Kah po leviz Britania?
Albeu.com
Financial TimesShpresa më e mirë për stabilitet është një pakt mes konservatorëve dhe liberal-demokratëve. Jo vetëm sepse konservatorët janë partia më e madhe tani në Parlamentin e ri britanik apo sepse ne ...... besojmë që politikat e tyre janë shpresa më e mirë për një rinovim kombëtar. Thjesht, ky është kombinimi më i mundshëm mes partive që mund të sigurojnë kështu shumicën absolute.

***

Elektorati britanik vendosi të mos vendosë. Parlamenti pezull është tashmë realitet dhe asnjë parti politike nuk e ka shumicën absolute në Dhomën e Deputetëve. Ky është një rezultat çorientues në një vend të mësuar me gara elektorale, të cilat vendosen menjëherë pas votimit. Por, ashtu siç kemi thënë, rezultati jopërfundimtar nuk duhet të kthehet në një fatkeqësi. Nevojë urgjente është të mblidhet një administratë e re me legjitimitetin për të nxjerrë një qeveri të vendosur e të qëndrueshme.

Kabineti i ardhshëm mund të gjejë një zgjidhje për financat publik. Me borxhin publik grek, që po kërcënon të destabilizojë të gjithë Europën, nuk ka kohë për partitë të rrinë e të vështrojnë, me shpresën për zgjedhjet të reja të parakohshme brenda pak muajsh.

Shpresa më e mirë për stabilitet është një pakt mes konservatorëve dhe liberal-demokratëve. Jo vetëm sepse konservatorët janë partia më e madhe tani në Parlamentin e ri britanik apo sepse ne besojmë që politikat e tyre janë shpresa më e mirë për një rinovim kombëtar. Thjesht, ky është kombinimi më i mundshëm mes partive që mund të sigurojnë kështu shumicën absolute.

Një bashkim i liberal-demokratëve dhe i laburistëve do të ishte jetëshkurtër. Përkundër kësaj tërheqjeje, fjalimi i David Cameron’it i hap rrugën bashkëpunimit të gjerë me liberal-demokratët.

Lideri konservator, me tonin e një burrështeti, ofroi një sërë variantesh, duke filluar nga bashkëpunimi parlamentar deri te krijimi i një koalicion të plotë. Cameron ishte i hapur në qartësimin e dëshirës së tij për një pakt të tillë të madh dhe të kuptueshëm, që sipas tij, do të funksionojë patjetër.

Në të vërtetë, ai e vuri theksin te vijat e kuqe të partisë së tij lidhur me politikat për emigracionin dhe mbrojtjen si dhe çështjet europiane.

Cameron në mënyrë të zgjuar sugjeroi edhe fusha të tjera në të cilat konservatorët do u jepnin liri veprimi liberal-demokratëve. Ato përfshinin politikat ekonomike, pasi liberal-demokratët propozuan me të drejtë një sistem të ri të tatimeve.

Ai madje u dha atyre mundësinë e diskutimeve lidhur me çështjen shumë të ndjeshme të reformës elektorale – një kundërshti prej kohësh e liberal-demokratëve – edhe pse lideri i konservatorëve nuk tha se ç’do të ndodhë konkretisht. Cameron ka ndërmarrë një rrezik të përllogaritur me fjalimin e tij.

Pas zgjedhjeve të vështira për t’u fituar, oferta e tij mund të nevrikosë disa anëtarë të partisë. Shumë konservatorë nuk kanë besim te liberal-demokratët dhe ndoshta do të donin të qeverisnin edhe si pakicë.
Por, vullneti i tij për të bërë aleatë i shton pikë liderit konservator.

Kjo shfaq në fakt edhe një lloj realizmi të mirëpritur. E vërteta është se konservatorët janë shumë larg shumicës absolute për të krijuar vetë një qeveri të qëndrueshme. Partia e Cameron’it e ka zgjeruar përfaqësimin e saj, por ajo nuk mund të jetë e fuqishme.

Ajo duhet të zgjerojë bazën e një qeverie të drejtuar nga konservatorët. Tashmë topi është në fushën e liderit liberal-demokrat, Nick Clegg. Që kur u bë e qartë se asnjë parti nuk mund të siguronte shumicën absolute, Clegg ka thënë vazhdimisht se mund të bisedojë me shumë parti lidhur me bashkëpunimin. Ai ka kërkuar një politikë të re që do të shkonte përtej politikës së vjetër të dy partive, më saktësisht pingpongut mes tyre. Tashmë ai ka një mundësi të dëshmojë se kjo është më shumë se një retorikë e thjeshtë politike. Me vullnetin e mirë nga të dyja anët, ka shumë mundësi që dallimet mes partive të tejkalohen. Konservatorët dhe liberal-demokratët nuk janë larg kësaj. Reforma elektorale mbetet çështja më problematike. Konservatorët mbeten shumë dyshues ndaj një lëvizjeje që e tejkalon modelin e tyre të parë. Të gjitha palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet. Cameron e bëri hapin e tij. Një kompromis i ndjeshëm do të ishte një komision, rekomandimet e të cilit do të sillnin një referendum për reformën elektorale.

Kjo do të ishte vërtetë një politikë e re. Përtej kësaj, partitë duhet të punojnë për një marrëveshje të vështirë, që do të lejojë konservatorët të ecin përpara me programin e tyre për reforma.

Nëse kjo do të përfshijë edhe hyrjen e liberal-demokratëve në koalicion apo thjesht mbështetjen e tyre në parlament, kjo u takon të dyja palëve ta vendosin. Një koalicion do të detyronte palët të merrnin përsipër përgjegjësinë e veprimeve të tyre.

Por, një pakt i qëndrueshëm që ka mbështetjen e të dyja palëve do të ishte çmimi i vërtetë. Shpejtësia nuk ka rëndësi. Do të ishte e mundur të arrihej marrëveshja brenda fundjavës. Nëse jo, një qeveri konservatore e pakicës do të ishte alternative logjike. Por, kjo nuk do të ishte një gjë e mirë për vendin dhe për partitë. Për interesin kombëtar, Cameron dhe Clegg duhet të arrijnë një marrëveshje. (ne shqip, Express)
Shtuar më 11/05/2010, ora 14:05
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori