Loja Bam Bam
Albeu.com
“Duke dashur që secila parti të kamuflojë vehten, përmes iluzionit të integrimit në NATO dhe BE, ata mundohen të hedhin baltë mbi njëra tjetrën, duke u munduar që të shpëtojnë nga faji dhe sërish të paraqiten si alternativë e vetme që synon të mirën e vendit.”“Loja bam bam është shumë e mirë....”, kështu fillon kënga e Dudës së Gjilanit, një reperi të ri që i pëlqejnë armët, e që është në konflikt me një grup reperësh tjerë, gjithashtu nga Gjilani. Zënka e tyre flitet të jetë në aspek të rivalitetit në këngë, rivalitet që ka sjellë edhe në një përplasje fizike që rrezikon të kalojë në përplasje “bam bam”. Mirëpo, qëllimi im nuk është që të sqaroj zënkën e të rinjve axhami të Gjilanit, por atë që ndodh në sferën e politikës, respektivisht “bam bam” lojën e politikanëve axhami shqiptar në IRJM. Si çdo herë, viktimat e “bam bam”-it, fatkeqësisht vazhdojnë të jenë shqiptar, që në një formë, janë të lidhur edhe me partitë politike. Dhe për hipokrizi, këto viktima instrumenatlizohen në aspekt politik, dhe përdoren për shantazhe e sulme të partrive politike shqiptare ndaj njëra tjetrës, pa çka se njëher bëhen bashkë në zgjedhje, pastaj u kcen teli, e hidhërohen, e kalojn me palën tjetër, pastaj sërish bëhen bashkë, e kështu bëhem mish mash.
Nëse do të shikojmë kronologjinë e krizave dhe vrasjeve që kanë ndodhë pas vitit 2001, arrijmë në përfundim që pas këtyre ndodhive ekziston një dorë politike që i dirigjon këto gjëra. E gjith kjo i përket rivalitetit ndërpartiak të bllokut politik shqiptar që asnjëher nuk u përplasën me njëra tjetrën, por që rezultati i grindjeve të tyre u zhvendos në popullatë. Të gjithë këto kriza, u përdorën nga partitë politike shqiptare si pikënisje të sharjeve, fyerjeve që nuk u ngjajnë njerëzve që pretendojnë të udhëheqin me shtetin. Ngjarje të ngjashme ka patur në arenën ndërkombëtare gjatë luftës së ftohët, në të cilën periudhë, vende të treta u bënë mish për top, të përplasjeve diplomatike mes SHBA-ve dhe ish-BRSS-së. Kur kjo e fundit u përplas ushtarakisht me Kinën komuniste në brigjet e lumut Usuri, atëherë ishte SHBA-ja që shfrytëzoi rastin për të nisur aksionin e shkëputjes definitive të Kinës nga orbita sovjetike, qëllim që e arriti edhe pse në anën tjetër ishte e zhytur në humbje të mëdha në luftën e Vietnamit.
Në realitetin tonë, diçka e ngjashme ndodhi në bllokun politik shqiptar pasi që BDI dhe PPD ishin bashkë në zgjedhje, derisa Ali Ahmeti neglizhoi PPD-në, në takime të ndryshme për t’u futur në qeveri. Prandaj edhe PPD mori rolin e Kinës komuniste dhe vendosi që të shkëputet nga orbita e BDI-së. Këtë përçarje e shfrytëzoi mjaft mirë PDSH duke marë rolin amerikan të luftës së ftohtë, por krejt kjo ndryshoi kur PDSH dhe BDI u përplasën në Parlament, ngjashëm sikur ish-BRSS dhe Kina dikur. Sherri i gjith kësaj është kodi zgjedhor për të cilin, vërejtje dha edhe trupi i akredituar evropian në IRJM.
Tani, pas asaj që ndodhi, ku nuk u kursye edhe gjinia më e butë, secila palë e involvuar, fajin e hudh tek tjetri. Duke synuar të çfajësojë vehten nga ajo që ndodhi në paralment, PDSH akuzon BDI-në, BDI akuzon PDSH-në dhe PPD akuzon BDI-në. Duke dashur që secila parti të kamuflojë vehten, përmes iluzionit të integrimit në NATO dhe BE, ata mundohen të hedhin baltë mbi njëra - tjetrën, duke u munduar që të shpëtojnë nga faji dhe sërish të paraqiten si alternativë e vetme që synon të mirën e vendit. Madje, PPD bëhet aq e paskrupullt sa që, bën lidhjen e rrahjes në parlament, me statusin e pazgjidhur të Kosovës që është një problem diametralisht i kundërt.
E vërteta e hidhur është që askush nuk i qaset problemit nga këndi i duhur. Askush nuk dëshiron të gjejë burimin e problemit. Askush nuk dëshiron që të gjejë zgjidhjen e duhur për të patur një legjislacion funksional që do të punonte në të mirë të vendit. Dhe derisa, situata vazhdon kështu, derisa kemi kacafytje politike partiake, “loja bam bam” vazhdon. Njerëzit vriten; akuza u shqiptohet në vend. Disa thonë se ishin hajna, të tjerët ishin të mirë, të tjerët kishin qërim hesapesh siç deklaroi spikeri i MTV 2 pas vrasjes së tre djemve të rinj në Shkup.
Nëse vazhdon situata kështu, atëherë intergrimi në NATO dhe BE është shumë largë. Siguria që kërkojn këto institucione ndërkombëtare, nuk ekziston; sistemi i drejtësisë deri më tani është treguar joefikas për të shqiptuar drejtësi; Policia është treguar e paaftë që të luftojë krimin dhe të zbulojë vrasjet, madje ajo u shëndërua dhe në iniciator problemesh me pejsmarrjen e policit të dytë të shtetit në trazirën e parlamentit.
Derisa ndodhin të gjitha këto, dhe sërish fajtor nuk ekziston, atëherë popullata e humb besimin në këto institucione dhe kërkon alternativë tjetër e cila do të jetë më efikase në parandalimin e problemeve, në zgjidhjen e çështjeve me rëndësi politike për vendin, në sjelljen e rendit dhe sigurisë publike që mungon. Atmosfera politike në vend vazhdon të jetë e brishtë dhe kjo situatë sjell vetëm kriza te cilat mund tw eskalojnw dhe mund tw sjellin dëme të paparashikueshme për vendin dhe dëme në arenën ndërkombëtare e veçanërisht tek ato institucione ku IRJM pretendon anëtarësimin.
Loja bam bam, duhet të merr fund.

Lirim SHABANI, Tetovë
Shtuar më 05/10/2007, ora 16:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori