Katarza Kadareane për Islamin (?!?)
Albeu.com
Të gjithë jemi dëshmitarë të shkelmimeve të sivjetme Kadare - Qosja. Fjala fluturon kurse shkrimi mbetet, ndaj asnjë “tybe istikfa”, asnjë katarzë nuk e pastron ndotjen, nuk i shlyen dëmet, pasojat.

Shumëkush ka kërkuar prej meje që të shprehja mendimin time, më me kompetencë për çështjet shkencore të Islamit ndër shqiptarët. Mirëpo, ndodhi përgjigjja ters e Qosjes në rundin e dytë të sharjeve kadareane, dhe heshta. Nuk them se Qosja sharroi. Jo, atij Kadare i krijoi rrethana për një katarzë dhe për një “tybe istikfa” - vulë publike (të cilën ia ka borxh kombit akëcili personalitet i ngritur në shoqërinë komuniste), dhe Qosja e bëri, burrërisht. Kjo ishte ecje më tutje e Qosjes në rrugë të rrahur nga të tjerët, në rrethana kur fasulja hahej nga një kokërr. Edhe Kadare, me këtë intervistë, sikur ka bërë nijetin për ???një “tybe istikfa”, për katarzë të domosdoshme (nëse nuk dëshiron të shkelmohet përjetësisht nga pasardhësit e pjesës kurrizore të kombit shqiptar historik). Them “ka bërë nijetin”, dhe jo katarzën e plotë së bashku me “tybe istikfanë” për faktin se uni i personalitetit komunist i hasretit, i ngulur thellë në qenien kadareane, e mban të lidhur me fjalën e tij të thënë, të konsideruar prej tij si argument, dhe jo me realitetin historik. Kjo shihet qartë në këtë pjesë të intervistës: “Polemika s’ka sjellë të mira - jemi fajtorë edhe unë edhe Qosja”.

{nl}

Nuk dëshiroj të ndalem, një për një, në blasfemitë e Kadaresë në shtyp nga fillet e viteve të 90-ta, kundër fesë (së këndejmi edhe Zotit) të shumicës islame ndër shqiptarët, as ta marrë në “mbrojtje” Akademik R. Qosjen nga “diagnozat” e Akademikut I. Kadare: “shkrimtar mediokër”, “të shkojë në psikiatri!” etj. Qosja, nëse jo sot, një ditë, do të nderohet për fjalën publike për islamin dje, sot dhe nesër ndër shqiptarët. Ai i vuri themelet e një dige kundër të keqes në emër të kombit dhe për kombin, të cilës i ka kontribuar, fuqimisht, Kadare me ndjekësit e tij, dishepuj mesjetarë të katolicizmit në emër të “properëndimores bashkëkohore”.

{nl}

Kadare e saktëson drejtë statusin e të dyve: “Ne jemi kolegë në letërsi...” !?! Por, athua mund të ketë kolegialitet midis mediokrit pacient për psikiatri dhe të shkrimtarit që ka ato diagnoza për tjetrin?! Edhe konstatimi i Kadaresë, sot, se “Një nga gjërat më të shëmtuara është abuzimi me fenë...” është shumë i drejtë, por athua qëndron konstatimi tjetër: “Dhe unë asnjëherë nuk kam thënë asnjë fjalë fyese për myslimanizmin shqiptar...”(!?!).

{nl}

Pyes: Për çka fliste konstatimi i një studiuesi islamolog, në tetor 1992: “Mendimet e pamatura të Kadaresë dhe të “myhybëve” të tij ateistë, bënë që Komuniteti Mysliman Shqiptar në SHBA të kishte iniciuar procedurën për shpalljen e tij heretik, një Selman Rushdi Shqiptar. Liga Islame Botërore me seli në Mekë kërkoi pëlqimin e Meshihatit të Bashkësisë Islame të Kosovës, por ky dha mendim negativ për këtë iniciativë, dhe kjo u hesht” (Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpozium ndërkombëtar), Prishtinë, 1995, fq. 37, shën.41) ?!?

{nl}

Vërtet, nuk ka njeri shqipfolës me peshën e fjalës të Kadaresë, i cili ka abuzuar aq shumë me fenë, sa Kadare. Nuk flasë për satelitët kadareanë, të cilët korifeu, mbështetja morale, me këtë intervistë të sotme, i la cullak, vërtetë si pulë çulle, siç mund të thoshte Kadare. Ata, sot, le të kujdesën për shëndetin e tyre, Kadare u vdiq.

{nl}

Kadare, sot, thotë: “Teza ime është që ne duhet të hyjmë në Evropë myslimanët, të krishterët bashkë. Asnjë pengesë nuk është myslimanizmi shqiptar për Evropën...” (?!?). Sa bukur. Nuk pyes se cilat ishin tezat e Kadaresë deri tashti. E hidhura qoftë e shkuar. Qëndrimi i Kadaresë deri sot ndaj islamit historik të etërve të tij mund të jetë tezë për një “master” evropian. Në mos sot, nesër do të ndodhë. Konstatimi i Kadaresë “...unë që vij nga një tjetër fe (...), jam vetë me zanafillë myslimane”, nuk do të thotë a priori se Kadare ka pohuar përkatësinë e tij fetare islame, ose ka mohuar përkatësinë e tij kishtare katolike. Së fundi përkatësia fetare e tij është e drejtë e tij individuale, por nuk del i qartë kur thotë se “Ne kemi tri fe dhe një komb...” ?!? Cilat janë ato “tri fe”? Në shpjegim atij i dalin dy: myslimanizmi (?!?) dhe krishterimi. Unë nuk do të thoja se katolicizmi dhe ortodoksizmi janë dy fe, siç pështjellon Kadare, të cilit pas vetës, në Mitrovicë, i shihej shehu bektashian ?!? Vërtet, nëse Kadare është myhyb i Shejh Reshat Arbanës (edhe kjo është e drejtë e tij), do të thotë se i përket fesë “së katërt”, institucionale Ahmet Zogollçe ndër shqiptarët. Dhe, edhe vetëm kjo i mungonte kombit shqiptar aktual për të përjetuar nesër fatin irakian aktual.

{nl}

Kadarea madhështor sot tërhiqet publikisht nga konstatimi i tij i hershëm: “Prirja e Shqipërisë do të ishte drejt fesë së krishterë...” - “...kjo është një bisedë, është një kujtim që unë vetë e kam nxjerrë...një rrëfim për diçka...” “...mendimi im krejtësisht i gabuar, parashikim krejtësisht i gabuar, që nuk doli...” , “.. . Është gabim pa asnjë hezitim...” !!?!! Nuk i mbeti tjetër Kadaresë, pos edhe tu thërriste ndjekësve: “Aprililiiiii...!!!!!” Sinqerisht ndjejë dhimbje për ta. Sa dëm, Kadare, i ka bërë çështjes shqiptare në përgjithësi?! Dhe, nuk mund të kalohet pa zënë në thua në dy konstatimet e Kadaresë në vijim: “...të hapën kishat katolike, ortodokse, po të duan dhe xhamitë” dhe “megjithëse mendoj unë them se myslimanizmi shqiptar ka për t’u zbehur nga shkaku i hyrjes në Evropë” ?!? E para, a mendon Kadare për tri apo për dy fe? Kërkesa: “të hapën kishat katolike, ortodokse” - del se është nevojë e detyrueshme, kurse “po të duan dhe xhamitë” - nevojë fakultative?!?

{nl}

Athua kjo nuk është abuzim me fenë?!?

{nl}

Në globalizmin perëndimor do të zbehen të gjitha kombet e vogla, deri në asimilim, e në radhë të parë ata të përkatësisë kishtare katolike. Islami do të jetë një barrierë në dobi të ruajtjes së shqiptarisë, ngjashëm me ortodoksinë ndër arbëreshët e Italisë gjatë historisë. Edhe në ShBA, aktualisht, si edhe gjetkë në mjediset protestante, ndryshimi i fesë po ndihmon në ruajtjen e shqiptarisë së shqiptarëve katolikë e myslimanë.

{nl}

Nga konteksti i pyetjes së Gazetarit: “A mendoni se fati i shqiptarëve do të ishte më ndryshe sikur të ishim në shumicë të krishterë?” Kadare iu përgjigj: “...Unë nuk mendoj që kjo ka qenë një fatkeqësi kaq e madhe...” !?! sepse “Pa myslimanët kombi shqiptar prishet, prandaj është absurde të kesh mendime kundër myslimanëve (...).Pse të them unë që pjesa më e madhe e popullit tim s’janë më shqiptarë...” . Ububu! Kadare tashti ia kaloi, së paku për një katramë, ish-“antikrishtit” - Pirraku nga viti 1971 (”Roli i Islamit në integrimin e kombit shqiptar”) deri në pamfletin e përshpirtshëm (“Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar”), më 2003. Vërtet, po ta kishim, më 1992, konstatimin e sotëm të Kadaresë: “Feja nuk është një pengesë, ne jemi ata që jemi, ne nuk ka pse ta zbukurojmë veten, por as ta keqësojmë. Ne do të hyjmë në Evropë kështu si jemi dhe nuk i kemi borxh askujt...” - nuk do ta kishim pamfletin “Jo katedrale...” as “Moral pa Moral” të Prof. Rexhep Hoxha, më 2006. As do ta përjetonim vjelljen Kadare-Qosja. Së këndejmi, as efektet evidente, deri edhe në SHBA, të propagandës kishtare serbe antishqiptare në emër të pararojës së krishterimit në Evropë.

{nl}

Tashti të ndalemi në “xhevahiret” për shkencën shqiptare dhe botërore, që më ka detyruar fuqimisht të merrem me të palarat kadareane për Islamin ndër shqiptarët: “Unë, duke u marrë me shkaqet pse është bërë konvertimi, jam përpjekur të shoh anën e fisme të kësaj gjëje...e kam thënë së paku që nuk e ka përmendur asnjë historian shqiptar(....). Arsyeja kryesore ka qenë problemi i armës. Kush e njeh psikologjinë evropiane dhe ballkanase, problemi i armës ka luajtur një rol të madh për dinjitetin e njeriut...” !?! Skandaloze me plotë kundërthënie, absurd. Historianët mbështetën në fakte. Ata idenë, mendimin as tezën nuk e quajnë fakt. Shtrohet pyetja: a mund të quhet “anë e fisme” e shqiptarëve nëse për hir të armës e kanë lënë krishterimin, veçantë nga “psikologjia evropiane dhe ballkanase”?!?

{nl}

Me pasoja të rënda për shqiptarët janë konstatimet e Kadaresë: “Një popull i armatosur, shtëpi që ka armë është gjysmë e lirë. S’mund të jetë kurrë plotësisht i robëruar një njeri që ka armë jo ilegalisht, legalisht...” ?!?

{nl}

Arma në duar të civilëve nuk sjellë fat, as siguri kolektive, kurrë. Kadare, si një kalorës mesjetar, thotë: “Armë do të thotë dinjitet dhe prapa armës qëndron ideja e lirisë...”. Po të shikonim përreth vetës dje dhe sot, arma në duar të individit është kob individual e familjar dhe shtytja në anarki shoqërore.

{nl}

Dhe, asnjë mbështetje faktografike, as logjike, nuk mund të sigurohet për të mbështetur konstatimin e Kadaresë: “Prandaj, okupuesi otoman i vuri shqiptarët përpara një dileme tragjike, do të mbash armën jep fenë ...”!?! Sipas tij, një pjesë e shqiptarëve do të ketë thënë: ”... më mirë po jap fenë, ta mbaj armën”, kurse “te tjerët e kanë menduar ‘lë armën, mbaj kryqin” Shqiptarë janë të dy palët (...) Si mund të kem unë përçmim për myslimanizmin kur populli ka zgjedhur të ndahet në dy rrugë...” !?!

{nl}

Del se shqiptarët myslimanë u përcaktuan për fatkeqësi, për anarki - karshi të tjerëve që “zgjodhën kryqin”, qofshin shqiptarë apo ballkanikë e evropianë!?!

{nl}

Më duhet të konstatoj pa ekuivoke: Kadare i Madh në gjykimet e tij për “okupuesin otoman”, për civilizimin lindor islam që “sollën” turqit në Shqipëri, për krishterimin dhe Islamin ndër shqiptarët, nëse jo tendencioz, është i padijshëm, shumë i vogël. Madje nuk tregon shenja se ka vullnet për të njehur shoqërinë, fenë dhe civilizimin shqiptar të shekujve XIV/XV, kur zuri fill bojkotimi i krishterimit dhe përqafimi i Islamit nga shqiptarët e kanëm, të cilët me pranimin e Islamit e hiqnin gunën e kishës ortodokse serbe, bullgare e greke. Hiqnin plafinë e imponuar të kombësisë serbe, bullgare e greke. Kjo ishte ana e fisme e kalimit në Islam që shqiptarëve ua siguroi rrugën për integrimin e kombësisë, të kombit dhe të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë.

{nl}

Vërtet, Kadare, nuk tregohet se di diç nga historia e krishterimit dhe e civilizimit ballkanaso-evropiane, e sidomos nga historia e Islamit, civilizimit islam. Veçanërisht nuk e njeh shoqërinë osmane, të asaj kohe.

{nl}

Për hir të lexuesit, mund ta pyesnim Kadarenë: Cilat ishin armët e shqiptarëve karshi armëve të ushtrisë osmane më të suksesshme të kohës?!? Dhe, pse në të gjitha kohët shqiptarët e krishterë, veçanërisht katolikët, ishin plotësisht të armatosur, legalisht, të rreshtuar kolektivisht në formacione të armatosura institucionale osmane nën komandën e kapedanëve institucional osman?

{nl}

Kadare thotë: “...populli ka zgjedhur të ndahet në dy rrugë...”!?! Fare nuk qëndron. Islami nuk e përfshiu pjesën e madhe, mbi 80% të albanofonëve, me përcaktim në një ndodhi, me një vendim koncensual, por fragmentarizmi fetar i shqiptarëve ndodhi në një rrjedhë gati treshekullore. Procesi i islamizimit dhe i integrimit të tërësishëm të kombit shqiptar në arealin etnikë albanoofonë, faktori nivelues dhe integrues i kombit shqiptar, u ndërpre me ndërhyrjen brutale të kryqit, të parasë dhe të armës katoliko-ortodokse evropiano-aziatike. Dhe, po ato mjete publike janë dhuna që e ndanë dhe që e mbajnë sot kombin shqiptar dhe Shqipërinë Etnike të ndarë, të okupuar, të nëpërkëmbur, të pa perspektivë. Si mund të thuhet, sot, se “Askush nuk ia ka mohuar ushtrinë Kosovës...”!?!

{nl}

Fare nuk më interesojnë të thënat se Kadare “është bërë fshehurazi katolik, ose ortodoks, në ndonjë kishë, apo manastir”, as është relevant konstatimi i tij se “nuk kam bërë ndonjë konvertim”. Rreshtimi në akëcilën fe është e drejtë personale e akëcilit. Një gjë është me rëndësi të konstatohet: Filokatolicizmi dhe islamoofobia kadareane kanë dridhur përjetësisht themelet e harmonisë ndërfetare shqiptare në përgjithësi. Abuzimi me fetë i kanë kushtuar shtrenjtë akëcilit populli e vendi. Është fat se asnjë intelektual shqiptarë myslimanë nuk ka abuzuar me fenë dhe kjo është ana e fisme e qenies së tyre njeri.

{nl}

Vërtet, Zoti Kadare ose është vazhdimisht i dehur, ose është i sëmur nga islamofobia, të nxjerrë, edhe aktualisht, këto konstatime: “Çdo gjë ndërtohet mbi parime, që katolikët e Kosovës të kenë katedralen e tyre është krejtësisht normale (...). Si do të jemi ne të kursyer për ta që të mos u japim katedrale që është e drejtë e Zotit që ta kenë...” !?!?

{nl}

Pyes Z. Kadare dhe bashkëmendimtarët e tij “intelektualë” (nënshkrues të “Peticionit” drejtuar “pushtetit” në Kosovë, për moszvarritjen e ndërtimit të Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë), cili intelektual shqiptar, kur dhe ku ka botuar kundërshtimin që ua mohon katolikëve shqiptarë pasjen e Katedrales? A ka ndonjë kundërshtim të Komunitetit Islam të Kosovës, në atë drejtim? Jo dhe Jo!

{nl}

Kundërshtimi i vetëm ishte, dhe do të jetë kurdoherë, kundër një kishe politike katolike, apo i një xhamie (s’ka kishë as xhami shqiptare), në vendin e një shkolle shqipe dhe në pjesën më të rëndësishme për të ardhmen e qytetit Prishtinë, për faktin se ato do të sigurojnë jetën e kishës politike serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

{nl}

Me siguri jam kundërshtari më i vendosur kundër ngritjes së objekteve fetare në ambientin universitar të Prishtinës. Për këtë kam shkruar libër, i jam drejtuar Papës dhe tre PSSP-ve në Prishtinë. E di se Kadare, si i Madh që është, lexon vetëm vetën, dhe ata që ia ngacmojnë sedrën, ndaj le të më lejohet të sjellë këtu pak fragmente nga shkrimet e mia, që përmbledhin mesazhet e “kundërshtarëve” për ”Katedralen e Prishtinës”:

{nl}

“Ndërtimi i Katedrales romano-katolike (Kisha e Madhe) dhe i Qendrës Kulturore Islame (Xhamia e Madhe) të realizohet në kompleksin e ndarë për Tempullin e Paqes “Nëna Tereze”. Aty të parashihet edhe ngritja e tempullit “Shtëpia e Zotit dhe e Popullit” për besimtarët protestant. Në afërsi të këtij kompleksi është Manastiri i Graçanicës (Kisha e Madhe Serbe). Kështu, do të sigurojmë parametrat për kultivimin e tolerancës fetare tradicionale në Kosovë, në mënyrën e vetme të mundshme me perspektivë. Hapësira prej 20 ose 28 ha është më se e mjaftueshme për aktivitetin administrativ dhe fetar kulturor të kryesive të bashkësive fetare në Kosovë, me interes edhe për shtetin” - shkruaja në “Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar (Botim i dytë), Prishtinë,2003, 180.

{nl}

A ka këtu islamofobi antikrishtere?

{nl}

Mesazhin e “Jo katedrale...” e përmblidhja në këto konstatime: “Katedralja e ngritur me fesát partiak politik, do të prodhojë fesát fetar historik. Ndaj, stop fesátit politik aktual për të parandaluar fesátin fetar historik! Këtë të mirë, shuarjen e shkakut për armiqësi permanente, kombit shqiptar të copëtuar me dhunë fetare, politike e ushtarake evropiane, ia ka borxh Papa Gjon Pali II i Shenjt” (Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar (Botim i dytë), Prishtinë,2003, 188-189).

{nl}

A ka këtu islamofobi antikatolike?

{nl}

Ky libër (botim i parë dhe i dytë) i është adresuar edhe Papës Gjon Pali II , me postë dhe përmes Zyrës së PSSP-së në Prishtinë. Në Letrën e datës 18 korrik 2003, për Hans Haekeroup, së bashku me librin, midis të tjerash kam theksuar: “A ka she­m­bull në botë kur janë lejuar, në emër të ardhmënisë, 28ha tokë (sikur Kosova t’ishte kontinent i shkretë) për një kishë (e mbiqu­ajtur “Tempull i Paqes”!?!), që përfaqëson më pak se 0.1% të banorëve të një komune me mbi 600 mijë banorë dhe kjo të mos mjaftojë, por duhet të rrëzohet edhe një gjim­­naz, mbështetje e ar­dh­mënisë, për të ngritur një kishë plotësisht dhu­në politike?!!! Është në dorën Tuaj t’i stoponi këto aktivitete anti­sh­qiptare, anti­ardhmëni, gjithmonë duke pasur në mendje mësimin bib­lik: “Pasi mbjellin erë, stuhi do të korrin!”(Shih gjerësisht në”Për kauzën e UÇK-së”, Prishtinë, 2006,211-214).

{nl}

A kundërshtohet këtu ngritja e Katedralës “Nëna Tereze” në Prishtinë?
Kadare thotë: “Për mendimin tim (Katedralja në Prishtinë), në peizazhin e kombit shqiptar është një objekt që ndihmon këtë komb, se në fund të fundit lufton mitin e serbëve që thonë: “ne të krishterë, ata myslimanë”. Zotëri ne jemi pak të krishterë por jemi më të vjetër se ju dhe ia kujton botës dhe ndërgjegjes së shqiptarëve të Kosovës (...). Ja një shenjë e fesë të hershme...”!?!

{nl}

Demagogji, meskinizëm, mendime pa asnjë mbështetje etnografike dhe historike.
Pyes kadareanët prokatedralistë në qendrën e Prishtinës: Kisha e ngritur me dhunë nga pushteti serb në Oborrin e Universitetit të Prishtinës, a është tapi serbe mbi Kosovën? Ose edhe më qartë: Ngritja e kishës romano-katolike në një mjedis shqiptar myslimanë, si në Rugovë, ku nuk dihet kurrë se kishte shqiptarë katolikë, çfarë “peizazhi” është?!

{nl}

Një gjë duhet të theksojë: kadareanët filokatolikë, me dije ose pa dije, janë duke i shërbyer shkencës, kishës dhe politikës ekspansioniste serbe në tokat shqiptare etnike dhe historike. Këta “intelektualë”, qofshin edhe akademikë në letërsisë, duke mohuar ortodoksinë, po e mohojnë autoktonin e shqiptarëve historikë në Kosovë, po heqin dorë nga trashëgimia jonë kishtare atërore dhe nga pronësia shqiptare historike e Kosovës. Pjesa absolute e shqiptarëve myslimanë në ish-arealin administrativ të kishës bizantine, bullgare e greke në periudhën paraislame nuk kanë qenë katolikë.

{nl}

Që të jam më i dobishëm për lexuesin, po e sjelli këtu një fragment nga Letra që ia kisha dorëzuar PSSP-s Petersen, në zyrë të pranimit, më 17 maj 2005:

{nl}

“ Mik i nderuar, Soren, Ju dhe kabineti Juaj, nga këto libra do të më­so­ni më mirë se kudo gjetkë se ky popull, i përkatësisë islame aktu­alisht, ishte i urryer nga Evropa romano-katolike dhe Ballkani ortodoks vetëm për shkak të fesë, e cila, në rrethana të caktuara historike, ia ndërpreu rrjedhat e asimilimit në sllavë e grekë dhe ia ktheu identitetin etnik shqiptar.

{nl}

Do ta kuptoni se shqiptarët me emrat lindorë, perëndimorë e shqip që ju i takoni, etërit e tyre para se të pranonin islamin nuk ishin ka­tolikë, se ishin ortodoksë të kishës greke, bullgare dhe serbe instru­me­nte të shtetit, të politikës, kurse romano-katolikët janë pakicë e rin­gjallur me rikrishterime nga Propaganda Fidea në shek. XVII-XVIII. Kjo pakicë është ruajtur nga rrethimi i popullsisë islame tolerante, e vetmja fe në Ballkan dhe Evropë historikisht tolerante, kurse në mjedi­set ortodokse ose katolike sllave e italiane elementi romano-katolik shqi­ptar është asimiluar.

{nl}

Do të mësoni se manastiret ortodokse mesjetare në Kosovë, të rindërtuara nga carët iliro-vlleh nemanid të serbizuar, janë manastire të popullsisë e për popullsinë autoktone shqiptare ortodokse të cilat, pu­sh­tuesi serb mesjetar dhe i kohës më të re ato i ktheu në instrumente të shtetit për të serbizuar Kosovën dhe tokat e tjera të Shqipërisë Et­nike. Ndonëse, deri në vitin 1912, edhe si myslimanë, vetë i kemi siguruar ato, si gjë të shenjta të etërve tanë.

{nl}

Do të mësoni se kallja dhe barbaria ndaj kishave ortodokse ser­be në Kosovë, më 17-18 mars 2004, ishte ballafaqim i shqiptarëve (të indinjuar me rrjedhat politike të komunitetit ndërkombëtar për interesa të pushtuesit), me instrumentet e dhunës dhe të gjenocidit serb sheku­llor ndaj shqiptarësisë së Kosovës.

{nl}

Dhe, do të mësoni se Prishtina në veçanti nuk ka nevojë për ka­te­drale politike as xhami - qendër islamike, por ka nevojë për metro - parkingje nën tokë, aty ku, fatkeqësia e Kosovës, e quajtur Rugova, pla­ni­fikon katedrale romanokatolike, në një mjedis ku deri më 1912, përkatësisht 1941, ka pasur vetëm një familje shqiptare katolike, shumë patriotike dhe shumë e çmuar nga vëllezërit shqiptarë mysli­ma­në, kurse aktualisht katolikët në Prishtinë janë rreth 0.1% e banorëve. Ngritja e katedrales aty ku mund të bëhej nyja e jetës së Metropoles së Prishtinës, do të thotë urrejtje dhe plagë e hapur për konflikt të përhershëm jo vetëm ndërshqiptar” (Më gjerësisht në”Për kauzën e UÇK-së”, Prishtinë, 2006,353-356).

{nl}

Zoti Kadare dhe Kadaristë të nderuar!
Kërkesat e më sipërme, sublimim i kërkesave të qytetarëve të Prishtinës, a nënkuptojnë kundërshtimin e shumicës myslimane kundër minorancës katolike të Kosovës? Dhe, a është Kosovë edhe toka e Prishtinës, prej 28ha, ndarë për “Tempullin e Paqes” - “Nëna Terezë”?

{nl}

Kthjellu Kadare! Ku e ke mbështetur konstatimin: “...shkaku është e drejta njerëzore dhe hyjnore që kanë të krishterët e Kosovës ta kenë këtë katedrale”!?!

{nl}

Pyes: Kush po ua mohuaka atë të drejtë? Po a nuk është kryeneçësi dhe hasmëri rrahagjokse e kishës romano-katolike të ngulë këmbë: Katedralen vetëm aty dhe askund gjetkë! Dhe, athua Nënë Terezës dhe katolikëve të Prishtinës nuk iu është dhënë mjaft vend në Prishtinë: Vendi për liceun “Lojola”, një pjesë e oborrit të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” për internat të kishës, emri i sheshit kryesor të Prishtinë, sipërfaqja tokësore sa sipërfaqja e një lagjeje të qytetit për “Tempullin e Paqes” (!?!) dhe brenda natës u vendosja e shtatores së Nënës Terezë në vendin e legalizuar për shtatoren e heroinës kombëtare Shotë Galica!?!

{nl}

Ti, Zotëri Kadare, po dua të besoj se duke mos i ditur faktet, thoni: Ngritja e Katedrales në Prishtinë “nuk bie ndesh me interesat e kombit shqiptar por është një argument i dukshëm për të gjithë, mjaft më me përralla që ju jeni të krishterë dhe ne jemi aziatikë. Ky është kuptim i kësaj”!?!

{nl}

Të pyesim: Nëse Katedralja ngritët në një vend ku parashihet pjesa e re, ardhmënia e Prishtinës, në kompleksin prej 28ha, a do të “bie ndesh me interesat e kombit shqiptar” dhe a “është një argument i dukshëm për të gjithë, mjaft më me përralla që ju jeni të krishterë dhe ne jemi aziatikë”?!?

{nl}

Duke përfunduar, më duhet të konstatojë: Zoti Kadare, nuk di sa kam ndikuar, me shkrimet e mia, në zvarritjen e ngritjes së Katedrales në oborrin e Shkollës së Mesme ”Xhevdet Doda”. E di se pas një a dy ditëve nga Letra që ia dorëzova PSSP-it, Z. Petersen, oborri i kësaj shkolle u kthye në “Parking” për vetura!?!

{nl}

Ndaj, edhe me këtë rast, i thërrasë mendjes së shëndosh shqiptare e ndërkombëtare: Katedralja “Nëna Terezë” të ngritët në 28 ha të tokës së Prishtinës, të ndarë për “Tempullin e Paqes” dhe atje të bartën objektet administrative dhe aktiviteti kulturor e fetar i konfesioneve të moçme dhe të reja në Kosovë. Të ngritën objekte fetare aty ku aktualisht ka nevojë. Kjo do t’i dëshmonte vlerat e kombit shqiptar të Kosovës, do të cimentoste themelet e reja të tolerancës fetare në Kosovë. Në hapësirën e oborrit të Shkollës së Mesme ”Xhevdet Doda” të ngritët metro për parkimin e veturave, kurse mbi sipërfaqe të ngritët parku modern, në mesin e të cilit të ngritët Monumenti i Lirisë, të cilit iu vunë themelet në Oborrin e Fakultetit Filozofik, njësoj dhunshëm partiakisht - si themelet e Katedralës, më 26 gusht 2005. Ky do të ishte financimi ynë, i kohës sonë, për të ardhmen e pasardhësve tanë, kjo do të dëshmonte mjaftueshëm pjekurinë e kombit shqiptar dhe tapinë e shqiptarësisë dhe të lirisë së Kosovës.

{nl}

Uroj të më kuptoni njerëzisht, në emër të kombit dhe të shqiptarisë! Botuar ne Gazeten Start

Shtuar më 21/11/2006, ora 16:36
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori