Kritika e neobizantinit Piro Misha
Albeu.com
nga Kastriot MyftarajPiro Misha shkruan shumë rrallë në shtyp, dhe nëse shikon shkrimet e tij të rralla do të vesh re se ato janë të kordinuara me veprime të tij në bashkëpunim me ambasadën amerikane në Tiranë.
Piro Misha është praktikisht botuesi zyrtar i ambasadës amerikane në Tiranë, derisa të gjithë librat që boton ai, mbajnë shënimin se ato janë botuar me financimin e ambasadës amerikane, dhe ato që nuk e mbajnë këtë shënim janë botuar me financimin e Fondacionit “Soros”, i cili funksionon në një lidhje të ngushtë më ambasadën amerikane në Tiranë. Në vitin 2003, Piro Misha botoi në shtyp një artikull kritik ndaj fundamentalistëve islamikë në Shqipëri, gjë që erdhi para një vizite që Piro Misha bëri në SHBA, me ftesë të Departamentit të Shtetit për Çështjet e Jashtme, ku aid he disa të tjerë të llojit të tij, Diana Çuli, Remzi Lani, Blendi Fevziu, Genc Ruli e ndonjë tjetër, dëshmuan për rrezikun e terrorizmit islamik në Shqipëri. Pra, artikullin Misha e shkruajti që të siguronte kredencialet e ekspertit në këtë fushë, për të shkuar në Departamentin e Shtetit.
Duke konsideruar background të Mishës, është e sigurt se edhe artikulli i gjatë i tij “Neo-otomanizmi dhe Shqipëria”, i botuar në revistën “Mapo” në 20 shkurt 2010, dhe i ribotuar të nesërmen në ditoren “Panorama” është një lëvizje të cilën Misha e ka kordinuar me ambasadën amerikane në Tiranë, madje edhe me Departamentin e Shtetit për Çështje të Jashtme në Washington. Artikulli i fundit i Piro Mishës është një kritikë e ashpër ndaj politikës së re të jashtme të Turqisë, e cila ka hyrë në linjën e asaj që njihet si Doktrina “Davutoglu”, sipas emrit të ministrit të tashëm të Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili e ka elaboruar këtë politikë në disa libra, dhe më së shumti tek libri “Thellësia strategjike”.
Unë mendoj se artikulli i Piro Mishës më tepër është një provokacion, një sfidë e një linje antiturke dhe me background grek në Departamentin e Shtetit në Washington. Piro Misha, eshte shumë i ndjeshëm ndaj rreziqeve që mund t’ i vijnë statusit të tij të privilegjuar si botues zyrtar i ambasadës amerikane, gjë që i sjell shumë të ardhura. Prandaj Piro Misha këtë shkrim nuk mund ta bënte veçse me porosi të ambasadës amerikane, dhe kështu duhet të përceptohet shkrimi në Ankara. Një tjetër argument i fortë në mbështetje të tezës sime është se megjithëse fjalimi i Davotoglu të cilin e kritikon Misha është mbajtur në 16 tetor të vitit të kaluar, Misha kujtohet të shkruajë për të pas mëse katër muajsh! Kjo tregon se Misha ka shkruar me porosi.
Ajo çka e bën më interesante kritikën e Piro Mishës ndaj Neo-otomanizmit është se ajo bëhet nga pikëpamja e Neo-bizantinizmit, i cili ka fituar një status të privilegjuar zyrtar në zyrat dhe korridoret e diplomacisë amerikane në Shqipëri. Piro Misha, duke qenë Drejtor i Programit të botimeve të Fondacionit “Soros” në Shqipëri (“Libra për një Shoqëri të Hapur”), u bë përcjellës në opinionin publik shqiptar i politikës greke që mund të quhet si Neo-bizantine. Sipas atyre që shpallen në programin e fondacionit “Soros”, Misha duhet të mbështesë modelin që Soros e ofron si alternativë, që është ai i “shoqërisë së hapur”, i cili është përpunuar nga filozofi Karl Popper, që ka qenë mik i Soros, në librin e vet “Shoqëria e Hapur dhe armiqtë e saj” (1945). Por në vitin 1997, në kolanën e botimeve “Libra për një Shoqëri të Hapur” të Fondacionit “Soros” në Tiranë, është botuar libri “Historia e Bizantit”, i studiuesit Nikolla. Ostrogorski. Se ç’ lidhje ka ky libër me nocionin e “shoqërisë së hapur”, këtë nuk do mundej që ta kuptonte as përpunuesi i këtij nocioni Karl Popper, sikur të çohej prej varrit, pikërisht për të sqaruar këtë problem! Imperia Bizantine ishte, sipas kategorive popperiane, një “shoqëri e mbyllur”. Libri në fjalë i Ostrogorskit (një bizantinolog rus i arratisur pas revolucionit bolshevik dhe i vendosur në Beograd) është një studim historik që i paraqet ngjarjet në mënyrë tendencioze nga pikëpamja e një pansllavisti.
Por, gjëja që të bën më tepër përshtypje tek botimi në shqip i librit të Ostrogorskit është se, në botimin shqip, në kopertinën e librit paraqitet një hartë e fillimit të shekullit XIII, ku tregohet gjendja e trevave shqiptare, në vitin 1214, kur ato u ndanë mes Despotatit bizantin të Epirit dhe Serbisë, me kufi në Lumin Drin. Pse prej qindra hartave të periudhës mbi 1000 vjeçare bizantine, u zgjodh nga Piro Misha pikërisht kjo, e cila nuk paraqet Imperinë Bizantine por situatën e Ballkanit Perëndimor pas shpërbërjes së Imperisë Bizantine, si rezultat i goditjes nga Kryqata e Katërt? Pse nuk u zgjodh një hartë ku të paraqitej p.sh. Principata e Balshajve e shekullit XIV, e cila shtrihej nga Lugina e Preshevës në Vlorë dhe nga Shkupi në Ulqin? Sigurisht kjo nuk u bë se kjo do të konsiderohej një hartë me kumt nacionalist shqiptar. Por megjithatë u zgjodh një hartë me kumt nacionalist serb dhe grek. Arsyeja është e kuptueshme. Paraqitja e një harte ku tregohet shtrirja në veri e Despotatit të Epirit sillet si një provë e rivendikimeve historike të Greqisë në Shqipëri. Kështu u dhunua edhe një prej parimeve kryesore të “shoqërisë së hapur”. Sigurisht që Fondacioni qe kundër nacionalizmit shqiptar, por nga pikëpamja e nacionalizmit grek. Me këtë botim Piro Misha u shfaq zyrtarisht si Neobizantin.
Në 18 nëntor 2006, Piro Misha, në vazhdim të angazhimeve të tij neobizantine, organizoi me anë të OJF të tij, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, një tryezë në Tiranë, me pjesmarrjen edhe të ambasadorit të Greqisë në Shqipëri, Konstantinos Kokosis dhe ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Besnik Mustafaj, për të ndihmuar- siç u tha zyrtarisht- në kapërcimin e problemeve të krijuara kohët e fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke me rastin e vendimit të qeverisë greke për t’ u akorduar dyshtetësinë shtetasve shqiptare që pretendojnë se kanë kombësinë greke. Vendimi i qeverisë greke për t’ u dhënë nënshtetësi greke emigrantëve shqiptarë që deklarohen me kombësi greke, është pjesë e agjendës neobizantine të shtetit grek, të cilën Piro Misha e ka shpallur në kapakune librit të botuar prej tij dhe që e kam përmendur më lart. Por në rastin e neobizantinizmit që vjen nga Greqia, Piro Misha flet për kapërcim keqkuptimesh, ndërsa në rastin e neo-otomanizmit është një kritik i rreptë.
Merret vesh, Piro Misha, ku përndjekës i fantazmave osmane, është një ndjellës i fantazmave bizantine, ashtu si ambasadori grek i kohës, në Tiranë, Konstantinos Kokosis, i ftuar në këtë takim, është një tjetër ndjellës i fantazmave bizantine. Ambasadori grek që na ka ardhur na qenka dhe shkrimtar, autor i një romani historik me titull “Lindja e Perëndimit- Konstantinopol 1437“. Mes lindjes së Perëndimit si nocion kulturhistorik dhe Bizantit mesjetar, mund të ketë lidhje aq sa midis “shoqërisë së hapur“ popperiane dhe Bizantit, që na paraqet Misha.
Në rast se një njeri që ka statusin e Piro Mishës, në raport me ambasadën amerikane, do të kishte bërë ekuivalentin e shkrimit të Mishës, por kundër politikës neobizantine greke në Shqipëri, ambasada greke në Tiranë do të kishte bërë një zhurmë të madhe, qeveria greke do të kishte thirrur ambasadorin amerikan në Athinë dhe do të kishte bërë një protestë zyrtare, si dhe të njëjtën gjë do të kishte bërë edhe ambasadori grek në Ëashington. Personi që do ta kishte bërë këtë do të kishte humbur në moment statusin e botuesit të privilegjuar të ambasadës amerikane, si dhe statusin e ekspertit të Departamentit të Shtetit në elitën shqiptare.
Tash të shohim se ç’ lëvizje do të bëjë diplomacia turke, pas sfidës së Piro Mishës. Sfida e Piro Mishës është shndërruar në një test për dimensionin e seriozitetit të politikës së Thellësisë strategjike të Davutoglu dhe të kryeministrit Erdogan, e Presidentit Gul. Një vend që pretendon të jetë fuqi globale si Turqia e sotme e politikës së thellësisë strategjike, duhet ta tregojë veten dhe në raste të tilla. Davutoglu nuk mund të bëjë strucin dhe të mos shikojë se çfarë do të bënte homologu i tij grek në një situatë analoge, siç e kam përshkruar më lart.
Ky incident duhet të marrë fund me satisfaksionin e plotë të Turqisë, ashtu që Piro Mishës t’ i mbyllet përfundimisht dera e ambasadës amerikane, dhe madje ambasadori amerikan në Tiranë Ëithers, pa viston e të cilit Piro Misha nuk do të kishte shkruar dhe botuar artikullin antiturk, duhet të largohet nga Shqipëria brenda javës, pa zhurmë dhe pa bujë.
Dikush mund të thotë se në këtë shkrim unë kam bërë një teori konspirative. Por a nuk është vetë Piro Misha i cili bën një teori konspiracioni në shkrimin e tij, kur ia ze për të madhe një zyrtari shqiptar se ka shkruar me pseudonim një artikull në shtyp ku lavdëron politikën e Davutoglu. Zyrtari, të cilin Piro Misha e quan zyrtar i lartë, kur në fakt nuk është i tillë, është Shaban Murati, President i akademisë Diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, dhe nuk është sekret që ai prej vitesh shkruan me “pen name” Petrit Haliti (madje shkrimet e tij i ka përmbledhur në një libër me emrin e vërtetë). Por Shaban Murati e ka parë politikën e Davutoglu nga pikëpamja e bashkëpunimit rajonal dhe as që e përmend termin neo-otomanizëm në sens pozitiv. Nga pikëpamja e Muratit politikën e Davutoglu e ka parë edhe sekretarja e Departamentit të Shtetit, Hillary Clinton, e cila e ka çmuar politikën e jashtme turke në takimin që ka pasur me Davutoglu. Piro Misha, qartësisht kërkon të ndërtojë një teori konspiracioni, por ajo i kthehet si boomerang nëse konsiderohen precedentët neobizantinë të vetë Mishës. Nëse Misha gjykohet sipas mënyrës me të cilën e gjykon Muratin, gjërat dalin shumë keq për Mishën dhe për sponsorët e tij në ambasadën amerikane dhe në Departamentin e Shteti.
Piro Misha në artikullin e vet tregon dhe injorancë kur shkruan: “ambicia e Turqisë për t’ u bërë fuqi globale, nënkupton krijimin e një zone të ndikimit (apo të hegjemonisë) turk, e cila nis në Afganistanin e largët e përfundon në brigjet e Adriatikut. Pra pikërisht në territoret ku dikur sundonin osmanët”. (gazeta “Panorama”, 21 shkurt 2010, f. 12)
Por maksimumi i shtrirjes që arriti kufiri lindor i Perandorisë Osmane ishte një vijë që shkonte nga bregu perëndimor i Detit Kaspik, deri poshtë në jug, afërsisht në kufirin e sotëm të Irakut me Iranin. Pra, shumë larg Afganistanit. Piro Misha si injorant që është e imagjinon Perandorinë Osmane sikur shtrihej deri në kufijtë e Kinës. Ky injorant që nuk di atë që e di çdo nxënës i mirë gjimnazi në Shqipëri, thirret në Departamentin e Shtetit si ekspert për çështje që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë, dhe e gjithë kjo bëhet me paratë e taksapaguesve amerikanë! Edhe operativi i Piro Mishës në Sigurimin e Shtetit, duhet ta njihte Perandorinë Osmane më mirë se ai. Injoranca që ka treguar Piro Misha në artikullin e tij meriton një artikull më vete për ta treguar, por koha ime është tepër e çmuar, për t’ u marrë me një injorant të tillë, edhe pse të paguar nga Departamenti i Shtetit.
Por megjithatë një gjë nuk duhet lënë pa thënë. Piro Misha është aq injorant sa nuk e di as ku dhe kur është mbajtur fjalimi i Davutoglu të cilin kritikon. Misha e fillon shkrimin duke thënë se fjalimi u mbajt në Sarajevë në fund të vitit të kaluar (çka është evasive se Davutoglu ishte në Sarajevë dhe në dhjetor, por dhe në tetor të vitit të kaluar). Në fakt fjalimin e vet për të cilin flet Piro Misha, Davutoglu e mbajti në 16 tetort në Sarajevë. Injoranti tjetër në shërbim të Mishës, kryeredaktori i Mapo, Skënder Minxhozi shkruan në paraqitjen e artikullit të Mishës në revistën e vet: “Gjashtë javë më parë revista ‘Mapo’ vendosi të botojë në Shqip fjalimin e ministrit të jashtëm turk Davutoglu, me titullin ‘Një Ballkan Otoman në shekullin XXI’, mbajtur në Sarajevë në ditët e para të vitit 2010”. (revista “Mapo”, 20 shkurt 2010)
Kjo tregon se revista “Mapo” ka dashur të bëjë një dizinformacion të lexuesit të saj, dhe një provokim të qëllimshëm ndaj ministrit të jashtëm turk duke tjetërsuar titullin e fjalimit që në fakt është “Trashëgimia otomane dhe komunitetet muslimane sot”. Të njëjtën gafë e ka bërë dhe gazeta “Panorama”, e cila e ka marrë fjalë për fjalë tekstin hyrës të “Mapo” dhe ia paraqet lexuesit në hyrje të shkrimit të Mishës. (gazeta “Panorama”, 21 shkurt 2010, f. 12) Kësaj i thonë gjenerim i injorancës. Është për t’ u habitur, apo ndoshta jo, që gazeta më e madhe në vend, bie viktimë e një reviste si “Mapo”. Shkurt, lexuesit e “Mapo” dhe “Panorama” e kanë blerë injorancën me para, definitivisht me një kosto dhjetëfish më të madhe për lexuesit e “Mapo”, nëse kemi parasysh çmimin.
Shtuar më 24/02/2010, ora 02:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori