Koha e emisarëve
Albeu.com
nga Petrit MËNAJNë një artikull dërguar disa gazetave, titulluar: Vetëm pavarësia e vërtetë, pa kushte do ta qetësojë Kosovën, kam shkruar që; shumë politikanë botërorë bëjnë deklarime, llogari e supozime të ndryshme, por...Në një artikull dërguar disa gazetave, titulluar: Vetëm pavarësia e vërtetë, pa kushte do ta qetësojë Kosovën, kam shkruar që; shumë politikanë botërorë bëjnë deklarime, llogari e supozime të ndryshme, por në fakt nuk bëjnë ndonjë sqarim konkret por vetëm tatojnë pulsin e njëri-tjetrit dhe të politikës shqiptare në përgjithësi, qoftë të asajë shtetërore e parlamentare, por dhe të politikanëve nga partitë e ndryshme politike nga e gjithë hapësira shqiptare.
Ata, tatojnë në fakt pulsin për të parë se me çfarë mund të pajtohen kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi, për ruajtjen e një gjëndje as mish dhe as peshk, me qëllim që të zgjatin qëndrimin e tyre në Kosovë për të plotësuar interesat globale por dhe individuale.
Ata, nuk mund të ndahen nga e kaluara e tyre e të diktuarit dhe nga padrejtësitë që u kanë bërë shqiptarëve, që si rast unikal dhe i vetëm në botë jetojnë edhe sot të ndarë, të persekutuar dhe të zhytur në varfëri në pesë shtete brënda trojeve të tyre etnike, që për nga zhvillimi dhe resruset nuk janë më të pasur dhe më përpara se shteti shqiptar i sotëm.
Pas atij artikulli kanë shkuar kohë dhe do të shkojnë. Zhvillime të ndryshme priten, zhvillime që do të kenë dy kahe, një kah në drejtim të dhënies së pavarsisë së Kosovës dhe një kah tjetër në atë të zgjatjes së kohës për dhënien e pavarsisë së saj duke ngritur lloj-lloj pengesah e barriera artificiale. Kjo nuk duhet të na çudisë sepse koha e ndryshimeve të mëdha për shqiptarët si në kahun pozitive ashtu dhe në kahun negativ është shoqëruar nga diskutime dhe dilema të mëdha të cilat kurrë nuk jan bërë në drejtimin e asaj se sa do tu bëjnë mirë shqiptarëve, por në drejtimin e ruajtjes së një status-quo të ballkanit dhe më gjërë, për plotsimin e synimeve të fqinjëve tanë e të interesave në kuadrin e një politike globale.
Jo për kuriozitet por për kujtesë, dua t’ju kujtoj lexusëve vitet 1887, 1913, 1915, 1919-20, 1944, 1987, 1999. Dua tu kujtoj Kongresin e Berlinit, Koferencën e Londrës dhe Traktatin e fshehtë të saj, Koferencën e Paqes. Dua tu pyes të gjithëve ç’far fituan shqiptarët nga Jalta e Dejtoni? Ku jemi sot gjashtë vjetë pas Rrambujes e pas kofrencave të tjera ballkanike e rajonale?
Atëherë kur plaku i mënçëm i Vlorës, Ismail Qemali i’u drejtua fuqive të mëdha dhe Serbisë duke ju thënë se: “Populli shqiptar nuk mund të durojë që të drejtat e tij të sakrifikohen qoftë edhe pjesërisht, sepse do të vijë një ditë, që në brendinë e territorit do të ndeshet me një element trim” nuk u dëgjua.
Por me gjithë rrjedhat e vonuara, pengesat e pa numurta me dashje dhe pa dashje të të tjerëve, koha ka folur në gjuhën shqipe, me gjuhën e të vërtetës historike.
Ne jemi rritur dhe guri një ditë do të vejë në vëndin e vet.
Duan apo nuk duan disa, qofshin dhe shqipfolës, apo që hiqen si miq, që gjoja na i duan të mirën, shqiptarët do të zhvillohen, shqiptarët do të kenë një gjuhë, një flamur.
Shqiptarët nuk do të ndahen por do të bashkohen gjithmonë e më fortë cilado qoftë forma e ekzistencës që mund të përcaktohet nga më të fortët. Lumi nuk kthehet kurrë nga rrjedha, ai ecën përpara.
Situatat e zhvillimit të historisë së popullit tonë ngjajnë me njëra-tjetrën dhe mbartin mbi supe të njëjtët elemente stimulues, zhvillimi dhe pengimi. Nga njëra anë elementi përparimtar botëror, që me elementin e shëndoshë kombëtar shqiptar përpiqet që shqiptarët të ecin, të zhvillohen, e të përfitojnë nga zhvillimet politike në etapa të caktuar, nga ana tjetër elementi konservator përfaqësuar nga politikanë e ideologë të ndryshëm botërorë, që për interesa të dikujt sakrifikon të drejtat e popullit shqiptar, pengojnë përkohësisht zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Ky element destruktiv, i ndimuar nga elementi shqiptar me frymë të theksuar bajraktariste e karrjeriste, që interesin e çastit e vënë mbi gjithçka, pengojnë zhvillimin dhe nuk e lënë të ecë pëpara përparimi dhe zhvillimi i kombit. Kjo ka ndodhur edhe kur janë pyetur, por edhe kur nuk janë pyetur shqiptarët.
Kjo po ndodh fatkeqësisht edhe sot, kur si protogonistë të lëvizjeve revolucionare në fundshekullin që u mbyll dhe të këtij fillimin shekulli duhet të jemi ne, që duhet të vendosim për fatet tona në përgjithësi, pavarësisht se në kë shtet jemi renditur e japim kontributin tonë.

Sigurisht, intelektualët sot e ndjekin me kujdes lëvizjen që bëhet për dhënien e statusit, apo të pavarsisë së Kosovës, por duhet që më shumë vigjilencë dhe lëvizje të studiuar të bëhen kur vihet në pyetje historia dhe indetiteti i popullit shqiptar qoftë dhe kur flitet për gjenezën e herëshme për Pellazgët apo Ilirët, për kulturën, për gjuhën dhe të shkruarin e saj.
Javën që shkoi të gjithë prisim të dëgjonim dhe të bisedonim me prefesorin e famshëm me orgjinë shqiptare, Aleksandër Stipçeviq.
Natyrisht, jo të gjithë i kanë lexuar librat e tij, jo të gjithë kanë pasur fatin ta dëgjojnë si ligjërues në Universitetin e Prishtinës profesorin e nderuar. Veprat e tij në gjuhën sebo-kroatisht por dhe të përkëthyera në gjuhën shqipe kanë vlera të pa zëvëndësueshme. Ato janë burim studimi e ulumtimi për shumë mendime që ai ka hedhur në saj të punës së tijë të pa lodhur. Por nuk do të thotë se ai ka thënë gjithçka.
Askush nuk është i përkryer, i pa prekshëm dhe i pa kapshëm, përveç perëndisë.
As atë dhe as këdo tjetër nuk duhet ta kthejmë në mit.
Për Ilirët kanë folur e shkruar filologë, albanologë, studiues të fushave e zhanreve të ndryshme që nga, Gotfing Lajbnik 1646- 1717, Franc Bop 1791- 1867 e deri te Eduard Shnajder që ka deklaruar se shqipja është tingëllimi më i pastër dhe besnik i gjuhës Pellazge.
Por nuk e kam fjalën te profesori i nderuar, sepse në lëminë e tij dikush mund të diskutojë më shumë, dikush tjetër që mund të jetë dhe prefesionist, por unë e kam diku tjetër, te intelektualët, te shikimi me vigjëlencë i problemeve, te nuhatja politike dhe atdhetare që duhet të mbisundojë te secili.
Në botimin e gazetës Koha Ditore, ndoshta dhe në gazeta të tjera, përcillej mendimi i profesorit hedhur në takimin me petagogët dhe studentët e katedrës për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filologjik në Shkup, se shqiptarët janë popull që kanë më shumë elementë Ilirë se sa të tjerët, dhe se gjoja ne shqiptarët qënkemi më afër me Ilirët se sa të tjerët.
Se në veri të Shqipërisë ka më shumë element Ilirë etj. Kush vallë qënkan ata që paskan më pak elementë Ilirë kur ne kemi më shumë?
Kush vallë na qënkan ata të tjerët që mund të kenë sot orgjinë Ilire?
Kush janë ata që në Ballkan janë autokton?
ǒfarë kanë treguar zbulimet e fundit arkeologjike në Kosovë?
Kujt i shërben sot kjo tezë?
Kjo tezë e hedhur me qëllim apo pa qëllim i shërben atyre që duan që shqiptarët t’i ndajnë.
U shërben atyre që duan të krijojnë një komb tjetër.
U shërben atyre që duan të ndajnë gjuhën shqipe në toskërisht e gegërisht.
Kjo u shërben atyre që duan që te shqiptarët të zhdukin atë krenari kombëtare që i ruajti në shekuj, të zhdukin atë flamur me të cilin luftuan për ruajtjen e nderit dhe të indetitetit kombëtar.

Problemin e Kosovës për dhënien e pavarësisë së saj, që ngrita më sipër dua ta lidh me mendimin e profesorit dhe të emisarëve të tjerë që në hallin e madh për pavarësinë e Kosovës, të krijimit të një shteti tjetër me shqiptarë, kërkojnë të gjëjnë diçka që ta zbehin atë, të zbehin veprimin dhe jehonën që do bëjë dhënia e pavarësisë Kosovës, që janë detyruar ta bëjnë në mos sot, nesër se s’bënë.
Ata, duan të zbehin fuqizimin e shqiptarëve në raion nga frika e dominimit në Ballkan. Por jo! Shqiptarët kurrë nuk kanë qënë agresorë e kërcënues për paqen.
Ajo ka qënë vetëm propogandë e atyre që kanë dashur t’i mbajnë shqiptarët të ndarë e të pushtuar, ndaj duan edhe sot ta quajnë Kosovën një shtet multietnik, dhe pakicat duan t’i paraqesin sipas shumë emisarëve autoktonë. Por jo! sido që të mundohen emisarët, sido që të thonë, e vërteta mbetet e vërtetë.
Faktet janë kokëforta.
Nuk mundet që sot në shekullin e njëzetenjë, të bardhës t’i thuash e zezë dhe të zezës e bardhë.
E vërteta rreth shqiptarëve dhe Ilirëve nuk duhet parë vetëm mbi bazën e burimeve sllave, se, sido që të thuhet dihet se kur kanë ardhur sllavët në ballkan, dhe nga kanë ardhë.
Ajo histori nuk është e largët dhe nuk duhet të manipulonet. Nuk duhet të thuhet se Ballkani është një vend shumë i përzier dhe ende nuk është e qartë se cilët popuj janë autoktonë e cilët të ardhur nga Lindja. Para dhe pas z. Stipçeviq, shkencëtarë të tjerë e kanë vulosur çështjen e autoktonisë në Ballkan.

Ata e atakojnë mendimin e shfaqur nga profesori, si në drejtimin e gjuhës, ashtu dhe në drejtim të toponomeve dhe afreskeve të zbuluara, ndaj intelektualët nuk duhet të heshtin dhe të thonë për çdo gjë amin.
Ata duhet t’i heqin kujtdo kapelen për vlerat që ka dhe të debatojnë sa herë që problemi nuk duket në rregull si për rastin konkret për të cilin po flasim.
Ne, nuk duhet të lejojmë askënd që të manipulojë, qoftë mik i huaj, apo mik me orgjinë shqiptare siç është fjala për prefesorin e nderuar Aleksandër, nga Zara e Kroacisë, që si shumë studiues të Ilirëve që e kanë mësuar shqipen edhe ai duhet të kish krijuar mundësinë e mësimit të shqipes dhe të shkruarjes së librave shqip që dhe ne të krenoheshim më shumë për të.
Natyrisht shqetësimi nuk mbeti vetëm brenda shpirtit të se cilit.
Ai doli e u bë i pranishëm në sallë nga të rinjtë si, znj. Adelina Marku në Universitetin e Europës Jug-Lindore, nga gazetari dhe studiuesi i historisë Arben Llalla, që me pyetjet dhe debatet e zhvilluara aluduan si për gjenezën ashtu dhe për dokumentet që janë nga burime jo sllave për Ilirishten.
Por, unë mendoj se duhej, që pa fyer profesorin, intelektualët më në zë të pronocoheshin për mendimi e shfaqur, që koha e ka vërtetuar se është ndryshe, e jo ashtu si u tha nga z.Stojçeviq.
Duhej që atij debati të nisur nga dy të rinjtë, të mos i shmangeshin intelektualët më në zë të historisë por t’i bashkangjiteshin frymës shkencore dhe jo pranimit të respektimit të mikut.

Miku duhet respektuar për fjalët dhe punët e mira që bën, mikut duhet dhënë darka e dreka, mikut duhet bërë muhabet, por duhet qarë dhe halli kur e shikon që ai ka forcë.
Por dhe duhet kundërshtuar kur shikon se ai flet mbrapsht qoftë dhe pa qëllim siç mund të jetë rasti i profesorit Aleksdandër Stojçeviq.

Pyetjes së A. Markut, mos vallë Ilirët u zhdukën si banorët e Antlatidës, profesori u shmag, duke hyrë në probleme të gjuhës e librave duke lënë që heshtja e tij t’i bashkangjitej mendimit të mëparshëm të shfaqur prej tij.

Po kështu dhe pyetjeve dhe diskutimeve të A. Llallës iu shmang duke mos iu përgjigjur si çështjes së të shkruarit në Ilirisht, ashtu dhe të shpjegimit të ilustrimit të tij në librin e botuar në shqip për Ilirët.
Këto dhe disa mendime të tjera si për Dardanët, Shqipërinë e Veriut që paraqesin diçka të ndryshme nga të dhënat e studiuesëve të tjerë dhe të vetë stidimeve të prefesorit shfaqur në këtë kohë të nxehtë, shfaqur në këtë kohë kur emisarë të ndryshëm lëvizin nëpër kryeqytetet e Europës, lëvizin sa në Prishtinë e sa në Beograd të bëjnë që gjërat t’i shikosh më me vigjilencë e më me dyshim.

E ngrita këtë problem jo për të denigruar dikë sepse askush nuk e ka atë të drejtë ndaj të tjerëve, por e ngrita që, intelektualët nuk duhet të lënë që teori e praktika false të ngrënë kokë e aq më shumë kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare. Intelektualët tanë, profesorë, doctorë shkencash, inxhinierë, ligjërues e asistentë duhet ta çojnë veten gjithmonë pranë debatit të hapur për t’i paraprirë zhvillimit të arsimit dhe kulturës mbi bazamentin kombëtar.
Ata, kurrë nuk duhet ta ndiejnë veten të nënçmuar ndaj të huajve edhe kur ata vinë si titullarë e njerëz të mëdhenj, por të ballafaqohen me ta për të gjitha fushat, për tu bërë zotër të vërtetë në trojet tona, mikut t’i lëmë aq hapsirë sa i takon, aq sa edhe ata na lënë ne.
Asnjëherë respektin nuk duhet ta këthejmnë përulje ndaj të huajve. Edhe ne kemi historinë, kulturën dhe shkencën tonë që rrezaton në arenën ndërkombëtare.
Duhet të jemi krenarë për atë që jemi dhe kush jemi.

Tetovë më 30 maj 2005
Botuar në gazetën “Fakti”
Shtuar më 02/08/2005, ora 19:03
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori