Kambanat e alarmit te ekstremizmit politik antishqiptar dhe fundamentalizmit ortodoks ne Maqedoni!
Albeu.com
nga Bardhyl MahmutiNë fillim të themelimit të Maqedonisë si Republikë Socialiste në kuadër të Federatës jugosllave Kisha ortodokse maqedonase, e cila nuk njihet si kishë autoqefale nga asnjëra qendër e ...... ortodoksisë (as nga Patrikana e Rusisë e as nga Patrikana e Stambollit) përcaktoi si orientim strategjik vënien nën kontroll të kishave ortodokse të frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks.

Ky orientim strategjik kishte vetëm një qëllim: asimilimin e shqiptarëve ortodoks në kombin maqedonas, të formuar nga komunistët jugosllav.
Pas gjashtë dekadave të kësaj strategjie askush nuk mund të japë një përgjigje se sa shqiptarë ortodoks kanë ruajtur identitetin e vet kombëtar. Pak, për të mos thënë hiq!

Orientim i dytë strategjik i Kishës ortodokse maqedonase ishte humbja e të gjitha gjurmëve të katolicizmit në Maqedoni.
Me projektin e ndërtimit të Kishës ortodokse maqedonase mbi themelet e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut (Nënës Terezë, simbolit të katolicizmit) dëshirohet t’i jepet fund këtij objektivi strategjik.

Të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman orientim i veçantë strategjik i kësaj Kishe ishte koordinimi me strategjinë politike të komunistëve që kishin hartuar planet e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e veta në Maqedoni.
Pas gjashtë dekadave të strategjive të koordinuara (fetare dhe komuniste!) Bashkësisë Fetare Islame iu uzurpuan shumica dërmuese e pronave, u rrënuan xhami dhe objekte tjera të kultit fetar.
Si pasojë e këtij koordinimi strategjik u detyruan të shpërngulen me qindra-mijëra shqiptarë për në Turqi dhe vendet tjera të botës.
Manastiri, si kryeqendër administrative e njërit nga katër vilajetet shqiptare nën Perandorinë Otomane, pothuajse u “spastrua nga shqiptarët”.

Lufta Globale kundër fundamentalizmit islamik ka trimëruar Kishën ortodokse maqedonase të ndërmarrë një fushatë të “pyllëzimit” të territoreve që ende kanë mbetur me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase!

Pengimi i faljes së xhumasë, në oborrin e Çarshi xhamisë së rrënuar në Prilep, të djegur në vitit 2001, dhe vendosja e predhave me eksploziv në oborrin e xhamisë qendrore në Kumanovë janë kambanat e alarmit të fundamentalizmit ortodoks maqedonas.

Argumentimet e pushtetit politik të Prilepit se gjoja atje nuk na paska besimtar mysliman dhe se “ajo xhami duhet të shndërrohet në muze, galeri të arteve apo diçka tjetër “ dëshmon për koordinimin e pushtetit politik dhe atij fetar.

Atëherë parashtrohet pyetja, çka lypë kisha në Qendrën e skijimit “Kodra e Diellit”? Atje nuk ka asnjë banorë e hiq më pak besimtarë të ortodoksisë maqedonase?

Ky koordinim i pushtetit fetar dhe politik nuk është i panjohur në këtë pjesë të Ballkanit. Fundin e përgjakshëm të shekullit XX e karakterizoi koordinimi i pushtetit politik të Millosheviqit me Kishën ortodokse serbe.
Rikujtojmë ata që kanë harruar se me bekimin e Kishës ortodokse serbe u bë luftë kundër katolikëve slloven; kundër katolikëve kroat; kundër myslimanëve dhe katolikëve në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kundër shqiptarëve mysliman e katolik në Kosovë.
Koordinimi i politikës ekstreme dhe fundamentalizmit të Kishës ortodokse serbe sollën dëme të mëdha në njerëz dhe shkatërrime materiale.

Përfundimi dihet: Millosheviqi vdiq si kriminel lufte në Hagë dhe fundamentalizmit ortodoks serb iu thyen dhëmbët dhe dhëmballët!

Koordinimi i politikës ekstreme antishqiptare në Maqedoni me fundamentalizmin ortodoks maqedonas do të ketë përfundim të njëjtë!
Është e kotë koordinimi i politikës ekstreme antishqiptare në Maqedoni me fundamentalizmin ortodoks maqedonas për të ndërtuar kishën në “Kodrën e Diellit”. Atje është zemra e Sharrit dhe stacion skijimi. Atje nuk do të mund të kremtoni Meshën e Fitores! Do të rrëshqitni si thiu në akull!

Të gjithë e shohim se ky koordinim i dy ekstremeve po përsërit historinë në variantin e tij tragjik. Kambanat e rrezikut i dëgjojmë të gjithë!

Është koha që demokratët e mirëfilltë në Maqedoni dhe përfaqësuesit e demokracive perëndimore të ngrenë zërin kundër fundamentalizmit ortodoks maqedonas, kundër ekstremizmit politik antishqiptar dhe kundër këtij koordinimi që ngërthen në vete rreziqe të shumta!
Shtuar më 23/02/2010, ora 15:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori