Kontributi i shqiptarëve për Kosovën
Albeu.com
nga Aleksandër MeksiËshtë shkruar dhe është folur së tepërmi kohën e fundit, se viti 2006 është viti vendimtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, më shqip, të problemit të qenies së tyre.E kanë thënë këtë të gjithë faktorët ndërkombëtarë (institucione e personalitete), e kërkojnë dhe e mbështesin edhe shqiptarët në dy krahët e kufirit.
Zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës, do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në stabilitetin e gadishullit Ballkanik dhe në mënyrë të veçantë, atyre të Ballkanit perëndimor, të cilët do të jenë edhe për mjaft kohë të paintegruar në BE, një ëndërr e tyre, dhe po aq do të kontribuojë në përparimin ekonomik dhe njerëzor të gjithë rajonit. Sigurisht, përftuesja kryesore dhe e madhe është Kosova, për të cilën gjendja aktuale i ngjan një veshjeje të hekurt që nuk e lë të rritet dhe i shkakton ndërkohë dhimbje, vuajtje dhe pasoja.
Jam shprehur publikisht dhe më parë, si shumica dërrmuese e shqiptarëve të kësaj ane, se pavarësia e Kosovës, është e vetmja formë e pranueshme për shqiptarët dhe zgjidhja e vetme që do të sjellë përparimin dhe do të mënjanojë rrethanat joshëse dhe favorizuese për elemente dhe grupime keqdashëse, të cilët nën petkun e nacionalizmit të kulluar (kujtoni marsin 2005), janë të prirë për veprime destabilizuese në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
Për vetë rrugën historike dhe ndodhitë e shekullit të fundit në marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me të tjerët, vite dhune etnike me konfliktet që kulmuan me dhunë të egër antishqiptare deri në gjenocid dhe dëbim masiv në këto 20 vjetët e fundit, stabiliteti i brendshëm në Kosovë do të kërkojë kohë që të vendoset, duke respektuar realisht dhe në nivelin e demokracisë perëndimore, të drejtat e njeriut dhe ato të pakicave. Kjo është dhe arsyeja që kemi pranuar se është e domosdoshme për njëfarë kohe, prania e të huajve me mandat të OKB-së, për të siguruar rendin kushtetues (nga brenda dhe jashtë), shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut dhe ato pakicave si dhe mbrojtjen e tyre. Plotësimi i këtyre detyrimeve, është në radhë të parë në dorë të vetë shqiptarëve të Kosovës
Një zgjidhje me të dy këto komponentë: pavarësinë, me të gjitha prerogativat e një vendi demokratik dhe me të gjitha rrjedhimet në planin e brendshëm dhe të jashtëm, dhe praninë e të huajve për të garantuar stabilitet (ndër ta, detyrimisht amerikanët), me rregulla dhe detyra të përcaktuara mirë, mund të arrihet duke u pranuar nga shqiptarët kjo e dyta, si një kufizim i përkohshëm, por që njëherazi duhet të pranohet me të dy aspektet dhe nga të tjerët. Për këtë të fundit, për mendimin tonë do të jenë vendimtare negociatat dhe mbi të gjitha, këmbëngulja detyruese e të huajve, nëse me të vërtetë respektojnë të drejtat e shqiptarëve dhe nuk e dëshirojnë këtë vatër konflikti dhe destabilizimi.
Republika e Shqipërisë, mendoj se nuk duhet të jetë vrojtuese pasive në këtë çështje, siç po dëgjojmë të thuhet dhe në shqip dhe në gjuhë të huaj, d.m.th, thjesht si çdokush nga vendet e tjera ballkanike. Ne jemi drejtpërsëdrejti të interesuar si shqiptarë, dhe Kosova është Shqipëri, por dhe sepse stabiliteti që do të rezultojë nga zgjidhja, do të na ndihmojë në shumë aspekte dhe neve. Po kështu, ne duhet të ndihmojmë në këto procese që presim të fillojnë zyrtarisht, të ofrojmë ndihmë dhe të kërkojmë të dëgjohemi për këtë qëllim. Duam të shtojmë gjithashtu, se përderisa është fjala për një çështje dhe interesa të përbashkëta të një kombi që nuk mund të ndahen, fjala e këtejshme nuk mund të refuzohet pa u gjykuar dhe vlerësuar bashkërisht dhe e kundërta, vlen dhe për qëndrimet e tyre. Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e qeveritarëve.
Për fat të keq, 10 vitet e fundit kanë treguar se stabiliteti dhe përparimi ekonomik dhe njerëzor në Republikën e Shqipërisë (nuk jemi vetëm ne Shqipëri), mund të ndihmojë ose të përkeqësojë gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe zgjidhjen e drejtë, të shpejtë dhe përfundimtare, të problemit në fjalë. Vetëm kur të ketë stabilitet dhe përparim ndër ne, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, partitë politike, personalitetet me emër, mund të kontribuojnë dhe të thonë fjalën e tyre, në kontakte me vendet e tjera, në forume ndërkombëtarë dhe takime kudo gjetkë.
Destabilizimi dhe mospërparimi ynë, në qoftë se nuk është kërkuar nga armiqtë e racës shqiptare, është në dobi të tyre dhe kundër interesave të popullit shqiptar dhe zgjidhjes afatgjatë të çështjes shqiptarë (që ndërkohë po e pranojnë si një sakrificë).
Për fatin tonë të keq, në qiellin arbëror fluturojnë korba ogurzinj (që pëlqejnë vetëm këlyshët e tyre, e shumta dhe të tjerë nga pylli i tyre, por asgjë të ndryshme dhe nga anë të tjera), të cilët në vend të zgjidhjeve të problemeve të shumta dhe punës, kalojnë nga sherri në sherr sikur duan në këto momente decizive për çështjen shqiptare, që kundërshtarët tanë t’i drejtohen botës: me këta doni të bëheni, dhe anën e këtyre doni të mbani, sepse për fatin tonë të keq, kur është puna për të na sharë, ne jemi një dhe keqsjellja e njërit, ndikon në qëndrimin ndaj tjetrit. Këta njerëz që populli i paguan për politikanë e liderë, janë armiqtë e vërtetë dhe më të rrezikshëm të shqiptarëve dhe të çështjes shqiptare, pak rëndësi ka për kë e bëjnë: për ndenjësen e tyre, apo por të tjerët. E sigurt është, se këta duhen mënjanuar nga jeta politike shqiptare me mënyra demokratike (vota e lirë dhe e ndershme për qeverisje qendrore dhe vendore dhe një anëtar një votë, në partitë e tyre), duke mos iu shkuar askush nga pas e duke mos brohoritur për ta. Në të kundërt, shqiptarë, mos u ankoni për të zezat që do na vijnë mbrapa!
Paris 13 janar 2006, Gazeta Shqiptare
Shtuar më 15/01/2006, ora 12:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori