Kudhias, Qeparo
Pëlqej
Albeu.com
(Vijon nga shkrimi i kaluar ...)
Gjetja e një vendi për të fjetur ku të mos binim pre e zhurmave ishte për ne aventura e çdo mbrëmjeje. Duke parë se në Porto Palermo nuk kishte disko, pyetëm se mos ishte e lirë ndonjëra nga ato shtëpizat prej druri. Përgjigja që morëm ishte se qenë të gjitha të zëna. Vendosëm të vazhdonim rrugën për më në jug, drejt Borshit apo Lukovës. Dikush na tha se ndoshta do të na duhej të udhëtonim deri në Sarandë për të gjetur një vend të qetë, por planet tona ishin të vizitonim edhe fshatra të tjera përpara se të mbrrinim në Sarandë.

Darkën u ndalëm ta hamë në Qeparoin e poshtëm, në një lokal buzë detit. Aty kishte një numër lokalesh jo më larg se njëzet metra nga bregu prapa të cilëve s’kishte as rrugë makine, kështu që ai breg i bukur nuk shërbente vetëm për çadrat e diellit të plazhistëve, por edhe si rrugë për ca xhipa që shkonin e vinin nëpër rërë, nga e për në lokalet më përtej.

Supa e peshkut ishte e mirë. Pronari u interesua për të na gjetur ndonjë vend për të fjetur, por, pas disa telefonatash, na tha se të gjithë të njohurit e tij, që merreshin me këtë biznes, i kishin të zëna dhomat. Ishte vonë, krejtësisht terr, kur u nisëm për më në jug drejt Borshit me shpresën se do të gjenim dhoma fjetjeje aty. Dhe në fakt na buzëqeshi fati. Në një shtëpi në hyrje të një rruge që të çonte për në plazhin e Borshit pamë një tabelë ku shkruhej se jepeshin dhoma fjetjeje. I ramë celularit dhe na u përgjegj një burrë që na tha se kishte, por vetëm një dhomë. Ndaluam dhe pritëm të dilte. Shtëpia ishte një dykatëshe me obor rreth e rrotull me një hyrje të mbuluar me hardhija rrushi. Hymë brenda dhe pamë se hapësira që na ofrohej ishte një dhomë ndenjeje e kuzhinë bashkë, në katin përdhes, ku, përveç një krevati dopio, kishte edhe një si divan për të cilin i zoti i shtëpisë na tha se hapej e bëhej shtrat dysh.

Vendosëm menjëherë të qëndrojmë të pestë atje, Yuri me Davidin tek divani shtrat, unë Debora e Luna në krevatin dopio, pa e çuar më tej aventurën nëpër terr. I zoti i shtëpisë i shtoi edhe një 1000 lekësh çmimit prej 2500 që na kishte dhënë në rast se qëndronim vetëm një çift. Banja ishte jashtë, prapa një dere, që dilte në oborr. Debora me shqipen e saj i tha atij nëse mund të hanim mëngjesin aty. Është shumë “carino” të hamë nën ato hardhitë e rrushit këtu jashtë - na tha ne në italisht. E paguajmë veçmas dhomës - thuaji - mu drejtua mua kur pa se i zoti i shtëpisë ose nuk mori vesh shqipen e saj ose nuk mori vesh kërkesën. Por për mua ishte e qartë se atje nuk mund të kërkonim këtë lluks agroturistik. Debora megjithatë ngulmonte se isha unë që nënvleftësoja, s’provoja. Gati sa nuk u zumë sepse unë pretendoja se isha ekspert në vendin tim dhe s’mund të bëja qesharakun duke kërkuar një gjë që atje s’mund të kërkohej, pasi kuptohej, me një të parë, se ajo ishte një shtëpi e improvizuar për t’u bërë bujtinë. Le të tjera, por as na u shfaq ndonjë grua e shtëpisë që të nesërmen të mund të na shërbente ndonjë gjë nga kuzhina e tyre sepse, sa për burrin, dukej sheshit se s’bëhej fjalë se mund të merrej me një punë të tillë. Pasi e kuptoi më në fund se për çfarë po grindeshim, i zoti i shtëpisë na tha se kishte plot lokale andej rrotull, ku mund të hanim mëngjesin.

Kur ne mbaruam punë në banjo në shtëpi kishte rënë qetësi e madhe, ishin fikur të gjitha dritat. Por jo ajo e koridorit të hyrjes së shtëpisë që, kur fikëm tonën, vumë re se na hynte keqas në dhomë sepse gjysma e derës ishte prej xhami. Dolëm në koridor për të gjetur çelësin që s’gjindej kërkund. Një provë më tepër që kemi të bëjmë me një bujtinë të sapossajuar – i thashë Deborës në vazhdim të grindjes sonë. Dhamë e morëm derisa vendosëm të varim mbi derë një batanije që ndodhej aty për të penguar dritën.

Gjithsesi problemi më i madh na doli pasi errësuam dhomën: mickonjat me të cilat luftuam ndonjë copë herë derisa na zuri gjumi.

Të nesërmen fëmijët e familjes na përcollën me kuriozitet dhe me shumë dashamirësi.


Kudhës


Për të ngrënë mëngjesin u kthyem në Qeparoin e poshtëm në të njëjtin lokal ku kishim ngrënë darkën. I zoti i lokalit na tha se për në fshatin Kudhës rruga nuk na merrte më shumë se njëzet minuta.

Kudhësi nuk duket nga deti, është i fshehur prapa kodrave. Kjo e bënte zbulimin e tij edhe më tërheqës në imagjinatën tonë. Rruga kalonte nëpër luginën e bukur plot gjelbërim e lule ngjyra-ngjyra të lumit të Qeparoit që në pjesën e sipërme, kur zbret nga malet, na thanë se quhet Lumi i Kudhësit. Pastaj morëm një rrugë të përpjetë, në pjesën më të madhe njëkalimshe, që ishte shtruar me një si beton të vijëzuar.

Rruga e makinës kur hynte në fshat kalonte nëpër shtëpitë e poshtme të tij dhe mbaronte në një shesh që mund të konsiderohej qendra e fshatit. Ajo që na befasoi ishte se fshati dukej më i mbajtur sesa fshatrat e tjerë që kishim vizituar.

Tek sheshi parkuam makinat nën hijen e një rrapi që ishte bri një ndërtese njëkatëshe, me shkallë në mes, nga ato të kohës së Hoxhës. Në krahun e sipërm të sheshit ishte një lokal i vogël në oborrin e të cilit kishte një tjetër rrap, më të madh se i pari. Nën hijen e këtij ishin disa tryeza e karrike ku qenë ulur disa djem të rinj. Kurse përmbi klubin ngjitej rruga e ngushtë me kalldrëm që të çonte në pjesën më të vjetër të fshatit, ku na thanë se ndodhej edhe kisha.

U ulëm për të pirë kafe nën hijen e rrapit të madh. Prej aty dukej fasada e ndërtesës së kohës së Hoxhës bri të cilës kishim parkuar makinat. Këto lloj ndërtesash i dallon menjëherë, kryesisht për shkak të formës së dritareve, që, ndryshe nga ato të shtëpive të vjetra të fshatit, janë të mëdha me tre kanate dhe me një sopraluçe sipër. Me vështrimin e parë mu duk se mund të kishte qenë o shkolla fillore, o zyrat e kooperativës sepse kishte shumë parrulla të komunizmit mbi fasadën e saj. Ashtu si në Porto Palermo fillova t’i deshifroja ato. Në tërë gjatësinë e fasadës, pëmbi derën dhe dritaret, kishte një mbivendosje shtresash ku disa fjalë të parrullës së shtresës së sipërme, të shkruara me germa kapitale, me atë të kuqen në vishnje, lexoheshin më qartë rroftë… ppsh, kurse poshtë tyre dalloje ndonjë SH e ndonjë P, por jo fjalë të plota. Edhe në të dy anët e derës së hyrjes kishte nga ato citatetet e gjata, të futura në korniza, ku jepet ndonjë mësim moral a politik i partisë apo shokut Enver: parti … mësimet kongresit të saj ishte një copë fraze që lexova. Në fasadë kishte edhe shenja të kohës së paskomunizmit që tregonin se funksioni i ndërtesës kishte ndryshuar. Diku përbri derës kryesore ishte shkruar në të zezë “bufe” dhe bri saj një shigjetë që tregonte derën e hyrjes prej llamarine të ndryshkur. Diku më poshtë dikush kishte shkruar edhe të dua. Por spikaste mbi të gjitha një e kuqe e freskët: ps. fitore me të njëjtën ngjyrë me të cilën ishte shkruar, ndoshta në të një njëjtën ditë me të, edhe një ps e madhe në trungun e rrapit, nën hijen e të cilit po rrinim. Fshat socialist ky - thashë me vete.


* * *

Pasi pimë kafen morëm rrugën e kalldrëmtë për në pjesën e vjetër të fshatit ku na thanë se ishte edhe kisha. Takuam atje pak a shumë të njëjtën romantikë të rrugicave me kalldrëm, të shtëpive me gurë të vjetër, me portat me hark prej guri, me vilet e rrushit që dilnin prej mbulesave të tyre, me gomerë që ngjiteshin e zbrisnin të heshtur e për të cilët Luna mbante në dorë gati fletë hardhijash rrushi për t’ua dhënë t’i hanin. Na ra në sy se edhe atje lart kishte mure e dyer që sapo ishin lyer, dhe më pak shtëpi të rrënuara sesa në fshatrat e tjera. Edhe numri i njerëzve që pamë të qarkullonin ishte më i madh nga ç’mund ta imagjinonim.

Gjatë rrugës ndeshëm në një grup vajzash të vogla që po flisnin greqisht me njëra tjetrën. I pyeta në shqip se ku ishte kisha dhe u habita kur dëgjova të ma shpjegonin me një shqipe mjaft të pastër.

“Ku e keni mësuar shqipen?” – i pyeta, duke menduar se ishin minoritare dhe se shkollën fillore e bënin në greqisht.

“Na e kanë mësuar prindërit.” - mu përgjegjën.

Mbeta pak i habitur: fëmijë me prindër shqiptarë që ndjehen më rehat kur flasin greqisht me njëri tjetrin?

“Po greqishten ku e keni mësuar?”

“Në shkollë.”

Prap s’po kuptoja gjë. Prindër shqiptarë që i kanë çuar fëmijët në shkollë greke? Por më ndihmoi një grua që kaloi aty më në atë çast.

“Fshati ynë është fshat shqiptarësh në origjinë, - më tha - por shumica e banorëve kanë shkuar në Greqi dhe këto vajza që sheh ti janë fëmijë shqiptarësh që e bëjnë shkollën në Greqi prandaj flasin greqish me njëra tjetrën. Tani janë këtu me pushime.

Po prekja një realitet të ri shqiptaro-grek të atyre anëve ku aq shumë debatohet për identitetin: grek apo shqiptar. Në kohën e Perandorisë Otomane dygjuhësia e shqiptarëve ortodoksë të shkolluar të Jugut ka qenë një fenomen i zakonshëm sepse greqishtja ishte edhe gjuha e tregëtisë. Ndërkaq komunizmi qe një periudhe gati gjysëm shekullore që minoriteti grek u shtrëngua të jetonte i izoluar nga Greqia e ku, për ata që synonin arsim të lartë, shqipja bëhej gjuha më e rëndësishme kulturore. Tani po jetojmë një kohë kur shqiptarët e atyre anëve shkojnë të punojnë e studiojnë në Greqi aq sa gjuha greke bëhet për fëmijët e tyre gjuha më e rëndësishme kulturore. Cila do të jetë qasja ndaj këtyre fenomeneve në “Perandorinë” evropiane: ajo e identiteteve të lëngshëm e të shumëidentiteteve apo ajo e identiteteve të ngurta e njëidentiteteve në të cilët janë reduktuar gjyshërit e prindërit e këtyre fëmijëve nga politikat e nacionalistëve të vjetër dhe në të cilat do të duan t’i reduktojnë edhe këta fëmijë nesër nacionalistët e rinj të të dy anëve duke u thënë jeni puro shqiptarë ose puro grekë? Në kohërat që po jetojmë, duke parë se ajo që Hussserli e quante “heroizmi i arsyes” është zbehur shumë në Evropë, nën kërcënimin e frikërave ndaj tjetrit, kjo mbetet një pyetje e hapur.


* * *

Kur arritëm tek kisha pamë se ishte e lyer e tëra në të bardhë, edhe këmbanoren e kishte të re, por nuk mund të hynim dot brenda. Disa fëmijë që na shoqëruan deri aty nuk na treguan dot se kujt mund t’i drejtoheshim për të na hapur derën. Vendosëm të zbrisnim.

Ndonja pesëdhjetë metra më poshtë më tërhoqi vëmendjen një shesh i vogël ku ishte rritur një bar i egër, tufa-tufa, në fund të të cilit kishte një si varr e memorial njëherësh në një stil që mu duk i çuditshëm. Kur u afrova pashë se ishte memorial i tre vëllezërve dëshmorë të fshatit të vrarë gjatë Luftës njëri pas tjetrit. Nuk ngjasonte me stilin e monumenteve që kanë ngritur komunistët. Ata zakonisht kanë pasur një ballinë katërkëndëshe që ngrihej vertikalisht ku shkruhej emri i dëshmorit dhe dita e lindjes e vdekjes dhe, në rastet kur kishte varr, edhe një pllakë horizontale, por nuk kanë qenë të mbyllur anash. Kurse ballina e këtij, ku spikasnin tre pllaka mermeri me emrat e dëshmorëve, të futura në një si mur të trashë me një si hark sipër, vazhdonte nga përpara me një rrethim katror që zbriste shkallë-shkallë për t’u mbyllur me derë hekuri përpara. Mu duk një gjë si pa stil dhe, sikur të mos ishin tre yje partizani në pllakat prej mermeri, zor ta merrje për memorial të kohës komuniste. Fotot e dëshmorëve, midis yllit të kuq lart dhe emrit poshtë, kishin rënë. Pas gjasash, thashë me vete, ky memorial ose është modifikuar në kohët e mëpastajme, ose është një kafshë e rrallë.


* *

Kur po dilja nga ai shesh i vogël më tërhoqi vëmendjen, në një cep të tij, një çezmë publike e rrënuar dhe e tharë çprej kushedi se sa kohësh. Mbi murin mbi të cilin ishte mbështetur ajo kishte një pllakë përkujtimore të kohës së komunizmit ku thuhej se ajo çezmë ishte dhuratë që ia kishte bërë fshatit nëna e tre dëshmorëve të Kudhësit.

Më intrigoi figura e kësaj nëne. Edhe protagonizmi i saj, ashtu si dhe stili i memorialit, mu duk i pazakontë pasi zakonisht veprat publike nuk bëheshin nga individë asokohe. E lidha këtë me parrullat që pashë tek fasada e ndërtesës, tek sheshi ku kishim pirë kafen, dhe mendova se fshati duhej të ishte nga ata që kanë nxjerrë pushtetarë komunistë që pastaj i kanë vënë vulën historisë së fshatit dhe identitetit të tij politik duke përdorur edhe nënat e dëshmorëve. Pra nëna e tre dëshmorëve paskësh qënë bërë një lloj kulti në fshat. U bëra shumë kurioz të pyesja për historinë e saj, por atypari nuk dukej njeri. Kështu që fillova ta imagjinoja të veshur me petkun e personazheve të ashtuquajtur tipike të socrealizmit. E shkreta, thashë me vete, kush e di se sa e ka vuajtur në fakt humbjen e tre djemve, por në publik i kanë dhënë një rol që duhej ta shkërbente tërë jetës duke u bërë personazh e duke e humbur veten si person. Ka luajtur rolin e nënës, e cila dashurinë për fëmijën, një nga ndjenjat më të forta njerëzore, e sakrifikon në altarin e një ndjenje më të lartë. Nëna që pjell heronj, krenare për bijtë e saj që i janë vrarë në luftë, që këtë krenari e ve mbi dhimbjen e vuajtjen e humbjes së bijve; një kopje e vogël e nënës Shqipëri që i jepte kuptim vdekjes dhe sakrificës së dëshmorëve të kombit. Ky ishte pesonazhi tipik socrealist i nënës që kishte për bazë nënën e maksim Gorkut. Thellë-thellë ndoshta personazhi e ka burimin që nga e ëma e Krishtit, - thashë me vete - por pastaj mendova se ka një ndryshim të madh midis të dyjave. Maria është shumë më e besueshme si personazh, sepse ajo vuan e qan për kryqëzimin e të birit, kurse nënat e socrealizmit tonë nuk duhet të vuanin, nuk duhet të kishin dobësi, as dhimbje, sepse këto qenë shenja dobësie. Ata duhet të ishin edhe të pamëshirshëm ndaj atyre që tradhëtonin idealet. Pikërisht mungesa e dimensioneve kaq të rëndësishëm njerëzore si vuajtja, dhimbja apo mëshira, që realizmi socialist ua hoqi personazheve të veta, duke i bërë të paarritshëm nga vdekëtarët, i bëri ata krejt të pabesueshëm, pa lidhje me realitetin dhe prandaj edhe jo frymëzonjës.

Duke u marrë me pyetjen se pse marksizmi nuk u bë dot një fe e qëndrueshme si Krishtërimi apo Islami, Ernest Gellenri, në “Feja dhe profanja”, e gjen shkakun në faktin se marksizmi kërkoi të zhdukë dallimin midis së shenjtës dhe profanes në jetën njerëzore, duke argumentuar se njeriu ka nevojë për profanen. Dhe vuajtja, apo dhembja, ashtu sikurse edhe shumë dobësi njerëzore, janë ajo profania pa të cilën e shenjta humbet kuptimin. Personazhet e socrealizmit më duket se janë ilustrimi më i mirë i prirjes për ta zhdukur profanen nga jeta njerëzore. Edhe kulti i diktatorit, si mishërim i Zotit mbi tokë po këtë kuptim ka. Në fakt, refuzimi i tre tundime të Djallit nga Krishti: për ta bëri gurin bukë, për të marrë pushtetin tokësor dhe për të provuar Zotin, nuk është gjë tjetër në thelb veçse një mësim mbi nevojën e ndarjes midis profanes dhe së shenjtës në jetën njerëzore.

Duke zbritur nga Kudhësi nëpër luginën e bukur të Lumit të Qeparoi mu kujtua historia e një nëne tjetër, edhe ajo nga fshatrat e Jugut, që jo rastësisht s’u bë kurrë personazh i realizmit socialist. Edhe asaj iu vra djali në luftë. Kur ishte në kulmin e dhimbjes shokët e djalit partizan i dërguan një gjerman që e kishin kapur rob që ta vriste vetë apo që t’ia vrisin në sy për shpagim. Por ajo refuzoi duke u thënë: ka edhe ky nënën e vet.



Qeparo


Fshatrat e Jugut shpesh më vjen t’i krahasoj me tablotë e ndryshme, të së njëjtës periudhë, të ndonjë piktori të madh, në të cilat gjen të njëjtën dorë, talent, frymëzim, stil, dashuri, por midis tyre, megjithatë, veçon ndonjërën që të duket më e bukura, më e veçanta. Qeparoi i sipërm në këtë kuptim është, për mua, më i bukuri krijim i “autorit” të fshatrave të Jugut.

Dhe përsëri, kur them këtë, ndodhem përpara vështirësisë për të shpjeguar deri në fund se pse është më i bukuri. E ndjen dhe thua se të pëlqen më shumë nga të tjerat që ke parë, se është kryevepra e autorit, po pse? Rrugët dhe rrugicat e Qeparoit mund t’i gjesh edhe në Vuno, edhe në Dhërmi, edhe në fshatrat e tjera të Jugut. Edhe intimitetin, edhe stilin e shtëpive, edhe befasitë që të presin në kthesat e papritura të rrugicave. Po ashtu, një pjesë e rrënojave të Qeparoit kanë marrë atë shkrirjen me shkëmbin, me natyrën duke u kthyer në monumente artistike që sikur të vjen keq t’i ndryshosh. Por këtë e ndjen edhe në Himarë, madje më fort. Atëhere pse veçohet Qeparoi, pse më duket më magjepësi nga të gjithë? Duke dashur ta shpjegoj do të thoja se kjo vjen së pari, ngase një nga karakteristikat e bukurive të fshtrave të Jugut shfaqet në Qeparo në mënyrën më ekspresive apo më të skajëshme. Kjo është vendosja e këtyre fshatrave mbi lartësitë e kodrave dhe maleve që shohin mbi det. Në Qeparo kjo lartësi është më e madhe se e të gjithë të tjerëve. Dhe lartësia në të cilën ndodhet nuk e bën Qeparoin të veçantë vetëm përsa i përket bukurisë së pejsazhit që të hapet nga ballkoni malor ku është vendosur ai. Edhe vetë fakti që njeriu ka shkuar aq larg, aq lart për të ngritur ato shtëpi të mrekullueshme prej guri, i jep një magji të veçantë këtij fshati. Dhe prap nuk është vetëm kjo. Një arsye tjetër është se pejsazhi që shfaqet kur je në Qeparo është i mrekullueshëm jo vetëm për nga ana e detit poshtë, por edhe për nga ana e maleve prapa tij. Jo gjithmonë majat e maleve të krijojnë të njëjtën ndjenjë estetike. Duhet një distancë prej ku ata të duken më të bukur, duhet edhe një kënd gjithashtu. Vendi që ka zgjedhur “autori” për të ngritur fshatin Qeparo e ka bërë këtë mrekulli. Midis fshatit dhe maleve prapa tij ka një distancë që jo vetëm të jep mundësi lëvizjeje nëpër hapësira të sheshta prapa tij, por i jep edhe shikimit frymëmarrje për të parë e shijuar një pejsazh të rrallë që fillon me grumbullin e qiparisave përtej, tek varreza e fshatit, e ngjitet larg tek majat e maleve të cilat nuk i rrinë fshatit si barrë mbi kurriz, por i ofrojnë pamjen e një pejsazhi malor ku ato qëndrojnë në një harmoni të veçantë ndaj njëra-tjetrës e ndaj qiellit.


Çezmat e shterura


Një nga gjërat e veçanta që më tërhoqi duke ecur nëpër rrugicat e Qeparoit qenë disa çezma publike, edhe ato tashmë të shterura, si çezma e nënës së heronjve në Kudhës.

Shumica ishin të thjeshta: një kuadrat çimentoje i mbështetur mbi një mur guri prej ku dilte tubi i rubinetit dhe një shesh kuadrat i poshtëm, po prej çimentoje, me vrimën katrore ku derdhej uji si dhe hapësirën për të venë këmbët. Tashmë, tubat ku duhej të derdhej uji, ishin të gjithë të tharë dhe pa rubineta dhe, po ashtu, gropat poshtë kishin tashmë zgara të ndryshkura çrej kushedi sa kohësh. Të gjitha çezmat që pashë së jashtmi, mbanin shenjat e kohës së komunizmit. Në njërën prej tyre kishte të shkruar, në pjesën e sipërme, 1962. Por në Qeparo më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë një çezmë e madhe, që ngrihej më vete edhe si një vepër arti. Ajo kishte edhe një prag të lartë ku mund të hipje kur doje të pije apo mbushje ujë, edhe vendin ku derdhej uji e kishte të lartë e të gjerë; kishte edhe një si ballinë prej çimentoje të dalë përpara përmbi tubin e ujit në të cilën spikaste relievi i një ylli të madh.

Për një çast mendova se, paradoksalisht, mungesa e mundësisë për të lëvizur gjatë diktuturës sikur i kishte mbajtur gjallë ato fshatra, sepse kuptohej qartë se ato çezma ishin rezultat i ujësjellësave të ndërtuar në atë kohë. Megjithatë, duke parë shtëpitë e bukura, madje disa syresh edhe madhështore, të ndërtuara shumë më herët, nuk mund të rikujtoje se edhe koha e komunizmit ka qenë, gjithsesi, kohë e braktisjes së tyre sepse ishte koha kur filloi urbanizimi dhe industrializimi komunist i Shqipërisë, që e përçmoi thellë thellë fshatin gjithë duke e shfrytëzuar barbarisht atë. Koha e lulëzimit të këtyre fshatrave është ajo kur ende njerëzit jetonin aty si barinj të lirë dhe kur uji mblidhej me stere.

Por pamja e tanishme e atyre çezmave të shterura përçonte, megjithatë, diçka më shumë sesa trishtimin e braktisjes. Një çezme ku të gjithë pinë të njëjtin ujë, si dhe përpjekja e përbashkët e njeriut për ta sjellë atë ujë atje ku jeton, ka një simbolikë shumë të fortë bashkësie. Ato çezma të thara sikur të përçonin ndjenjën e shkatërrimit përfundimtar të komuniteve që kanë jetuar gjithsesi në çdo kohë në ato fshatra. Nuk di se sa ndikoi për këtë përjetim nostalgjia qqë kam për çezmat publike që ekzistonin edhe në Tiranën e fëmijërisë sime. Prania e tyre në rrugë e rrugica ku ndaleshim, pinim ujë, freskoheshim, lanim duart apo frutat që hanim ishte një gjë sa jetësore aq edhe simbolike e lagjes. Zhdukja e tyre, që mesa kujtoj filloi nga fundi i viteve 60, me shtimin e popullsisë së Tiranës e me pakësimin e ujit, ishtë një gjë e trishtueshme, një shenjë degradimi, jo thjesht e qytetit, por e cilësisë së jetës, e relacioneve njerëzore të qytetit.


* * *


Në një nga rrugicat e Qeparoit dëgjuam, prapa një dere, lehjen e një qeni që duket e shqetësuam me praninë tonë. Pas pak nga dera doli një grua që nga pamja pa dhëmbë në gojë, me një shami të zezë të lidhur pas koke, me një fund mbi pantallona të zeza si tuta, të futura në fund në çorapa të bardha, dhe me një bluzë të zezë lëshuar sipër fundit dukej më e vjetër nga ç’tregonte me gjallërinë e trupit. Ndërkohë që ajo doli u shfaq mbi mur edhe qeni, një kafshëz e vogël me pulla bardhe e zi, që vazhdoi të na lehë e gërmushet derisa pa se po flisnim me të zonjën. U duk menjëherë se gruaja kishte qejf të bisedonte me ne.

“Si ia kaloni këtej?” – e pyeta.

“Si t’ia kalojmë – më tha. Enver Hoxha ka qenë njeri i ditur. Ai ka thënë një fjalë: po u hapën kufijtë njerëzit do të ikin. Dhe ashtu ndodhi. I doli fjala.”

Duke i ngatërruar kohët dhe vitet, e duke i veshur Enver Hoxhës fjalë që nuk i kishte thënë kurrë, na la të kuptojmë se jetonte me nostalgjinë e kohës kur kishte qenë mësuese fshati, që kishte qenë për të një kohë shumë më e mirë se kjo që po jetonte tani aty, me një pension të vogël, e vetmuar në mes të shtëpive të braktisura.

Takimin me këtë ish mësueses fshati, ashtu si atë me çezmat e shterura të Qeparoit e përjetova edhe me kënaqësisë e emocioneve të zbulimit të tyre, që sikur vjen përpara e përtej reflektimit. Më pas, sa më shumë mendoja, aq më pak isha në gjendje të dalloja se ç’pjesë të këtyre emocioneve e zinte përjetimi i takimit me to si me dëshminë e një jete që kishte qenë aty dhe që nuk dihet nëse do të kthehet ndonjëherë dhe ç’pjesë e zinte dëshira që kjo jetë të rikthehet aty duke i dhënë gjallëri edhe bukurive të Qeparoit. Por - vazhdova të mendoj - nëse ajo rikthehet kjo do të duket jo me rindërtimin e shtëpive private, që shihje se aty këtu kishte filluar, por me rrjedhjen e ujit nëpër ato çezma publike dhe me mbushjen përsëri me fëmijë të shkollës së asaj ish mësuesje. (panorama)
Shtuar më 02/11/2010, ora 11:19
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori