Kush gënjen, Ahmeti apo Gruevski?
Pëlqej
Albeu.com
nga Bekim MURATIPartia Demokratike Shqiptare ka reaguar ndaj pretendimeve të kryetarit të BDI-së Ahmeti se është arritur marrëveshje me Gruevskin. Nëse deklarimet e Ahmetit janë të vërteta, PDSH i ka sugjeruar mandatarit që të krijojë një koalicion të ri me BDI-në.Në Qeveri thonë se kryeministri nuk ka ndërruar qëndrimin rreth kërkesave të partisë shqiptare në opozitë

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit dhënë BBC-së. Sipas kësaj partie, nëse pohimet e Ahmetit për marrëveshje me Gruevskin janë të vërteta, atëherë PDSH do të mbështes fuqishëm këtë, duke potencuar se mos bëhet fjalë "për gënjeshtër" nga ana e Ahmetit. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për BBC-në ka deklaruar se partia e tij ka arritur marrëveshje me partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski për shumicën e kërkesave të parashtruara prej saj, si kusht për rikthim në parlament, ndërsa garantë të kësaj marrëveshje do të jenë SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Marrëveshje apo
gënjeshtër?
"Sipas pohimeve të Ali Ahmetit është arritur marrëveshje për zyrtarizmin e gjuhës shqipe, për nxjerrjen e ligjit që rregullon statutin e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, për rikomponim të Komisionit për marrëdhënie ndëretnike, ndërkaq për përdorimin e Parimit të Badinterit, për formimin e koalicioneve qeveritare do të bisedoheshka pas kthimit në Parlament. PDSH mbështet fuqimisht këto marrëveshje me të cilën zgjidhen kontestet kryesore që i rëndojnë marrëdhëniet ndëretnike", ka deklaruar zëdhënësja Fatmira Isaku.
Sipas PDSH-së, kjo situatë e re hap dilemën për metodat e veprimit demokratik dhe të efikasitetit të një politike.
"Së këndejmi, nisur nga pohimet inkurajuese të z. Ahmetit, nisur nga vlerësimet pozitive për këtë marrëveshje të arritur, nisur nga fakti i krijimit të një klime të re politike, PDSH- ja e sheh të udhës që t`i sugjerojë mandatarit që të krijojë një koalicion të ri me subjektin BDI, me të cilin kanë arritur marrëveshje kaq të frytshme", nënvizon Isaku. Por, sipas PDSH-së këto pohime duhet të dokumentohen. "Nëse këto pohime nuk do të jenë të vërteta, nuk do të dokumentohen në një marrëveshje konkrete të shkruar atëherë PDSH vlerëson se ky mashtrim i radhës mund të destabilizojë tej mase popullatën, e cila tashmë është e lodhur me konflikte pa qëllime të qarta dhe me manipulime fyese. Përgjegjësinë për këtë do ta ketë BDI veçmas për shkak se, si në vitin 2001 ashtu edhe në vitin 2007 ndërprenë një proces politik të udhëhequr nga PDSH - ja , ku në mënyrë të qetë arriheshin rezultate kolosale. Ndërprerja e këtij procesi objektivisht do të hapë çështjen e përgjegjësisë historike, politike e kombëtare të z. Ahmetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij", potencon zëdhënësja Isaku.
Ahmeti pranon se ka bërë kompromise
"Rezultate konkrete ka - palët në bisedime i kanë afruar qëndrimet dhe tani priten edhe disa ndërhyrje të vogla në tekstin e marrëveshjes. Mirëpo, para se të ndodhë kjo, Bashkimi Demokratik për Integrim do të thërrasë organin më të lartë në mes dy kongreseve - Këshillin e Përgjithshëm për të marrë vendimin final për pranim ose jo të kësaj marrëveshje", ka thënë Ahmeti. Ai ka pranuar se këto bisedime janë shoqëruar edhe me kompromise nga të dyja palët.
"Duke marrë parasysh fillimin e bisedimeve në të cilat të dyja palët hyjnë me qëndrime skajshmërish të kundërta, ka pasur ndonjë lëshim pe, ndonjë kompromis. Në këtë marrëveshje definohen parimet kryesore për të siguruar ligj për përdorimin zyrtar të gjuhëve, për trajtim konform ligjeve të vendit për veteranët, invalidët dhe për familjet e dëshmorëve, si dhe rikomponim i Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike. Gjithashtu, pika e fundit - zgjedhja e Qeverisë me Badenter - është temë e cila do të hapet pasi BDI-ja të kthehet në Parlament, por kjo është çështje e cila qëndron në marrëveshjen që do të pranohet nga palët", deklaroi lideri i BDI-së.

Gruevski nuk ka
ndërruar qëndrimin
Ndërkaq, edhe zëdhënësi qeveritar Ivica Bocevski ka komentuar rrjedhën e bisedimeve mes VMRO-së dhe BDI-së. Sipas tij, dialogu është në përfundim. "Shihet fund i kësaj procedure dhe Qeveria pret që në periudhën e ardhshme subjektet politike të gjitha temat t`i hapin në Parlament, ku institucionalisht do të diskutohet për çështjet me interes nacional", ka deklaruar Bocevski. Sipas tij, kryeministri nuk ka ndërruar qëndrimin dhe nuk planifikon të bëj lëshime në adresë të BDI-së. Zëdhënësi qeveritarë potencon se për çështjet në dialogun VMRO-BDI, Gruevski e ka pajtueshmërinë e partisë shqiptare qeverisëse që prezanton interesat e popullit. Gazeta Koha
Shtuar më 27/05/2007, ora 15:41
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori