Ku do të jetë Çurkin gjatë votimit për Kosovën?
Albeu.com
nga Agim PopociPas publikimit të planit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, SHBA, BE dhe NATO u shprehën qartë se mbështesin propozimin për "pavarësi të mbikëqyrur". Presidenti serb, Tadiç, dhe Kryeministri Koshtunica u deklaruan se nuk e pranojnë këtë propozim, ndërsa ky i fundit tha se vetëm vetoja ruse mund ta shpëtojë Rusinë.Është e habitshme se si Serbia llogarit aleatin historik, me të cilin nuk u konsultua kur vrau dhe masakroi me miliona njerëz në ish-Jugosllavi dhe hyri në luftë me gjithë botën. Ky aleat, të cilin llogarit Serbia, në vitet ‘90 të shekullit të kaluar fali dhjetëra mijëra kilometra, jo nga frika, por siç tha edhe vetë Presidenti rus, Vladimir Putin, për të shmangur skenarin jugosllav. Pra, vendimi i KS të OKB për statusin e Kosovës, që është e qartë se varet nga vota ruse, nuk do të komplikohet për Serbinë, por për favore gjeopolitike që kërkon Rusia, pavarësisht deklaratave të diplomatëve rusë përgjatë gjithë javës së fundit.

Ushqimi i skaduar i Çurkinit

"Nuk do të përsëritet situata e vitit 1952, kur nuk u paraqitëm gjatë votimit për problemet e gadishullit korean". Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, duke folur para deputetëve të Dumës ruse, ndërsa fliste për mënyrën e votimit në Këshillin e Sigurimit, kur të prezantohet plani i Ahtisarit për çështjen e Kosovës. E vetmja gjë, që vërtet mund të ndodhë në KS të OKB është kjo, pra nuk do të përsëritet situata e vitit 1952. Kryediploamti rus, duke folur para deputetëve, harroi në çast se nuk po fliste me Koshtunicën dhe Tadiçin, sepse nëse bazohemi në historira që kanë ndodhur në këtë organizëm ndërkombëtar, atëherë serbët nuk do të duhet as ta përmendin shpresën ruse ose shtetin tradicional mik. 12 vjet para kësaj anekdote të Lavrovit, dihet që Presidenti amerikan, Ruzvelt, kishte një miqësi të jashtëzakonshme me Stalinin, dhe i kishte mundësuar shumë favore, brenda dhe rreth Evropës. Diplomatët rusë e dinë se Bashkimi Sovjetik nuk e kishte marrë pëlqimin nga Serbia për të okupuar tri republikat baltike: Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë. Sovjetikët, jo me lejen serbe, morën edhe portin Port Artur në Detin e Verdhë, portin Dairen, Mongolinë, Gadishullin Sahalin dhe një pjesë të madhe të Evropës Lindore. Dhe, besoj që deputetët rusë nuk mund ta harrojnë se Presidenti Ruzvelt, pa e pyetur Serbinë, u kishte dhënë të drejtën sovjetikëve të kenë tri ulëse në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, për BRSS-në, Ukrainën dhe Bjellorusinë... Meqë diplomacia dhe rrethanat historike ndryshuan dhe këtë e dinë të gjithë përveç Koshtunicës, ushqimi që jep ambasadori i Rusisë në OKB, Vitalij Çurkin, është tejet i skaduar.

Ku do të jetë Çurkin?

Diplomacia moderne nuk bëhet me braktisje dhe revolta dhe gjesti i këtij diplomati rus ka kënaqur vetëm orekset serbe. Ndërsa shefi i UNMIK-ut ka raportuar për gjendjen në Kosovë, ishte ambasadori Çurkin që shprehu pakënaqësi për këtë raport dhe braktisi sallën. Veprim të ngjashëm kishte bërë edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, kur fjalën para këtij organizmi e kishte marr ambasadori i Shqipërisë në OKB, Lubljin Dilja. Ndoshta Tadiç dhe Çurkin janë të një kallëpi diplomatik, por ky i fundit ka një CV diplomatike të hidhur në rajonin e ish-Jugosllavisë, gjë që është e mirënjohur si për deputetët rusë, ashtu edhe ata serbë. Pas 28 muaj izolimi të Serbisë, në tetorin e vitit 1994, Vitalij Çurkin ateron në aeroportin e Beogradit si i dërguar i Presidentit rus, Boris Jelcin. Për Beogradin zyrtar, ky ishte një takim historik, ndërsa më vonë u bë e ditur se në këmbim të heqjes së embargos, Çurkin kishte kërkuar nga Sllobodan Millosheviç të pranojë Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Vetëm një ditë më pas, i pyetur se a kishte bërë një ofertë të tillë, ai u përgjigj: "Të flasim më mirë për këtë moment të bukur, për diçka frymëdhënëse!". Ky është diplomati Çurkin. Ndërsa për momentin nuk dihet se çfarë do të kërkojë Rusia, nuk është fare e rëndësishme se ku do të jetë ambasadori i saj në OKB, Vitalij Çurkin, në kohën kur do të bëhet votimi për Kosovën me pavarësi të mbikëqyrur ndërkombëtare, në bar, restorant apo WC... sepse e gjitha kjo nuk do të finalizohet me ndonjë shampanjë amerikano-ruse, por me ndonjë gazsjellës, naftësjellës apo projekt që nuk është lakuar deri më sot.

Pra, edhe pse dihet skenari i dytë i mundshëm, miratimi i pavarësisë së mbikëqyrur ndërkombëtare nga KS i OKB është më se i domosdoshëm për paqe dhe stabilitet në rajon. Ndërsa shqiptarët duhet të jenë të qetë edhe sikur kjo çështje të mbetet e hapur, sepse është pranuar nga SHBA, BE dhe NATO. Nuk duhet harruar se çështje të hapur ka edhe vetë Rusia dhe nuk e zgjidh dot as vijën kufitare me Letoninë, duke mos gëzuar rajonin e Pitallovit, dhe nuk i bie ndërmend të përdorë metoda serbe. Që nga viti 1920 diskutohet marrëveshja paqësore e Rigës dhe Moska nuk arriti të vendosë marrëveshje dypalëshe me Letoninë, edhe pse të dyja palët kanë pësuar e po pësojnë humbje të mëdha financiare. Së fundi, pritet që në muajin maj të këtij viti të bëhet ratifikimi i marrëveshjes nga Parlamenti i Letonisë. Pitallov, deri në fillim të luftës i ka takuar republikës baltike Abrena, ndërsa me marrëveshjen "Molotov-Ribentrop", i është dhënë Rusisë. Kthimin e këtij rajoni, në Letoni e kërkojnë vetëm nacionalistët. Nuk ka vetëm Serbia Koshtunicë, janë gjithandej të shpërndarë!
Gazeta Shqip
Shtuar më 29/03/2007, ora 11:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori