Kosova Lindore dhe Cameria
Albeu.com
nga Tomorr TOPLICAKrahina shqiptare e Kosovës Lindore është skaji më veri-lindor i Shqipërisë Etnike dhe shtrihet në drejtimin veri-jug, duke filluar nga qyteti i Medvegjës, nëpër Bujanoc, vazhdon në Preshevë dhe mbaron në kufi me Maqedoninë. KOSOVA LINDORE

Krahina shqiptare e Kosovës Lindore është skaji më veri-lindor i Shqipërisë Etnike dhe shtrihet në drejtimin veri-jug, duke filluar nga qyteti i Medvegjës, nëpër Bujanoc, vazhdon në Preshevë dhe mbaron në kufi me Maqedoninë. Në perëndim kufizohet me Kosovën, kursen ë lindje me komunën e Vrajës. Gjatë gjithë historisë, qënga koha ilire e deri më sot kjo krahinë ka qenë dhe është e banuar me shumicë të popullsisë shqiptare. Pas mbarimit të Luftës II Botërore, me përdhunë është shkëputur nga Kosova dhe i është aneksuar Serbisë. Kosova Lindore është e banuar me rreth 100.000 banorë, prej të cilëve mbi 90% janë shqiptarë.
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës - Kosova Lindore, me Referendumin Popullor të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992, u deklaruan për Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë ribashkimi me Kosovën, por nuk i qëndrojnë sa duhet besnik këtij referendumi dhe nuk punojnë sa duhet për zbatimin në praktikë të tij. Nuk bëri punë dhe nuk solli asnjë përparim e përmirësim politiko-ekonomik as lufta e UÇPMB-së dhe Marrëveshja e Konçulit e 12 majit 2001.
Si në të gjitha trevat shqiptare, edhe në Kosovën Lindore pas shembjes së sistemit njëpartiak u formuan shumë parti politike, të cilat nuk i kanë sjellë deri më tani ndonjë dobi të madhe kësaj krahine. Nuk mund të quhet demokraci as atdhetarizëm, por është bajraktarizëm, karrierizëm, egoizëm e marrëzi formimi i 7-8 partive politike në tri komunat e vogla të Kosovës Lindore!
Paria politika e Kosovës Lindore bëri edhe një gabim të madh politik, historik e kombëtar kur ia ndërroi emrin vendit nga Kosova Lindore në "Lugina e Preshevës", duke mohuar kështue edhe faktin se është pjesë e shkëputur me dhunë nga Kosova. Emërtimi i vendit Kosova Lindore filloi të përdoret menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kur Serbia e ndau këtë territor nga Kosova dhe ia bashkangjiti me dhunë ushtarako-policore shtetit serb. Dhe për të treguar se kjo krahinë ishte dhe është pjesë përbërse e Kosovës, banorët dhe politikanët kombëtarë, historianët dhe të tjerët e emërtuan vendin si Kosova Lindore. Sipas onomastikës, emri i vendit, i tokës, trevës apo krahinës është tapia e një vendi. Nuk ka dështim më të madh se të heqësh dorë nga emëri i vendit, që dëshmon tapinë e pronësisë historike dhe etnike, siç ka ndodhur dhe po ndodhë aktualisht me heqjen e emërit të vendit Kosovë Lindore dhe futjen e konceptit me kuptim gjeografik "Luginë", përkatësisht "Luginë e Preshevës”. Vetë emri Kosovë Lindore nënkupton se ky vend është pjesë integrale, por e shkëputur, e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të bashkohet me të.
Por ajo që është edhe më paradoksale dhe që nuk do asnjë koment, është fakti se paria politike e Kosovës Lindore organizoi në mars 1992 një goxha Referendum, përmes të të cilit populli i kësaj ane u deklarua për Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, kurse po në këtë dokument të këtij farë referendumi u hoq emri i vendit: Kosovë Lindore dhe u zëvendësua me emrin "Luginë e Preshevës"! Pra, hipokritët politikë të kësaj krahine në njërën anë deklarohen "për bashkim me Kosovën", kursen ë anën tjetër nuk duan ta quajnë veten Kosovarë dhe vendin e tyre Kosovë Lindore! Pra, de facto, janë kundër këtij bashkimi! Kjo është një demagogji e tejdukshme, një antishqiptarizëm i hapur dhe një veprimtari e dënueshme antikombëtare.
Aspak më mirë nuk vepruan luftëtarët e lirisë të UÇPMB-së, të cilët e pranuan në heshtje këtë ndërrim emri të krahinës nga paria politike, duke mos e emruar Ushtrinë me emrin kombëtar: Ushtria Çlirimtare e Kosovës Lindore, por e emëruan me një vargan të tërë emrash e germash, si UÇPMB! Kjo vërteton shkurtpamësinë dhe mungesën e pjekurisë politike dhe kombëtare të këtyre luftëtarëve.
Në këtë mënyrë, si paria politike, ashtu edhe paria ushtarake, hoqën dorë nga tapia për vendin e tyre dhe nga e drejta legjitime për bashkim natyror me Kosovën, sepse deri më 1992 ata ishin vetë Kosova, pjesë e trungut të Kosovës, me emër e mbiemër. Me vetëdije apo pa vetëdije ata e flakën tej konceptin dhe emrin Kosovë Lindore, emër i cili për dekada me rradhë kishte hyrë në Abetare, në librat shkollorë e studimorë, në librat e historisë, të etnografisë dhe gjeografisë.

Koncepti gjeopolitik e antikombëtar “Lugina e Preshevës” do të përligjësohet veçanërisht me Marrëveshjen e Konçulit, më 12 maj 2001 dhe me rastin e formimit të të ashtuquajturit Këshillit Koordinues të Përfaqësuesve Politikë Shqiptarë të Luginës së Preshevës, më 1 gusht 2002.
Nga vetë përmbajtja e konceptit gjeopolitik të mësipërm del qartë se shqiptarët, pikërisht bajraktarët e tyre në rend të parë, kanë hequr dorë nga argumenti i prekshëm i tapisë së vendit. Koncepti “Kosovë Lindore” ngërthente në vete këtë tapi të pronësisë, kurse koncepti “Lugina e Preshevës” nuk tregon përkatësinë e tapisë. Ajo mund t’i takojë, dhe do t’i takojë atij vendi dhe atij kombi që është më i forti. Duhet gjak tjetër që t’i rikthehet tapia e vendit amë, Kosovës, sepse liderët e saj politikë e luftarakë kanë hequr dorë nga tapia e saj historike dhe etnike kosovaro-shqiptare!
Partitë politike të Kosovës Lindore zhvillojnë një politikë jo serioze. Ata herë e njohin herë nuk e njohin si shtet të tyre Serbinë, herë dalin herë nuk dalin në zgjedhjet e shtetit serb! Është patriotike të mos e njohish Kushtetutën e Serbisë, por është papjekuri politike dhe paradoksale që të dalësh në zgjedhjet serbe të organizuara në bazë të po asaj Kushtetute! Disa parti shqiptare të Kosovës Lindore nuk kanë një politikë stabile dhe parimore kombëtare. Por për këtë akt ato nuk janë të vetme, sepse fajin kryesor e kanë qendrat e politikës shqiptare: Tirana, Prishtina dhe Tetova, nga ku i morën instruksionet partitë politike të Kosovës Lindore që ato duhet të dalin në zgjedhjet e 21 janarit 2007 në Serbi! Edhe pse mbi gjysma e popullsisë shqiptare të Kosovës Lindore i bojkotoi këto zgjedhje, humbës dolën shqiptarët, sepse u thellua hendeku i përçarjes ndërmjet partive politike, si dhe brenda popullit shqiptar të krahinës.
Ardhmëria e Kosovës Lindore është jetësimi i Autonomisë Politiko-Territoriale, brenda Serbisë, si fillim dhe pastaj bashkimi i kësaj Krahine Autonome me shtetin amë - Kosovën.


ÇAMËRIA

Thesprotia ishte emri i vjetër i pjesës jugore të Shqipërisë me emrin Çamëri.

Krahinë që përbën pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve. Shtrihet gjatë bregdetit Jon dhe në veri kufizohet me Republikën e Shqipërisë dhe me Maqedoninë. Në jug përfundon në qytetin e Prevezës, te gjiri i Artës.
Thesprotët e vjetër i perkasin popullit Pellazg. Ishin të një gjaku dhe kishin të njejtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë. Përveç thesprotëve në Çamërinë antike banonin edhe fiset tjera pellazgo-ilire si: Mollosët, Dodonët, Kaonët, Kasopianët, Efyrianët etj. Thesprotët (Çamët) për shumë kohë u qeverisën nga krerët e tyre dhe pastaj u pushtuan nga sundimtari i Mollosëve, Pirrua dhe më vonë iu aneksuan shtetit pellazgo-maqedonas të Lekës së Madh.
Emri Çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Kalama) që e përshkon. Në kohën antike Çamëria ishte banuar prej fisit ilir të Thesprotëve. Historia e saj bën pjesë në historinë e Epirit antik. Më vonë kaloi nën sundimin e Romës dhe të Perandorisë Bizantine. Në fillim të shekullit XIII ishte pjesë e Despotatit të Epirit, kurse në gjysmën e dytë të shekullit XIV bënte pjesë në Despotatin shqiptar të Artës të prirë nga Gjin Bue Shpata, Pjetër Loshi, Gjon Zenebishi etj.
Më 1449 Çamëria u pushtua nga Perandoria Osmane. Në shekullin XV u bë shesh i luftës kundër vërshimit osman, nën udhëheqjen e feudalëve të familjes Zenebishi. Nën sundimin osman, Çamëria bënte pjesë në Sanxhakun e Delvinës si dhe të Janinës dhe u bë shesh i kryengritjeve anti-osmane në shekullin XVI e fillim të shekullit XVII.
Në shekullin XVIII filloi islamizimi i një pjese të mirë të popullsisë. Një pjesë e popullsisë së Sulit dhe të Pargës, për t'i shpëtuar islamizimit, emigroi duke u vendosur në ishujt e Greqisë. Edhe në Çamëri u përforcua në shekullin XVIII pushteti ekonomik i feudalëve çifligarë vendas, të cilët u bënë faktorë politikë me rëndësi në luftën për pushtetin lokal, deri sa Çamëria ra nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, sundimtarit të Pashallëkut të Janinës. Në vitet 1820 - 1850 Çamëria u përfshi në kryengritjet e mëdha anti-osmane. Më 1854 dhe 1877 inkursionet e bandave të andartëve grekë u pritën me armë në dorë nga popullsia.

Gjatë viteve l878-81, degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Çamëri morën pjesë në luftën e përgjithshme të popullit shqiptar për mbrojtjen e paprekshmërisë dhe tërësisë së trojeve amtare. Çështja Çame u ngrit me forcë në periudhën pas Kongresit të Berlinit (1878) kur u kërkua që Çamëria të coptohej dhe t'i kolonte Mbretërisë Greke. Forcat atdhetare pa dallime shoqërore e fetare nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, si një trup i vetëm, u bënë ballë pretendimeve grabitqare greke si dhe Fuqive të Mëdha. Në luften për ruajtjen e tërësisë tokësore shqiptare u shqua biri i madh i Çamërisë Abedin Dino, politikan, diplomat dhe erudit i shquar i kombit shqiptar, i cili në krye të lëvizjes bëri të mundur që Çamëria për 35 vjet të mos bëhej pre e pretendimeve grabitqare.Gjatë kryengritjeve shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX , Çamëria ka qenë fushë veprimi e çetave patriotike dhe e një vargu komitetesh kombëtare. Gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913, në Çamëri vërshuan trupat greke. Në ndihmë të popullsisë vendase që kishte rrokur armët, nga qeveria e Vlorës u dërguan forca ushtarake, por me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913, Çamëria iu aneksua shtetit grek.
Pas Luftës së Parë Botërore (l9l4-l8), qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me forcë me mijëra banorë të popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi, me pretekstin se për shkak të fesë së tyre ishin "turq". Qeveritë e ndryshme greke prej atëherë deri më sot, me metodat më mizore kryen masakra, spastrime etnikofetare, ndaluan shkollat në gjuhën shqipe dhe mohuan çdo të drejtë njerëzore, duke grabitur tokat me lloj - lloj menyrash dhe duke mbjellë terror psikologjik.
Në mars të vitit 1913 u masakruan 72 intelektualë dhe personalitete të Çamërisë. Në vitet 20-të u shprnguleën me dhunë rreth 15.000 muslimanë çamë, duke i këmbyer me grekë të Anadollit. Në vitin 1940 ndanë nga familjet 6.000 burra nga 15 – 70 vjeç dhe i internuan në ishujt e Egjeut pa asnje shkak ku vdiqën nga torturat mbi 500 vetë.
Në periudhën 27 qershor 1944 - 13 mars 1945 u krye spastrimi etnikofetar përfundimtar i mbi 50.000 shqiptarëve çamë të religjionit musliman nga trojet e tyre me gjenocid të pashembullt, ku humbën jetën rreth 9.000 vetë dhe vdiqën rrugëve për në Republikën e Shqipërisë, nga uria dhe sëmundjet, rreth 2400 të tjerë. Popullsia e Çamërisë ishte rreth 93 % shqiptare, ndërsa pjesa tjetër përbehej nga grupe të tilla si grekë, vllehë dhe romë etj.
Në periudhën mes viteve1913-1944 gati 850.000 shqiptarë çamë janë dëbuar me dhunë në drejtim të Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve tjera të Ballkanit dhe Europës.
Qendrat e banuara kryesore të Çamërisë janë: Filati, Gumenica, Paramithia, Margëlliçi, Parga, Preveza, Arta, Janina, Kosturi, Konica, Florina, etj.
Nga gjiri i populli shqiptar të Çamërisë kanë dalë figura të ndritura të kombit shqiptar si: Pirro i Epirit, Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata, Gjon Zenebishi, Marko Boçari, Foto Xhavella, Luli Çapari, Osman Taka, Çelo Mezani, Maksim Artioti, Muhamet Kyçyku, Hasan Tahsini, Abedin Dino, Elena Gjika (Dora D'lstria), Kolë Idromeno, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko),... etj.
Sot në Çamëri banojnë Arvanitët dhe Shqiptarët çamë ortodoksë, por pa të drejtë arsimi në gjuhën amtare, pa të drejta kombëtare dhe njerëzore dhe pa të drejtë të deklarimi të identitetit të tyre kombëtar. Kurse popullsia çame e besimit musliman u dëbua tërësisht në vitin 1945 nga ushtria shovenisto-fashiste e Greqisë.
Fillimisht në Çamëri duhet të kthehen, të riatdhesohen Çamët e dëbuar me dhunë ushtarake, dhe t'u kthehen pronat e tyre të gjithë refugjatëve çamë dhe pastaj Çamërisë t'i njihet e drejta e Krahinës Autonome Politiko-Territoriale brenda Greqisë, me perspektivë për Referendum e Vetëvendosje demokratike dhe bashkim me Shqipërinë.
Shtuar më 25/10/2007, ora 17:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori