Konferenca Islamike dhe Kosova
Albeu.com
nga Alban TartariNjë ndër debatet në këtë periudhë tranzicioni në Shqipëri ka qenë edhe anëtarësimi – e më pas vijimi i kësaj anëtarësie të vendit në Konferencën Islamike.Debatet kanë qenë sa të pabaza, aq edhe të painformuara, madje edhe tendencioze. Gjithsesi kësaj here u duk qartë pse duhej dhe duhet anëtarësia e thjeshtë e Shqipërisë në këtë organizatë me një fuqi të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare.


Gjithsesi temë nuk është më Shqipëria por Kosova. KI dha shenjat e para se do të njihte në bllok pavarësinë e Kosovës. Por kjo nuk ndodhi fatkeqësisht pas shpalljes. Anëtari më i rëndësishëm i këtij blloku për Ballkanin, Turqia reagoi pozitivisht vetëm 24 orë më vonë. Por në
njëfarë mënyre, entuziazmi u shua aty.

Janë disa arsye që çuan në këtë ftohje, që shumë vetë nuk po i kuptojnë, ose thjesht po aludojnë duke akuzuar KI për këtë vonesë. E para dhe më e rëndësishmja është se brenda KI ka shtete si Irani apo Sudani të cilat kanë qëndrime kategorikisht të kundërta me SHBA. Dhe padyshim, Irani nuk e pranon pavarësinë e Kosovës për vetë suportin amerikan, ndonëse qytetarët iranianë ndajnë të njëjtin besim fetar me ata kosovarë (ndonëse në sekte të ndryshme).

E dyta dhe jo më pak e rëndësishmja është ndarja e Sudanit, pra pavarësimi i krahinës së Darfurit. Të gjithë në KI e dinë që kjo do të ndodhë me mbështetjen amerikane, ndaj edhe e shohin njohjen e pavarësisë së Kosovës si legjitimim të kësaj shkëputjeje që është në radhë.

Megjithatë, asnjë nuk i justifikon vendet e KI, lidhur me vendimin për Kosovën. Së fundi ministri i jashtëm serb Jeremiç u mundua në Teheran –aty ku pretendohet se qeveriset sipas sheriatit- të marrë mbështetjen e atyre që i quan "grup i vendeve të paangazhuara". Dhe pikërisht përpjekja nis në Teheran. Ky vend i çuditshëm që përpiqet të jetë mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ende nuk e ka treguar këtë mbështetje në kohë të vështira për shqiptarët. Gjithçka shkon deri të retorika dhe
vargjet e Rumiut dhe Saadiut dhe vepra e Naim Frashërit. Dhe duket se në krye të vendeve myslimane që janë kundër pavarësisë së Kosovës
qëndron pikërisht Irani.

Ftohtësia e këtij vendi me SHBA nuk është një arsye për të mos mbështetur të drejtën e një populli të shtypur. Aq më tepër që kyshtet ka në themel – ose pretendon ta ketë – fenë që kanë edhe rreth 80-85 përqind e kosovarëve. Nuk është çudi, që Irani të rreshtohet në krahun tjetër – ndërsa në Liban dhe Palestinë mbështet Hizbullahun,
ndërsa në Ballkan i kthen krahët Kosovës.

Gjithsesi, njohja e pavarësisë së Kosovës, varet shumë edhe nga njohuritë që kanë këto vende, nga lobimi dhe kontaktet që bëhen me to. Pikërisht këtu duhet të shfaqet Prishtina dhe Tirana. Ka patur përpjekje, kryeparlamentarja Topalli i vizitoi vendet arabe, por sërish është pak. Kosova duket se është mjaftuar vetëm me një tur të kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava. Por edhe kjo nuk mjafton. KI është një ndër organizatat më të mëdha dhe me peshë në botë dhe një ndër më ndikueset në OKB. Ndaj edhe diplomacia e re kosovare e zotit Hyseni por edhe ajo e zotit Basha, kanë shumë për të bërë. Kur këtë e bën zoti Jeremiç i cili s'ka asnjë lidhje – madje asnjë të drejtë pas asaj që serbët u kanë bërë muslimanëve dekadën e shkuar- përse të mos dëgjohet edhe zëri i Hysenit dhe Bashës, por edhe zyrtarëve të tjerë më të lartë të Prishtinës dhe Tiranës në këto
vende, që nga Malajzia e deri në Marok.

Kjo është çështje kombëtare dhe shqiptarët duhet t'i bindin liderët e këtyre popujve. Ata duhet tu tregojnë se janë të sinqertë gjë që nuk e kanë bërë deri më sot. Pikërisht për këtë moment duhet ajo anëtarësi aq e kontestuar/ debatuar /përgojuar/keqtrajtuar e Shqipërisë në KI.

Pasi edhe Turqia është e tillë, por ky vend është aleati më i madh i Uashingtonit dhe Brukselit në Lindjen e Afërt dhe të Mesme.

Ndaj, qëndrimit tendencioz "o burra të zhdukemi nga KI", le t'i përgjigjemi me një lobim të fuqishëm në këtë organizatë, që edhe Sudani të bindet se kjo s'ka të bëjë me Darfurin e që Irani të bindet se jo çdo gjë që e prek Amerika ka shejtanin brenda.

Dhe kjo duhet të ndodhë shpejt...pasi Gjeorgjia po gjëmon, dhe rusë e serbë janë gati të bëjnë paralelizma në mes të ditës e të natës dhe koha e shkuar punon për ta! Në rast se KI nuk e bën këtë, në rast se çështja zvarritet apo nëse vendet që shtiren si miq me Shqipërinë nuk e bëjnë, atëherë Shqipëria ka kësaj herë plotësisht të drejtë që në
shenjë proteste të dalë nga kjo organizatë, pasi ajo do ta ketë bërë zgjedhjen e saj në favor të vrasësve të myslimanëve boshnjakë e kosovarë... (G. Start)
Shtuar më 13/08/2008, ora 01:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori