Ju lumte pushka trima!
Albeu.com
nga Bardhyl MahmutiJu kujtohet fare mirë se pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe tërheqjes së okupatorit nga Kosova një numër prokurorësh ndërkombëtar, në pamundësi që të arrestonin kriminelet serb që kishin kryer krimet më monstruoze ...
Spektaklet politike “Limaj I” dhe “Haradinaj I”

Ju kujtohet fare mirë se pas përfundimit të luftës çlirimtare dhe tërheqjes së okupatorit nga Kosova një numër prokurorësh ndërkombëtar, në pamundësi që të arrestonin kriminelet serb që kishin kryer krimet më monstruoze kundër popullit shqiptar, morën për mision politik relativizmin e gjenocidit të ushtruar në Kosovë nga pushteti i Serbisë.

Në përputhje me këtë mision, ata filluan një fushatë të tmerrshme kundër UÇK-së. Akuza publike për gjoja “krimet e luftës që kjo ushtri çlirimtare kishte kryer kundër civilëve serb”; shantazhe publike për “ndjekjen e të gjithë pjesëtarëve të të gjitha niveleve komanduese të UÇK-së të implikuar në krime lufte”, “ndjekjen e të gjithë kriminelëve që ndodhen në funksione të niveleve të ndryshme të institucioneve të Kosovës së pasluftës dhe anëtarë të partive të ndryshme politike”, e kështu me radhë.

Akuzat dhe shantazhet u forcuan gjithnjë e më shumë për të marrë formë konkrete me “spektaklet e arrestimeve politike” në momentin kur duhej të fillonte procesi i përcaktimit të statusit politik të Kosovës.

Shumë muaj më vonë pas akuzave publike ndaj personave të papërcaktuar me emra të përveçëm, u arrestua z. Fatmir Limaj ( Shefi i Grupit parlamentarë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës) për të vazhduar me z. Ramush Haradinaj (Kryeministri i asaj kohe i Kosovës) dhe një numër veprimtarësh dhe patriotësh të shquar të rezistencës kombëtare shqiptare.

Revoltës së madhe popullore që shpërtheu me rastin e këtyre arrestimeve kryeprokurorja atëhershme e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, zonja Karla Del Ponte, iu përgjigj me deklaratën e saj pompoze: “Ne nuk jemi budallenj të hapim procedura penale ndaj individëve të profilit të lartë pa pasur argumente të forta. Ne jemi një organizatë profesionale me prokurorë të kualifikuar, me shumë vite përvojë dhe me renome ndërkombëtare”.

Nuk do të zgjatem në atë që shqiptarët e dini mjaft mirë. Po u rikujtoj atyre ndërkombëtarëve që shtiren se kanë harruar faktin se spektaklet politike të arrestimeve dhe proceset gjyqësore përfunduan me pafajësinë e të gjithëve.

Spektaklet politike të arrestimeve dhe gjykimeve që përfunduan me pafajësinë e luftëtarëve të lirisë shkaktuan vetëm tragjedi familjare. Ato nuk mundën të ndalin procesin e pavarësimit të Kosovës!

Spektakli politik “Limaj II”

Shqiptarët e dini fare mirë se që në momentin kur populli i Kosovës i dha mandatin e përfaqësimit politik PDK-së, Kosova hyri në një epokë të re historike. Ky verdikt i popullit i bëri të gjithë armiqtë e pavarësisë së Kosovës të djersiten. Të gjithë u bindën se premtimet elektorale u bënë realitet. Në 100 ditshin e parë u shpall pavarësia e vendit dhe sot, me mburrje mund të konstatojmë se rreth 1/3 e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Në mesin e shteteve që njohën pavarësinë e Kosovës janë shtetet më të fuqishme të demokracive perëndimore. Ky rezultat i Qeverisë së Kosovës ka mobilizuar qarqet antishqiptare në rajon dhe më gjerë për të penguar vrullin e rezultateve tona kombëtare.

Krahas realizimit të aspiratës shekullore, Qeveria e Kosovës ndërmori hapa të pa parë deri më tani në zhvillimin e vendit.

Fatkeqësisht, një pjesë e territorit të Kosovës është jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore të Kosovës. Një pjesë e territorit të Kosovës është shndërruar në Eldorado të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Botërisht dihet se ky krim i organizuar dirigjohet nga Beogradi.

Shpërthimi në publik i skandalit se në krim të organizuar janë të implikuar edhe ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve edhe pjesëtarë të EULEX-it, duhej të shërbente si shtytje e një koordinimi edhe më të fuqishëm në çrrënjosen e këtij fenomeni negativ që rëndon ekonominë dhe që dëmton reputacionin e Kosovës në botë.

Në mungesë të vullnetit të mirë që të ballafaqohen me krimin e vërtetë dhe në funksion të heshtjes së skandalit të implikimit të pjesëtarëve të EULEX-it në krim të organizuar, prokurorë të misioneve të vjetra politike edhe kësaj radhe iu vërsulën shqiptarëve.

Bastisja e lokaleve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, e shoqëruar me spektaklin mediatik, ka për funksion zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga gjeneratori i vërtetë i krimit të organizuar, qeverisë së Beogradit me ndihmën edhe të disa ndërkombëtarëve, në Qeverinë e Kosovës.

Në vend që t’u lehet organeve të hetuesisë të nxjerrin në shesh rezultatet e materialeve të konfiskuara, të cilat do të dëshmonin për korrektësinë apo moskorrektësinë e punës së ushtruar nga kjo ministri, ushtruesi i detyrës së prokurorit të EULEX-it, z. Johannes Van Vresswijk në një intervistë të gjatë për të përditshmen “Koha Ditore” të datës 7 maj 2010 nxori në shesh komplotin e kurdisur politik.

Që në fillim të intervistës së tij z. Johannes Van Vresswijk thotë se “Gjykatësi që e ka dhënë urdhrin për bastisje ka parë gjithçka”!

Unë nuk vë në dyshim se këtij “gjyqtari që ka dhënë urdhër për bastisje”, i kanë ofruar dosjen e konstruktuar ku ai ka parë “gjithçka” që ata kanë kurdisur. Por ajo që mbetet për t’u sqaruar për opinion publik qëndron në kundërthënien se “çka ka mbetur” jashtë “gjithçkahit” që do të arsyetonte spektaklin e ri politiko-mediatik?! Asgjë?! Apo vetëm funksionin politik të këtij skandali mediatik?!

Ushtruesi i detyrës së prokurorit të EULEX-it, z.Johannes Van Vresswijk, në intervistën e tij zhveshi në tërësi komplotin e përgatitur kundër Qeverisë së Kosovës në përgjithësi dhe kundër z. Fatmir Limaj në veçanti.

Në intervistën e tij ai bëri publik jo vetëm konstruksionin e dosjes por edhe vendimin final që është paraparë.

Ai nxori në shesh se në këtë proces të montuar është paraparë në total 55 vjet burg. Në habinë e gazetarit “55 vjet burg ?” ai përgjigjet me vendimin e prerë dhe tanimë të vendosur në kabinetet sekrete:” totalisht po! Për dy të dyshuar. Për ministrin Limaj dhe shefin e prokurimit. Dhe kjo nuk do të thotë se do të mbetet me kaq...Ka edhe njerëz tjerë të involvuar....”!

Me një fjalë, z. Johannes Van Vresswijk del si hetues, prokuror dhe gjyqtarit i këtij procesi politik!

Funksionet e hetuesit, prokurorit dhe gjyqtarit që ka marrë mbi vetë z. Johannes Van Vresswijk e bëjnë paradoksal në këtë intervistë të gjatë. Janë tri funksione që nuk mund të menaxhohen as në një intervistë se jo më në realitet.

Pasi shpalli në cilësinë e funksionit të gjyqtarit aktgjykimin prej 55 vjet burg ai deklaron, në rolin hetuesit, se “ne tash po hetojmë dhe po i mbledhim ato. Dhe në momentin që t’i kemi vendosur këto fakte dhe kualifikuar ato me akuzat që i kemi këtu, do të fillojë procedura”.

Çfarë “faktesh” ju duhen për një dosje të kurdisur në tërësi, ku edhe “Gjykatësi që e ka dhënë urdhrin për bastisje ka parë gjithçka” dhe ku ju e shpallni edhe aktgjykimin prej 55 vjet burg?!

Bastisja spektakulare në këtë komplot politik nuk ka funksion tjetër pos për të fshehur gjurmët e komplotit, që e bëri publik në intervistën tij z. Johannes Van Vresswijk.

Z. Johannes Van Vresswijk kërkon më shumë respekt edhe në media nga ana e Qeverisë së Kosovës madje ai deklarohet si prokuror i zemëruar!

Në këtë kontekst ai citon edhe kërkesën e z. Limaj “që hetuesia të bëj punën e vet e Qeveria të vazhdojë programin e vet”.

Z. Johannes Van Vresswijk harron se respekti është reciprok dhe se intervista nuk është asgjë tjetër pos parafrazim i deklaratave të Karla Del Pontes. Me të vetmin ndryshim që në vend të “krimeve të luftës” përdoret “Krimi i organizuar dhe korrupsioni”!

Shantazhet “se do të ndiqen të implikuarit në krim...të të gjitha niveleve institucionale... të të gjitha partive politike...” janë shantazhe politike déjà vu që synojnë destabilizimin e Kosovës.

Në këtë kontekst historik, kur duhet të fillojnë bisedimet me Serbinë për Çështjet teknike në interes të dy shteteve (Kosovës dhe Serbisë) dhe kur Gjykata Ndërkombëtare me Drejtësisë duhet të prononcohet rreth ligjshmërisë së verdiktit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës qarqe të caktuara përpiqen t’i japin një dimension politik këtyre realiteteve.

Kemi bindjen e plotë se Kosova, që mbylli një epokë historike në mënyrë të lavdishme me shpalljen e pavarësisë dhe që hapi epokën e re duke vu themelet e shtetit modern me orientim dhe perspektivë euro-atlantike do të vazhdojë rrugën e sukseseve!

Është koha që ata të cilët përgatisin komplote për të frikësuar shqiptarët të vetëdijesohen se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm! Është koha që me letrat e aktakuzave të montuara në funksion të destabilizimit të Kosovës t’i fshijnë djersët! Kosova shtet i lirë dhe i pavarur do të marshojë drejt horizonteve plot suksese!

Më lejoni që t’u drejtohem z. Johannes Van Vresswijk dhe atyre që fshihen pas tij se

jam plotësisht dakord se “krimi i organizuar dhe korrupsioni janë krime sekrete” . Këto forma të krimit nuk kanë lidhje as me përkatësinë partiake, as me përkatësinë etnike e as me përkatësinë institucionale. E pamë fare mirë me pjesëtarët e EULEX-it.

Më lejoni që t’u drejtohem z. Johannes Van Vresswijk dhe atyre që fshihen pas tij se mos kujtojnë që shqiptarët janë budallenj! Shqiptarët e dinë fare mirë se Komploti politik është krimi më sekret që mund të kurdiset në kabinete sekrete! Akuzat publike për korrupsion pa analizuar provat... dhe shpallja e aktgjykimit me 55 vjet burgim pa u mbajtur seanca gjyqësore dëshmojnë për komplotin e ri politik!

Mungon vetëm arrestimi spektakular! Ndoshta e keni përgatitur që të ndodh diku jashtë Kosovës! Kjo do t’i jepte kuptimin e plotë analogjik “Spektaklit LIMAJ 2”!

Spektakli politike “Haradinaj II”

Për të gjithë njohësit e situatës në Ballkan tani më është e ditur se Serbia, si gjenerator i krimeve më monstruoze të bëra në Evropën e pasluftës së dytë botërore, është shndërruar në Eldorado për kriminelët e Ballkanit! Në pamundësi që t’i imponojë këtij shteti kriminel që të dorëzojë kriminelët e vërtetë të Luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kurdis procese gjyqësore kundër personaliteteve që ishin bartës të rezistencës përballë politikës gjenocidale të Beogradit. Në 15 vjetorin e përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, të kësaj ngjarje makabre që u zhvillua në sytë indiferent të prezencës ndërkombëtare në Bosnje, kriminelët që urdhëruan dhe kryen këtë masakër ende ndodhen në liri;
Në ditën e zbulimit të varrezës masive në Komunën e Andievicës në Mal të Zi, ku kriminelët serbë kishin varrosur civilët shqiptar të Kosovës, “Dhoma e Apelit” e Tribunalit të Hagës shfuqizon vendimin e këtij tribunali, i cili unanimisht në vitin 2008 shpalli pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ky vendim i “Dhomës së Apelit” i Tribunalit të Hagës i sjellë një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë të prononcohet lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është një vendim politik, i mbeturinave politike të këtij tribunali, që synon të relativizojë krimet serbe dhe në të njëjtën kohë dëshmon për mungesën e vullnetit të këtij tribunali për të arrestuar kriminelët e vërtetë!


Spektaklet e kurdisura politike “Limaj I” dhe “Haradinaj I” zhveshën përpara publikut ndërkombëtar konstruksionet politike të këtij tribunali dhe detyruan Gjykatën të sjellë vendimin unanim për pafajësinë e të akuzuarve!

Spektaklet politike të arrestimeve dhe gjykimeve që përfunduan me pafajësinë e luftëtarëve të lirisë shkaktuan vetëm tragjedi familjare. Ato nuk mundën të ndalin procesin e pavarësimit të Kosovës.

Spektaklet e kurdisura politike “Limaj II” dhe “Haradinaj II” ( pa marrë parasysh se kurdisjet dallojnë në formë) zhveshin përpara opinionit publikut shqiptar se konstruksionet politike antishqiptare nuk kanë të ndalur !

Reprizat e spektakleve gjyqësore të motivuara politikisht nuk mund të kthejnë reprizën e statusit politik të Kosovës. Armiqtë e pavarësisë së Kosovës mund të djersiten sa të duan! Historia nuk kthehet prapa!

Sa i përket popullit shqiptar, gjërat lidhur me këto spektakle tragjike janë të qarta. Për çdo plumb që kanë shkrepur për lirinë e Kosovës populli u drejtohet me sintagmën që shpreh respektin e thellë ndaj atyre që ju kurdisni procese gjyqësore: «Ju lumtë pushka trima!»
Loja me fatin jetik të njerëzve nuk ka asgjë komike! Ajo ngërthen trauma dhe tragjeditë individuale dhe familjare!

Lidhur me deklaratat identike të ish prokurores së Tribunalit të Hagës, zonjës Karla Del Ponte, dhe të ushtruesit aktual të detyrës së prokurorit të EULEX-it, z. Johannes Van Vresswijk, unë nuk mund të gjykoj se a janë budallenj “prokurorët e kualifikuar, me shumë vite përvojë dhe me renome ndërkombëtare”. Por, atë që mund të them nga përvoja e spektakleve të para qëndron në faktin se roli i tyre komik në spektaklet politike gjyqësore që shkaktojnë trauma dhe tragjedi në familjet shqiptare u kanë ardhur në maje të hundës shqiptarëve!
Shtuar më 22/07/2010, ora 10:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori