Kur Kosova nuk e njeh pavaresine e saj
Albeu.com
nga Gentian PrishtinaQeveria dhe Presidenti vazhdimisht kërkojnë nga bota që ta njohin pavarësinë e Kosovës, kurse vetë Qeveria dhe Presidenti nuk e njohin pavarësinë e saj. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, një ndër barrierat kryesore të ...... mosnjohjes së Kosovës nga bota, mbetet vetë mosnjohja e realitetit juridiko-politik nga ana udhëheqësve të Kosovës të cilët vazhdimisht lejojnë ushtrim të sovranitetit serb mbi Kosovën - zgjedhjet parlamentare, e tani lokale serbe, strukturat e tyre paralele.

Kryeministri dhe Kryetari i Kosovës që të dy sillen më shumë si dy liderë provincial se sa burrështetas të një shteti të pavarur. Vonesat e shumta të konsolidimit të institucioneve më të rëndësishme, si FSK-ja, KIA, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (që mblidhet sa për sy e faqe), mosvënia e diplomacisë si një prioritet kombëtar, papërgjegjësia dhe moskërkimi për dhënie llogarie për Ministrinë e Jashtme nga ana e Kryetarit të Shtetit dhe Kryeministrit, lejimi i zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, pastaj të dielën ato lokale, janë shembujt më të besueshëm dhe argumentet kryesore që vetë pavarësia e Kosovës është vetëm emër në letër dhe jo realitet i pranuar dhe respektuar nga ana e Qeverisë dhe Presidentit të Republikës.

Këta dy liderë që quajnë veten shtetëror por sillen si provincial janë përdhunuesit më të mëdhenj të Kushtetutës së Kosovës. Nuk mund të presim nga serbët e veriut dhe ata të tjerë ta respektojnë Kushtetutën tonë kur vetë Kryeministri dhe Presidenti (një ish profesor i ligjit) e përdhosin Kushtetutën duke mbajtur tituj të kryetarëve partiak që është antiligjor, antikushtetues! Tragjike por e vërtetë, Qeveria dhe Presidenti vetë nuk e njohin Kushtetutën e Kosovës, apo e njohin varësisht si ju konvenon atyre, ashtu sillen edhe serbët e Kosovës.

Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës në deklaratat e tyre të djeshme haptazi e pranojnë lejimin e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, që ne mënyrë të tërthortë do të thotë pranim juridiko-polik i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Sigurisht që në politikë, diplomaci dhe ligje ndërkombëtare nuk vlejnë vetëm thënie "të pranoj, të mos pranoj, të njoh dhe te mos njoh". 30 vende e kanë shpallur pavarësinë disa herë, por asnjëra nuk janë të pavarura sepse ato nuk sillen si të pavarura, nuk e respektojnë ligjin, nuk e kanë ligjin, nuk e njohin ligjin dhe nuk e njohin apo kontrollojnë sovranitetin e territorit të tyre. Nuk e njohin pavarësinë e tyre, por të shteteve okupuese - zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, në rastin tonë.

Pranimi i sovranitetit serb në Kosove për herë të parë po njihet edhe nga Kosova. Tmerrësisht, kështu së paku thonë zëdhënësit e Thaçit edhe Sejdiut. Akti i lejimit është akt i pranimit. Deklaratat dhe frazat politike nuk kanë asnjë domethënie politike. Në diplomaci dhe politikë ndërkombëtare fiton ai që merr vepra në substancë dhe akte konkrete e jo fjalime dhe deklarata si tendenca për shpëlarje truri. Këtë si duket e ka kuptuar Serbia, dhe jo Kosova, andaj rrjedh edhe organizimi i zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosove, një akt qe nuk ka ndodhur as në kohën e UNMIK-ut.

Në raportin e ardhshëm të radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosove, për herë të parë do të përshkruhet mbajta e zgjedhjeve të organizuara nga Serbia, pra një akt faktik i ushtrimit të sovranitet të Serbisë mbi Kosovën, kështu do të jetë ky perceptim nga ana e përfaqësuesve të OKB-së. Të gjithë këta faktorë do të ndikojnë në parandalimin apo ngadalësimin njohjes se mëtejme të Kosovës. Edhe më keq ky është një justifikim juridik i kontrollimit të një pjese të territorit nga ana e Serbisë

E kotë është për SHBA-në apo Britaninë të lobojnë për shtetin e Kosovës kur vetë Kosova dhe Qeveria e saj e pranojnë ushtrimin e sovranitetit serb mbi Kosovën.

Derisa ne kërkojmë nga bota të na njoh pavarësinë, vetë Qeveria e Kosovës nuk e njeh shtetin e Kosovës. Rasti i lejimit të zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë është pranim direkt i njohjes së sovranitetit të Serbisë mbi Kosovë nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ky akt do të ketë ndikim dhe pasoja direkte në vendimmarrjen e opinionit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Për herë të parë, po dëshmohet, argumentohet se sovraniteti serb mbi Kosovën ekziston dhe po pranohet dhe lejohet nga Presidenti dhe Qeveria e Kosovës. Nuk shkelet mbi shtetin e Kosovës, gjakun e dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës. Kjo është një vepër e rëndë antishtetërore dhe antikushtetuese. (telegrafi)
Shtuar më 15/08/2009, ora 19:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori