Kohë të mira për AAK
Pëlqej
Albeu.com
ARMAND SHKULLAKU - Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës duket se po afrojnë kohë të mira. Ndonëse në mungesë të kryetarit historik, partia e Ramush Haradinajt ka shënuar disa lëvizje që po i japin rezultatet e para.

AAK ka bërë një nisje të mirë të fushatës zgjedhore, ka treguar kujdes në paraqitjen e listës së kandidatëve për deputetë, ka bërë një goditje të bukur me marrëveshjen paraelektorale me Ukë Rugovën dhe ka arritur sukses në Rahovec, ku kandidati i saj për kryetar komune mbërriti në balotazh. Sot AAK gjendet në një pozitë të tillë, që e pret më e qetë se partitë e tjera të nesërmen e 12 dhjetorit. Sipas të gjitha llogarive, ajo do të jetë pjesë e pushtetit pas këtyre zgjedhjeve.

AAK edhe në zgjedhjet vendore të një viti më parë ishte partia me rritjen më të madhe të përqindjes elektorale. Hapësira e madhe opozitare e krijuar pas koalicionit PDK-LDK dhe pakënaqësitë nga mënyra e qeverisjes, gjetën një adresë të mirë tek formacioni politik i Ramush Haradinajt. Qëndrimi konseguent, aktiviteti i dendur politik dhe disa ndryshime të rëndësishme në lidershipin e partisë, i dhanë AAK statusin e një partie të rëndësishme, që madje mund të rritej edhe më tej me elektoratin e zhgënjyer të LDK-së. Por më pas, gjërat nuk rrodhën ashtu siç duhej për AAK. Momenti i parë delikat u shënua atëherë kur AAK, prej euforisë së zgjedhjeve lokale, nxitoi të bëjë marrëveshje parazgjedhore me një kartë të djegur si Fatmir Sejdiu, për të provokuar zgjedhje të parakohshme. Refuzimi i Sejdiut ishte një dush me ujë të ftohtë mbi entuziazmin e aleancistëve. Momenti i dytë i vështirë, tepër i vështirë për AAK, ishte largimi i Ramush Haradinajt në Hagë, ku vazhdon të mbetet ende në kushtet e paraburgimit në pritje të procesit gjyqësor. Disa veprime kaotike të drejtuesve të tjerë të AAK krijuan përshtypjen se mungesa e Haradinajt do të ndihej shumë, veçanërisht në zgjedhje.

Por sot, AAK duket se e ka marrë veten ndjeshëm dhe ka nxjerrë mësim nga e shkuara e afërt. Ajo është tashmë një parti me tendenca të qarta elektorale dhe e hapur për bashkëpunim me çdo forcë politike të Kosovës. Kjo forcë bëri një diferencë të qartë me dy partitë e tjera të mëdha, me mënyrën sesi realizoi një marrëveshje parazgjedhore, me tolerancën e pazakontë në hartimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe me kapërcimin e filozofisë së përjashtimit. Duke i analizuar me radhë këto elementë, vihet re edhe dallimi i AAK nga PDK dhe LDK.

Në një kohë kur dy partitë që qeverisën Kosovën për tre vjet, nuk arritën asnjë marrëveshje të frytshme parazgjedhore me partitë e tjera, bashkimi AAK- Lista Rugova solli jo vetëm befasi, por edhe një ofertë atraktive e të re elektorale. Ndryshe nga disa kalime të dyshimta të emrave të vjetër në listat e dy partive të mëdha, pakti mes Blerim Shalës dhe Ukë Rugovës u duk parimor, transparent dhe deri tani i respektueshëm në maksimum nga të dy palët. Gjithashtu, si lista e PDK, ashtu edhe ajo e LDK, u pritën me kritika dhe skepticizëm nga opinioni publik, për shkak se aty dominonin garda e vjetër dhe emra të diskutueshëm. Në AAK, sigurisht me disa përjashtime, lista ishte më e larmishme dhe më e kujdesshme. Por mbi të gjitha, hartimi i listës së AAK ishte në kontrast të plotë me mendësinë që ka mbizotëruar në listat e PDK dhe LDK. Tek këto dy parti, listat janë parë si një mjet shpërblimi për individë të caktuar dhe jo si një mundësi për të arritur suksesin e përbashkët.

Nga listat e PDK dhe LDK kupton se kush janë individët me fuqi dhe influencë, kush ndikon, kontrollon apo mban peng lidershpin e partisë. Pse dy liderët, si Hashim Thaçi, ashtu dhe Isa Mustafa duken sikur i kanë pasur duart lidhur dhe sytë mbyllur, kur janë hartuar këto lista? E megjithë përpjekjet për t’i mbajtur të mbyllura brenda mureve presionet e brendshme, ndihet fare qartë se atmosfera në dy partitë e mëdha nuk është ajo që duhej të ishte në një fushatë elektorale. Ndërsa AAK bëri diferencë duke e vënë listën e kandidatëve në shërbim të suksesit elektoral dhe jo të interesit individual. Blerim Shala liroi vendin e tij për Ukë Rugovën dhe figura të tjera të njohura u renditën poshtë me dëshirën e tyre.

Ndoshta një akt simbolik, por që i dha një imazh pozitiv e gjithëpërfshirës kësaj partie dhe e kurseu nga inatet dhe konfliktet e brendshme. AAK dhe Lista Rugova, ndonëse prej kohësh në politikë, këto zgjedhje duken një grupim i freskët elektoral. Këto ndryshime kanë ndikuar edhe në një lloj zbutjeje të qëndrimeve të dikurshme përjashtuese. Si një grupim politik, i cili edhe pas zgjedhjeve është angazhuar të vendosë në unison, AAK dhe Lista Rugova janë sot në një pozicion të favorshëm për të hyrë në koalicion qeverisës, si me LDK ashtu dhe me PDK. AAK ka krijuar ambientin e duhur brenda dhe jashtë saj për t’u konsideruar si një faktor vendimtar dhe i pranueshëm nga cilado forcë fituese, për të bërë qeverinë e ardhshme.

Sigurisht që për këtë i duhet edhe rezultati elektoral në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Suksesi në Rahovec është një shenjë e mirë dhe që do të ndikojë në moralin e AAK deri në ditën e votimeve, por nuk mjafton. AAK-së i duhet edhe në përmbajtje një ofertë e ndryshme nga dy partitë e tjera. Dyfishimi i buxhetit dhe rritja e pagave 70 për qind për arsimtarët, që u thanë dje, janë një refren i përsëritur për veshët e qytetarëve. Nëse ka nisur një ndryshim, AAK duhet ta çojë atë deri në fund, për të mos provuar shijen e zhgënjimeve të dikurshme.
Shtuar më 26/11/2010, ora 12:31
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori