Koha për zgjidhje të problemeve, e jo për eksponim
Albeu.com
nga Fejzi HAJDARISa të mjerë janë këta kumanovarët në kuptimin politik - prapë të gjorët i kthehen protestave për të siguruar hapësirat shkollore. Paramendoni, ata do të protestojnë për një gjë që garantohet me ligj, por që është edhe e drejtë natyrore.Tani disa vite me radhë, këtë kërkojnë tua realizojnë njerëzit të cilëve ditë më parë ua kishin dhënë votën. Kështu ndodhi gjatë mandatit të parë të BDI-së kur në postin e ministrit të Arsimit ishte Aziz Pollozhani, këtë gjendje e vazhdoi edhe ministri tjetër i radhës Sulejman Rushiti. As i pari, e as i dyti, asgjë nuk bënë në këtë drejtim, përveç disa “pordhave” deklarative se do të sigurojnë lokacionin e duhur dhe mjete financiare: të cilat mjaftonin sa për të blerë dy dy karrige, një dërrasë të zeze dhe tre thasë çimento. Madje për të qenë ironia më e madhe, ata me këtë rast dilnin, kuptohet me kollare para mediave duke premtuar në mënyrë pompoze se do të bëjnë namin me këtë angazhim!?
U përqendrova te ministrat e Arsimit, sepse dy mandate me radhë ata ishin shqiptarë, që me fjalë tjera do të thotë se ishin kompetent dhe kishin për borxh të zgjidhin në mënyrë të përshpejtuar një gjë të tillë, sepse bëhej fjalë për nxënës.
Kur kumanovarët më në fund u bindën se nuk ka gjë as nga I pari as nga I dyti, gjegjësisht as nga BDI e as nga PDSH-ja për zgjidhjen e kësaj “nyje”, po përpëliten të bëjnë vetë, me “solo veprime”.
Sa janë të suksesshëm në këtë drejtim? Efekti është zero!. Pavarësisht se dikush nuk do të pajtohet, por faktet flasin kështu. Të gjithë ata që u kapën në krye të kësaj valle, nuk arritën të bëjnë asgjë me tepër se të nxjerrin nxënësit jashtë orëve të mësimit dhe duke I vënë në pozita jo të mira të protestuesve para kryekomunarit dhe duke bllokuar rrugë. Arsyetimi e tipit se: “ne kaq mundemi”, dhe se “politika e ka fajin”, nuk mbajnë më. Sepse politika shqiptare qartë po tregon se nuk shpenzon energji shumë për këtë çështje. Duke patur parasysh këtë fakt, kryeprotestuesit (ata që kanë marrë barrën mbi supet e tyre) është dashur që moti të kërkojnë forma tjera të cilat do kishin detyruar poltronat dhe injorantët politikanë shqiptarë, të kenë qasje shumë më serioze për këtë problem shumë të rëndësishëm dhe tepër të ndjeshëm për kumanovarët.
Ata duhet të pyesin veten nëse para se të sjellin vendimin për të dalë në protesta, kanë shfrytëzuar të gjitha metodat që janë në disponim për zgjidhjen e këtij problemi. Aq më tepër për shkak të faktit se shkollat kumanovare gati 10 vite rresht vitin shkollor e fillojnë me protesta, por deri tani arsimi shqip në Kumanovë edhe më tej ballafaqohet me probleme elementare. Kjo do të thotë se organizatorët e protestave ose nuk kanë strategji si ta efektuojnë revoltën e nxënësve dhe prindërve, ose shpejt ngopen nga deklaratat dhe eksponimi nëpër media dhe heqin dorë nga kërkesat e tyre.
Tani është koha që problemeve të arsimit shqip në Kumanovë t’i bëhet një qasje shumë më serioze, sepse këto probleme janë shumë më tepër sesa dëshira e dikujt për tu eksponuar, pasi që e ka marrë malli ta shohë veten ën gazeta dhe televizione. (Lajm)
Shtuar më 06/10/2008, ora 01:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori