Ismail Kadare: Mesazhi im për Qeverinë
Albeu.com
Shkrimtari i njohur Ismail Kadare flet për zgjedhjet e tre Korrikut. Mesazhet e tij për qeverinë dhe opozitën e re. “Me një korrupsioin të tillë Shqiperia nuk mund të quhet as vend i lirë e as vend sovran”Pyetje: Ju sapo keni botuar një letërkëmbim të njohur për lexuesin me ish-Presidentin Alia në vitin ’90. Përse ky libër botohet pikërisht tani?

Përgjigje: Pse pikerisht tani? E kuptoj fare mirë pyetjen tuaj. Ka kohë që në Shqipëri shumë gjëra, duke përfshirë edhe kohën e botimit të një libri, zgjojnë dyshime. Po të ndodhë një botim përpara zgjedhjeve do të dyshohet, përse përpara? Po të jetë pas, do të thuhet përse pas? Po të qëlloje në një kohë pa ngjarje do të thuhet se kërkon të bëhet ngjarje, e po të jetë paralelisht me një ngjarje tjetër, do të thonë se kërkon të tërheqë vëmendjen prej saj, e kështu me radhë, po të ndodhë në dimër, në verë, në zheg apo në acar. Ju siguroj se nuk fshihet asnjë qëllim në kohën e botimit. Ka qëlluar thjesht në muajin korrik, fjalë që në shqip vjen nga korrja e grurit, e në shumë gjuhë nga emri i Jul Qezarit...Dhe prapë ju siguroj se nuk ka ndonjë aludim për "korrje të fitores" apo "të disfatës", e aq me pak me ndonjë Jul Qezar të hamendësuar vendas.

Pyetje: Zgjedhjet e tre Korrikut ishin vënë kusht nga Evropa për integrimin, mendoni se Shqipëria e kaloi këtë sfidë?

Përgjigje: Me keto zgjedhje Shqipëria u vu përpara një prove tepër delikate. Kushti për zgjedhje normale, për hapjen e rrugës për në Europë ishte i drejtë në thelb. Ishte një trysni që bëhej për të mirën e vendit. Por nga ana tjetër, ishte jo pa rrezik. Shqipëria, ashtu si një qenie që zbulon pikën e dobët, apo si një ngrehinë , që i gjendet pika ku mund të rrëzohet, u gjend e zbuluar përpara atyre forcave që nuk do ta donin, për arsye të ndryshme, hyrjen e saj në familjen evropiane. Populli shqiptar, shoqëria shqiptare e pranon trysninë ndaj klasës së tij politike. Në këtë pikë ai bashkohet me komunitetin euro-atlantik. Por, ndonëse ka përgjegjësi për politikanët e vet, nuk është e drejtë që ky popull të ndëshkohet për shkak të tyre. Ndaj një qasje tjetër më gjakftohtë dhe realiste mund të gjendet.

Pyetje: Ka dy mendime të kundërta që pak a shumë u shfaqën për keto zgjedhje: njëri më negativ e tjetri më pozitiv.

Përgjigje: Mendoj se pavarësisht nga gjithë mungesat, bezditë, shëmtitë etj.,etj. , për të cilat ne jemi të ndërgjegjshëm, diçka e mirë, një hap i drojtur por i qartë përpara ndodhi, megjithatë. E para, rrotacioni u krye. Jo aq i fismë sa ç'do ta kishim dashur, por sidoqofte, u krye. Dhe s'duhet harruar që është hera e parë në historinë e vendit. E dyta, korrupsioni u denua njëzeri dhe shqiptarët u bënë të ndergjegjshëm se me një korrupsion të tillë Shqipëria nuk mund të quhet as vend i lirë e as vend sovran. Në këtë kah vota e tyre, më shumë se politike ishte, ndoshta, morale.
Natyrisht, Shqipëria nuk mund të kënaqet me kaq. E megjithatë, duhet ta pranojmë se, me sa duket, shpina e një vendi që ka përjetuar me të egrën diktaturë staliniste në Evropë, nuk mbante tani për tani me tepër.
Shqipëria, sado që të mundohet, nuk bëhet dot model. (Një herë që kujtoi se u bë model i socializmit, në të vërtetë u bë gazi i botes!).
Veç kesaj, e gjitha kjo kërkon një gjykim gjakftohtë brenda kuadrit ballkanik. Serbisë p.sh. po i vihet një kusht shume më i lehte: kapja e një krimineli. Me që ra fjala, nuk besoj se problemi i kulturës së krimit ndëretnik, që u bë zotëruese në Serbi mbi dhjetë vjet, zgjidhet me arrestimin e një krimineli.

Pyetje: A mund të na thoni diçka për amulline që u krijua pas zgjedhjeve, ku PD shpalli fitoren, ndërsa PS vazhdon të mos e njohë humbjen?

Përgjigje: Amullia që u krijua pas zgjedhjeve krijoi përshtypjen se disa nga partite politike shqiptare u penduan për atmosferën e parë të qete dhe shpejtuan të kthehen në zakonet e vjetra. Dhe zakonet e vjetra të tyre dihen: acarim, militantizem, mospranim të rezultateve të një pjese të kandidatëve, dëshirë për prishje. Njerëzit kanë të drejtë të mendojnë se disa forca politike në Shqipëri nuk kanë dashur zgjedhje normale, por tjetër gjë. Kështu normalitetin e kanë perjetuar si një fare torture, një fare "kemishe të forces". Dhe mezi ç'kane pritur rastin ta flakin ate kemishe shtrenguese dhe të kthehen në gjendjen e meparshme. E keqja është se ndersa kjo gjendje që është normale për ta, është anormale për vendin.

Pyetje: Ç'mesazh do t'ju jepnit ju forcave politike të sotme?

Përgjigje: Nuk besoj se mesazhi im ndryshon nga ai i shumices se qytetarëve shqiptarë: të mos e prishim ate ç’ka u arrit. (Aq sa u arrit). Kanë shansin e fundit të bëjne një gjest qytetar, republikan, demokratik, njerëzor. Akti thelbësor i rendit demokratik, që është kalimi (rrotacioni) i pushtetit me votim, nuk mund të kuptohet pa humbjen e njerit dhe fitoren e tjetrit. Humbja dhe fitorja prodhojnë kështu bashkërisht demokracine. Demokracia shqiptare që mëton të kthehet në demokraci europiane, nuk mund të zhvillohet ndryshe.
Focat kryesore politike shqiptare janë ende larg emancipimit. Doza e lartë e militantizmit, (lexo: sejmenizmit, trashëgim i kohës otomaniste kur sejmeni nuk njihte as komb, as shoqëri, as atdhe, por njihte veç shefin e vet të klanit) , është një ndër pengesat e shumta. që këndej rrjedh himnizimi i dalldisur i partisë, (trashëgimi kjo nga komunizmi shqiptar me tipare feudale) , e nga "partishmeri" e keqe, rrjedh mosrespekti ndaj vlerave demokratike e republikane, ndaj institucioneve e ligjeve. Si shembull mund të shërbejnë raportet e partive kryesore me presidentin. Ishte një akt emancipues zgjedhja e presidentit konsensual, zotit Alfred Moisiu. Por sjellja e partive me të ishte, në shumë raste, meskine. Here njëra palë e herë tjetra, varnin turinjtë e zemëroheshin e përpiqeshin ta fyenin sa herë që iu dukej se presidenti u behej pengesë. (Ç'ka dëshmonte në të vertete paanësinë e tij).

Pyetje: A do të donit ta uronit qeverinë e re që, me sa duket, do të jete e se djathtës demokratike? Ç'dëshirë tuajën do të donit t'i transmetonit?

Përgjigje: Natyrisht që me gjithë zemer do t'i uroja punë të mbarë qeverisë së re të djathtë shqiptare. Do ta bëja këtë për çdo qeveri të votuar nga populli shqiptar. Do të shtoja këtu se një dëshirë të ngjashme do t'ia shprehja edhe opozites në gjuhën tonë, ashtu si është në shumicën e gjuhëve, urimi "punë e mbarë" gjendet vetëm në kahun pozitiv dhe jo në të kundërten, ta zemë "sherr të mbarë!" ose "shkopinj të mbarë në rrota!". Për fat të keq, kronika shqiptare është e mbushur me sjellje të tilla të opozitave.
Çfare do të doja t'i transmetoja qeverise se re? Në radhe të parë, një program dhe psikologji ndërtuese, pozitive. Ajo do të ishte shëndoshëse jo vetem lëndërisht, por edhe shpirtërisht për vendin. Së dyti, një qeverisje nëpërmjet një ekipi të aftë e të qytetëruar, ku të perjashtohej diçka tradicionalisht e dëmshme tek ne, prirja tribale. Kjo prirje është e vendeve të prapambetura e totalitare, ku shefi emëron në poste kyçe ministra "të besuar" nga klani apo krahina e vet. Do të ishte afishimi i parë i keq i qeverisë shqiptare përpara komunitetit ndërkombëtar, i cili me aq vëmendje ndjek zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Pyetje: Jashtë problemit të zgjedhjeve si e shikoni gjendjen e pergjithshme të Shqipërise e të popullit shqiptar?

Përgjigje: Parë në një vizion të përgjithshëm, mendoj se Shqipëria ndodhet në fazën e fundit të një procesi që ka nisur mbi një shekull e gjysmë më parë. Në atë kohe, ende nën pushtimin otoman, u shpall programi i rilindasve shqiptarë për lirinë dhe demokracinë shqiptare. Thelbi i këtij programi, themeli dhe kurora e tij ishte: liria e Shqipërisë, kthimi i saj në familjen europiane. Siç e shihni, pas pengesash monstruoze, populli shqiptar gjendet më në fund, në prag të kësaj ëndrre. Rrugëtimi i tij ka qenë i vështirë, por aspak fatkeq. Disa nga sëmundjet e mëdha të kontinentit ai i kaloi në formën e tyre më të rëndë, siç ishte komunizmi i tipit stalinist, por pati të tjera nga të cilat, për fat të mir, nuk u prek, siç ishte antisemitizmi. Të tjera drama, si ajo e fesë, u përjetuan nga shqiptarët në trajtë kundërthënëse: nga një anë ndalimi i fesë, si një pervojë e errët turpëruese, nga ana tjeter, harmonia midis besimeve, si diçka e lakmuar. Kështu ecin popujt.
Mendoj se s'ka arsye për ligështim. Mendoj se energjia pozitive e shqiptarëve e ka kohën e vet përpara.
Robert Rakipllari, Shekulli
Shtuar më 25/07/2005, ora 15:12
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori