Karaxhiç, krimineli që fshihet në kisha
Albeu.com
Pas 12 vjet ikjesh, njeriu më i kërkuar për krime në Evropë është kthyer në një murg mjekërgjatë. Ka një mjekër të gjatë e të derdhur. Vesh mantelin e priftërinjve ortodoksë. Ndonjëherë provon edhe sandalet, por ajo që nuk ka ndryshuar është xhufka karakteristike e flokëve, një veçori që do ta dallonte kudo.Që prej katër vjetësh jeton nëpër manastire duke u spostuar sa nga njëri te tjetri, por në mënyrë shumë të fshehtë. Më të frekuentuarit prej tij janë tri: Trebinja (Hercegovina lindore), Ostrog (Mali i Zi) dhe Fruska Gora (Vojvodinë Serbi). Në vitin e 12 të fshehjes, 62-vjeçari Radovan Karaxhiç, ish-lideri i serbëve të Bosnjës, njeriu i kërkuar nga drejtësia për gjenocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit, përgjegjës politik i masakrës së Srebenicës, më i kërkuari në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të jetë i lirë. Sa për alter egon e tij, ushtarakun gjakatar Radko Mlladiç, për të ikja ka marrë fund. Në moshën 64-vjeçare ai ndodhet në një apartament të Beogradit, i kontrolluar nga njerëzit e Shërbimit Sekret Serb dhe në përgjegjësinë e Kryeministrit serb, Koshtunica. Është kthyer në mall shkëmbimi në çështjen e Kosovës dhe në atë të pranimit të Serbisë në Evropë. Kurrë më parë nuk ishte krijuar ideja për një vendndodhje kaq të saktë të dy të kërkuarve. Kurrë më parë nuk ishin shpalosur të dhëna kaq të detajuara. Jo se njerëzit e Shërbimit Sekret Ndërkombëtar ishin të paaftë, porse puna e tyre pengohej nga veto të ndryshme politike. Vetëm që prej disa muajsh për ta është hapur drita jeshile për një impenjim konkret me mjete e njerëz në gjuetinë e kriminelëve. Njerëzit e EUFOR (Forcat e Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën) dhe ato të NATO-s janë të përqendruar tek objektivat. Me inatin e kohës së humbur dhe ndërgjegjësimin se është e vështirë ta nxjerrësh Karaxhiçin nga manastiri. Nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë brenda manastireve, instrumentet juridike për kapjen e tij mungojnë, ndaj të gjithë rrinë në pritje të gabimit të kriminelit. Rreth tij shtrihet një tokë e djegur. Numri i personave besnikë është pakësuar shumë, ndërkohë që edhe xhepat tashmë janë zbrazur, pasin 12 vjet ikje kanë dashur një financim të jashtëzakonshëm. Përpjekjet e fundit kanë nxjerrë në dritë edhe katër etapat e fshehjes së gjatë të Karaxhiçit, ikjet, thashethemet mbi vendndodhjet, gjysmëlegjendat që u përhapën në lidhje me personin më të kërkuar nga drejtësia në Evropë.

Periudha e parë: 1995-1997

Në fund të luftës së Bosnjës (200 mijë të vdekur) Radovan Karaxhiçi u shpall zyrtarisht i kërkuar. Në të vërtetë vazhdoi të qëndronte i qetë e i patrazuar në shtëpinë e tij në Pale, pa u shqetësuar nga ushtarët (italianë) të ngarkuar për të kërkuar në atë zonë. Ai ndodhej gjithë kohës në mbrojtje të një grupi të posaçëm njerëzish të besuar, të kryesuar nga komandanti Dragan Bojc. Vazhdonte të koordinonte aktivitetin politik dhe shkon të punojë në zyrën e tij në ish-fabrikën Famos. Një shpjegim indirekt i asaj që duket si një sfidë e paturp në kurriz të të vrarëve dhe faqe komunitetit ndërkombëtar ndodhet edhe në ditarët e së bijës së Karaxhiçit, Sonjës, të gjetura së fundmi. Në to shkruhet: "Babai ka bërë një pakt me Riçard Hollbrukun (ndërmjetësi amerikan për Bosnjën), i cili parashikon imunitet në këmbim të heqjes mënjanë dhe lënies së rrugës së lirë për marrëveshjen e Dejtonit".

Periudha e dytë: 1997-1999

Dragan Bjiç, duke ndjerë kohët që po ndryshonin nuk ka më besim se Pale është vendi më i mirë dhe më i sigurt për qëndrimin e Karaxhiçit. Kështu, gjen një strehë më të sigurt në Skolovac, një periferi e Republikës Serbska, e cila banohet në shumicë prej nacionalistëve serbë, për të cilët Karaxhiç është një mit e një hero. Në Sokolovac, i përndjekur ndërron të paktën 2 apartamente. Janë të gjitha banesa dinjitoze dhe me kushte shumë të mira. Gjatë kësaj kohe lidh dhe shton miqësi me Milovan Bjelica, i quajtur ndryshe "Cicko", një nga themeluesit e shoqërisë "Centrek", paratë e së cilës thuhet se janë përdorur për të financuar ikjen dhe fshehjen e Karaxhiçit. Ky person, që bën pjesë në listën e 99 personave të kërkuar që kanë mbështetur Karaxhiçin, ka një rol shumë të rëndësishëm. Megjithatë, gjatë fazës së dytë Karaxhiç nuk është ende në pozicionin e njeriut të varrosur për së gjalli. I lejon vetes shfaqje andej e këndej nëpër ambiente e vende ku gëzon statusin e heroit të lavdishëm. Kësaj faze i përket dëshmia e Kryeministrit aktual Dodik: "Në vitin 1997 mbërriti në Banja Luka, duke u fshehur brenda një autoambulance. Së bashku me truprojat hyri në një bankë dhe mori rreth 25 milionë marka gjermane në para në dorë. Askush nuk e kundërshtoi, askush nuk e spiunoi. Të gjithë personat e pranishëm ishin dakord për sa ndodhi dhe për sa panë". Sipas disa të dhënave gjatë viteve të fshehjes së tij, Karaxhiç ka shpenzuar rreth 80 milionë marka.

Periudha e tretë: 1999-2003

Digjet si vendstrehim i sigurt edhe Sokolovac. Duhet marrë një vendim drastik. Karaxhiç vetë personalisht dëshironte të shkonte në Beograd, por Bojç e refuzon: "Shih se Sllobodan Millosheviçi të shet menjëherë për të shpëtuar veten". Këtu, rrugët e dy personave, deri atëherë të pandashëm, ndahen. Në Beograd shkon Bojc për të ngritur një agjenci sigurimesh. Karaxhiç, që duhet të përballet me afatet e gjata të qëndrimit, i fshehur e redukton ndjeshëm numrin e personave që i rrinë pranë, përfshi edhe truprojat. Po përse ky ndryshim? Për dy motive. I pari ekonomik, i dyti praktik: një eskortë e madhe është njëherazi edhe shumë e dukshme. Kështu, Kraxhiç nis të lëvizë i shoqëruar vetëm nga një person, njëfarë maxhordomi. Gjatë këtyre viteve ai bëri shumë lëvizje të padukshme në kufijtë mes Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi. Shpesh lëvizjet janë të tilla sa atë nuk e zë nata dy herë në të njëjtin shtrat. Pikërisht të kësaj periudhe janë edhe shtatë letrat që i dërgoi të shoqes, Liljana Karaxhiçit, të cilat u sekuestruan më pas gjatë një bastisjeje në shtëpinë e saj.

Periudha e katërt: 2003-2007

Shërbimet sekrete perëndimore kanë mbledhur prova të mjaftueshme për të konfirmuar se që nga viti 2003 kisha ortodokse ka luajtur rolin e mbështetëses së Karaxhiçit. Ka prova për biseda mes autoriteteve dhe kishës, për biseda ku pak a shumë kisha u thotë autoriteteve: "Sot e mbrapa harrojeni se Karaxhiçi ekziston. Do ta mbrojmë ne në manastiret tona, deri në vdekje. Më pas do t‘i ngremë një mauzoleum, ku njerëzit mund të vijnë e të nderojnë një hero të popullit serb". Për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2003, në manastirin e Ostrogut, Mal të Zi, mblidhet një katërshe shumë interesante: Karaxhiç, Mlladiç, lideri i Partisë Radikale serbe, Tomislav Nikoliç dhe metropoliti i bregut malazez, Amfilohije Radoviç. Pikërisht ai, në funeralin e një viti më parë të nënës së Karaxhiçit, u shpreh: "Emri i nënës së tij, Jovanka, do të shkruhet që sot në pavdekësi. Zoti do t‘i japë paqe! Është i lumtur e me fat ai popull që ka nëna të tilla!" Po le t‘i rikthehemi Krishtlindjeve. Një nga murgjit që merrnin pjesë në takim thotë: "Ky manastir i dedikohet Shën Bazilit, kësisoj është një vend mrekullish. Është një mrekulli edhe fakti që kaluam këtë ditë të shenjtë në shoqërinë e bijve tanë, Karaxhiç e Mlladiç". Ostrogu ndodhet në një zonë shkëmbor. Është një vend i paarritshëm, një vend më shumë i denjë për një kështjellë sesa për një manastir. Vetëm murgjit që mbajnë celular në dorë tregojnë se nuk bëhet fjalë për një pamje mesjetare, por për kohë moderne. Madje murgjit kanë edhe aparatura të tjera, të cilat i përdorin për të mbajtur larg ushtarët, xhandarët, forcat e rendit, apo hetues të ndryshëm. Këta të gjithë pa përjashtim bllokohen, ndërsa besnikët jo. Besnikët hyjnë, luten, qarkullojnë. Radovan Karaxhiç qëndron brenda njërit prej tri manastireve të sipërpërmendura, pra në atë të Malit të Zi dhe atë të Hercegovinës lindore e Vojvodinës. Për të na kanë folur dhe kjo është arsyeja që dimë për veshjen dhe mjekrën e tij. Trekëndëshi "i shenjtë" në të cilën lëviz është i qartë. Të pakta janë dyshimet tashmë. Lëvizjet janë shumë të pakta. Ndonjë darkë e vogël në shoqërinë e bashkëshortes Liljana në "Urën mbi Drina" të Ivo Andriçit. Por, gjithsesi, kjo u përket informacioneve të vitit 2005. Tani duhet të spostohesh në Pale, ku ndodhet familja e tij për të zbuluar anën tjetër të realitetit: gruaja e Karaxhiçit, Liljana, e bija, Sonja, 40 vjeç, bashkëshorti i saj, i biri i kriminelit, Aleksandër, 34 vjeç. Të gjithë pas ndereve të mëdha, me të cilat u mësuan në vitet e para, tani vuajnë edhe ata fatin dhe bëmat e të atit. Ndryshimi i madh ka ndodhur 3 vjet më parë, kur familja e konsideruar si burimi i financimit të fshehjes së Radovanit ndodhet nën vëzhgim të rreptë të ndërkombëtarëve dhe çdo lëvizje e pjesëtarëve të saj është shumë e kontrolluar. Liljana thuajse nuk e vë këmbën jashtë pragut të shtëpisë, e cila nga të gjithë njihet si "shtëpia rozë", për shkak të ngjyrës së saj karakteristike. Dy vjet më parë, ajo i bëri të shoqit një apel publik: "Dorëzohu Radova. Bëje për ne"! Rreth shtëpisë qëndrojnë shumë ushtarë ndërkombëtarë, sigurisht në një distancë të caktuar. Shpesh banesa edhe bastiset dhe banorët e saj merren në pyetje, edhe pse deklarojnë vazhdimisht se nuk kanë kontakte me Karaxhiçin. Disa ditë më parë, djali i Karaxhiçit u arrestua në Serbi dhe u soll në Pale për shkak të lëvizjes me një pasaportë false. Familjarët e Karaxhiçit nuk mund të shkojnë as në Malin e Zi. Që vërtetë ata nuk kanë asnjë kontakt me Karaxhiçin kjo duket e pamundur dhe askush nuk e beson. Sigurisht që janë bërë shumë më dinakë dhe më të kujdesshëm. Nuk lënë gjurmë si dikur, por kanë kanalet e tyre të komunikimit me Karaxhiçin. Sigurisht që nuk përdorin postën, telefonin apo internetin, por thuhet se përdorin pëllumbat, si në rastin e mafies siciliane. Një metodë e vjetër, por e sigurt. Edhe njerëzit që i qëndrojnë pranë Karaxhiçit janë të paktë. Rrjeti mbrojtës thuajse është asgjësuar për arsye nga më të ndryshmet. Uji ku krimineli ka notuar deri më tani po thahet pak e nga pak. I ka mbetur vetëm kisha. Në këto kushte i takon atij të zgjedhë ku do ta kalojë pjesën e mbetur të jetës: në manastir, apo në qelinë e Hagës.







Më të kërkuarit e luftës së Bosnjës


Radovan Karaxhiç, 62 vjeç, ish-lider i serbëve të Bosnjës, i fshehur që prej 12 vjetësh dhe i akuzuar për krime lufte e gjenocid. Në lidhje me ndjekjen e tij, Riçard Gir ka bërë një film.
Radko Malldiç, 64 vjeç, gjeneral, ish-komandant i ushtrisë serbo-boshnjake dhe i kërkuar për të njëjtat krime si edhe Karaxhiçi. Sipas informatave diplomatike dhe atyre të shërbimeve të fshehta, autoritetet serbe e mbajnë në arrest shtëpie në Beograd, në pritje për ta përdorur si mjet shkëmbimi në çështjet e Kosovës apo të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Stojan Zupljanin, 56 vjeç, ish-komandant i policisë serbo-boshnjake. Përgjegjës i kampeve të përqendrimit ku u mbajtën mbyllur në kushte tepër të rënda mijëra myslimanë. Akuzohet për spastrim etnik.
Goran Hadziç, 49 vjeç, ish-president i Republikës së vetëshpallur Serbe të Krajinës në Kroaci. Akuzohet për vdekjen e mijëra civilëve kroatë. G. Shqip
Shtuar më 27/09/2007, ora 10:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori