Intervistë me Silvana Lutaj, spikere e Televizionit Alsat M
Albeu.com
nga Rijad Murati, LajmVajza që erdhi nga Shqipëria për ta ndihmuar motrën e saj në studime u bë fytyrë mbrojtëse e Lajmeve të televizionit Alsat M. Ajo gjeti vetën në shoqërinë shqiptare në Maqedoni dhe po realizon ëndrrat.
Silvana ka rrënjët nga Maqedonia
Në vitin 1989 kam ardhur për të parën herë në Maqedoni, atëherë isha 10 vjeçare. Pas hapjes së kufijve, familja ime ishte ndër të parat që udhëtoi drejt Maqedonisë për tu takuar me familjarët e gjyshit sepse babai i nënës time, pra gjyshi, ka prejardhje nga rrethi i Gostivarit. Ai në Shqipëri ka mbërritur gjatë kohës së komunizmit, për shkak se nuk ka arritur të kthehet mbrapa në Maqedoni në atë kohë ai ka krijuar familje dhe ka jetuar në Shqipëri. Tani ne po mbajmë kontakte të vazhdueshme me familjen e gjyshit.
Më vjen keq që ai nuk arriti ta shihte këtë ditë.

Silvana me emision të ri “REALITETE”
Kam filluar me emisionin “Realitete” i cili transmetohet në Alsat M, të shtunën në orën 10 dhe të hënën në orën 14 ritransmetimi. Bëhet fjalë për një emision me kuriozitete dhe gjëra të çuditshme që ndodhin nëpër botë. I sugjeroj shikuesit ta ndjekin këtë emision sepse është vërtet interesantë.


LAJM : Më përshkruani ardhjen tuaj në Maqedoni
Silvana: Kam mbaruar fakultetin për gjuhë të huaja. Diplomën e kam për mësuese dhe përkthyese. Në Shqipëri kam punuar si mësuese, mirëpo qëllimi i ardhjes time në Maqedoni ishte motra ime e cila ka studiuar juridikun në Maqedoni. Erdha ta ndihmoj motrën dhe ti qëndroj pranë gjatë studimeve. Kështu ishin planet e mia dhe të prindërve të mi kur u nisa për nga Shqipëria, mirëpo më doli krejt ndryshe. Sapo erdha këtu, menjëherë fillova të punoj në Radio Vati, ndërkohë e hapa edhe një qendër për mësim të gjuhëve të huaja në Tetovë ku pati goxha interes. Disa menaxher te Televizionit Alsat M, pasi më kishin dëgjuar më ftuan në prova në televizion dhe më pastaj më bënë një ofertë për të punuar si spikere e lajmeve. Pasi bëra provat kuptova se mund ta kryejë këtë detyrë dhe pranova ofertën. Tani që po bëhen 8 muaj punë në televizor mund të them se jam shumë e dashuruar në këtë profesion dhe me shumë kënaqësi e kryej këtë punë. Përpos punës si spikere unë gjithashtu punoj edhe si mësuese për gjuhë të huaja në një shkollë private në Tetovë. Pas këtyre angazhimeve që i gjeta në Maqedoni, më janë prishur planet. Tani motra ime ka kryer fakultetin ndërsa unë nuk arrita dot të kthehem në Shqipëri, vendosa që të jetoj në Maqedoni.

LAJM: A keni bërë ndonjë gafë gjatë transmetimit të lajmeve?
silvanaSilvana: Në fillim kam bërë disa gafe, sepse kanë ndikuar emocionet. Kur startova regjisorët më këshilluan që duart nuk duhet lëvizur gjatë leximit të lajmeve dhe se duhet të jem serioze para kamerës, mirëpo njëherë përderisa lexoja më ngacmoi diçka dhe unë reagova instinktivisht dhe kur e pash vetën në kamerë kisha ngritur duart tek fytyra dhe isha duke larguar mizën që më ngacmoi. Më tepër gafa kam bërë kur është fikur pronteri dhe nuk kam ditur si të gjendem. Një herë kam dal në ekran duke qeshur.

LAJM: A të njofin në rrugë njerëzit dhe nëse po, a të pengon kjo gjë?
Silvana: Të them të drejtën unë jashtë Alsatit jam tjetër njeri. Në ekran dal gjithmonë me flokë të krehura me xhaketa dhe me këmisha. Ndërsa në jetën private, jam me flokë të mbledhura, pa grim, e veshur në mënyrë sportive. Bile shpesh rrugës vej kufjet (dëgjueset) në veshë dhe dëgjoj muzikë. Mirëpo prapë se prapë njerëzit më vërejnë, më shikojnë dhe më njohin. E ka bërë ekranin të vetën. Mirëpo duke më parë të veshur me xhaketa para kamerave shikuesit kanë krijuar përshtypje se jam shumë moshuar. Një ditë më ka ndodhur që kam shkuar në një dyqan dhe shitësi, më është drejtuar ‘më falni a jeni ju Silava’ pasi që unë kam pohuar ai më është kthyer ‘ti qenkëshe shumë e re, në televizion dukesh shumë e moshuar’. Kur njerëzit më njohin në rrugë dhe tregojnë gisht nga unë, më vjen shumë siklet, nuk di si të sillem, nuk di ku të shikojë, nuk di nga ta kthej kokën.

LAJM: Çka të pëlqen nga angazhimi yt në televizion?
Silvana: Puna në Alsat për mua është pothuajse një ëndërr e realizuar, si të gjitha femrat që duan të bëhen aktore, ose të dalin në televizor. Ëndrra ime ka qenë të bëhem aktore, mirëpo prindërit e mi më kanë kundërshtuar.

LAJM: A ndodh që pasi të mbaroni me lajmet, të kërkoni nga teknika që t’ua mundësojnë të shihni se si keni dalur në ekran?
Silvana: Po shpesh herë ndodh një gjë e tillë. E shoh veten në televizion dhe asnjëherë nuk jam e kënaqur gjithmonë ka diçka që më bën të mos ndihem e kënaqur, ose flokët nuk më duken mirë ose mikrofonat nuk i kam të rregulluar mirë, me një fjalë asnjëherë nuk kënaqem. Njerëzit gjithmonë ma bëjnë rrafsh më thonë je si karamele, sa të shkon kjo xhaketë etj, etj, por kritikuesja më e madhe e vetës jam unë vetë. Po të ishte edhe mami im këtu edhe ajo do të më jepte kritika.


LAJM: Jeni shumë e angazhuar, punoni në televizion dhe në shkollë si mësuese. A lodheni ndonjëherë?
Silvana: Ditën e kam shumë të angazhuar dhe shyqyr që është ashtu sepse nuk kamë shumë miq këtu. Është e trishtueshme mirëpo unë akoma nuk kam njohur asnjëri që të dal e të pi kafe.

LAJM: A po të pëlqen Shkupi?
Silvana: Gjëja e parë që më kë pëlqyer janë rrugët dhe infrastruktura. Më bën përshtypje gjithashtu stili i banesave, kafeterive dhe në përgjithësi mënyra e jetës në Shkup.

LAJM: A jeni e dashuruar?
Silvana: Po kam njohur këtu një djalë me origjinë shqiptare por i lindur dhe i rritur në Gjermani. Tani po bashkëjetojmë me të dhe jam shumë e lumtur.
Shtuar më 07/10/2007, ora 19:40
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori