Ekzekutohet në atentat biznesmeni nga Shkodra
Ja shkrimi qe coi Baton Haxhiun ne Hage
Albeu.com
"Albeu.com" publikon shkrimin që coi para Gjykatës së Hagës gazetarin e njohur Baton Haxhiu. Artikulli është publikuar më 24 dhjetor 2007 në gazeta "Ekspress", Prishtinë. Shkrimi sipas akuzës zbuloi emrin e dëshmitarit që do dëshmonte kundër Haradinajt.Ditën kur po hapej fushata zgjedhore e LDK-së, njëri nga anëtarët e kryesisë mungonte në sallën '1 Tetori', Astrit Haraçija. Dikush e quajti si protestë mungesën e tij, ndërsa të tjerët e cilësuan si mungesë përgjegjësie. Ministri i Kulturës për dy ditë u përgjigjej dhjetëra pyetjeve të hetuesve të Tribunalit të Hagës, për atë që tashmë kishte rrëfyer NN dhe Bajrush Morina, lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj Ramush Haradinajt. As vetë nuk kishte besuar se një dëshirë e mirë për të ndërmjetësuar për paqësim, do të shndërrohej në një hetim të gjatë kundër tij dhe më pas në akuzë për presion ndaj dëshmitarëve të mbrojtur. Burime të "Express" nga Tribunali, kanë pohuar se NN, Zëvendëskomandant i Tahir Zemës - që përfaqësonte krahun e FARK-ut, ishte mbuluar me mikrofona të vegjël incizues, në një shtëpi në Oslo të Norvegjisë, derisa kishte pritur në vizitë një mysafir nga Kosova. Ai kishte lajmëruar policinë se po priste një të njohur të tij që vinte nga Prishtina, Bajrush Morinën. E kishte njohur gazetarin kosovar prej kohësh dhe ishte habitur se si i kishte rënë në gjurmë vendndodhjes së tij. Prej muajsh nuk i kishte treguar askujt se Norvegjia ishte vendi i tij i së ardhmes, i jetës dhe familjes së tij. Emri i tij ishte gjendur në konfidencialitet të plotë në listën e atyre që do të dëshmonin kundër Grupit të Ramush Haradinajt. Por, as që i kishte shkuar ndërmend se dikush nga LDK-ja do t'i kërkonte atij që të heqë dorë nga lista e dëshmitarëve. Një zyrtar i Tribunalit ka thënë se dy bileta avioni, në relacion Prishtinë-Vjenë-Oslo, ishin rezervuar në emër të ministrit Astrit Haraçija dhe redaktorit të së përditshmes "Bota Sot". Udhëtimi për në Oslo e kishte një mision: Për ta bindur mikun e vjetër që të hiqte dorë nga dëshmia e tij. Vetëm disa ditë më herët, para se të udhëtohej në Oslo, thuhet se ministri i Kulturës kishte mësuar emrin e NN, si dëshmitar i mbrojtur në rastin Haradinaj. E kishte takuar shumë herë gjatë luftës. Si militant i LDK-së, Haraçija kishte njohur të gjithë njerëzit e FARK-ut. Edhe pas luftës kishte qëndruar afër tyre. I kishte takuar me Presidentin Ibrahim Rugova dhe u kishte dhënë kurajë, duke ua hequr frikën se mund t'u ndodhë ndonjë hakmarrje nga njerëzit e UÇK-së. Por NN, me gjasë, kishte mbetur i betuar se do të përballej në çfarëdo momenti kohor me krahun tjetër të luftës, UÇK-në. Mllefi i tij ishte zbrazur me mijëra herë gjatë pasluftës, por nuk kishte pasur fuqi që të bënte asgjë më shumë se aq. E kishte gjetur momentin e tij: Në procesin kundër Daut Haradinajt dhe më vonë, kundër Ramush Haradinajt. Paslufta, atij i kishte dhënë fuqi tjetër - Fitorja e Rugovës dhe LDK-së dhe afërsia me stafin e Presidentit. Por, në politikë, siç dihet, nuk ka armiqësi të përhershme dhe miqësi të përhershme. Ramush Haradinaj bëhet Kryeministër i Qeverisë, pas një koalicioni të pagëzuar nga Ibrahim Rugova.
Rrëfimi i NN, tashmë ishte shkruar dhe incizuar në tërësi nga hetuesit ndërkombëtarë. Nuk mund të hiqej se nuk kishte deklaruar asgjë. Pas 100 ditësh, një fotografi e habitshme përshkroi mediat nëpër botë. Kjo foto e kishte befasuar edhe NN. Ishte Astrit Haraçija, me lot në sy, derisa Ramush Haradinaj po i dorëzohej Hagës. Ata që e njihnin Ministrin Haraçija - nuk mund të besonin se po qante për një kryeministër, të cilin s'e kishte pëlqyer aspak para, gjatë dhe pas luftës. Ishin lot të dhimbjes për njeriun që e kishte ndërprerë mandatin e Kryeministrit të Kosovës. Por, kush ishin ata që do të dëshmonin kundër Ramush Haradinajt? Askush nuk mund të thoshte emra konkretë dhe qind për qind të sigurt, njësoj si askush nuk mund të dinte se kush kishte dëshmuar gjatë muajve të pasluftës. Një natë të gjatë bisede, në një ndejë kosovare, siç pohojnë burime të gazetës, një emër ishte lakuar nga Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook - i cili po ashtu, është duke u hetuar për presion ndaj dëshmitarëve të rastit Ramush Haradinaj. Ai kishte pyetur nëse njihte dikush një njeri me emrin - NN - për të cilin thuhej se kishte dëshmi të rëndë kundër Ramush Haradinajt. Kjo fjali kishte rënë në veshët e Ministrit Astrit Haraçija. E kishte konsultuar Bajrush Morinën dhe kishte marrë vendimin që të bëjë misionin e paqësimit midis NN dhe Ramush Haradinajt. Bajrush Morina niset për në Vjenë dhe pastaj në Oslo, kurse Haraçija lakon rrugën dhe merr drejtimin për në Tiranë. Nuk dëshiron të takohet me NN, por i dërgon një mesazh miqësie në emër të tij dhe familjes Rugova. "Mos e bëj atë që nuk duhet ta bësh!", - kishte qenë porosia e Ministrit Haraçija. Kaq i është dashur Bajrush Morinës që ta përforcojë pozitën e tij negociuese me njeriun që e njihte prej kohësh. NN e kishte pritur me kënaqësi mikun nga Prishtina. Kishte qenë i afërt, miqësor dhe dashamirës. Por, asnjëherë nuk kishte menduar se do t'i shkonte dikush me një propozim për dëshminë e tij, që i kishte dhënë Tribunalit të Hagës. I armatosur me mikrofona përgjues para vetes, ishte gjetur përballë një kosovari që kishte shkuar në mision paqësimi; Bajrush Morinën. Ai po fliste me emra dhe po jepte porosi, në emër të Ministrit Haraçija. I gjithë muhabeti ishte incizuar nga policia norvegjeze. NN kishte premtuar se nuk do të dëshmonte asgjë, për shkak të respektit për njerëzit e Presidentit Rugova. Pas një kohe, hetues të Tribunalit të Hagës i nxjerrin Bajrush Morinës përballë, bisedën e incizuar në Oslo. E dëgjon me veshët e tij atë që kishte thënë. Tutje, tregon gjithë historinë e shkuarjes tek dëshmitari i mbrojtur NN. Në katin e pestë të ndërtesës së UNMIK-ut, javën e kaluar, ministri Astrit Haraçija ka kaluar orë të tëra për të dëshmuar edhe për dy persona të tjerë, që nuk i kishte dëgjuar asnjëherë. Mirëpo, në një prononcim për "Express", Astrit Haraçija ka thënë që asgjë të mos jetë e vërtetë. "Nuk kam bërë asnjë gabim dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë mënyrë në atë që quhet presion ndaj dëshmitarëve", - ka pohuar ai. Por, ai ka pranuar se së shpejti do të shkojë në Hagë për gjykim, dhe atje do të përgjigjet për atë që akuzohet. Më 10 janar, ministri Haraçija pritet të dërgohet në Hagë. Nëse vërtetohet ajo për çfarë akuzohet, ai mund të dënohet me 4 vjet burg, ose me 100 mijë euro. Ministri i Kulturës së Kosovës do të bëjë pushimin e vitit të ri. Pastaj, rrugëtimi i tij është Haga.
Marrë nga gazeta "Express"

* Emri i dëshmitarit të mbrojtur nga Gjykata e Hagës është zëvendësuar me pseudonimin NN.
Shtuar më 22/05/2008, ora 18:06
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori