Lindja e Kosovës
Albeu.com
The Wall Street JournalKur Sllovenia shpalli pavarësinë në 1991, Beogradi dërgoi tanket. Kur Kroacia dhe Bosnja bënë të njëjtën gjë, Serbia hapi luftëra që shkaktuan mbi 250 000 të vdekur. Kështu që përdorimi nga Serbia thjesht i një retorike të dhunshme ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës mund të konsiderohet si një lloj progresi i Ballkanit, shkruante e përditshmja amerikane "The Wall Street Journal" në edicionin e saj on line të ditës së sotme.



E sapolindura, megjithatë, nuk është jashtë rrezikut, me Serbinë dhe Rusinë që kërkojnë që Kosova të jetë keq. Por prania e trupave të NATO-s dhe njohja e shpejtë dje nga SHBA-ja dhe fuqitë evropiane, pritet t'i qetësojë nervat në mosmarrëveshjen e fundit territoriale në Ballkan. Duke qenë në krye të luftës së vitit 1999 që dëboi jashtë vendit spastruesit etnikë të Sllobodan Millosheviçit dhe tani për pavarësinë, SHBA-ja u kujdes edhe një herë tjetër për lirinë e një vendi mysliman.



Shtimi i shteteve të vogla që pas rënies së komunizmit e ka bërë Evropën më të qëndrueshme dhe më demokratike, që nga Estonia deri tek Maqedonia. Megjithë lojërat e fjalëve të juristëve, Kosova nuk ndryshon aspak nga pjesët e tjera të shkëputura të Jugosllavisë që fituan lirinë pas 1991, dhe tani janë shumë më mirë. Lobistë serbë i kanë portretizuar kosovarët si terroristë myslimanë, por kjo tingëllon shumë mendjelehtë, po të marrim parasysh praktikat e tyre të moderuara dhe sekulare të Islamit (dhe Kristianizmit) dhe angazhimin e tyre të shprehur ndaj demokracisë.



Liderët e Kosovës thanë se duan që vendi i tyre të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Shqiptarët e Kosovës duken gjithashtu të ndërgjegjshëm se shteti i tyre i ri do të vlerësohet nga mbrojtja që do t'u bëjnë pakicave serbe dhe gatishmëria për t'u pajtuar me ish-armiqtë.



Mbikëqyrja e kujdesshme ndërkombëtare mund të ndihmojë të vëzhgohen gjithashtu shoqëritë delikate multietnike në Bosnjën dhe Maqedoninë fqinjë, ku separatistët mund të përpiqen të shfrytëzojnë pavarësinë e Kosovës në përpjekjen për shkëputje.



Rusia bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit për të anuluar shpalljen e pavarësisë. Duke mos pasur trupa apo interesa të përhershme në terren, Moska do të ishte me fat po të shënonte ndonjë pikë politike kundër Perëndimit, dhe më pas si zakonisht, ta braktisë Serbinë në fatin e saj.



Serbia është shteti i vetëm ish-jugosllav që nuk e ka nisur rrugën e integrimit në Perëndim. Përgjegjës për lejimin e gjakderdhjes në vitet 1990 dhe duke mos kërkuar as ndjesë për këtë, serbët nuk arrijnë ta kuptojnë se historia ka ndryshuar. I vetmi politikan serb, me kurajon e mjaftueshme për të sfiduar nacionalizmin historik serb ishte i ndjeri kryeminisëtr Zoran Gjingjiç që u vra në 2003-in.



Serbisë i duhet një lider i ri që mund të pranojë lidhjet historike dhe kulturore me Kosovën, por duke e njohur dëshirën e fqinjit të tij për liri. Gjermanët e kanë vlerësuar rolin e Gdanskut në historinë e tyre, por pa kërkuar një pushtim tjetër të Polonisë, ndërsa polakët e ruajnë si thesar Vilniusin, por e pranuan lirinë e Lituanisë.



Presidenti serb, Boris Tadiç, që mezi arriti të mundë një ultranacionalist në zgjedhjet e këtij muaji, ka premtuar se "do të bëj gjithçka që ka në dorë (Serbia) për të revokuar shpalljen e njëanshme dhe të paligjshme të pavarësisë", përveç ndërhyrjes ushtarake, shtoi ai.



Tadiç tha gjithashtu se Serbia dëshiron të bashkohet me BE-në. Brukseli mund të ndihmojë në riedukimin e Serbisë duke këmbëngulur që çdo progres në antarësimin e saj të jetë i kushtëzuar me njohjen e Kosovës nga Beogradi. Ai mund të këmbëngulë gjithashtu, siç ka bërë BE-ja për 13 vjet, që Serbia të dorëzojë kriminelët e luftës Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç në gjykatë.



Arritja e madhe e BE-së ishte t'i fuste armiqtë e Luftës së Dytë Botërore në klubin e angazhuar për paqe dhe begati. Tani radhën e ka Ballkani. Pavarësia e Kosovës i hap rrugën futjes së këtij rajoni në Evropë, një fitore për çdokënd, përfshi edhe për serbët. (G. Start)
Shtuar më 21/02/2008, ora 00:56
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori