Kosova, referendum apo zgjedhje?
Albeu.com
nga Bujar Muharremi, G.ShqipKanë kaluar mëse tetë vjet qëkur në qytezën
e Rambujesë, pranë Parisit, zhvilloi punimet
Konferenca Ndërkombëtare për Paqe në
Kosovë. Ishte hera e parë që përfaqësuesit
e popullit shqiptar në Kosovë ishin të pranishëm
në një konferencë ndërkombëtare që ishte thirrur
për të vendosur mbi të ardhmen e tyre. Asnjëherë
deri në atë kohë shqiptarët nuk kishin qenë pjesëmarrës
në kongrese ose konferenca ndërkombëtare ku Fuqitë
e Mëdha të Evropës kishin marrë vendime për
copëtimin e herëpashershëm të trojeve shqiptare. Për
herë të parë në historinë e tyre në sajë të rezistencës
paqësore disavjeçare dhe të qëndresës së armatosur
popullore, shqiptarët kishin fituar legjitimitetin për të
qenë palë e barabartë në tryezën e bisedimeve në kështjellën
e Rambujesë.
Muaji shkurt i vitit 1999 hapi një shteg të ri në rrugëtimin
e gjatë të çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës. Në këtë
kuadër mund të thuhet se Konferenca e Rambujesë përbën
ende për institucionet e Kosovës dhe për faktorin
politik atje një përvojë të veçantë në fushën e diplomacisë;
mbi mënyrën e përpunimit të skemave të dialogut;
të hedhjes së tezave ose të ndërtimit "të kurtheve" gjatë
bisedimeve dypalëshe. Rikthimi te diplomacia e Rambujesë
është i nevojshëm, me gjithë përvojën që kanë fituar
institucionet dhe, posaçërisht, Ekipi i Unitetit gjatë dialogut
me palën serbe në Vjenë.
Një nga çështjet më delikate, që në disa raste e çoi
Konferencën e Rambujesë në prag të ngecjes e fare afër
dështimit, ka qenë njohja e të drejtës së popullit shqiptar
në Kosovë që me referendum dhe me vullnetin e tij të
lirë të shprehet për statusin e ardhshëm politik të Kosovës.
Në ditarin tim të shënimeve mbi zhvillimin e punimeve
të Konferencës së Rambujesë, me datë
12.02.1999. (sikurse dihet, autori ka qenë i dërguari i
vetëm i posaçëm i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për
pasyrimin e kësaj Konference në programin satelitor të
RTVSH-së) kam shkruar se "Anëtarë të delegacionit më
kanë bërë të ditur se po zhvillohen debate të ashpra
lidhur me mënyrën se si shqiptarët e Kosovës do të duhet
të deklarohen për statusin e tyre të ardhshëm. Delegacioni
serb dhe përfaqësuesi rus, Boris Majorski, kanë
kundërshtuar çdo ide që i jep të drejtë popullit shqiptar
në Kosovë për të organizuar një referendum mbi marrëdhëniet
e ardhshme politike me Serbinë". Gjatë ditëve
në vazhdim, me këmbënguljen e delegacionit të SHBAsë,
në përbërje të të cilit ishin diplomatë të shkëlqyer, si
nënsekretari dhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit,
James Rubin, ambasadori Kristofer Hill, Tina Kaidanow,
shefja aktuale e Zyrës së SHBA-së në Kosovë, të cilët nën
drejtimin e zonjës Ollbrajt arritën që nëpërmjet një gjuhe
kompromisi të formulonin të drejtën e popullit shqiptar
të Kosovës për t‘u shprehur në mënyrë masive mbi statusin
e ardhshëm politik. Dëshiroj të kujtoj me këtë rast se
në konferencën e fundit për shtyp, të organizuar nga shefat
e diplomacive të SHBA-së dhe të vendeve të njohura
evropiane i jam drejtuar sekretares së Departamentit të
Shtetit, zonjës Madlene Ollbrajt, me një pyetje përmbajtja
e së cilës ka qenë pak a shumë kjo: "Zonja sekretare, në
deklaratën për shtyp, në përmbyllje të punimeve të Konferencës
së Rambujesë, thuhet se shqiptarët e Kosovës
kanë të drejtën të deklarohen për të ardhmen e tyre, por
në të nuk përmendet as fjala referendum dhe as koha se
kur do të ndodhë kjo…". Në përgjigjen e saj zonja Ollbrajt
theksoi në mënyrë të përmbledhur se deklarata në
fjalë, pa përmendur fjalën referendum, e njeh të drejtën
e shqiptarëve të Kosovës për t‘u deklaruar mbi statusin
e tyre të ardhshëm politik. Kjo duhet të ndodhë gjatë një
periudhe që shkon nga 3 deri në 5 vjet…", tha në
përgjigjen e saj sekretarja e Shtetit, Ollbrajt.
Përmendja e këtyre fakteve nuk bëhet krejt rastësisht.
Ato kanë lidhje me disa zhvillime të reja të ditëve të
fundit në skenën politike në Kosovë. Deklaratat që vijnë
nga Prishtina dhe trajtimi që u bën atyre media në Kosovë
e në Shqipëri tregojnë se institucionet vetëqeverisëse
në Kosovë, se faktorët politikë, UNMIK-u dhe OSBEja,
kanë dhënë okejin për organizimin e zgjedhjeve të
reja parlamentare. Thuhet se këto zgjedhje do të zhvillohen
gjatë muajit nëntor ose dhjetor të këtij viti. Në këtë
mënyrë UNMIK-u dhe OSBE-ja ua kanë hapur dritën e
gjelbër kërkesave të përsëritura dhe këmbëngulëse të
opozitës për të zhvilluar zgjedhje të përgjithshme parlamentare
në Kosovë. Çështja e zgjedhjeve parlamentare
ka qenë prej disa muajsh temë diskutimesh dhe
debatesh politike dhe mediatike në Kosovë. Partia
Demokratike e Kosovës ka qenë veçanërisht e interesuar
që Kosova të hyjë sa më parë në një proces zgjedhor parlamentar,
që mund të jetë i suksesshëm për partinë dhe
për elektoratin që erdhi në politikë nëpërmjet një rrugëtimi
që nisi me organizimet fillestare ilegale e deri te lufta
e armatosur për çlirimin e Kosovës. PDK-ja ka kohë që e
gjykon vetveten si partia më "e madhe" në Kosovë. Lideri
i saj, Hashim Thaçi, dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt
nuk reshtin së punuari në terren për të konfirmuar se
pas çarjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe daljes
prej saj të një partie të re, nën drejtimin e akademikut
Nexhat Daci, PDK-ja ka shanse të mëdha për të qenë
partia udhëheqëse në skenën politike kosovare.
Referendum dhe jo zgjedhje
Këtë lloj prapagande partiake PDK-ja e ka filluar që
në orët e para të pasluftës; që në momentet kur trupat
paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë dhe e vendosën
atë nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara. Komandantët
dhe "gjeneralët" e njohur të UÇK-së hynë në
Prishtinë si fitimtarë dhe triumfatorë. Të përfshirë nga
deliri, ata gati harruan se Kosova u çlirua nga ajri dhe jo
nga toka; se armatat serbe dhe bandat kriminale të njësive
paraushtarake serbe u goditën pa pushim dhe u
detyruan të largoheshin nga Kosova falë Shteteve te
Bashkuara të Amerikës dhe aleancës atlantike, e cila, për
herë të parë që nga themelimi i NATO-s, i shkoi në ndihmë
një populli që po largohej egërsisht nga vatrat e tij
dhe ishte vënë në prag të zhdukjes fizike, si pasojë e projekteve
shovene serbe mbi spastrimin etnik të Kosovës.
Për 78 ditë me radhë diplomacia amerikane, Shtabi i
NATO-s në Mons, flota ajrore e aleancës, qindra sektorë
të inteligjencës, të vëzhgimit satelitor, të logjistikës etj.,
bënë atë që akoma edhe sot mund të konsiderohet një
akt i pashembullt në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare
të pas Luftës së Dytë Botërore. Roli madhor i
SHBA-së dhe i NATO-s është historik jo vetëm për çështjen
e çlirimit të Kosovës, por në tërësi për faktorizimin e
popullit shqiptar në Ballkan. Angazhimi i tyre nuk e zbeh
atë kontribut të jashtëzakonshëm që dha në terren Ushtria
Çlirimtare e Kosovës. E kam thënë edhe herë të tjera
se UÇK-ja ka qenë një ushtri gjithëpopullore dhe kombëtare,
sepse në radhët e saj luftuan bij të popullit
shqiptar nga Kosova dhe nga Shqipëria; nga trojet shqiptare
në Maqedoni, në Mal të Zi ose në diasporën shqiptare.
UÇK-ja nuk ka qenë asnjëherë domen i klaneve
të caktuara ose i grupeve të interesit, pavarësisht përpjekjeve
për ta instrumentalizuar atë. E kjo, sepse ata që
luftuan dhe dhanë jetën e tyre në radhët e UÇK-së e bënë
këtë si një detyrim sublim ndaj popullit shqiptar dhe ndaj
gjeneratave të mëparshme, që kishin sakrifikuar shumëçka
për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Këtë të vërtetë
PDK-ja u përpoq ta injoronte e ta anashkalonte në fillimet
e jetës së saj si forcë e re politike në Kosovën e çliruar.
Asokohe ajo bëri përpjekje dhe konsumoi energji të
mëdha që të fitonte në zgjedhjet e para parlamentare
në Kosovën e pasluftës. Në fakt, ajo nuk fitoi as në zgjedhjet
e para dhe as në ato të dytat, me gjithë retorikën e
ashpër deri në egërsi kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës
dhe kundër Presidentit historik Ibrahim Rugova.
Pa dashur të përmend publikisht raste të ndryshme
rreth "historikut" të marrëdhënieve midis PDK-së dhe
LDK-së dhe qëndrimeve të lidershipit të asaj partie ndaj
rolit dhe kontributit shumëvjeçar të zotit Rugova, të influencave
që kishin pasur në këtë parti faktorë politikë
nga jashtë Kosovës, mund të kujtoj se vetëm pas afro 8
vjetësh PDK-ja arriti të ndryshojë qëndrim dhe të lëvizë
nga pozicioni i saj i ngurtë antirugova. Pikërisht në Kuvendin
"e famshëm" zgjedhor të dhjetorit të vitit të kaluar,
të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i Partisë
Demokratike të Kosovës, zoti Hashim Thaçi, në fjalën e
tij të rastit vlerësoi për herë të parë rolin e Presidentit
Rugova, dhe për më tepër ritheksoi kontributin e komandantit
legjendar, Adem Jashari, e bashkë me të edhe të
heronjve të tjerë të luftës çlirimtare, duke përfshirë Sali
Çekun dhe Agim Ramadanin, që gjatë konfliktit të armatosur
me Serbinë kishin qenë pjesë e shtabeve komanduese
të FARK-ut (Forcat e Armatosura të Republikës
së Kosovës). Duke qenë të ulur pranë njëri-tjetrit
në sallën e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, e urova menjëherë
zotin Thaçi për këtë ndryshim të rendësishëm
politik të PDK-së që e "çlironte" mjedisin politik nga
përplasjet dhe tensionimet e panevojshme të jetës politike
në Kosovë.
Është e natyrshme dhe mjaft e përligjur që në një shoqëri
pluraliste demokratike raportet pozitë-opozitë të jenë
në qendër të vëmendjes të të gjithë shoqërisë, pavarësisht
nga preferencat personale, grupore, intelektuale a
krahinore. Thelbi i punës së opozitës në këtë drejtim është
qëndrimi kritik ndaj qeverisjes në pushtet; është denoncimi
ndaj dukurive negative, si korrupsioni dhe pasurimi
i paligjshëm ekonomik i administratës në pushtet,
paaftësia për të përmirësuar standardin e jetesës; mungesa
e arritjeve të shënuara në luftën kundër papunësisë;
mungesa e investimeve vendase e të huaja etj. Duke qenë
një parti opozitare, PDK-ja e ka bërë në mënyrë aktive këtë
luftë, megjithëse duhet thënë se këto dukuri kanë qenë
të mprehta dhe të kritikuara edhe gjatë kohën që PDK-ja
dhe kryeministri Thaçi ishin vetë në pushtet. Se çfarë përmasash
kanë marrë tani këto dukuri, kjo është një çështje
që hulumtohet vazhdimisht nga institucione të pavarura
që funksionojnë tashmë prej kohësh në Kosovë, por
është më se e vërtetë se në mjediset intelektuale ose në
bisedat me qytetarë të thjeshtë në Prishtinë, në Gjakovë,
Prizren, Gjilan ose në komuna të ndryshme të vendit, flitet
hapur e në mes të ditës për zyrtarë të korruptuar dhe për
fonde jo të vogla që "humbasin" rrugës.
Nga ky këndvështrim zgjedhjet e reja të përgjithshme
në Kosovë mund të shiheshin si një zgjidhje për të ndryshuar
imazhin e qeverisjes së tanishme, e cila, thënë hapur,
ka trashëguar mjaft probleme dhe defekte që nga koha e
kryeministrave Thaçi, Rexhepi ose Kosumi. Për më tepër,
këto probleme nuk kanë lidhje vetëm me qeveritë e Kosovës,
pavarësisht nga ngjyrimi i tyre politik. Në rastin e
Kosovës kjo përgjegjësi ka qenë e dyfishtë. Politikisht dhe
në rrafsh ndërkombëtar përgjegjësinë kryesore e ka pasur
dhe vazhdon ta ketë UNMIK-u dhe strukturat e tjera
të Kombeve të Bashkuara, që e kanë qeverisur Kosovën
gati me "dorë të hekurt" që prej qershorit të vitit 1999. Që
atëherë e deri më sot Kosova ka mbetur më shumë seç
duhet nën tutelën e fortë të burokracisë gjigante të Organizatës
së Kombeve të Bashkuara brenda së cilës vegjetojnë
dhjetëra e qindra mijëra nëpunës të kombeve të
ndryshme, që nën flamurin blu të OKB-së kanë gjetur El
Doradon e jetës së tyre në vendet ku shërbejnë. Jo
rrallëherë raste korruptive të spikatura në Kosovë kanë
qenë të lidhura me emra të nëpunësve të lartë të UNMIK-
ut në Prishtinë.
Pavarësisht nga të gjitha këto të vërteta, Kosova nuk
e ka luksin për të qenë një shtet, dhe politikanët e saj
nuk mund t‘i gjykojnë gjërat njëlloj si politikanët e shteteve
të tjera të kësaj bote. Kjo për faktin e njohur se
Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë nën administrimin
e Kombeve të Bashkuara, dhe, me sa duket, ky administrim
ndërkombëtar do të vazhdojë edhe për disa muaj
të tjerë. Ndaj, të flasësh tani për nevojën e zgjedhjeve të
reja parlamentare në Kosovë, çka mund të jetë e natyrshme
për çdo vend tjetër me demokraci të konsoliduar,
duke harruar ose duke lënë në heshtje nevojën urgjente
dhe domosdoshmërinë për organizimin e një referendumi
gjithëpopullor për çështjen e pavarësisë së Kosovës,
kjo, siç thotë një fjalë e urtë popullore, është njëlloj
sikur "ta vësh karrocën përpara kalit". "Luftë" për shtet
dhe jo për pushtet
Në rrethanat specifike në të cilat ndodhet Kosova
është jetike që ideja dhe synimi për të organizuar zgjedhjet
e përgjithshme parlamentare të zëvendësohet
urgjentisht me projektin e organizimit të referendumit
për pavarësinë e Kosovës. Gjykoj se për momentet që po
kalon Kosova faktori politik kosovar duhet të shpallë
urgjentisht datën për organizimin e referendumit. Në
këtë referendum duhet të marrë pjesë i gjithë populli
shqiptar në Kosovë, duke përfshirë dhjetëra mijra shqiptarë
të Kosovës që jetojnë prej vitesh në SHBA, në
Gjermani, Zvicër, në Britaninë e Madhe etj. Jam i bindur
se organizimi i referendumit për pavarësinë e Kosovës
do të jetë përgjigjja më serioze që institucionet
vetëqeverisëse në Kosovë do t‘u jepnin mekanizmave
ndërkombëtare, sikurse janë OKB-ja, NATO-ja dhe
OSBE-ja.
Duke ndërmarrë një hap të tillë, Prishtina zyrtare tregon
se ajo është e vendosur të shfrytëzojë të gjitha hapësirat
demokratike, të njohura botërisht, për organizimin
plebishitar të referendumit për pavarësinë e Kosovës.
Do të kishte vlera shumë më të mëdha politike dhe diplomatike,
që pavarësia e Kosovës të shpallej nëpërmjet
rezultateve të një referendumi popullor, sesa të bëhej e
ditur me anë të një vendim politik nga ana e Parlamentit
të Kosovës. Në rastin e një referendumi për pavarësinë
e Kosovës, thjesht do të përsëritej referendumi
gjithëpopullor i vitit 1991, i cili megjithëse u organizua
në rrethanat e okupimit serb, dëshmoi se mbi 97 për qind
e votuesve u deklaruan njëzëri për pavarësinë e Kosovës
nga Serbia. Rrethanat e tanishme politike në Kosovë janë
shumë herë më të përshtatshme e më favorizuese, në
krahasim me të kaluarën, për organizimin e një referendumi
për pavarësinë e Kosovës. Duke vënë në plan të
parë idenë madhore të referendumit, faktorët politikë
në Kosovë do t‘i dëshmonin botës një kualitet të ri të
përgjegjësisë politike; si dhe bindjen se Prishtina është
e vendosur më shumë se kurrë që të arrijë sa më parë
krijimin e shtetit të ri të Kosovës, mbështetur në shprehjen
e vullnetit të lirë politik të popullit shqiptar dhe të
pakicave që jetojnë në territorin e Kosovës. Për më tepër,
deklarimi me referendum do të riaktualizonte atë të
drejtë që shqiptarëve të Kosovës iu njoh që në kohën e
Konferencës së Rambujesë.
Shprehja e famshme e Hamletit "të rrosh a të mos
rrosh" do të mund të përshtatej në mënyrë perfekte me
idenë "Referendum apo Zgjedhje". Kjo dilemë nuk është
e pakapërcyeshme, nëse do të gjendej vullneti politik
për të kuptuar se sot domosdoshmëri për faktorët politikë
në Kosovë është "lufta" për shtet dhe jo për pushtet.
Përpjekjet për të ardhur në pushtet, kur ende nuk ke
shtet, do të ishin pasoja të një perceptimi jorealist të atyre
prioriteteve urgjente përballë të cilave ndodhen institucionet
e Kosovës, klasa politike në Prishtinë dhe i
gjithë faktori shqiptar në rajon. Për sa kohë që kam qenë
në krye të Misionit të Shqipërisë në Kosovë kam kontaktuar
gjerësisht dhe pa kufizim me lidershipin politik atje.
U kam thënë atyre në mënyrën më vëllazërore se do të
ishte humbje e çmuar e kohës, nëse do të këmbëngulej
në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare përpara se të
finalizohej çështja e pavarësisë së Kosovës. Koncepti i
diplomacisë dhe i imi personal në atë kohë ka qenë: statusi
së pari, dhe më pas problemet e tjera. E kam pasur
dhe e kam edhe tani këtë mendim, pavarësisht se prej
muajsh Presidenti Fatmir Sejdiu ndodhet nën presionin
e PDK-së dhe të zotit Thaçi, për të organizuar sa më
parë zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Miratimi që dhanë bashkërisht shefi i UNMIK-ut,
Joachim Ryker, dhe shefi i OSBE-së, zoti Werner Wnendt,
mbi organizimin deri në fund të vitit të zgjedhjeve të reja
parlamentare në Kosovë, nuk është gjithçka. Kjo mbështetet
në logjikën e një analize jo vetëm të ngjarjeve aktuale
e në zhvillim në Kosovë, por edhe të pasojave që mund
të vijnë më vonë. Nuk duhet harruar se periudha pas
zgjedhjeve shoqërohet me ndryshime të rendësishme
në strukturat kryesore të administrates. Do të ketë rikompozim
të qeverisë dhe të anekseve që janë në funksion
të saj. Kjo do të çojë në lëvizjen e disa dhjetëra e
ndoshta të disa qindra njerëzve të lëmive të ndryshme.
Partia që do të fitojë zgjedhjet (gjithnjë në rastin kur
mund të vijë një forcë e re politike në pushtet), do të sjellë
në ekipin e ri ekspertët a militantët e saj, të cilët do të
duhet të njihen me dosjet e problemeve të lëna nga administrata
paraardhëse për një periudhë kohore që shkon
nga 6 muaj deri në 1 vit. Kjo është, sipas praktikave
botërore, koha më optimale për të cilën ka nevojë një
administratë e re për të marrë plotësisht në dorë "frerët"
e qeverisjes së ardhshme.
Në këtë kuadër mund të thuhet se, në rast zgjedhjesh
parlamentare në Kosovë, do të krijohet detyrimisht një
lloj vakumi administrativ e qeverisës. Pasojat e këtij vakumi
do të jenë me pasoja për Kosovën, po të kihet parasysh
se administrata në Kosovë vuan së tepërmi nga
mungesa e përvojës dhe nga eksperiencat afatgjata,
pavarësisht se në radhët e saj ka shumë të rinj energjikë
dhe plot ambicie. Kjo çështje bëhet akoma më e mprehtë,
kur dihet se dosja kryesore dhe më madhore e qeverisjeve
të deritanishme në Kosovë, që nga koha e konfliktit
të armatosur të vitit 1999, ka qenë ajo për pavarësinë
e Kosovës. Lënia e kësaj dosje hapur, në duart e disa
qeverive, pavarësisht nga rrethanat, e ka zvarritur dhe
shtyrë më tej arritjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Një efekt të ngjashëm do të kenë edhe zgjedhjet e reja
për Parlamentin e ardhshëm të Kosovës. Veçse në këtë
rast mund të bëhej një pyetje e thjeshtë: "çfarë të duhet
pushteti, kur nuk ke shtetin"?
Shtuar më 10/08/2007, ora 15:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori