Dhuna në familje! Prokurori: Kërko azil, largohu që t’i shpëtosh dhunës

I riu nga Laçi që u ankua në “Fiks Fare” për harresën në burg nga drejtësia shqiptare, ngriti edhe një problem tjetër, atë të dënimit të padrejtë.

Është proceduar dy herë nga Prokuroria e Kurbinit për dhunë ndaj babait, edhe pse prokurori që ka ndjekur hetimet ka qenë i vetëdijshëm se i riu ka qenë disa herë viktimë e dhunës në familje.

Dhuna në familjen e tij nga i ati i alkoolizuar është e përsëritur. Për këtë arsye nëna më një nga vëllezërit është larguar drejt Francës ku ka kërkuar azil, ndërsa vëllai tjetër në Itali.

I vetmi që ka qëndruar në shtëpi është ai, dhe ky nuk është rasti i parë që babai e ka akuzuar për dhunë. Ata janë arrestuar të dy babë e bir pasi janë gjetur me shenja në trup dhe kokë, ku kanë pretenduar që janë rrahur me njëri tjetrin.

Sipas prokurorit Bardhyl Shehu, babai i djalit është i alkoolizuar dhe përsëritës në shfaqje dhune. Në një kohë kur dosjen e ka çuar në gjykatë për këtë të ri , e vetmja zgjidhje që i jep për t‘i shpëtuar dhunës së ushtruar nga babai i alkoolizuar, është azili politik. Ai i sugjeron disa herë të largohet nga vendi, pasi kjo është e vetmja zgjidhje për të.

Prokurori, i cili ka trajtuar një tjetër çështje, po për dhunë në familje, duket se e njeh shumë mirë të atin e djalit, dhe i kujton atij që ai i ka futur të dy në burg.

Ai i thotë gjithashtu që djali duhet ta shmangë përballjen me të atin, të mos e kundërshtojë kur ai e keqtrajton, të mos ngrejë dorë, pasi babai është më i madh. Ndërkohë që i riu i përsërit prokurorit dëshirën e tij të vetme, të zbardhet e vërteta dhe të mos ketë më probleme as me policinë, as me prokurorinë dhe as me babain e tij të dhunshëm./tch


Shtuar 7.01.2020 20:21