Intervistë me Arbër Xhaferin
Albeu.com
Në një intervistë për “Shekullin”, Arbër Xhaferri rendit opinionet e tij për shtyrjen e statusit të Kosovës, debatin mbi religjionin dhe identitetin, vendimin e Athinës për dyshtetësinë, situatën politike në Tiranë dhe situatën politike në Shkup...

I mençur, i saktë dhe herë-herë, mjeshtërisht ironik... Në një intervistë për “Shekullin”, Arbër Xhaferri rendit opinionet e tij për shtyrjen e statusit të Kosovës, debatin mbi religjionin dhe identitetin, vendimin e Athinës për dyshtetësinë, situatën politike në Tiranë dhe situatën politike në Shkup...

{nl}


Arbër Xhaferri e di: Shumë probleme duken të vështira dhe terreni është i ashpër... Por si rrallëkush, nuk e mëkon pesimizmin, aq më pak qurravitjen tipike të shqiptarit urban... Përkundrazi! Është dukshëm i kujdesur në ftesë-apelin për optimizëm... Vendosmërisht thotë: “Kosova do ta fitojë detyrimisht pavarësinë”... Ose: “shqiptarët kanë identitet të qartë kombëtar dhe nuk kanë nevojë për ndihmës-këmbaleca fetarë”... Pak më tej: “segmenti kleronacionalist grek do të harxhojë pak para, do ta zbulojë rrjetin e vet në Shqipëri, do të bëhen përrallë dhe asgjë nuk do të arrijnë”...
Di të jetë pa asnjë dyshim, bindës... Forca e argumentit, burrërisht vezulluese... Dhe Arbëri është nga ata të pakët shqiptarë, të cilëve mund t’u besosh... (A.Thano)



U njoftua pak ditë më parë, shtyrja e shpalljes së statusit të Kosovës. Ka komente nga më të ndryshmet, prej qëndrimit se kjo është një “çështje kohe” pa ndikim, e deri te parlajmërimet se shtyrjet u japin terren ekstremeve politike. Paralelisht po përhapen tezat se procesi i decentralizimit në Kosovë, do të jetë bazë e konflikteve të ardhshme dhe se me anë të këtij procesi, serbët me vetëm 6 për qind nivel popullsie, do zotërojnë mbi 20 përqind të territorit...
Ju jeni shprehur në një nga artikujt tuaj, duke folur për "procesin e gjatë të rrudhjes së atdheut të shqiptarëve" se "me politika të tilla ndërkombëtare, shqiptarët, jo vetëm që i humbën territoret e tyre në rrethinën e Nishit, në Maqedoninë Qendrore, në Sanxhak apo në Çamëri, por pësuan njëkohësisht tragjedi të papërshkrueshme…".
Mendoni se në Kosovë, padurimi për pavarësinë mund të shkaktojë vendime të tilla të tjera, të gabuara?

Sipas dëshmive historike, negociatat në mes të palëve ndërluftuese asnjëherë nuk kanë sjellë paqe, marrëveshje të qëndrueshme. Prandaj organizohen konferenca ndërkombëtare ku, përmes ushtrimit të trysnisë politike, ekonomike, madje ushtarake, janë detyruar palët ndërluftuese të pajtohen me zgjidhjet e ofruara. Natyrisht, popujt që kanë pasur sponsorë të fuqishëm, kanë kaluar më mire se popujt që kanë qenë të vetmuar, ose të cilësuar si armiq potencialë. Në këto konferenca vendimmarrëse janë përcaktuar, drejtësisht a padrejtësisht, kufijtë e shteteve të ndryshme, duke respektuar jo vetëm interesat e popujve ndërluftues, por edhe interesat për balancim të forcës të shteteve protektore. Nga këto konferenca më të dëmtuar dolën shqiptarët, pasi, në sajë të propagandës të shfrenuar të shteteve fqinje, perceptoheshin si pjesëtarë të një kulture, të një qytetërimi të huaj, perceptoheshin si palë humbëse. Sot e kësaj dite, i ndiejmë efektet e kësaj propagande dhe këtij perceptimi. Jugosllavia u komponua si shtet mbi interesa artificiale, sidomos nëse merret parasysh insistimi që gjysma e popullatës shqiptare të përfshihet në këtë shtet. Objektivisht ky gabim mund të përmirësohej me shfarosje, me shpërngulje apo me marrëveshje politike me shqiptarët. Në njëqind vitet e fundit, janë përdorur të gjitha këto variante në trajta të ndryshme, por nuk arritën të shuajnë kauzën shqiptare. Po të mos bëhej ky gabim fillestar, me siguri Jugosllavia do të mbijetonte si federatë funksionale e sllavëve të Jugut. Virusi që e shkërmoqi këtë shtet, ishte populli shqiptar, me origjinë, me histori, me kulturë, me interesa të tjera, në shpërputhje me interesat e sllavëve të Jugut. Kjo bashkëjetesë e imponuar, e panatyrshme, frusturuese, gjithmonë ka qenë faktor që destabilizonte këtë shtet: sllavët e Jugut hartonin projekte si t’i shfarosin shqiptarët, ndërkaq ata rezistonin me të gjitha mundësitë. Cikli i fundit i kësaj krize, nisi me demonstratat e vitit 1981. Vlerësoj se kjo datë, edhe në planin global, ka rëndësi të madhe historike, për shkak se kontestoi njërin nga premisat kryesore të sistemit të vlerave të komunizmit. Nëse lëvizjet sindikaliste polake “Solidarnoshq” të vitit e 80-ta e kontestuan pretendimin se komunizmi, njëherë e përgjithmonë e ka zgjidhur të drejtën e shtresave më të ulëta të popullatës, të klasës punëtore, demonstratat shqiptare të vitit 1981 e kontestuan pohimin tjetër të rrejshëm, pretendimin se sistemi komunist, njëherë e përgjithmonë e ka zgjidhur çështjen etnike. Jugosllavia zuri të shthurej pas vitit 1981. Nëse Jugosllavia nuk do të kishte brenda vetes segmentin atipik shqiptar, nuk do të ekzistonte agensi kontestues dhe ajo me siguri nuk do t’i kishte këto telashe. Në vend që pa telashe të bëhej anëtare e UE-së, ajo tragjikisht u shpërbë.
Ky proces i fërkimeve shqiptaro-sllave, ishte i shoqëruar me propagandë të egër dhe të pamëshirshme. Argumenti më konsistent i makinerisë propagandiste serbe dhe të aleatëve të tyre, kryesisht rus dhe grek, ishte përkufizimi i shqiptarëve si element i huaj në kuadër të Europës, si popull aziatik, gjenetikisht i prirë për krime, vandalizëm etj. Kjo propagandë natyrisht, zgjonte neveri te shumëkush, për shkak të fjalorit brutal dhe gënjeshtrave, por megjithatë, në disa qarqe krijonte efektin e dëshiruar. Mbase për këtë arsye çështja e Kosovës, si detonatore e shthurjes së Jugosllavisë, në vend që të zgjidhej në fillim, mbeti të zgjidhej në fund. Nëse analizohen faktorët kryesorë që ndikojnë që një popull ta fitojë të drejtën e secesionit, atëherë shumë lehtë mund të konstatohet se Kosova dhe populli shqiptar, i plotësonin këto kushte më shumë se çdo popull tjetër i Jugosllavisë. Por, megjithatë, çështja e Kosovës mbeti të zgjidhet në fund, madje pas republikave shumë problematike të Jugosllavisë si, Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia. Kjo vonesë, me siguri ka të bëjë edhe me propagandën e shfrenuar serbe për identitetin e dyshimtë, joevropian të shqiptarëve, por edhe me faktin e dobësisë objektive të shtetit shqiptar dhe të cilësisë së zvetënuar shtetformuese të shqiptarëve, në momentin historik kur sillen vendime të mëdha. Situata rreth kësaj çështje, u komplikua pas akteve terroriste të 11 shtatorit. Pas kësaj date, propaganda serbe fitoi krahë dhe intensifikoi argumentimin e shfrenuar për identitetin atipik të shqiptarëve. Personalisht, nuk kam dilemë se ngjarjet e prillit të vitit 2004, kur u dogjën disa kisha serbe, janë të organizuara nga segmentet e ndryshme të shtetit serb. Këto akte vandaliste arritën që të krijojnë një frikë, një distancë te faktori ndërkombëtar, sa i përket tempit të pavarësimit të Kosovës. Fitoi ideja e kontrollimit të këtij procesi.
Serbët, ose më mirë thënë segmente të caktuara të shoqërisë dhe shtetit serb, bëjnë çmos që të ndërtojnë një percepsion të gabueshëm për shqiptarët. Epilogu i fundit i këtij shfrenimi, ndodhi në Këshillin Evropian kur disa deputetë serbë, me një fjalor çmendurak i demonizonin shqiptarët si element i rrezikshëm, pararojë e sfidës islame kundër Evropës. Deputetja evropiane, Doris Pak reagoi kundër këtij fjalori, duke i përkujtuar serbët se ka shqiptarë që janë të krishterë. Në fakt, ajo hapi një çështje shumë të rëndësishme. Shqiptarët më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit, kanë dhënë kontribut shumë më të madh, madje edhe doktrinar për zhvillimin e krishterizmit sesa serbët, duke filluar nga koncilet e para ku merrnin pjesë aktive, priftërinjtë ilirë, Shën Jeronimin, përkthyesin e Biblës në gjuhën latine, Vulgatën e famshme, e deri te papët e ndryshëm dhe Nënën Terezë.
E bëra këtë hyrje të gjerë, për ta kuptuar pozitën e shqiptarëve në këto negociata veçmas të ekipit negociues. Ky ekip nuk mund të bëjë mrekulli; të zgjidhë me një shkop magjik të gjitha problemet e shtresuara gjatë shekujsh, si në palimpsest. Kosova do të bëhet e pavarur, për shkak se të gjithë e kanë kuptuar faktin se shqiptarët luftuan dhe do të luftojnë për Kosovën, dhe se kanë të drejtë dhe kapacitet për ta fituar këtë luftë kundër serbëve. Tashmë të gjithë e kanë kuptuar, madje dhe vetë serbët, se trimëria e tyre proverbiale ishte e rrejshme, ngaqë treguan ashpërsi vetëm ndaj atyre që ishin të paarmatosur. Në momentin kur u ballafaquan me armata kundërshtare, ata u zmbrapsën jo vetëm si ushtri, por edhe si popull. Ky fakt është themeli i pavarësisë së Kosovës. Sot Ekipi Negociues kosovar , zhvillon bisedimin mbi këtë themel. Në këtë pikë, ata e kanë mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, që thellësisht kupton se çdo zgjidhje tjetër për çështjen e Kosovës, pos pavarësisë, është një aventurë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Këtë e dinë edhe vetë serbët, të cilët në referendumin e fundit, treguan se janë të lodhur nga “barra” e Kosovës. Konjuktura që aktualisht e drejton Serbinë, taktizon me të gjitha mjetet që ka, ashtu si Millosheviqi, pos elementit ushtarak. Fiksacioni i tyre me Kosovën, është racional. Me këtë intensifikim të propagandës, ata përpiqen të parandalojnë proceset e tjera, me të cilat mund të ballafaqohet Serbia, me dëmshpërblimin, me reparacionet e luftës, me proceset integruese etj.
Kërkesat e tyre për decentralizim, për krijimin të enklavave etnike serbe, vijnë ndesh koncepteve të evropianëve për krijim të shteteve funksionale. Këto enklava nuk janë të rrezikshme nga aspekti etnik, por nga ai ushtarak. Serbët hartojnë plane, që në momente të volitshme të ndërhyjnë në Kosovë dhe këto enklava u nevojiten si baza ushtarake. Hartat që i paraqet OJQ- ja e udhëhequr nga Albin Kurti, janë interesante dhe të vlefshme për analiza ushtarake.
Ekipi kosovar tregon një unitet të admirueshëm në këto momente, ata funksionojnë në kuadër të strategjisë perëndimore lidhur me këtë çështje. Ata nuk mund të injorojnë faktorin serb, as ta ndërrojnë mendjen e diplomacisë ruse. Të vetmen gjë që mund ta bëjnë ata, tanimë e kanë bërë: e ruajnë unitetin dhe qetësinë në Kosovë. Punët e mëdha, edhe kësaj radhe do të kryhen nga të mëdhenjtë. Vonimi i procesit ka të bëjë, sipas të gjitha gjasave me kujdesin racional të perëndimorëve. Ky kujdes me Malin e Zi, zgjati 3 vjet, me Kosovën do të zgjasë tre muaj. Shqetësimet, nervozizmi që shfaqet diku-diku në mjediset shqiptare, i ngjasojnë humbjes së durimit të dhëndrit, për ta hequr sa më parë duvakun e nuses. Ta përsëris bindjen: Kosova do ta fitojë detyrimisht pavarësinë, për shkak se kjo zgjidhje e drejtë dhe e vetme, për shkak se kosovarët dhe shqiptarët, në përgjithësi treguan jo vetëm trimëri, por edhe sens politik për të vepruar në kuadër të tendencës historike. Përfundimisht, duhet pasur parasysh se Kosova është rrëfimi më i suksesshëm, më i logjikshëm dhe më i drejtë i faktorit ndërkombëtar. Kosova, dita-ditës merr konotacionin e intervenimit të drejtë dhe të domosdoshëm.

Mbetemi tek Kosova… Shihni ndonjë problem në datat e përafërta të zgjedhjeve (janar 2007) në Tiranë dhe Beograd?

Është një rastësi që mund të jetë pozitive dhe po aq negative, në varësi nga mënyra se si ato do të zhvillohen dhe temat që do të trajtohen. Nëse serbët do të organizojnë zgjedhje më demokratike se shqiptarët, atëherë kjo mund të krijojë efekte negative dhe anasjelltas...

*****

Keni shkruar, se nëse diku ka pasur sukses ideali i ekumenizmit, atëherë ky vend, kjo shoqëri është Shqipëria, duke përfshirë këtu kushtimisht të gjitha hapësirat dhe shoqëritë shqiptare. Shqiptarët nuk mund të mbijetojnë pa një politikë ekumenike, pa një tolerancë fetare. Citoj: “Mirëpo, kjo vlerë nuk mund të arrihet njëherë e përgjithmonë, por duhet të jetë projekt i përhershëm, ngaqë kjo harmoni sfidohet gjithnjë dhe do të amplifikohet vetvetiu me procesin e globalizimit…".
Mendoni se në Shqipëri ka tendenca për ta sfiduar këtë harmoni dhe nëse po, nga kush?
Dhe meqë jemi këtu, debati i famshëm mes Kadaresë e Qoses, që rëndom etiketohet si debat "mbi identitetin", i shërbeu harmonisë apo sfidimit të saj? A duhet të nxjerrin ndonjë mësim nga ky debat në nivel protagonistësh dhe më gjerë, si shoqëri?

Çdo gjallesë, që gjatë evolucionit arrin t’i përshtatet rrethanave të reja, mbijeton. Kështu ndodh edhe me popujt. Ekumenizmi shqiptar, toleranca fetare është domosdoshmëri dhe veti pa të cilën shqiptarët nuk mund të mbijetojnë. Është një koiçidencë e çuditshme që në periudha të ndryshme kritike, kur antagonizmat fetare apo të natyrave të tjera krijonin hendeqe të pakapërcyeshme që e ndalnin zhvillimin, paraqiteshin “arkitektë” të urave ndërlidhëse. Kur antagonizmi në mes paganizmit dhe krishterizmit u shndërrua në konflikt të rrezikshëm, në Koncilin e Nikesë, priftërinjtë ilirë arritën t’i krishterizojnë shumë rite pagane, kur konflikti në mes të shtetit romak dhe popullatës së krishterizuar u bë i padurueshëm, perandori, Konstantini i Madh, me prejardhje ilire, e pajtoi shtetin dhe krishterimin, kur u shfaq skizma e madhe në mes të kishës lindore, ortodoksisë dhe katolicizmit, shqiptarët, të rrezikuar nga kjo ndarje, bënin çmos që të pengohet ky proces. Siç dihet, patriarku Atenagora i Patriarkanës së Stambollit, më prejardhje shqiptare, ishte i pari që pranoi të takohej me Papën, për t’i dhënë përkrahje ekumenizmit. Është indikativ modeli ekumenik i krishterëve arbëresh të Italisë së Jugut, të cilët i takojnë ritit lindor, por e pranojnë juridiksionin e Vatikanit.
Polemikën e paashpër që zhvillohet në mes të dy intelektualëve të mëdhenj shqiptarë, Kadaresë dhe Qosjes, të dy me prejardhje myslimane, por sipas të gjitha gjasava agnostikë që të dy, si pjesa dërmuese e popullit shqiptar, sidomos në Shqipëri, e shoh si një pasojë e frikave nga përçarjet, ose si një intencë e pandalshme për të eliminuar antagonizmat religjioze në shoqërinë shqiptare. Edhe z.Kadare edhe z.Qosja, nëse nuk ia varim veshin fjalorit të ashpër, megjithatë që të dy gjenden në misionin ekumenik, në atë të pajtimit të islamit me krishterizmin. Këtë pohim e mbështes në motivet e kësaj polemike dhe jo në fjalët apo argumentet që janë përdorur. Motivi i shqetësimit të tyre është identik me motivet e shumë shqiptarëve të ballafaquar me mundësinë e bartjes së antagonizmave fetare, nga plani global në atë lokal shqiptar.
Duke vazhduar me konstatimin se debatet e këtilla për kah natyra janë skizmatike dhe të dëmshme, e shoh të udhës të bëj dallim në mes të natyrës së identitetit kombëtar në krahasim me atë fetar. Te çdo njeri, njëkohësisht ekzistojnë shumë identitete, por vetëm njëri është dominant dhe tipizues. Sipas psikologëve, çdo njeriu, çdo ditë i shkon mendja që ta vrasë dikë, apo çdo 20 sekonda për fantazi seksuale, por megjithatë ai nuk bëhet kriminel dhe dhunues. Mendja e njeriut shkon gjithkund, por rolin e kontrollorit e ka korteksi që e mbështjell trurin. I vetëdijshëm për mundësinë e ekzagjerimit, mendoj po kështu për fenomenin e shumësisë së identiteteve brenda një individi dhe një populli. Me rëndësi është që, përmes krijimtarisë dhe angazhimeve në skenën shoqërore dhe politike të përkufizohet identiteti prijatar dhe dominues. Popujt që i japin përparësi identitetit kombëtar, ashtu si perëndimorët, kanë krijuar shtete kombëtare dhe e kundërta, popujt që japin përparësi identitetit fetar apo ideologjik kanë shkatërruar shtetet kombëtare dhe kanë krijuar perandori, ku identitetet e veçanta janë shkrirë, janë amalgamuar, ose kanë krijuar federata artificiale. Identiteti kombëtar, është produkt i mentalitetit perëndimor që e afirmon diversitetin, ndërkaq identiteti fetar është integralist që është produkt i mentalitetit të popujve lindorë, që nuk e njohin fenomenin e sistemeve federale shoqërore apo atë të shtetit komb. Ose, për të thënë më drejtpërdrejtë: këto dy identitete nuk bën të përzihen. Identiteti kombëtar është kombëtar, ashtu si identiteti fetar është fetar. Kjo vlen veçmas për shqiptarët, të cilët kanë identitet të qartë kombëtar dhe nuk kanë nevojë për ndihmesa, këmbaleca fetare....

{nl}

Në Shqipëri ka një debat përgjithësisht konfuz, lidhur me vendimin e fundit të Athinës, për t’u dhënë nënshtetësinë greke minoritarëve grekë dhe aplikantëve të tjerë të mundshëm, nga shtresa e emigrantëve dhjetëvjeçarë shqiptarë në Greqi. Si e shikon z.Xhaferri këtë situatë? Cilat mund të jenë pasojat e aplikimit në terren të këtij vendimi?

Së pari, vlerësoj se politika shqiptare edhe kësaj radhe është defanzive. Një politikë serioze duhet t’i anticipojë proceset që do të zhvillohen. Kjo ndikon që ne gjithmonë të jemi të befasuar nga veprimet armiqësore të dikujt kundër nesh. Kjo befasi, jo vetëm që flet për një çiltërsi naive, por edhe për mungesën e strategjisë konsistente të shqiptarëve në përgjithësi.
Së dyti, këtë akt të shtetit grek e vlerësoj si akt armiqësor që synon destabilizimin e shtetit shqiptar. Them armiqësor, ngaqë synon një pjesë të qytetarëve të Shqipërisë t’i bëjë për vete, t’ua blejë lojalitetin ndaj shtetit grek dhe objektivisht të nxisë disluajalitetin e tyre ndaj shtetit amë, shqiptar. Me këtë akt armiqësor, shteti grek nuk do të fitojë asgjë, pos thellimit të dyshimeve të ndërsjella dhe nxitjen e armiqësive të kota.
Së treti, mendoj se shteti grek në përgjithësi, manifeston shenjë shqetësuese të një antagonizmi të pariparueshëm të brendshëm. Një pjesë e madhe e popullit grek, tregon një disponim të paarsyeshëm antiamerikan, antiperëndimor, antishqiptar dhe shpeshherë jep sinjale të çuditshme, që nuk janë kurrsesi në interes të popullit grek. Me këtë mendësi, me këto botëkuptime ka pasur, ka dhe do të ketë probleme vetë shteti grek, për shkak se tanimë, si amerikanët ashtu edhe evropianët, janë lodhur me këto simptoma antiperëndimore që shfaqen sistematikisht në këtë shtet. Këto forca refraktare, qofshin politike, militare apo klerikale, për fat të keq janë të etabluar në sistem dhe kanë ndikim në vendimmarrje. Aktet e këtilla armiqësore, jo vetëm ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe më gjerë, vijnë nga këto qarqe. Nga ana tjetër, në shoqërinë greke ekziston edhe segmenti tjetër modern, tolerant, properëndimor, krijues, që japin vepra të admirueshme në çdo segment të shoqërisë. Shqiptarët, por edhe evropianët, kanë telashe vetëm me atë segment inatçor, provincial, ksenofobik, kleronacionalist grek. Këto forca nuk do të arrijnë asgjë, për shkak se janë anakronikë dhe jashtë rrjedhave moderne historike. Për t’i kënaqur tekat e tyre, ata do të harxhojnë pak para, do ta zbulojnë rrjetin e vet në Shqipëri, do të bëhen përrallë dhe asgjë nuk do të arrijnë. Shqiptarët kundër tyre do të bëjnë aleancë me grekët modernë, evropianë, të përgjegjshëm dhe bashkërisht do t’i çrrënjosin këto metoda të vjetra, shterpe.

Shumë qytetarë e akuzojnë shpesh qeverinë e Tiranës, për apati të theksuar në marrëdhëniet me fqinjët grekë. Në analizën tuaj, a është inferior raporti i Tiranës me Athinën? Pse? Nga buron kjo pafuqi e dukshme për të kërkuar së paku reciprocitet?

Të gjitha regjimet shqiptare, duke përfshirë këtu edhe atë komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha, kanë pasur një politikë miqësore ndaj Greqisë, madje, minoriteti grek në Shqipëri, në të gjitha regjimet ka gëzuar mbrojtjen e veçantë të shtetit shqiptar. Por, duhet theksuar se kjo miqësi ka qenë gjithmonë e njëanshme. Ironia, shpeshherë është shpjeguesja më e drejtë e ngjarjeve historike. Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi. Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj. Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare. Në vend që këto elemente të shfrytëzohen për një bashkëpunim të frytshëm të ndërsjellë, zgjidhet një aleancë e panatyrshme, që e vë Greqinë në rolin e shërbëtores ndaj interesave të llastuara serbe. Për të qenë objektiv, këtë strategji të gabuar e ndjek ai segment anakronik, klero-nacionalist i shoqërisë greke, që dita ditës do ta humbë ndikimin në shoqëri. Është i çuditshëm inferioriteti i disa segmenteve të shoqërisë greke ndaj interesave serbe, është e pashpjegueshme se si këto segmente nuk vërejnë sjelljen arrogante të serbëve ndaj tyre, sidomos pretendimet e tyre territoriale. Nuk duhet harruar, se luftën qytetare në Greqi e nxitën jugosllavët në krye me Titon, të cilët më vonë, pas kërcënimeve britanike i mbyllën hermetikisht kufijtë, duke i lënë “komunistët” grekë në baltë. Pasojat e kësaj lufte qytetare vërehen sot e kësaj dite, jo vetëm në Greqi.
Këtë arrogancë që e kishin jugosllavët karshi Greqisë, me siguri e kanë trashëguar edhe shqiptarët e Jugosllavisë, që nuk tregojnë as më voglën shenjë të inferioritetit ndaj grekëve dhe serbëve. Shkrimtari ynë i madh, Kadare, në analizat e tija të thella, bihevioriste, lidhur me natyrën e konfliktit shqiptaro-serb, ndriçon një detaj shumë interesant. Ai konstaton se vetëm shqiptarët nuk kanë pranuar rolin prijatar të serbëve dhe Beogradit, në relacionet ballkanike. Kjo sjellje shpërfillëse e shqiptarëve, vazhdimisht i ka xhindosur serbët.
Inferioriteti i Tiranës zyrtare është pasojë e tranzicionit dhe problemeve që janë krijuar pas ndërrimit të sistemit. Por, kjo veti shumë shpejt do të ndërrohet në varësi nga suksesi i transformimit ekonomik dhe social i shoqërisë shqiptare.
Projekti proselistist i qarqeve klero-nacionaliste greke, do të japë efektin e kundërt, ashtu si projekti i dikurshëm serb në Jugosllavi. Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro-serbë.

Ju jeni shprehur se "tragjedia çame, ngjashëm me tragjeditë e shqiptarëve në viset e tjera jashtë shtetit amë, nuk mund të shërohet me asgjë, por mund të kompensohet politikisht, moralisht dhe materialisht". Ju shpreheni gjithashtu, se "Duhet të detyrohet qeveria greke, që ta pranojë dhe të ballafaqohet me fajësinë e paraardhësve të saj, të cilët merrnin vendime që prodhuan efekte gjenocidale". Cilat janë rrugët për të realizuar këtë presion dhe konkretisht, çfarë duhet të bëjë politika shqiptare për këtë?

Shqiptarët, duke qenë popull atipik në shumë dimensione, duke mos pasur protektorë të fuqishëm pas vetes dhe duke pasur kundër vetes armiqësinë dhe aspiratat e perandorive, kanë pasur fatkeqësinë që territoret e tyre të rrudhen. Nëse e analizoni historinë më të re të Serbisë, apo të Greqisë, do të konstatoni se këto shtete, pas çdo lufte të madhe janë zgjeruar në dëm të popujve të tjerë, ndërkaq territoret shqiptare janë rrudhur. Proceset e këtilla, shpeshhere janë ireversibile. Territoret që i kanë humbur shqiptarët në periudhën e fundit historike, ato rreth Nishit, në Sanxhak, në Maqedoninë Qendrore dhe Çamëri, janë procese ireversibile, të pakthyeshme. Këto çështje më nuk mund të kenë peshën e kauzës, por kjo nuk do të thotë se këto tema do të mbyllen njëherë e përgjithmonë. Gjatë procesit historik në gjithë botën, tinëzisht janë bërë krime përmasash gjenocidale dhe këto çështje nuk do të kalojnë në harresë, rrjedhimisht edhe çështja çame. Greqia do të jetë gjithnjë e më e detyruar që ta pranojë fajin, të kërkojë falje dhe në forma të ndryshme t’i kompensojë dëmet. Presionet e vazhdueshme të grekëve, aktet, që sipas drejtës ndërkombëtare mund të quhen armiqësore, bëhen për t’i zmbrapsur shqiptarët nga kërkesat për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga shteti grek. Me kërkesa të këtilla për konstatim të fajit, për vetëdijesim për krimin e bërë, ballafaqohen edhe popujt tjerë të botës. Ata që janë më të qytetëruar, arrijnë të gjejnë forca morale për distancim nga krimi, gjenocidi i shkaktuar nga një koniunkturë e vjetër politike. Gjermanët, procesin e denacifikimit e zhvilluan sistematikisht. Sot, në Gjermani konstatohet si akt penal, çdo prononcim që e mohon gjenocidin kundër hebrenjve.
Qytetërimet që kanë forca për introspekcion moral, për distancim nga krimet e gjeneratave të mëparshme, rimëkëmben dhe rifreskohen nga aspekti moral. Hë për hë, qytetërimi perëndimor gjen forca për distancime të këtilla. Armiqtë e dikurshëm të Amerikës, si bie fjala, Martin Luter King, Roza Parksi apo Muhamed Ali, sot janë simbole pozitive, pjesë tipizuese të identitetit amerikan, ashtu si Mendela, simbol i Afrikës së Jugut.
Kjo rrugë, është rruga e shpëtimit për çdo popull, qofshin ata serbë, grekë, turq, apo shqiptarë. Nëse grekët nuk do të kenë forca që të distancohen nga krimet e bëra kundër çamëve, ata deri në rraskapitje do të përkujtohen për këtë detyrim, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga aleatët e tyre perëndimorë.


Në gjykimin tuaj, përse pikërisht tani, në Shqipëri merret një vendim për hapje dosjesh? Më gjerë, si e shikoni situatën aktuale politike në Tiranë? Pse politika shqiptare, po mundet gjithmonë e më pak të prodhojë stabilitet?

Shqiptarët në përgjithësi, të ballafaquar me proceset historike që i rrënuan sistemet e vjetra të vlerave, nuk arritën, shpejt e shpejt, të krijojnë sistemin e ri të vlerave, me çka do të zvogëlonin rrezikun nga konfliktet e natyrave të ndryshme. Ashtu si nuk kemi përgjigje adekuate kundër akteve armiqësore të segmenteve të ndryshme të politikës greke, ashtu si nuk kemi projekt për transformimin ekonomik, për çrrënjosje të korrupsionit, të papunësisë, të krimit etj., ashtu nuk kemi qëndrim të qartë për çështjen e dosjeve. Shthurja vërehet natyrshëm në çdo segment shoqëror. Në emër të partisë e prishim shtetin, në emër të grupit e prishim partinë, në emër të interesit të individit prishin grupin, partinë dhe shtetin. Në Kosovë përdoret një fjalë e urtë. që pasqyron shumë drejtë mendësinë kolektive të shqiptarëve të kësaj gjenerate: “Prish shtëpinë mbaro hajat”. Nuk është dilema a të hapen a jo dosjet, por, pse dhe si të hapen! Përderisa nuk përkufizohet motivi dhe mënyra e hapjes së dosjeve, mendoj se çdo iniciativë i takon nevojave ditore të politikës.



Rreth 2 vjet më parë, keni thënë se ne vitin 1998, kur ka ardhur në pushtet PDSH dhe partia maqedonase, VMRO-DPMNE, keni biseduar me maqedonasit rreth ndarjes së Maqedonisë. Ju keni thënë se ka pasur plane me Lubco Georgievskin, "për ta bërë në mënyrë të qetë ndarjen e maqedonasve dhe shqiptarëve, duke mos besuar në shtetin multietnik, si formë e funksionimit të shtetit". Jeni shprehur gjithashtu, se "Maqedonia nuk ka të ardhme, kështu siç po shkon".
Sot, kur PDSH është sërish pjesëtare në qeverisje, jeni ende i këtij mendimi?

Pohimet e mia lidhur me brishtësinë e shteteve multietnike, mbështeten mbi analizat e sociologëve dhe politikologëve eminentë botërorë. Vazhdoj të mendoj njësoj, por, as atëherë as tani, nuk dua të marr përgjegjësinë për përshpejtimin dramatik të procesit historik. Këto procese ndërpriten po qe se arrihet një marrëveshje e ndershme për barazi, ose kur njëra palë dorëzohet dhe pranon pozitën e akulturimit dhe të asimilimit. Si gjithnjë, do të përpiqem t’i jap shans paqes. Shpeshherë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera.

Në agjencinë e lajmeve “Fokus”, thuhej se këtë fundjavë u takuat me Ali Ahmetin. Në mos gaboj, është takimi juaj i parë, pas më shumë se 1 vit e gjysmë mungesë komunikimi…

Çështja e takimit me z.Ahmeti, është ngritur fare pa nevojë, në nivel të një problemi kulmor me të cilin kinse ballafaqohet Maqedonia, rajoni dhe Brukseli. Në fillim, kjo çështje rrodhi nga dëshpërimi i krerëve të BDI-së, që nuk arritën të hyjnë në qeverinë e re. Këtë handikap ata e cilësuan si mungesë të dialogut, mes pozitës dhe opozitës, për çka u dërguan letra anekënd botës. Kërkesa e tyre për dialog, është në thelb fajësimi i qeverisë për margjinalizim të rolit të kësaj partie në shoqëri. Ata nuk kanë kërkesë për dialog lidhur me çështjet konkrete, por kërkesën për dialog, e përdorin si akuzë abstrakte. Sa më përket mua, unë nuk ndjej kurrfarë armiqësi ndaj z.Ahmeti, por nuk dua të jem figurant në mizanskenin e tij politik.

{nl}

nga Adrian Thano

Shtuar më 27/11/2006, ora 09:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori