Kujdes Kosovë, Big Brother is watching!
Albeu.com
nga Alban Tartari, TiranëPas pak ditësh, e cituar apo jo nga Ahtisari, do të vijë pavarësia. E shumëpritura. Të gjithë shqiptarët, duhet ta ndiejnë veten me fat që po e përjetojnë një çast të tillë. Por mbi të gjitha, ...Pak a shumë po kristalizohet gjithçka. Për të gjithë ata që janë skeptikë, këto ditë dhe të tjerat që do të vijnë më pas, janë një tregues shumë i mirë sesi Kosova në një mënyrë apo në një tjetër po shkon drejt pavarësisë. Sido të shqiptohet, “serbtohet” apo “anglishttohet”, ajo është pavarësi dhe mbetet e tillë me kushte apo pa to, ditën apo natën, pa Beogradin por me Prishtinën! Në numrin e të enjtes, një nga të përditshmet e rëndësishme austriake Die Presse, publikoi pjesë nga raporti i klasifikuar i Marti Ahtisarit.

Dy artikullshkruesit, janë emra të njohur për lidhjet e tyre në qarqet diplomatike, por në rastin konkret duket se të dhënat kanë dalë nga diplomati austriak Albert Rohan, numri dy i negociatave Prishtinë-Beograd dhe i procesit të përcaktimit të statusit. Sidoqoftë, disa të fshehta kanë dalë dhe Kosova sipas tyre do të ketë një pavarësi të mbikëqyrur. Pra e thënë ndryshe në një kafaz të artë, drunjtë, argjentë apo të ndryshkur(!) gjithçka që Kosova dhe kosovarët brenda saj do të bëjnë, do të monitorohet. Kjo do tu ngjajë atyre programeve të shumëshikuara, kur njerzit shuajnë kuriozitetin e tyre të shfrenuar si duke parë nga një vrimë në mur se çfarë bën fqinji ngjitur! Ato emisione kanë patur suksese gjithandej, dhe Vëllai i Madh, (Big Brother - Grande Fratello – Biri Bizi Gozetliyor- Kafazi i Artë) gjithmonë e ka patur gjithçka nën kontroll dhe votat e atyre kureshtarëve të shfrenuar nga jashtë kanë vendosur për ata brenda.

Ndryshimi është se kosovarët nuk është se hyjnë më dëshirë në këtë “vëzhgim”, ata thjesht janë të detyruar të sakrifikojnë një pjesë të privacisë së tyre, (për të qenë më të saktë të tërën) për tu shfaqur transparentë para ndërkombëtarëve. Jo se vende të tjera të rajonit nuk po e bëjnë, me një “ulëse”(kështu quhet karrigia në kosovarçe) në OKB, Shqipëria, Serbia, Kroacia, Maqedonia e me radhë, kanë hequr dorë nga pak nga sovraniteti i tyre për tu integruar aty ku duan të integrohen. Megjithatë Kosova e ka të detyruar këtë monitorim strikt, pasi nga kjo varet e ardhmja e saj, aspirata e brezave të tërë me radhë që në rreth 100 vjet nuk arritën ta shihnin dritën e asaj që quhet pavarësi.

E duke parë këtë gjendje, e para që të vjen në mendje është situata politike në Prishtinë. Në këto ditë vendimtare, në qendër të vëmendjes është gjendja më e fundit në LDK, partia më e madhe politike, e përfshirë nga një katrahurë e sherr i madh! Fatkeqsisht kjo ndodh në kohën më të papërshtatshme që mund të ndodhë, e të thuash të drejtën kur askujt nuk i intereson kush është në krye të LDK-së, PDK-së, ORA-së, AAK-së e të tjera me radhë. Të gjithëve u intereson Kosova. U intereson pavarësia e saj. Për këtë arsye, politika kosovare duhet të jetë më e matur, më e pjekur, më e qetë, më bashkëpunuese se kurrë në këtë drejtim. Ftesa për bashkëpunim e axhendë të përbashkët erdhi jo më herët se dje nga lideri i opozitës Hashim Thaçi.

Një pikë e dytë është marrdhënia me serbët. E di që kosovarët na fajësojnë ne shqiptarëve të Shqipërisë me fjalët : eeeh flisni ju për bashkëjetesë me serbët, pasi nuk jeni jetuar më parë me ta! Kjo është e vërtetë, por më e vërtetë se e vërteta është se bashkëjetesa më serbët, është çmimi i biletës për në avioninin e pavarësisë (ndoshta jo bussines class, por andej nga fundi i avionit), që gjithsesi të çon në Nju Jork, në katin e dytë të OKB-së, në një “ulëse” andej nga fundi, po shumë të rëndësishme. Ndaj shqiptarët, duhet të dinë të falin, dhe të jetojnë me serbët. Nuk janë të detyruar t`i duan, por ama janë të obliguar t`i respektojnë, e të ndërtojnë një shtet me ta, që do të shkrihet nesër me gjithë vendet e tjerë nën ombrellën blu me yje të verdhë.

Pas pak ditësh, e cituar apo jo nga Ahtisari, do të vijë pavarësia. E shumëpritura. Të gjithë shqiptarët, duhet ta ndiejnë veten me fat që po e përjetojnë një çast të tillë. Por mbi të gjitha, aktorët kryesorë, Kosovarët, duhet të dijnë ç`të bëjnë me këtë pavarësi, si ta përdorin në të mirë të tyre, të pakicave dhe të rajonit! Dhe kjo bëhet duke patur kujdes, sepse “Big Brother is Watching*!

*Vëllai i madh po të vëzhgon (ang)!
Botuar ne Gazeten Start
Shtuar më 06/01/2007, ora 19:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori