Kur politika dhe feja mblidhen bashke
Albeu.com
nga Xhavit HALITIShtysë për këtë shkrim u bë deklarimi i para disa ditëve i Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë Ivica Daciç. Sipas z.Daciç, kërcënimi më i madh i Serbisë është ...... Shteti i Pavarur i Kosovës, që shfaqet në tri aspekte:“Shpallja e njëanshme e Pavarësisë së Kosovës”; “Dhuna me motive etnike” e shqiptarëve.; “Aksionet e terroristëve shqiptar në zonën tokësore të sigurisë në jug të Serbisë, ku janë gjetur armë”. Dhe, për këtë aspekt, z.Daciç i jap një dimension global, të ashtuquajtur aksione terroriste të shqiptarëve në Serbi nga një tarikat (sekt) mysliman, që nuk ka qenë kurrë veprues, por as edhe i njohur në popullsinë shqiptare të besimit islam në Ballkan. Daciç, politikani që drejton Ministrinë e Brendshme në Serbi, përdor përkatësinë fetare për të argumentuar e përligjur shfaqjen e “terrorizmit” në Serbi me shqiptarët e etiketuar fetarisht: vahabistë!

Deklarimi i z.Daciç pasoi dha përmbylli veprimet dhe deklarimet e Presidentit të Republikës së Serbisë, Boris Tadiç dhe të Patriarkut të Kishës Ortodokse të Serbisë, Hirësisë Irinej, të sapo ardhur në këtë post. Kryetari i shtetit serb, duke dashur të respektojë besimin fetar të bashkëkombësve të vet, zgjodhi Deçanin për të respektuar dhe festuar Krishtlindjet. Tadiç shkoi për të kryer një rit fetar dhe u përpoq të respektonte atë, por nuk mundi të respektonte politikën. Kurse Irinej, bariu i shpirtrave ortodoksë serbë u shfaq më tepër “politikan”, se sa Tadiç “fetar”.Dihet se një nga treguesit elementarë të shfaqjes dhe të funksionimit të demokracisë është shndërrimi i shtetit nga teokratik në laik. Ky ndryshim tingëllon e duket si një lojë fjalësh por nuk është kështu. Shteti teokratik, që, për fat të keq vazhdon të shfaqet e të funksionojë ende sot në disa vende të botës si një rudiment mesjetar, e ushtron pushtetin në “emër” të Zotit. Kurse shteti laik, (që do të thotë popullorë) ngrihet, funksionon dhe e ushtron pushtetin në emër të popullit. Dallimi është i dukshëm dhe qartësisht i kuptueshëm; demokracia dhe teokracia janë haptazi të kundërt në kurimin dhe motivimin e pushtetit shtetëror. Serbia qysh para gati 200-vjetësh, kur arriti të shpallet dhe të njihet botërisht si shtet i pavarur, nuk është sunduar legalisht nga kisha. Kisha Ortodokse Serbe krijoi precedentin, pra rastin e parë historik të “mëvetësisë” (autoqefalisë) të një kishe ortodokse nga Kostandinopoli. Mbretërit e Serbisë e kanë respektuar, vlerësuar e përshtatur kishën për ruajtjen e sundimit shpirtëror, që ishte premisë për marrjen dhe njohjen e pushtetit të tyre dhe vazhdimësinë, pa shumë telashe, të ushtrimit të këtij pushteti. Në varësi të oscilacioneve objektive politike, fetare gjeostrategjike të një periudhe kohore gati 100-vjeçare, Beogradi; u detyrua të përdorë sa më pak dukshëm (publikisht) forcën e Kishës Ortodokse Serbe në interes e funksion të ushtrimit të pushtetit. Ortodoksisë serbe i duhej të përballej fuqishëm me katolicizmin kroato-slloven dhe, jo me të njëjtin angazhim, me myslimanizmin e besimtarëve dhe të 2-3 milionë shqiptarëve. Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore, e minimizoi jo pak pushtetin e fesë dhe kundërvënien apo përballjen mes besimeve të ndryshme fetare, që gjallonin mes popujve të federatës.

Politika në një shtet, që pretendon, por edhe që aspiron shpirtërisht dhe ndershmërisht se është demokratik, nuk duhet dhe nuk mundet të përdorë për interes të vet besimin fetar. Shteti serb e ka provuar këtë përfundim në ballafaqim me katolicizmin kroato-slloven dhe me kishën maqedonase. Shembulli i myslimanizmit boshnjak që nuk është i drejtimit “hanefi” por i “selefi” nuk mund t’i atribuohet shqiptarëve të Kosovës. Feja, për ne shqiptaret e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet motoja që udhëhoqi dhe sundoi shek. XIX; Feja e shqiptarëve është shqiptaria! Prandaj po e mbyll këtë shkrim me një frazë të shkurtër: Na luftoni, në se doni, si shqiptarë, si një komb të baras vlefshëm me veten, por mos spekuloni. Ne e respektojmë fenë, por nuk përcaktohemi si komb dhe nuk dominohemi prej saj.
Shtuar më 02/02/2010, ora 18:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori