Kujdes, s'keni si i shkembeni varret
Albeu.com
nga Kim MehmetiHapësirat e këtij Ballkani shpesh janë copëtuar dhe janë arnuar ashtu siç nuk ta merr mendja, por edhe nga hartat e reja, njësoj të pakënaqur kanë qenë edhe ata që kanë marrë më shumë seç u takon, si edhe ata nga prona e të ...... cilëve është shpërblyer i përkëdheluri i atyre që i kanë rivizatuar hartat e shteteve ballkanike. Pastaj, sa herë që Ballkani është mërzitur nga vetvetja, sa herë që ai nuk ka mundur të komunikojë brenda vetvetes, janë rihapur temat për gabimet historike që u janë bërë popujve të këtushëm dhe kanë filluar debatet për mundësinë e korrigjimit të mundshëm të kufijve etnikë. Andaj, ke përshtypjen se të gjithë kufijtë ndërshtetërorë në këto hapësira, janë të përkohshëm, se ato janë pranuar vetëm sa të marrin pak frymë popujt e këtushëm , e të cilët, janë aq të ndjeshëm kur ua shan mamanë, por bëhen se nuk të dëgjojnë kur ua ofendon babanë, mbase shkaku se etërit e këtushëm llogariten si mëkatarë e fajtorë pse nuk ia kanë dalë me kohë ta zgjerojnë “arën” etnike më tej në veri e në jug, në lindje e në perëndim të Ballkanit. Pra, pse nuk ia kanë dalë ta zgjerojnë shtetin etnik deri aty, nga pasardhësit e tyre, do mund të shihnin se edhe më tej ka tokë dhe det për grabitje, se nga të gjitha anët e kësaj bote jetojnë njerëzit që më lezetshëm e shijojnë të huajën se të veten, por të cilët dallohen nga njëri-tjetri vetëm nëpërmjet asaj sa mund ta kontrollojnë këtë grykësi të veten dhe sa janë mësuar të jetojnë të kënaqur me atë që kanë dhe me aq sa u takon.
Thuajse gjithmonë kur është rihapur tema “Korrigjimi i kufijve të shteteve të Ballkanit”, biseda ka filluar me hapësirat e popullit të “vetmuar” të këtushëm – me kufijtë etnikë të shqiptarëve, gjë që dëshmohet edhe sot kur dikush përmend korrigjim kufijsh, e kur të gjithë e kthejnë kokën nga Kosova dhe viset shqiptare, mbase shkaku se u është bërë shprehi që çdo paqe e arritur në Ballkan të përfundojë me tkurrjen e trojeve shqiptare. Ajo tkurrje e cila ka filluar para se të nisë shpërbërja e Perandorisë Osmane, e që u përmbyll pas Luftës së Dytë botërore me humbjen e Çamërisë dhe lënien e gjysmës së shqiptarisë në federatën e Titos, vazhdoi edhe pas “demokratizimit” të Ballkanit, kur shqiptarëve u ra hise të “asistonin” gjatë mëvetësimit të disa shteteve “xhuxhe” të Ballkanit, duke shpresuar se një ditë do takohen në Bruksel, ku do realizojnë bashkimin vëllazëror, por duke jetuar në ndërtesa të ndryshme, të kontrolluara nga të tjerët.
Kur flitet për mundësinë e korrigjimit të kufijve të shteteve të Ballkanit – thënë më saktë, kur flitet për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, bëhen dy gabime: njërin që e bën bashkësia ndërkombëtare, e cila beson se me këtë do arrijë t’i bëjë të përjetshëm kufijtë e këtushëm, dhe gabimi i dytë, atë që e bëjnë shqiptarët, duke i ikur këtij debati si djalli temjanit. Pra, gabimi i parë ka të bëjë me qendrat që vendosin për fatin e popujve të vegjël të Ballkanit, e të cilat qendra kurrë nuk e kuptuan se dëgjueshmëria e disa politikanëve të Ballkanit, është e ngjashme me atë të qenve: heshtin dhe u nënshtrohen urdhrave, por posa dëgjojnë lehje, të gjithë fillojnë të ulërijnë. Gabimi i dytë ka të bëjë me mosgatishmërinë e elitave politike shqiptare të merren me këtë temë dhe të dalin e të thonë hapur: po, mund të bisedojmë edhe për korrigjimin e kufijve të këtushëm, por duke rishikuar hartën e Ballkanit në tërësi dhe duke pasur parasysh të gjitha trojet shqiptare. Pra, të kërkojnë që çështja e kufijve të trojeve shqiptare të shikohet në rrafshin mbarëballkanik dhe, nëse do rivizatoheshin hartat ashtu siç e dëshiron Beogradi – deri aty ku ka edhe një fshat serb të quhet Serbi, atëherë e njëjta të vlejë edhe për të tjerët dhe deri aty ku ka shqiptarë, të quhet Shqipëri.
Por, duke qenë elitat politike shqiptare shumë “proevropiane” dhe shumë “properëndimore”, le që ato asnjëherë nuk janë mbledhur troç që të merren vesh se si do vepronin nëse do fillonte korrigjimi i kufijve shtetërorë në këtë pjesë të Ballkanit, por atyre u lidhet gjuha në nyje posa ndokush përmend mundësinë e rivizatimit të hartës së kësaj pjese të Ballkanit. Me çka njeriu fiton përshtypjen e gabuar se shqiptarët janë i vetmi popull i këtushëm që është i kënaqur me ndasitë e fundit shtetërore në Ballkan, si edhe përshtypjen e saktë, se elitat politike të këtij populli, kanë mbetur pengë i kufijve mendorë që ndajnë “principatat” që ata i sundojnë. Dhe duke qenë të tillë, ata nuk e kuptojnë se edhe mosbërja e asaj që duhet bërë, të bën njësoj fajtor sa edhe gjithë të tjerët që ngulmojnë të shkëmbehen territore, sa gjithë ata që harrojnë se të gjallët edhe mund të merren vesh si t’i shkëmbejnë pronat e tyre, por s’ke ku i çon të vdekurit, s’ke si i shkëmben varret e atyre që kanë jetuar e besuar se do të treten në vendin e vet. Pra, duke qenë politikanët shqiptarë të tillë siç janë – që sundojnë me ne, por sillen si të ishin komisarë për zgjerimin e Unionit Evropian dhe NATO-s - ata ende nuk ia dalin të kuptojnë se në këtë Ballkan thuajse kurrë nuk është vendosur sipas parimit të mos e dëmtosh më të dobëtin, por ta kënaqësh më të fortin. Duke qenë pra të tillë, politikanët shqiptarë nuk dinë t’ua shtrojnë pyetjen më të rëndësishme atyre që propozojnë shkëmbim territoresh: çka do t’u ofrojnë shqiptarëve të Maqedonisë dhe atyre të Malit të Zi që ata të mos kërkojnë edhe korrigjimin e kufijve të shteteve ku jetojnë.
Hartat në Ballkan shpesh janë arnuar sipas parimit “i forti e di ç’është më mirë për të dobëtin”. Dhe ka ndodhur që i dobëti të heshtë e ta “pranojë” zgjidhjen. Por, me këtë vetëm përkohësisht janë heshtur zënkat dhe gjakderdhjet. Andaj edhe historia e Ballkanit është e bezdisshme, atë e përbëjnë kaptina ku kohë pas kohe përsëriten mosmarrëveshjet e njëjta dhe të ngjan thuajse lexon rrëfimin për elefantin që kurrë nuk e pyet buburrecin se ku ta vërë këmbën, apo atë për lepujt dhe macet që bëjnë aleancë për t’u mbrojtur nga zagarët, por duke harruar se janë nën vështrimin e skifterëve që flatrojnë lart në qiell. Dhe duke qenë historia e këtyre hapësirave e tillë, nuk është e pamundur që fillimshekulli i njëzetenjëtë ta begatojë atë edhe me një kaptinë për korrigjim më të ri të kufijve etnikë të këtyre hapësirave. Por, nëse ndodh kjo, atëherë që tani mund të thuhet se vetëgënjehen ata që mendojnë se në këtë kaptinë do të përfshihen vetëm Kosova e Serbia. Apo thënë edhe me saktë, nëse veriu i Kosovës do shkëmbehej për një pjesë të jugut të Serbisë, atëherë vetvetiu do shlyheshin edhe shumë kufij të tjerë në veri e në jug të Ballkanit. Me këtë mbase në këto hapësira do të zvogëlohej numri i shteteve dhe nga hartat e kësaj hapësire do të shlyheshin shtetet që edhe ashtu të duket se kanë të sotme të përkohshme, siç janë për shembull Bosnja dhe Maqedonia. (Koha Ditore)
Shtuar më 03/07/2010, ora 23:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori