Kosova, zgjedhjet, pavarësia
Albeu.com
nga Xhavit HalitiJanë tre koncepte, që, sidomos kohët e fundit, po trajtohen në mediumet kombëtare e ndërkombëtare. Bëhen lidhje mes kryefjalës, që është Kosova, me dy cilësorë në funksion të së sotmes dhe të ardhmes së saj; zgjedhjeve dhe njohjes ndërkombëtare të pavarësisë.Dhe kjo lidhje është e arsyeshme: Kosova do të bëhet e do të jetë shtet i pavarur e sovran, nëse arrin të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike dhe nëse njihet ndërkombëtarisht pavarësia e saj. Janë raporte të ndërsjella.

Kosova

Kështu, sa herë përmendet Kosova, opinioni mbarëshqiptar, pra gjithë shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal i Zi, e lidhin menjëherë me njohjen ndërkombëtare të statusit politik. E njëjta gjë ndodh edhe me opinionin joshqiptar në botë, që është në dijeni të dramës së Kosovës dhe të gjenocidit të pashembullt serb ndaj popullsisë shqiptare. Dhe të dyja palët kanë të drejtë, kryefjala për Kosovën është njohja e pavarësisë, por, në emër të kësaj pavarësie lihen në harresë apo neglizhohen hallet që po përjeton sot Kosova. Këto i dinë mirë banorët e saj dhe qindra mijë emigrantë, që janë të detyruar t‘u dërgojnë familjeve apo të afërmve të tyre çdo muaj para për të jetuar.

Banorët e Kosovës, që presin me padurim njohjen e statusit, përjetojnë çdo ditë fukarallëkun, prezencën ekstreme të papunësisë, mungesën e tregut për shitjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale, mungesën e energjisë elektrike, problemet tronditëse në infrastrukturën arsimore, shëndetësore e rrugore dhe, së fundmi, po jo më pak e parëndësishme, praninë e ndjeshme të korrupsionit në qeverisje. Kosova pret me padurim zgjidhjen e statusit nga ndërkombëtarët me mendimin dhe besimin se me këtë akt do të fillojë dhe zgjidhja efektive e halleve të saj jetike. Për më se 8 vjet, Kosova po përjeton pavarësinë jetike nga Serbia, por, njëherësh, gjatë kësaj periudhe po përjeton edhe mbihalle. Tashmë, shqiptarët e Kosovës janë të prirur dhe dëshirojnë që zgjedhjet e 17 nëntorit të jenë edhe një zgjidhje për hallet e tyre.

Zgjedhjet

Zgjedhjet vendore dhe kuvendore në Kosovë po mbërrijnë në finishin e tyre. Po zhvillohen njëherësh dy palë zgjedhjesh, zgjedhje për pushtetin vendor dhe për atë qendror. Një gjë e tillë vështirëson jo vetëm fushatën, por edhe angazhimin e njerëzve në të. Angazhimi për zgjedhjen e një kryetari komune është i drejtpërdrejt jo vetëm për hir të njohjes, por edhe të problematikës dhe të premtimeve konkrete për zgjidhjen e tyre. Kurse kandidati për deputet në listën e çdo partie duhet të kërkojë vota në gjithë territorin e Kosovës, pra edhe ku njihet, por ku edhe nuk e njohin. Sipas sistemit zgjedhor në zbatim, kandidati për kryetar komune votohet me emër, ndërsa kandidati për deputet votohet përkundrejt një numri në listën e formuluar nga partitë përkatëse, të përfshira në garën elektorale.

- Zhvillimi i njëhershëm i zgjedhjeve për të dy nivelet e pushtetit në Kosovë krijon vështirësi për përdorimin e votës nga votuesit. Do të votohet në tri lista; për komunat, për partitë dhe për kandidatët. Në këtë mori listash, emrash, sigla partish dhe deputetësh të fshehur pas numrave, e kam unë të vështirë të orientohem dhe ca më shumë çdo qytetar apo fshatar, që merret gjithë ditën me sigurimin e nevojave jetësore dhe që mund t‘i mungojë edhe shkollimi përkatës. Sepse:

-Më 17 nëntor po bëjmë zgjedhje për administratën lokale e qendrore, kur kemi e do të vazhdojmë të kemi një kryeadministrator, që na dikton ligjërisht ç‘duhet të bëjmë e si duhet të sillemi. Edhe pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, Kuvendi, qeveria dhe Presidenti do të vazhdojnë të kenë mbi krye një kryeadministrator që, nuk do të na urdhërojë, por do të na sugjerojë ç‘duhet të bëjmë.

-Zgjedhjet e pritshme janë tërësisht në funksion e në mbështetje të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe nën kërcënimin e drejtpërdrejtë e të tërthortë të Beogradit. Zhvillimi i qetë, paqësor, i lirë dhe demokratik i tyre, është argumenti dhe prova më e mirë për aleatët tanë për të firmosur sa më parë për pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Pavarësia

Njohja ndërkombëtare e saj përcakton e realizon dëshirën tonë dhe të të gjithë shqiptarëve për Kosovën-shtet. Kosova e pavarur, shtet kandidat për t‘u anëtarësuar në OKB dhe në BE është starti i së ardhmes. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se njohja e shtetit tonë të pavarur e sovran është "çelësi", që i hap dyert një qeverisje të besueshme dhe efektive, që u jep vlerë dhe i bën të zbatueshme premtimet elektorale të konkurrentëve në zgjedhjet e pritshme, që garanton ligjërisht protestat popullore ndaj keqqeverisjes vendore e qendrore.

Ekipi ynë i Unitetit, që ka në përbërjen e vet disa nga kryetarët e partive kryesore pretenduese për fitimin e zgjedhjeve, është i angazhuar me të drejtë në arritjen sa më shpejt të njohjes ndërkombëtare të pavarësisë. Veprimi i tyre është i kuptueshëm; kryetarët e partive, anëtarë të Ekipit janë të ndërgjegjshëm se zgjedhjet e 17 nëntorit kanë vlerë nëse Kuvendit të ardhshëm i jepet mundësia të ketë nderin të shpallë botërisht pavarësinë.

Kosovë-zgjedhje-pavarësi përbëjnë një trinom të pazgjidhshëm. Kosova, për të cilën kemi luftuar, aspirojmë dhe jemi të vendosur ta bëjmë shtet të pavarur, kërkon domosdoshmërisht zhvillimin e zgjedhjeve të lira e demokratike për njohjen sa më shpejt të pavarësisë së saj. Zgjedhjet janë tërësisht në dorën tonë dhe kam bindjen që ne do të dimë t‘i zhvillojmë ato në mënyrë qytetare e demokratike. Me to do t‘u shërbejmë edhe aleatëve tanë të mëdhenj për njohjen e shpejtë të pavarësisë. Kjo njohje do të ishte finishi dhe, njëherësh, starti i të gjitha sakrificave tona për ta bërë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, për të jetuar të lirë në vendin tonë. Me njohjen e këtij statusi, shteti kosovar do të fillojë të zgjidhë hallet ekonomike, sociale, shëndetësore e kulturore, që janë ulur këmbëkryq mes nesh dhe do të fillojë të ecë i sigurt dhe pa ekuivoke në rrugën e përparimit e të begatisë.
G. Shqip
Shtuar më 14/11/2007, ora 18:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori