Kush ka plumba për të vrarë shqiptarë
Albeu.com
nga Kim MEHMETIShqiptarët e Maqedonisë, fushatën parazgjedhore e nisën thuajse një javë më herët se njëmbëdhjetë maji, dita zyrtare e fillimit të sajë. Këtë fushatë ata e nisën me krisma nga armë të lehta zjarri, të cilat dëmtuan shtabet parazgjedhore të BDI-së.Posa filloi periudha zyrtare e fushatës parazgjedhore, armët e lehta u zëvendësuan me ato më të rëndat. Kështu që shtabet zgjedhore të BDI-së, në rrethinën e Tetovës, u sulmuan edhe me topa dore. Mbase të dëshpëruar pse Ali Ahmeti nuk e ndërpriste fushatën parazgjedhore, kundërshtarët e tij vendosën të ndërmerrnin hapin e fundit “demokratik” që ta bindnin se kush sundon me Maqedoninë Perëndimore: organizuan atentat mbi te, të cilin, për fat, kryetari i BDI-së e mbijetoi pa asnjë të gërvishtur. Edhe atë fal automobilit të tij blinduar, ku nuk mund të depërtonin plumbat, por depërtoi porosia që bartte me vete helmin vëllavrasës. Pas këtij atentati, dukshëm i shqetësuar, Ali Ahmeti edhe një herë përsëriti se ai “kurrë nuk ka pasur, e nuk do ketë plumba për të vrarë shqiptarë”. Por, harroi t’u tregojë simpatizantëve të tij si t‘ia dalin në krye me ata të cilëve u janë dhënë mjaft plumba për të vrarë shqiptarë? Si t’ia dalin në krye me ata që duan t’i dhunojnë shqiptarët e këtushëm, e të cilët bëhen gjithnjë e më agresiv dhe më të sigurt se nuk ka kush i ndal rrugës që çon drejtë vëllavrasjes shqiptare. Kjo fushatë parazgjedhore rikujton atë që dihet prej moti dhe e bënë më të dukshme atë që disa qëmoti e paralajmëronin se një ditë do të ndodhte. E rikujton atë se shqiptarët janë të pambrojtur nga institucionet shtetërore – konkretisht nga policia e shtetit – dhe e bënë më të dukshëm realizimin e paralajmëruar se shqiptarët e këtushëm do bëhen peng i “rrugaçërisë” partiake. Se shoqëria e shqiptarëve të Maqedonisë ngutshëm kriminalizohet, dhe se do vijë ditë kur ajo do paguaj çmim të lartë që të shpëtojë nga kthetrat e dhunuesve të mbrojtur nga kryebanditët partiak. Dhe kjo ditë siç duket ka ardhur. E ajo erdhi shkaku se shqiptarët e Maqedonisë vonë e panë se disa parti të tyre, u bënë strehimore të grupeve krimogjene. Se kriminalizimin e partive shqiptare, si parakusht të shkohej më tej drejt kriminalizimit të shoqërisë shqiptare, e stimulonin edhe qarqet antishqiptare maqedonase, të cilat bashkëpunimin politik me partitë shqiptare, e mbështesnin mbi parimin se “vetëm shqiptari i komprometuar dhe me dosje policore, është i përdorshëm për pushtetin”. Pra, shqiptarët e Maqedonisë vonë e vërejtën se u bënë përkrahës edhe të partive të cilat forconin muskujt, e jo trurin. Muskuj të cilët në fillim i përdornin për t’u bë shërbime “vëllezërve” të tyre të partive etnike maqedonase, e më vonë, kur ky shërbim më nuk ishte i nevojshëm, i përdorën për ta dhunuar popullin e vet.
Shqiptarët e Maqedonisë tani janë këta që i pasqyron kjo fushat parazgjedhore. Janë këta që e dinë edhe kush sjellë plumbat edhe kush ato i përdorë për të trembur e për të vrarë shqiptarë, por nuk kanë kujt t’i tregojnë. Se po shkove dhe këtë ia tregove policisë, ata u tregojnë shqiptarëve me plumba për të vrarë shqiptarë, të cilët të presin e të dënojnë për “spiunimin” e bërë. Po i tregove Ali Ahmetit, si lider i një partie opozitare, ç’mund të të thotë tjetër, përpos të ta ushqejë durimin dhe bindjen se duhet bërë çmos për ta mposhtur këtë projekt antishqiptarë vëllavrasës. Kështu që në fund, del puna, se të vetmit shqiptarë të mbrojtur sot në Maqedoni, janë ata që pranojnë të marrin plumba që do i përdorin vetëm për të trembur e për të shantazhuar shqiptarët. E numri i të cilëve mbase nuk shtohet, por aq sa janë, ndjehen gjithnjë e më të sigurt në vetvete. Me çka, arritën të bënin atë që ëndërronin qarqet maqedonase antishqiptare të VMRO-DPMNE-së: t’ua marrin hakun shqiptarëve të këtushëm për 2001. Edhe atë pa shtënë maqedonasi etnik asnjë plumb kundër shqiptarëve të këtushëm. Duke i çuar shqiptarët t’ia hanë kokën njëri-tjetrit. Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund ta mohojnë se për këtë që u ndodh, ata vetë janë fajtorët kryesorë. Në mos për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se me votën e vetë, i dhanë legjitimitet një strukture partiake, e cila din si ta sundojë popullin, por nuk dinë ta kontrollojë destruktivitetin e vet. Andaj edhe shqiptarët e Maqedonisë, tani ndodhen këtu ku janë: në këtë fushatë parazgjedhore, e cila pasqyron se ata janë të egërsuar mes veti partiakisht. Se janë aq të egërsuar mes veti, sa nuk e shohin se qysh moti kanë kaluar shkallën e simpatizantëve partiak, dhe mbase tani janë udhës pa kthim që të çon të bëhesh torturues i popullit tënd. Se janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet që ta mposhtin kundërshtarin partiak, pa vërejtur se janë duke e mposhtur popullin e këtushëm shqiptarë. Kjo tragjedi parazgjedhore që ndodh mes shqiptarëve të Maqedonisë, pasqyron qartë se vendbanimet e këtushme shqiptare janë nënë sundimin e kryebanditëve lokal partiak. Të cilët veprojnë sipas urdhrave të ardhur nga selitë e Tetovës. Me çka u pa se Tetova, para se të bëhej qendër universitare, ishte bë më qendër e nxitjes së grindjes ndërpartiake brendashqiptare. Dhe kjo grindje u përhap në shoqërinë e këtushme shqiptare më ngutshëm se sa diplomat e shitura të Universitetit Shtetërorë të Tetovës, ku u bë ligjërues çdonjëri që kishte “diplomën” e partisë shqiptare në pushtet . Pra, para se Tetova të bëhej me Universitet Shtetërorë, atë dikush arriti ta bëjë qendër nga do realizohej kjo që ndodh sot me shqiptarët: qendër nga do realizohej skenari i rrezikshëm vëllavrasës ndërshqiptarë. Skenar i cili mbase edhe do realizohet, nëse shqiptarët e këtushëm mbeten indiferent ndaj fatit të tyre, dhe nuk dalin masovikisht në zgjedhjet e qershorit, që t’u thonë mjaft dhunuesve të gjakut të vet. Që të dëshmojnë se nuk janë as aq frikacak, sa të gjunjëzohen përpara qyqarëve të fisit të vet. Shqiptarëve të Maqedonisë, u mbetet të dëshmojnë shumëçka. Sa për fillim mjafton të dëshmojnë se e kanë kuptuar se janë të pambrojtur nga policia e shtetit. Se janë lënë në duart e partive të tyre. Edhe atë me qëllim që t’ia hanë kokën njëri tjetrit. Që të bëjnë ata që e ëndërrojnë dhe e stimulojnë edhe disa struktura policore. Struktura të policisë së ministreshës Jankullovska, e cila është kandiduar për deputete në njësinë zgjedhore të Tetovës. Ministresh e po asaj policie, që nuk arrin të zbulojë ata që demolojnë shtabet zgjedhore të BDI-së dhe që dhunojnë shqiptarët, por që tregohet e “suksesshme” në luftën globale kundër “terrorizmit islamik”, dhe këto ditë, në mes të Shkupit, bëri bastisjen spektakulare të Shtëpisë Botuese “Nun” dhe të Organizatës “Bamirësia”. E bastisi këtë shtëpi botuese dhe këtë organizatë humanitare, me arsyetim se kishte “zbuluar” gjurmët e një qendre “terroriste islamike”. A në të vërtetë, qëllimi i këtij aksioni ishte krejt tjetër: duke e ditur se pronarët e kësaj shtëpie janë simpatizantë të BDI-së (thuajse partitë e kanë për obligim të parashohin edhe veprimtarin e çdo simpatizanti të vet) , donte të realizojë atë që nuk arriti ta bëjë paraardhësi i saj gjatë 2001, i cili u mundua që UÇK-në ta shpallte si degë të All Kaedës. Pra, me këtë aksion, Jankullovska donte të komprometojë atdhetarë të përkushtuar shqiptarë, e myslimanë të devotshëm, dhe me atë të dëshmojë se BDI-ja është e lidhur me organizata të dyshimta “antiperëndimore”. Gjë të cilën nuk e kuptuan as disa krahë partiak të BDI-së dhe u ngutën të kërkonin distancim e partisë nga “mjekrat” e Shtëpisë Botuese “Nun”. Me arsyetim se kështu u kishin sugjeruar të huajt. Me çka dëshmuan se nuk e dinë se, sikur Amerika të priste që terroristët t’i zbulonte policia e Jankullovskës, atëherë rusët moti do kërkonte na SHBA atë që Greqia kërkon nga Maqedonia: që ta ndërronte emrin e shtetit. Por, kështu e kanë disa zyrtarë të lartë “kafenesh” të BDI-së, e për të cilët simpatizantët e Shkupit të kësaj partie, këto ditë e tregojnë barsoletën e cila thotë: kujdesu mos të të vrasin, sepse sa u përket disa “ekspertëve” të BDI-së, ata mund të kërkojnë nga kreu partiak që mos të të varrosin menjëherë, por të të mban në frigorifer aq ditë, sa do zgjasin analizat e tyre, se si do ndikojë vrasja jote tek simpatizantët tjerë të partisë. (Lajm/shqip)
Shtuar më 14/05/2008, ora 19:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori