Kosova, tradhtia e madhe e Enver Hoxhes
Albeu.com
nga VLADIMIR KARAJ “Vëllazëria” Enver-Tito është një nga periudhat më të përgjakshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve që sapo kishin dalë nga lufta. Edhe pse prej vitit 1948 makineria komuniste e propagandës bëri ...... të pamundurën të shuante çdo gjurmë të “vëllazërisë” që çoi në vdekje qindra intelektualë shqiptarë dhe ndihmoi në masakrimin e mijëra të tjerëve në Kosovë, dhjetëra dëshmi dhe dokumente prej atyre ditëve tregojnë krejt të kundërtën. “Ai i madhi (Enveri) bën ç’i thonë jugosllavët”, - citon Sejfulla Maleshovën, Petro Marko në kujtimet e tij (“Intervistë me vetveten”), në pjesën që mundi ta shkruante vetëm pas rënies së diktaturës. Në mënyrë të pavarur njerëz si Petro Marko, vullnetar i Luftës së Spanjës, At Zef Pllumi, një ndër ikonat e mbijetesës antikomuniste dhe agjenci inteligjence si CIA, japin dëshmi të qarta të lidhjeve të varësisë mes regjimit të Hoxhës dhe atij të Titos. Por, ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, ndërsa përkujtonin lindjen e diktatorit adhuruesit e fundmë të tij gjetën kohë t’i thurin edhe një herë lavde, “pikës së tij të dobët”, që paskësh qenë Kosova dhe patriotizmit të rremë që ai ngriti për të mbajtur në këmbë diktaturën. Por, në të kundërt Hoxha ndoshta ishte një ndër bekuesit e masakrës së Tivarit, ku u ekzekutuan të paktën 1700 shqiptarë të Kosovës, viktimat e të cilit kaluan përmes Shkodrës, ndërsa qindra të tjerë përfunduan të vrarë apo të burgosur vetëm për shkak se nuk e donin një “vëllazërim të tillë”.

Nga ana tjetër, vetë lufta brenda llojit te komunistët shqiptarë ishte dhe një nga dëshmitë që duket se këta duhej të jepnin para padronit për besnikërinë. Kjo e fundit dëshmohej duke akuzuar në fillim si antititistë e më pas si titistë kundërshtarët apo ata që nuk u pëlqenin, të cilët më pas bëheshin “kurban”, për hir të miqësisë shqiptaro-jugosllave apo armiqësisë së mëvonshme të këtyre të fundit.

Viktima e parë e rëndësishme e “vëllazërisë” sipas CIA-s është Mustafa Gjinishi. Njeriu që nënshkroi marrëveshjen e Mukjes që duhej të bashkonte nacionalistët shqiptarë në një front kundër fashistëve me qëllim një bashkim kombëtar. "Mustafa Gjinishi u ekzekutua nga Gega me urdhër të jugosllavëve më 1944", - thuhet në faqen 76 të dokumentit të CIA-s për “Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik” të bërë publik vetëm një vit më parë. Në dokumentin në fjalë në asnjë moment nuk lihet të dyshohet se si Hoxha dhe Xoxe u kishin shërbyer me të njëjtën devotshmëri jugosllavëve. Në përshkrimin që bën për betejën e Xoxes me Hoxhën, CIA, edhe pse e përmend propagandën e Hoxhës që ia vishte Xoxes krimet në emër të jugosllavëve, thotë se që të dy ishin njëlloj të bindur. “Nuk ka asnjë provë që qoftë Hoxha, qoftë Xoxe, i rezistuan në njëfarë mënyre dominimit jugosllav”, - shkruhet në faqen 19 të raportit, sipas të cilit nëse do të kishte qenë Xoxe i përzgjedhuri nga rusët për të drejtuar vendin, me shumë mundësi si titist do të ishte dënuar Enver Hoxha. Ky i fundit, sipas CIA-s, nuk shpëtoi dhe as u përzgjodh nga Stalini si drejtues në Shqipëri për shkak të kundërshtimit të Titos, por si “kukulla më e përshtatshme”.

CIA citonte se ishte lufta dhe inatet apo bindjet e ndryshme brenda komunistëve dhe spastrimi i imponuar nga jugosllavët që dërguan drejt vdekjes qindra shqiptarë. Petro Marko kujton se si e burgosën pas një grindjeje me ambasadorin jugosllav në Tiranën atëherë të veshur me flamuj jugosllavë dhe të mbushur me njerëz që brohoritnin në rrugë: “Enver e Tito”. “Kudo populli thërriste Enver-Tito edhe ne me Enverin në krye thoshim dhe shkruanim se pa Titon nuk do ishim çliruar. Kudo vareshin flamuj të gjatë jugosllavë bashkë me flamurin tonë”, - kujton Petro Marko. Sigurisht në një kohë të tillë askujt nuk i shkonte në mendje të kujtohej për Kosovën. Të gjithë ata që e përmendnin, duke filluar nga Mustafa Gjinishi, u vranë. Në të njëjtat faqe ku flet për tradhtinë që Hoxha i bëri Kosovës, Marko shkruan se ai e mjaft të tjerë, edhe pse komunistë të orëve të para, i shihnin jugosllavët si pushtues. Sipas shkrimtarit, thuajse të gjitha ndihmat që vinin për Shqipërinë nga UNRA transportoheshin më tej për në Jugosllavi, ndërsa të gjithë ata që ngritën zërin për të kërkuar në Shqipëri mbështetje për masakrat që po bëheshin në Kosovë, u arrestuan dhe iu dorëzuan partizanëve jugosllavë. Në kujtimet e At Zef Pllumit jepet e njëjta pamje e Shqipërisë. Flamuj e këngë jugosllave në rrugët e Shkodrës. Në një nga faqet e librit At Zefi tregon se si flamurin shqiptar të ngritur në kambanoren e kishës ku ai shërbente, e ulën për të parë, për të vënë në vend të tij, flamurin jugosllav. “Patër,- i thashë, - të gjitha i di, ata që e vunë flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë të dërguem nga komanda...”, kujton At Zefi në faqen 23 të librit “Rrno për me tregue”.

Në të njëjtën pjesë të librit është edhe rrëfimi mbi mijëra të rinjtë e Kosovës që u masakruan në Tivar, në rrëfimin e tij At Zef Pllumi tregon se si mijërat kaluan përmes gjithë Shqipërisë së Veriut për t’u vrarë në Tivar. Ndërkohë, përkundër asaj që pretendon propaganda komuniste e ngritur për vite me radhë në Shqipëri, nuk ishte Hoxha ai që doli kundër Jugosllavëve. Sipas CIA-s, duket se ky i fundit kishte zgjedhur të rrinte në hije, për të parë se si mund të përfitonte duke ia lënë në dorë Koçi Xoxes të nënshkruante fillimisht marrëveshjet me jugosllavët apo urdhrat e dënimit të mijëra personave dhe më pas t’i denonconte ato. “Është mjaft interesante se është pikërisht Koçi Xoxe “titisti” ai që në korrik dhe gusht, ndërmori fushatën e denoncimit të regjimit të Titos”, - shkruan CIA në faqen 22 të raportit. Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohe Hoxha nuk ishte ndier. Për herë të fundit, sipas CIA-s, ky i kishte përmendur jugosllavët në shkrimin “Mbi rëndësinë e Titos për Shqipërinë” në janar 1948 në gazetën “Zëri i Rinisë”. (G. Standard)
Shtuar më 26/10/2008, ora 19:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori