Iraku dhe ushtrimi i demokracise
Albeu.com
nga Besim KAMBERIMe sa duket popullit irakian do t’i duhet një periudhë e gjatë ku ndërrimi i pushtetit do të bëhej në mënyrë demokratike dhe në interes kombëtar. Një apo dy dekada për gjeneratën e sotme ndoshta është ...... një periudhë shumë e gjatë, mirëpo kjo nuk vlen edhe për Irakun si shtet i dalë nga një diktaturë e egër.

Ka kaluar një periudhë e gjatë, prej katër muajsh, në pritje për formimin e qeverisë, prioriteti i parë i cilës është vendosja e sigurisë, mirëqenies dhe perspektivës së këtij vendi. Negociatat e gjata, të lodhshme e përplot konflikte interesash të grupeve dhe koalicioneve irakiane për formimin e qeverisë tregon se në skenën politike të Irakut ndërrimi i pushteteve nuk është një punë e lehtë.

Qytetarët irakianë me 16 mars të këtij viti, duke marre pjesë masovikisht në votime realizuan përgjegjësinë e tyre të qytetarit, kurse sot, ndjehen të lodhur dhe ndoshta të zhgënjyer për shkak të bllokimit të negociatave midis liderëve të tyre. Megjithatë, skena politike është vendi ku zgjidhen problemet dhe mosmarrëveshjet dhe një pjesë e rëndësishme e shkathtësisë dhe artit të politikbërsëve në zhbllokimin e qorrsokakut politik.
Irakut dhe politikanët e këtij vendi me sa duket në vend që të sigurojnë kushte të barabarta për pjesëmarrjen e të gjithëve në pushtet, egoizmi politik në insistimin e kërkesave të tyre vetjake si dhe pjesëmarrja me çdo kusht në pushtet, ka bërë që ta harrojnë popullin dhe fatin e vendit.

Problemi kryesorë qëndron mes Nuri el-Malikiut dhe Ajad Alaviut. Secili nga këta dy, e konsiderojnë këtë postë si të drejtë legjitime të tyre dhe për momentin nuk janë të gatshëm të bëjnë madje as kompromisin më të vogël për tejkalimin e situatës së krijuar. Ajad Alavi duke iu referuar fitores së tij ku arriti të marrë 91 vende në parlamentin irakian nga koalicioni i quajtur "el-Irakije", veten e konsideron si njeri të parë në marrjen e postit të kryeministrit, dhe në anën tjetër Nuri el-Malikiu, gjithashtu duke iu referuar koalicionit "Aleanca Kombëtare" i përbërë nga "Koalicioni Kombëtar" që udhëhiqet nga Amar Hakim dhe Lista "Shteti Ligjor" lideri i së cilës është vet ai, insiston të mbetet në postin e kryeministrit.

Ndërsa në Koalicionin "Aleanca Kombëtare të Amar Hakimi, e posaçërisht grupi i Mukteda Sadrit, janë kundër kryeministrit el-Maliki, kurse këta të fundit insistojnë që si kryeministër të emërohet Ibrahim Xha’feri, ish kryeministër i Irakut. Të gjitha këto bisedime janë pjesë e lojërave në skenën politike për ushtrim të presionit në drejtim të fleksibilitetit në konkurrencën politike që po zhvillohet në këtë vend. Megjithatë ajo që i bënë këto negociata më të ndjeshme në procesin politik të Irakut, nuk janë përpjekjet për zgjidhjen e krizave dhe problemeve me të cilat përballet vendi, por arritja me çdo kusht në pushtet.

Vizita e fundit e Joe Biden, zv/ presidentit të SHBA në Irak, si qëllim kryesore kishte zgjidhjen e problemit të formimit të qeverisë irakiane, dhe se SHBA në vazhdimësi janë përpjekur që qeveria e ardhshme irakiane të formohet në bashkëpunim midis Nuri el-Malikiut dhe Ajad Alaviut. Por edhe sikur të ndodhë një gjë e tillë, duke patur parasysh konfliktet e shumta midis grupeve politike të këtij vendi, vështirë se do të kemi një qeveri stabile dhe të qëndrueshme.

Kështu që fati i popullit irakian i cili po ballafaqohet me kushtet më të vështira socio-ekonomike, është bërë peng i bisedimeve të grupeve politike irakiane. Qytetarët irakianë shpresojnë që me formimin e qeverisë, edhe përkundrejt të gjitha vështirësive politike, veprimet e qeverisë të jenë të përqendruara në rritjen dhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike të vendit. Përderisa në Bagdad po vazhdojnë bisedimet mes grupeve të ndryshme sunite dhe shi’ite, kurdët duke vështruar situatën prej anësh, me qartësimin e situatës dëshirojnë të marrin pjesën e tyre në pushtet. Nuk duhet harruar se pas rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit, kurdët me potencialin e tyre të lartë, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e proceseve politike të Irakut.

Kërkesat e tepërta të kurdëve janë një fakt i pamohueshëm që komplikon procesin aktual politik të Irakut. Prandaj dhe kurdët me afrimin apo largimin e tyre nga Bagdadi, mund të destabilizojnë Irakun në rrethana të ndryshme. Për momentin rruajtja e postit të presidentit për Xhelal Talebanin si dhe zbatimi i plotë i nenit 140 lidhur me Kirkukun llogaritet si prioritet parimorë për kurdët.

Nëse rezultatet e bisedimeve të grupeve në Bagdad do të përfundonin me një marrëveshje të përgjithshme të bazuara në mirëkuptim reciprok dhe në interes kombëtar të Irakut, mund të shpresojmë në rezultatet e kësaj qeverie të formuar nga ky proces. Përndryshe çdo imponim ndaj grupeve në procesin e formimit të qeverisë, do të krijonte rrethana të komplikuara për qeverinë e ardhshme dhe popullin irakian. Duke patur parasysh procesin e ri demokratik në Irak, nga populli dhe politikëbërsit e këtij vendi, të cilët janë duke ushtruar demokracinë nuk mund të pritet më shumë se kaq, prandaj duke pranuar rregullat e lojës, duke rritur tolerancën e ndërsjellë dhe mirëkuptimin, duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e të gjithëve në formimin e qeverisë sa më pare të jetë e mundur.

Me sa duket popullit irakian do t’i duhet një periudhë e gjatë ku ndërrimi i pushtetit do të bëhej në mënyrë demokratike dhe në interes kombëtar. Një apo dy dekada për gjeneratën e sotme ndoshta është një periudhë shumë e gjatë, mirëpo kjo nuk vlen edhe për Irakun si shtet i dalë nga një diktaturë e egër.
Në qoftë se irakianët e kalojnë këtë periudhë me sukses, duke marrë parasysh burimet e shumta njerëzore dhe materiale, atëherë pritet që të ketë një perspektive të ndritshme në Lindje të Mesme.
Shtuar më 15/07/2010, ora 10:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori