Ligji qe cungon perdorimin gjuhes shqipe
Pëlqej
Albeu.com
nga Jahi JahiuZyrtarizimi i gjuhës shqipe ka qenë synimi kryesor i gjithë subjekteve politike shqiptare në Maqedoni. Përpjekjet në këtë drejtim edhe pse kanë qenë të vazhdueshme, gjuha shqipe vazhdon të ketë përdorim të cunguar në institucionet shtetërore në Maqedoni.Ishte një ditë e nxehtë korriku kur në lajmet qendrore u raportua se Kuvendi i Maqedonisë votoi Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Lajmi ishte se një vetëtimë në qiellin e hapur sepse paraprakisht aspak nuk kishte pasur ndonjë debat publik rreth ekzistimit të propozim ligjit.

As partitë opozitare e as mediat si duket nuk kishin qenë në dijeni të diskutimeve paraprake në mes koalicionit qeveritar për të ardhur deri tek një marrëveshje rreth përmbajtjes së këtij ligji. Gjithashtu edhe votimi i ligjit në parlament u miratua pa ndonjë zhurmë të madhe për shkak se opozita shqiptare në ato momente bojkotonte pjesëmarrjen në Kuvendin e sapoformuar.

Ndërkohë ligji, i quajtur si Ligji për përdorimin e gjuhës të cilën e flasin së paku 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në njësit e pushtetit lokal, si i tillë doli në Fletoren Zyrtare më 13 korrik të vitit 2008. Në nenin 2 të Ligjit thuhet se në organet shtetërore të Republikës së Maqedonisë mund të përdoret edhe gjuha e ndryshme nga ajo maqedonase nëse atë e flasin mbi 20% të qytetareve.

Fakti se në Maqedoni qytetarët shqiptarë përbëjnë mbi 20% të popullsisë së Maqedonisë, lë të kuptohet se bëhet fjalë për gjuhën shqipe. Dhe në vazhdim përmenden institucionet ku kjo gjuhë gjen përdorim si në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, në komunikimin e qytetarëve me ministrit, në proceset gjyqësore, në proceset administrative, në kulturë, ekonomi, proceset zgjedhor e kështu me radhë.

Në vazhdim, ligji në veçanti për çdo institucion të lartpërmendur tregon rregullat se ku dhe kur mund të përdoret ky ligj. Në nenin 3 të ligjit kur flitet për përdorimin e gjuhës që e flasin mbi 20% qytetarëve, thuhet: “Në punën e Kuvendit gjuha zyrtare është gjuha maqedonase. Deputetët të cilët flasin ndryshe nga gjuha maqedonase, të cilën e flasin së paku 20% të qytetarëve të Maqedonisë, gjatë seancave parlamentare dhe gjatë mbledhjeve të grupeve punuese mund të flasin edhe në atë gjuhë”.

Në fakt edhe para këtij ligji, në këto dy raste përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë i lejuar me Rregulloren e Kuvendit. Risi në miratimin e këtij ligj është përdorimi i gjuhës shqipe nga ana e deputeteve shqiptarë edhe atëher kur ata drejtojnë Komisionet parlamentare e që më parë nuk ishte e lejuar. Por edhe me këtë ligj, nënkryetari shqiptarë i parlamenti, në rast të mungesës së kryetarit të Kuvendit nuk mund t’i drejtoj seancat parlamentare në gjuhën shqipe.

Sa i përket komunikimit të qytetarëve me institucionet shtetërore, në nenin katër të Ligjit thuhet: “Çdo qytetarë i cili jeton në njësit e pushtetit lokal ku së paku 20% e qytetarëve e flasin gjuhën që është ndryshe nga gjuha maqedonase, gjatë komunikimit me ministritë mund ta përdorë atë gjuhë dhe shkrimin e sajë. Ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% të qytetarëve që jetojnë në atë njësi të pushtetit lokal”.

Sipas këtyre nene dhe të tjerë të përfshirë brenda Ligjit, del qartë se gjuha shqipe është akoma lartë statusit si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni. Kufizimet duken qartë brenda rreshtave të ligjit. Fakti që përdorimi i gjuhës vendoset vetën në kuadër të 20%, privon nga e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe shumë shqiptarë që jetojnë në komuna tjera në Maqedoni ku popullsia shqiptare është nën 20%.

Këtu përfshihen shqiptarët qe jetojnë në komunën e Ohrit, Manastirit, Velesit, Krushevës e të tjera vendbanime me pakicë shqiptare. Pra ligji nuk ka karakter nacional.

Përveç kufizimeve ligjore, zbatimi në praktik e ligjit është problem në vete. Derisa në Kuvendin e Maqedonisë përdorimi i gjuhës shqipe nga ana e deputeteve nuk paraqet ndonjë vështirësi të madhe, kur bëhet fjalë për komunikimet me ministrit, deri në këto momente ligji pothuajse nuk ka pasur ndonjë zbatim praktik.

E para zbatimi i ligjit në këtë drejtim kërkon burime njerëzore, pra rritjen e numrit të përkthyesve shqiptarë në këto institucione e cila akoma nuk ka filluar. E dyta, ligjit nuk i është dhënë ndonjë hapësirë mediatike, ku përmes eksperteve, në mënyrë të sakët dhe konkrete, qytetarët shqiptare do të informohen se ku dhe si ata mund ta përdorin gjuhë shqipe. Sipas eksperiencës së deritashme administrative, në komunikimin me institucionet shtetërore ligji pothuajse fare nuk ka gjetur përdorim.

Sa për ilustrim, në nenin 15 të këtij ligji thuhet: “Në gjykatat të vendosura në njësit e pushtetit lokal, ku përveç gjuhës maqedonase, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin mbi 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, vula e gjykatës, emri dhe selia e gjyqit, shkruhen edhe në atë gjuhë”.

Por edhe pse ligji lejon një gjë të tillë, deri tani asnjë gjykatë e cila ndodhet në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë nuk i kanë bërë ndryshimet që i parasheh ligji. Vula, emërtimi dhe selia e gjykatës vazhdon të jete vetëm në gjuhën maqedonase. Në një pjesë të madhe kjo ndodhë për shkak se qytetarët dhe nëpunësit shqiptare nuk kanë njohuri të mjaftueshëm për përdorimin e ligjit.
Prandaj, përveç kufizimeve që ligji i bënë përdorimit të gjuhës shqipe, mos informimi i qytetarëve ngadalëson zbatimin e saj edhe në ato fusha ku ligji mundëson përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Shtuar më 19/11/2008, ora 04:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori