Kadare: Pse fituan shqiptarët
Albeu.com
Shkrimtari i madh ne intervisten dhene Gazetes Shqip, flet për ngjarjet që ndryshuan Evropën dhe analizon fenomenet që ndoqën lindjen e shtetit më të ri.Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka sulmuar ashpër Kryeministrin serb, Vojisllav Koshtunica, i cili ka rikthyer retorikën e Luftës së Ftohtë në Ballkanin e shekullit të 21. Në një intervistë për revistën kroate "Globus", Kadare analizon situatën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e njohjes së shtetit të ri nga thuajse e gjithë bota perëndimore. Shkrimtari i madh flet edhe për të kaluarën, si dhe për ndikimin e saj në historinë e Ballkanit. Pa harruar edhe letërsinë...

Si e komentoni njohjen aktuale të Kosovës? A është situatë absurde që shqiptarët me njohjen e Kosovës të kenë dhe një shtet tjetër në Ballkan?

Në të vërtetë, situata ka qenë absurde para njohjes së Kosovës. Shqiptarët kanë qenë popull i huaj në Serbi. Ata nuk kanë asgjë kulturore të përbashkët me serbët. Shqiptarët kanë kulturë e gjuhë tjetër, ndërsa ndër vite u është dashur të jetojnë nën administrimin serb. Kjo më nuk ishte absurde, por tragjike. Pra, fenomeni i dy shteteve kombëtare në Evropë tashmë është i njohur. Gjermanët për dyzet vjet kanë qenë të ndarë me kufij. Ndodh që popujt të jetojnë në një vend e të flasin gjuhë të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se njëri duhet ta përçmojë tjetrin dhe ta vendosë në pozitë të robëruar.

Për njerëzit si ju, që kanë jetuar në sistem totalitar, ardhja e lirisë para së gjithash ka rëndësi të madhe e konkrete?

Të gjitha kombet e tjera në Evropë kanë pasur në periudha të ndryshme liri, ndërsa shqiptarët e Kosovës nuk kanë qenë të lirë për asnjë moment në 600 vitet e fundit. Shqipëria ka pasur Republikë, madje ka qenë dhe mbretëri. Në komunizëm, Shqipëria ka qenë shtet totalitar, por ka qenë sovran. Populli i Kosovës nuk ka pasur asnjëherë sovranitet.

Doni të thoni se në Kosovë ka qenë më keq se në Shqipëri në kohën e Enver Hoxhës?

Regjimi stalinist ka qenë më i keqi nga të gjitha regjimet e bllokut komunist. Në Kosovë, presioni komunist ka qenë më i dobët se në Shqipëri, por etnikisht robëria në Kosovë ka qenë shumë më e fortë dhe e ka prekur fort integritetin njerëzor.

A mendoni se populli shqiptar i Kosovës dhe i Shqipërisë do të bashkohen? A do ta dëshironit personalisht?

Dëgjoni, kjo do të ishte e logjikshme. Për mua, kjo është zgjidhja e vetme për shtetet e Ballkanit. E vetmja gjë pozitive që shoh sot në Ballkan, është se për herë të parë në historinë e gjatë të Ballkanit, të gjithë popujt kanë të njëjtën aspiratë, të njëjtën ëndërr për diçka që mund të jetë e përbashkët, që është hyrja në Evropë. Deri tani, interesi i vetëm në Ballkan, ka qenë që popujt të jenë njëri kundër tjetrit.

A mendoni edhe për Serbinë?

I vetmi person që ka folur kundër Evropës këto ditë ka qenë Koshtunica në Serbi. Ai është shprehur shumë vrazhdë, me gjuhën e së shkuarës së zezë, e të vjetër. Tingëllonte si udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë, si stalinist. Kjo ishte "kufoma" e stalinizmit. Ai mendon se për brezin e ri serb, është e tmerrshme të pranohet pavarësia e Kosovës. Ndoshta janë akoma të dehur dhe të sëmurë për Kosovën? Për disa javë ose muaj, do ta kuptojnë se vendi i tyre ka jetuar si në kohën e Luftës së Ftohtë. Çfarë ka thënë? Ka thënë se Amerika është armiku kryesor i serbëve. Gjuhë e vërtetë staliniste. Kjo lloj demagogjie tipike, tashmë njihet mirë.

Serbia nuk do të pajtohet lehtë me humbjen. Përgjithësisht, edhe vetë e keni thënë në fillim të librit tuaj "Tri elegji për Kosovën", se shpallja e luftës, nuk do të thotë kurrë paqe.

Nuk e kujtoj këtë fjali që thatë, që e kam shkruar prej shumë kohësh në atë libër dhe mendimi mund të jetë momental. Rusia dëshiron që të kthehet në Ballkan dhe në këtë zonë ka konfrontim mes Perëndimit e rusëve. Rusët momentalisht janë në ekstazën e gazit, por kjo është afatshkurtër. Falë simbolikës së popujve sllavë, ata mendojnë se mund të kthehen në Ballkan. Kjo është romantike, sepse është joreale. Rusët kanë menduar që t‘i shfrytëzojnë serbët për interesat e veta, por kjo nuk do të zgjasë. NATO-ja do të zgjerohet drejt Ballkanit.

Gjithë strategjia e serbëve bazohet në besimin se ata janë kristianë, në dallim prej shqiptarëve, që janë me shumicë myslimane. Prandaj Evropa duhet të jetë me ta. E gjitha kjo ka rënë në ujë. Për shkaqe të thjeshta, shqiptarët pa marrë parasysh besimin e tyre, mbështesin Amerikën e Evropën. Kjo anulon çdo opsion tjetër.

Ju vetë i keni mohuar deklaratat se jeni disident. Si e shihni sot statusin tuaj në këtë kuptim?

Para së gjithash, unë jam vetëm shkrimtar dhe kështu jam njohur edhe në Evropë. Kështu jam njohur edhe në Shqipëri dhe jo si disident. Asnjëherë nuk jam mburrur apo kam vepruar duke thënë se jam disident. Kam krijuar letërsinë time, si të isha kudo në botën e lirë dhe për këtë nuk kam pasur nevojë të reklamohem si disident. Në Shqipërinë totalitare, nuk mund të jetoje si disident.

Serbët thonë se forcat paqeruajtëse në Kosovë do t‘i shohin si pushtuese?

Edhe me këtë shihet se serbët e kanë humbur kuptimin e realitetit. Kanë humbur busullën. E njëjta gjë ka ndodhur dhe në kohën e Millosheviçit, atëherë kur ra dhe deshi ta tregojë veten si fitimtar. Është e çuditshme kjo paradigma e serbëve, që humbjen e betejës në Ballkan e mendojnë si fitore. Mite absurde. Beteja e Kosovës është përshkruar nga ana e tyre në mënyrë fantastike, por nuk ka pasur lidhje me realitetin. Për më keq, deklarata e tyre fillon me tekstin, se beteja e Kosovës ka penguar hyrjen e turqve në Evropë. Sidoqoftë ne dimë të kundërtën. Beteja ka zgjatur vetëm dhjetë orë dhe në fakt, i ka nxitur turqit të sulmojnë Evropën. Turqit në Kosovë e kuptuan se popujt e Ballkanit janë të përçarë dhe po ashtu ishte edhe Evropa.

Feudalët me ushtritë e veta të vogla nuk mundën që t‘i rezistojnë armatës turke të disiplinuar e monolite. Kam lexuar kronikën e vërtetë të betejës së Kosovës, jo serben, por kronikën që kanë shkruar kronikanët turq dhe ata të Vatikanit

Një natë para betejës, të gjithë princat ballkanikë kanë pirë përgjatë gjithë natës. Të nesërmen në anën ballkanike ishte kaos. Kjo nuk është historia që tregojnë serbët. Mitet dhe folklori i tyre u kanë sjellë fatkeqësi. Serbët sot qahen, sepse mendojnë se janë të sulmuar. Por, është e kundërta. Atyre u është ofruar rasti të çlirohen e të zgjidhin diçka, që ka qenë e keqe për ta. Meqë jam shqiptar, jam dhe ballkanas, e më vjen keq që gjithnjë flitet me përbuzje për ballkanasit. Mendoj se tani situata mund të ndryshojë. Mendoj se kroatët nuk duan që t‘u përmendet janë ballkanas? Por fakti është, se ne të gjithë jemi ballkanas, që nga sllovenët e deri te grekët. Ja, mikun më të madh të shqiptarëve nga Kroacia, intelektualin dhe historianin tuaj Milan Shuflaj, e kanë vrarë shovinistët serbë në vitin 1931 në Zagreb.

Franca e ka njohur Kosovën. Duket se kjo i ka goditur shumë serbët, pasi përgjatë historisë ata kanë qenë gjithnjë të lidhur me Francën...

Ka qenë traditë e gjatë, po kjo ka ndryshuar kohët e fundit. Është paradoksale që serbët e paraqesin veten si viktimë. Kjo është nonsens i madh. Më parë duhet të pranohet krimi. Kur ta pranosh krimin, atëherë mund të rigjenerohesh. Ky është proces tepër i nevojshëm që duhet të kalojë. Ndërsa serbët kurrë nuk e pranojnë se kanë kryer krime. Për më tepër, ata janë krenarë për krimet e veta. Kjo është brengosëse.

Sot serbët manipulojnë me pakicën serbe në Kosovë, siç kanë bërë dikur me pakicën serbe në Kroaci. Ata mendojnë se pjesa e Kosovës me serbë duhet të bashkohet me Serbinë...

Ata para botës duan të zgjedhin statusin e viktimës dhe nuk duan që t‘i kthehen historisë e të shohin se çfarë ju ka ndodhur. Nëse pranon atë që ke bërë, është mirë. Ndryshe mbetesh i bllokuar dhe në sy të të gjithëve i marrë.

Cili ka sot interes për shkaqe politike, apo ndoshta dhe strategjike, që të njihet Kosova?

E gjithë bota. Së pari, natyrisht shqiptarët. Së dyti, duket e pazakontë, por u shkon përshtat serbëve. Ata ndihen të sulmuar, të fyer, por ky proces do të kalojë. Për vetë ata, do të jetë më mirë që Kosova u bë e pavarur, por nuk duan ta kuptojnë. Nuk duan ta pranojnë, por në të vërtetë Kosova ka qenë një barrë. Kosova ka qenë e varfër dhe duhej financuar. Situata në Ballkan do të paqëtohet. Kur ndjeni dhimbje e ju duhet operacion, është tregues i mirë për organizmin, se pas tij do të përmirësohet. Ndërsa Ballkani është ende i sëmurë. Mendoj se nuk ka interesa ekonomike në Kosovë dhe po ashtu as strategjike, sepse është vend i mënjanuar, nuk ka dalje në det si Shqipëria ose Kroacia. Nuk duhet të harrohet, se në Evropë ka edhe interesa morale.

Jeni shumë romantik?

Ky nuk është një lloj romantizmi i marrë. Sot situata ka ndryshuar në mënyrë radikale, sepse nuk mund të rrimë me duar kryq, ndërsa afër nesh masakrohen njerëz. Këtë Evropa nuk e pranon. Sidoqoftë, gjithçka që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë pjesë e politikës globale. Natyrisht, shqiptarët janë njëri prej faktorëve për baraspeshën në Ballkan. Për të gjithë sot, është e qartë se shqiptarët e mbështesin politikën e Perëndimit. Vetëm sa kanë ndërruar vendet: Serbia ka shkuar në Lindje, ndërsa shqiptarët në Perëndim. Por mendoj se kjo nuk do të zgjasë shumë gjatë.

A e aspirojnë shqiptarët ëndrrën amerikane, për shkak të varfërisë?

Ka një miqësi tradicionale, që komunizmi deshi ta asgjësojë, por nostalgjia për Amerikën ka qenë vendimtare. Me fillimin e shekullit, amerikanët bënë luftë diplomatike për ta ruajtur Shqipërinë. Në fund të shekullit, ata bënë luftë për të dënuar serbët dhe ruajtur Shqipërinë. Tani amerikanët zhvillojnë veprime për të njohur Kosovën dhe ata nuk kanë asnjë ndikim ekonomik në Shqipëri.

A nuk është në diskutim çështja e luftërave të vjetra mes Amerikës e Rusisë në pjesën strategjike të Evropës?

Nuk përjashtohet. E dimë se në Ballkan ka popuj sllavë e jo sllavë. Ka ndarje mes dy botëve - Lindjes e Perëndimit. Nëse gjithë Ballkani hyn në Evropë, kjo vijë do të zhduket.

Keni përkthyer në shumë gjuhë dhe jeni i pranuar universalisht. Keni marrë çmimin "Booker". Si e ka njohur Perëndimi letërsinë tuaj që ka inspirime nga mite, aroma e ngjyra?

Letërsia ka ligjet e veta. Letërsia është e vërtetë, pa marrë parasysh së për kë flitet, e çfarë arome ka. Mund të shkruash në një fshat më të parëndësishmin në botë dhe mund të jesh i madh. Mund të shkruash në Nju-Jork ose Tokio dhe të mbetesh i vogël.

A mund të shkruhet në një vend jo të lirë, e të mbeteni i lirë?

Mund të shkruani në vend të lirë e të mbetesh i robëruar. Letërsia është kapriçioze.

A keni ndonjë shkrimtar të preferuar?

Kam shije normale. Shkrimtarët shpesh duan të jenë ekstravagantë e të thonë disa emra të panjohur. Të njohurit e të gjithëve, janë dhe më të mëdhenjtë. Dua shkrimtarët e mëdhenj si Shekspirin, Danten, Kafkën, Xhoin, Gogolin etj..

Si keni mundur që të ruani lirinë e brendshme si shkrimtar në regjimin totalitar? Njëra ndër veprat më të njohura "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur" e keni shkruar kur ishit vetëm 27 vjeç...

Kur je i ri në vendet diktatoriale, nuk je nën kontroll. Kur kam qenë i ri e kam publikuar atë roman, e kanë parë dhe nuk thanë asgjë. Të parët e botuan bullgarët, pastaj Franca, më pas në gjithë botën. U bëra i njohur shumë dhe atëherë situata ime u komplikua plotësisht. U bëra autoritet i vërtetë në një vend të tillë. Filluan të më shohin me dyshim, sepse më pyesnin pse më donte borgjezia në Perëndim aq shumë?" Nga njëra anë më mbronte opinioni publik ndërkombëtar, ndërsa nga ana tjetër u bëra armik shtetëror. Por kam qenë me fat. Çfarëdo që kam shkruar, është përkthyer në Perëndim. Njëherë më sulmuan se kisha shkruar kundër shtetit e sistemit. Kam shkruar më pas një tekst, ku e pranoja gabimin me arsyetimin se atë nuk e kisha bërë me qëllim. Para do kohësh, kjo autokritikë u publikua në Francë. Francezët më pyesnin: Si je detyruar për autokritikë? Situata ka qenë krejt e thjeshtë. Mund të zgjidhja mes autokritikës dhe shigjetës.

A do të thotë kjo se jeni detyruar të bëni ndonjë kompromis?

Çfarë është kompromisi? Shkrimtarët janë të detyruar të respektojnë normat politike dhe nuk duhet ta kapërcejnë kufirin nëse duan të mbijetojnë si njeri dhe si shkrimtar. Nuk kam shkruar libër për sistemin në Shqipëri. Kryesisht, të gjitha librat e mi janë shkruar në Shqipëri.

A jeni takuar ndonjëherë me Enver Hoxhën?

Ndonjëherë. Kam folur dy minuta dhe ai dy orë. Ka qenë aktor i madh dhe mburrej se ishte shkolluar në Francë. Luante intelektualin e madh. (G. Shqip)
Shtuar më 03/03/2008, ora 22:58
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori