vë në pikëpyetje juridiksionin e gjykatës dhe mohon akuzat, sipas të cilave lideri serbo-boshnjak i kohës së luftës, Radovan Karaxhiç dhe komandanti i tij ushtarak, Ratko Mlladiç, të dy të akuzuar për gjenocid në lidhje me Srebrenicën dhe të shumëkërkuar nga Gjykata e Hagës, kanë vepruar në zbatim të urdhrave të saj apo kanë qenë nën kontrollin e saj.





Gjykata është në dilemë në lidhje me mënyrën më efikase për t‘u marrë me të shkuarën dhe nëse është më mirë të ndiqen juridikisht individë apo shtete për krime lufte. Avokatët serbë argumentojnë se rasti mes dy shteteve multietnikë, nuk pasqyron luftimet përgjatë linjave ndarëse etnike. Ata thonë se një vendim kundër Serbisë, mund t‘i vendoste serbët e Bosnjës, ekzekutues të dyshuar të gjenocidit, në krahun e viktimave. Jakob Finci, drejtor i Qendrës për Strategjitë e Integrimit Evropian, thekson se gjykata duhet të bëjë një gjykim të mençur që të kënaqë të gjitha palët në Bosnje. Një vendim kundër Serbisë do të ishte ekstremisht i dëmshëm, në një kohë kur Brukseli pothuajse ka pezulluar bisedimet me Beogradin për një anëtarësim të mundshëm në BE, për shkak se autoritetet nuk kanë arrestuar të shumëkërkuarin Ratko Mlladiç. Për më tepër, Serbia është në një situatë të nderë edhe për shkak të statusit të Kosovës, që shumë shpejt pritet të marrë trajtë përfundimtare. Avokati Radoslav Stojanoviç është optimist se Serbia nuk do të shpallet fajtore për gjenocid. Por, ai tha se pika e dobët e Serbisë, ishte detyrimi i saj, sipas konventave të OKB-së, për të përndjekur ekzekutorët e gjenocidit dhe pozicioni i Beogradit nuk do të jetë aspak më i mirë edhe në Ratko Mlladiç do të ishte dërguar në Hagë, për gjykim. Gazeta Shqip
Shtuar më 24/02/2007, ora 12:40
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori