Ndiqni pamjet LIVE, mijëra studentë rrethojnë Kuvendin
Kopshti dhe kopshtarët
Pëlqej
Albeu.com
Kim">Kim MEHMETI">MEHMETI - Fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë një popull nuk është kur ai jeton i ndarë në më shumë shtete, por kur kjo ndasi ia pamundëson komunikimin mes veti, kur kjo ndasi ia pengon mirëmbajtjen dhe ia copëton “atdheun” kulturorë. Shqiptarët e tejkaluan këtë të keqe disadekadash kur kishin në mes murin e lartë ideologjik dhe tani ata duhet t’i rrënojnë muret mendorë që kanë e t’i përkushtohen së mundshmes: të jetojnë në “shtëpi” të ndara, por duke e ditur se kanë kopsht të përbashkët kulturor, arsimor e shkencor dhe se bashkërisht duhet të kujdesën për këtë pronë gjithëshqiptare. Pra, tani atyre u mbetet të dëshmohen se janë kopshtarë të denjë që dinë të kujdesen e t’i shlyejnë kufijtë që copëtojnë tërësinë e “atdheut” më të vlefshëm që kanë – atij gjuhësor e kulturor, e me çka, ata do të munden më lehtë të përfundojnë bisedën me vetveten, do të kompletojnë portretin e tyre të përbashkët kombëtar, do t’i rirreshtojnë vlerat mbarëkombëtare që kanë dhe kështu, pastaj do të munden që portretin e vet ta vendosin në fotografinë grupore të popujve ballkanikë dhe të presin të gatshëm dialogun me fqinjët e tyre, si edhe atë me gjithë të tjerët e kësaj bote.
Panairi i Librit i para disa ditëve në Tiranë ishte shembull i mirë se si duhet mbrojtur dhe kultivuar të përbashkëtën që kemi. Ky panair ishte “shesh” mirë i organizuar ku suksesshëm u ndërthurën dhe u bashkuan në një të gjitha “lagjet” tona krijuese e botuese. Dhe ai tregoi se cilat janë rrugët që e shpëtojnë shqiptarinë nga arroganca e Tiranës - e shprehur nëpërmjet bindjes se në pjesën shqiptare matanë kufirit nuk ka gjë të vlefshme, dhe nga mendjemadhësia e Prishtinës që e çon atë të besojë se është e vetëmjaftueshme dhe boshti kurrizor i shqiptarisë. Pra, Panairi i Librit në Tiranë, tregoi se e tërë është vetëm ajo që i ka të gjitha, se në “sheshin” tonë letrar e botues nuk është e pavlerë dhe e parëndësishme asnjë nga “lagjet” tona krijuese e botuese, përfshirë edhe atë të shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe të gjitha të tjerat të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të mëmëdheut Shqipëri dhe atdheut Kosovë.
Sa u përket shqiptarëve nga kjo anë e kufirit, ata dhimbshëm dhe duke paguar çmim të lartë, e mbijetuan periudhën kur librat e ardhur nga Tirana duhej t’i fshihnin nënë sqetull e t’i lexonin me trishtimin që të mos i shihte ndonjëri. Ata gjithashtu suksesshëm e përballën edhe me periudhën kur vinin të ndrojtur në Tiranën e ëndërruar me dekada, e ku u përballën me një realitet krejt të largët nga ajo që e kishin ëndërruar për Piemontin e tyre kulturor e atdhetar. Dhe pas kapërcimit të këtyre dy periudhave, për shumëçka njësoj të dhembshme, shqiptarët këtej kufirit, posaçërisht “vëllezërit” e vegjël të popullit tonë, si ata të Maqedonisë e të Luginës së Preshevës, tani presin atë që i ka hije një populli që ka dy qendra kulturore - Tiranën e Prishtinën, e që duhet ta çojnë bashkëpunimin e tyre më tej veprimtarive të përbashkëta për zgjedhjen e shqiptares më të bukur dhe top-modeles së vitit, si dhe të bëjnë diçka më shumë sesa organizimin e koncerteve të përbashkëta për nder të ndonjë feste kombëtare. Pra, Prishtina e Tirana, tani do duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë që u takon, e që ka të bëjë me barazimin e standardeve mbarëkombëtare nga sfera e artit, me përgatitjen e librave shkollorë nga të cilat do mësonin shkollarët shqiptarë, pa marrë parasysh ku jetojnë ata dhe të ndërlidhin aktivitetet e tjera që nuk prishin kufijtë shtetërorë, por e përcaktojnë saktë tërësisë kulturore të një populli, gjë që nuk është as në kundërshti me proceset eurointegruese, por, përkundrazi, është parapërgatitje për ditët kur mbase e tërë Evropa do ketë librin e përbashkët të historisë e të letërsisë së saj.
Pa dyshim se Panairi i Librit që kohë ma parë u organizua në Tiranë, ishte ngjarje që të bën të ndihesh mirë si shqiptar. Ky Panair tregoi se mbase kemi nisur të jetojmë periudhën kur “kopshtarët” duhet qartë t’i ndajnë detyrat që u takojnë lidhur me mirëmbajtjen e “kopshtit” të përbashkët letrar e botues. Panairi i Librit në Tiranë gjithashtu dëshmoi se vetëm kur ndërlidhen të gjitha pikat e trekëndëshit tonë kombëtar, Tiranë- Prishtinë – Shkup, ne mund ta përcaktojmë sipërfaqen e saktë të vlerave që kemi, si dhe të nxjerrim rrënjën katrore të asaj që na pengon në komunikimin me vetveten. Duke qenë një ngjarje e rëndësishme kulturore, ky panair për shumëçka duhet t’u shërbejë si shembull politikanëve shqiptarë sesi duhet bashkëpunuar mes veti. E mbase edhe t’i frymëzojë që edhe ata të organizojnë një panair të partive politike shqiptare, ku do merrnin pjesë të gjithë udhëheqësit tanë partiakë. Dhe në këtë panair, shqiptarët më qartë do ta shihni se për dallim nga shumëllojshmëria botuese që begaton panairet e librit, në atë të partive politike do ketë shumë stenda e emblema partiake, por të gjitha do të ofrojnë vetëm një përmbajtje monotone – dëshirën perverse të politikanëve tanë që çdo parti ta ketë “Shqipërinë” dhe popullin e vet shqiptar. Andaj, ndoshta do ishte mirë që Panairi i Librit dhe ai i partive politike shqiptare të mbaheshin në të njëjtën kohë, gjë që do t’u mundësonte shqiptarëve që në panairin e partive ta shihnin vetveten të atillë siç janë, e në atë të librit ta shihnin vetveten të atillë siç dëshirojnë të jenë. Me çka do ia dilnin ta kuptonin se të jesh i tillë siç dëshiron, duhet paraprakisht ta kuptosh se nuk janë fatkëqij popujt e ndarë në më shumë shtete, por popujt që e pëlqejnë këtë ndasi dhe fillojnë të bëhen të pandjeshëm ndaj kopshtit të përbashkët kulturor që kanë. Pra, ta kuptojmë se fatkeqësia jonë e sotme nuk vjen vetëm shkaku se kemi politikanë që duan çdonjëri të ketë popullin dhe shtetin e vet, por edhe pse kemi “kopshtarë” kulturorë që nuk e kanë kuptuar se s’ka pushtetar që nuk do të donte që poetët t’i shkruanin poezi, por boshtin kulturor të një populli e mbajnë drejt artisët që nuk e ndiejnë veten veçanërisht të nderuar kur marrin ftesa për pjesëmarrje në darkat dhe dasmat e prijësve partiakë.
Shtuar më 22/11/2010, ora 12:01
Tage: MEHMETI
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori