Kush bëhet zot i Shtëpisë së Bardhë më 2008-ën!
Albeu.com
nga Ermal Hitaj,* Uashington“Gudulisjet” e garës presidenciale kanë filluar. Sinjalet e para i jep një anketë e financuar nga L.A. Times dhe Bloomberg.“Gudulisjet” e garës presidenciale kanë filluar. Sinjalet e para i jep një anketë e financuar nga L.A. Times dhe Bloomberg. Sinjali më interesant, edhe pse jo aq i papritur, duket se do t`i japë kampit demokrat mjaftueshëm dhimbje koke deri në zgjedhjet eliminatore brendapartiake. Dhe është i qartë dhe i fortë. E para, Senatorja Hillary Clinton nuk ka rivalë seriozë në kampin demokrat; avantazhi ndaj ndjekesit më të afërt, senatorit karizmatik nga Illinois Barack Obama është 21%.

E dyta, Sen. Hillary Clinton do të humbte në zgjedhjet presidenciale si ndaj Rudi Giulianit, lider i anketës në kampin republikan, ashtu edhe ndaj Sen. John McCain, kandidati i dytë më popullor për republikanët. Dhe jemi pak me tepër se një muaj nga zgjedhjet ku demokratët, në një fitore historike, rimorën senatin dhe kongresin duke i dhënë fund dominimit republikan prej pothuaj dy dekadash në pushtetin legjislativ. Pra në një moment ku gjithë Amerika është në kreshtën e një vale entuziazmi demokrat të paprovuar që në fillim të viteve ‘90. E cila valë, me sa duket, nuk mjafton për t`i nxjerrë ata në bregun e lumtur të presidencës. Jo Hillary’n, të pakten.

Ky është konfirmimi i fundit i faktit që dilema parazgjedhore demokrate nuk ka për të qenë e lehtë; kandidati më i mirë për shijet e tyre nuk është kandidati më i mundshëm për tu zgjedhur president. Pra, a dërgojmë në ringun e ndeshjes atë që na do zemra ne, apo atë që mendojmë se do shumica amerikane? Dilemë që në eliminatoret demokrate të zgjedhjeve të kaluara iu zgjidh, në përputhje me parashikimet e ekonomisë politike, në favor të të ekuilibruarit (dhe gjithashtu të pavendosurit) centrist Sen. Kerry mbi Hoëard Dean, joekuivokal, agresiv dhe me mbështetje masive në segmentin e moshës 20-30 vjeç.

Siç e dimë, strategjia e apelimit ndaj qendrës së spektrit politik nëpërmjet Sen. Kerry nuk doli dhe aq mirë. Arsyeja nuk është, Zot na ruaj, shkarja djathtas e qendrës amerikane. Emërimi i Sen. Kerry si kandidat ftohu bazen demokrate e cila e vleresoi mesazhin e tij (nëse kishte) si të paqartë, jobindes dhe nuk mori mundimin të votonte. Dhe sot, çfarë e bën vendimin e demokratëve akoma më të vështirë është fakti që për momentin, nuk kanë një kandidat që mund t`i bëjë apel qendrës.

Rifrazojmë: kanë, por nuk e dinë as vetë. Seriozisht. Sipas anketes, kandidatë tipikë të qendres si Evan Bayh apo Sen. Joe Biden (kandidati im i preferuar) nuk janë eskpozuar mjaftueshëm nën dritat e skenës politike kombëtare për tu konsideruar si opsione reale nga masa e demokratëve. John Edëards ka numra disi më të larte se këta të dy, por performanca e tij gjatë fushatës së kaluar (ishte kandidati për zv/president i Sen. Kerry) la shumë për të dëshiruar dhe demokratët nuk duhet ta kenë harruar këtë.

Gjithsesi, anketa e sotme tregon u jep shpresë shumë “të përgjumurve” në kampin demokrat. Të gjitha gjasat janë që një numer kandidatësh demokratë të këtij tipi do t` vërsulen fushatës brendapartiake në muajt në vijim (Kucinich sot deklaroi që është në garë) në përpjekje për të treguar që ata janë përgjigja demokrate për kandidatin e qendrës.

Nga ana tjetër, strategjistët e Senatores Clinton do të bëjnë ç’është e mundur që ta zhvendosin imazhin publik të saj më afër qendrës dhe t`i zbusin këndet e mprehta.Parashikimi për 2008-ën? Një paketë demokratike me Sen. Clinton dhe Sen. Obama si kandidatë për president dhe zv/president, përkatësisht. Por nëse shihni emrin e Sen. Biden në vend të Sen. Clinton, mos thoni që s’ju thashë.

*Doktoraturë në makro-ekonomi, Asistent-pedagog i Universitetit të Maryland-it!
Botuar ne Gazeten Start
Shtuar më 05/01/2007, ora 13:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori