Integrim pa Cmim
Albeu.com
nga Redi SHEHUNë uraganin e opinioneve që shkaktoi lajmi se së shpejti Shqipëria dhe shqiptarët do t’i nënshtroheshin një regjistrimi ku pjesë e tij do të ishte ai me bazë etnie dhe feje për ta standardizuar dhe formatuar ...... informalitetin deri në pore të shoqërisë sonë, u përfshi edhe një opinionin që i afishuar nën emrin e kryetarit të Partisë Demokristiane të Shqipërisë, i cili për hir të së vërtetës dhe përtej asaj se çdo njeri ka të drejtë të publikojë opinionet e veta, ishte i çuditshëm, anakronik dhe siç gjithmonë e kemi thënë, një fishek i ndryshkur i një pushke të vjetër që mundimshëm përpiqet pa sukses të qëllojë në shenjë.

Nuk do të kisha shkruar, ose më mirë do të kisha shkruar më vonë rreth temës së regjistrimit të popullsisë, për arsye se ky proces është kaq kompleks dhe delikat, saqë do të duhej një shtjellim shterues dhe i spikatur për të dhënë ndoshta edhe një alternativë kuptimplote e cila do të përputhej me formulën: ”Edhe ujku i ngopur edhe delet tamam”. Por, ky shkrim i botuar në gazetën “Panorama” me një audiencë të admirueshme, hoqi cipën e letargjisë sime dhe më bëri që ta rikonsideroja idenë e shkrimit.

Në të vërtetë në këtë shkrim ka dukshëm njëanshmëri dhe pozicionime aspak dashamirëse ndaj një realiteti religjioz në Shqipëri që përkundrejt dëshirës së individëve apo grupimëzave të caktuara, qëndron kokëfortë dhe real.

Nëse ka një frikë sot në Shqipëri për regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnie apo feje ajo është një frikë krejtësisht e justifikueshme për arsye të pozicionit inferior që ndodhet individi shqiptar në raport me realitetin e vet integrues dhe ekonomik si dhe inferioritetit apo edhe diskriminimit të grupeve të caktuara në raport me shoqërinë. Të gjithë ne duam të dimë saktësisht se sa jemi dhe si jemi por për ta realizuar këtë ka disa kritere.

Së pari duhet që metodologjia dhe mekanizmi që merr përsipër numërimin, analizimin dhe përpunimin e të dhënave, duhet të jetë absolutisht i besueshëm nga të gjitha palët dhe korrekt njëkohësisht. Në kohën kur në Shqipëri po kontestohen zgjedhje parlamentare pikërisht për mos konsensualitet për mekanizmat e numërimit, përse duhet që të besojmë mekanizma të cilat do të angazhohen për analizime më pak të rëndësishme se zgjedhjet? Gjithashtu do të duhej që përfaqësues të komuniteteve fetare te ishin pjesë e grupeve të regjistrimit si dhe të komisionit qendror të regjistrimit në mënyrë që të kishin akses të plotë gjatë regjistrimit për të mënjanuar kontestimet.

Së dyti pozicionimi ynë si një popull kryesisht emigrantësh na vë në pozitën inferiore kur bëhet fjalë për përzgjedhje individuale të një emigranti hallemadh, pa leje-qëndrimi, apo edhe atë të kufizuar e nën presion, të varur kryekëput nga shteti ku jeton, me llogari bankare të “konfiskuar” dhe për më tepër me një perspektive rikthimi në atdhe jo edhe aq optimiste. Të gjitha këto e bëjnë shumë vulnerabël deklarimin e tij në bazë etnie dhe sidomos feje.

Së treti ekzistenca e mirënjohur e grupimeve minoritare dhe përfaqësive të tyre politike që haptazi këto dy dekada kanë pretenduar për ekspansion në njerëz dhe territore, të fuqizuar nga fqinj, duke përdorur emigracionin shqiptar si kundërmasë, e bëjnë joreale, aspak të drejtë vendimmarrjen e individit shqiptar.

Së katërti pozicioni ynë inferior në raport me proceset integruese, retorika gati qesharake dhe deri në ekzaltim ndaj integrimit evropian të politikës sonë, janë premisa jo shumë të kënaqshme për një objektivitet të udhëheqësisë sonë ndaj çmimit të integrimit.

Në shkrimin e sipërpërmendur me eufori nënvizohet fakti se: “vlerat tona shpirtërore janë vlera evropiane” dhe se “duhet të çlirojmë veten nga ngarkesa të dëmshme që na janë imponuar nga historia”. Imagjinoni sikur shkruesi i këtyre shprehjeve të jetë i vetëm, pjesë e komisionit të regjistrimit fetar të popullsisë. E imagjinoni dot nxitimin e tij për të “çliruar” shqiptarët nga ngarkesat e dëmshme shpirtërore të historisë ? Praktikisht një inkuizicion modern. Në kohën kur inkuizicioni barasvlerësohej me atë që autori i shkrimit e quan kulturë apo vlerë e identitet historik evropian, për të çliruar popullin nga ngarkesa të “dëmshme”, shpirtërore apo shkencore, i projektonin elitave të këtij të fundit, një epilog të nxehtë në turrën e druve. Për çfarë identiteti historik evropian bëhet fjalë kur kjo e fundit deri para Revolucionit Francez mbisundohej nga principatat dhe luftërat në mes njëri-tjetrit, ku entiteti Evropë në formën që njihet sot as që nuk mund t’i shkonte në mendje njeriu.

Përmendet fakti se shqiptarët u ngritën në lëvizjen e Dhjetorit me idealin e evropianizimit të Shqipërisë. E saktë, por jo me konotacione të konvertimit fetar, por të aplikimit të sistemit politiko-ekonomik evropian që për hir të së vërtetës njohu rritjen dhe kulmin e vet në Evropë në kohën kur ra dominimi i kishës dhe kjo e fundit u shkëput nga qeverisja dhe administrimi i evropianëve. Për më tepër shqiptarët në 1991-shin nuk mund të kërkonin integrim fetar sepse as që nuk e njihnin fenë si pasojë e sterilizimit fetar të komunizmit.

Bëhet pyetja se përse e kemi kaq shumë probleme në rrugën tonë drejt integrimit evropian? Ta bënte vajza ime shtatë vjeçare do ta kuptoja, por të bërë nga Kryetari i Partisë Demokristian të Shqipërisë më duket e tepërt. Mund t’ju them si ju vetë zotëri jeni pengesë e integrimit tonë në Evropë. Ju si prototipi i politikanit. Sepse është klasa politike me shterpësinë e vet, shpesh paaftësinë dhe mediokritetin e saj që nuk ka arritur të plotësojë kriteret e anëtarësimit të shqiptarëve. Dhe, zotëri, këto kritere nuk janë aspak fetare, por kritere të mirëfillta politiko-ekonomike, janë kritere të një profili elitar demokratik.

Konvertimi fetar,nuk është e as nuk ka për të qenë, si për liberalizimin e vizave si për kandidaturën tonë në BE, çmimi i lirisë për shqiptarët. Nëse Bosnja me Shqipërinë ngelen prapa liberalizimit, kjo posaçërisht dhe tipikisht prej paaftësisë tuaj si politikanë për të plotësuar standardet në kohë.

Në vitin 2005 Grupi Encikolpedik i mirënjohur në botë “De Agostini”, publikoi statistikat e përkatësisë fetare në Shqipëri si pasojë e një sondazhi profesional të organizuar nga vetë ato. Rezultatet ishin 84.4% myslimanë, 8.7% ortodoksë, 6.2% katolikë. Ky fakt nuk kaloi pa u përmendur edhe në shtypin e atyre viteve edhe në Shqipëri, pikërisht për shkak të seriozitetit të grupimit që e kishte organizuar atë. Përse kjo duket më e besueshme se sa sondazhi i organizuar nga ndonjë ish-president i cili për nga besueshmëria dhe financimi, lë për të dëshiruar? Sepse janë disa faktorë të cilët vërtetojnë se rritja e maxhorancës myslimane është më e mundshme për shkak të rritjes më të madhe tashmë të provuar demografike të saj, sidomos në zonat rurale. Ndërsa për konvertimet nga njëra fe tek tjetra, probabiliteti është që shumica të ketë aftësi më të madhe konvertuese sesa pakica, kjo dhe për shkak të marrëdhënieve ndër-religjioze martesore të cilat në proporcion anojnë nga shumica.

Identiteti evropian i shqiptarëve është një fakt që më shumë se ideologjik është faktor gjeografik dhe se evropianizmi nuk përbën përkatësi fetare. Në këtë logjikë atëherë ne duhet të thonim se identiteti i spanjollëve jugorë apo i siçilianëve është ai islam për arsye të 8-9 shekujve të civilizimit islam të Korodovës apo Siçilisë, që për nga gjatësia është pothuaj i njëjtë me atë kristian të shqiptarëve. Ajo që më shumë kemi të bëjmë sot është e ashtuquajtura Evropa post-kristiane, apo siç Grace Davie e quan “Besimi pa Përkatësi”. Kjo ka sjellë modelin e ri të të qenurit evropian i cili sigurisht do të duhej të ishte modern dhe pasardhës i iluminizmit.

Është për t’u çuditur shumë, madje mund të jetë një rast i veçantë fakti se si mundet që historia e një kombi dhe ajo në plot 500 vjet të futet në qesen e plehrave të historisë, të anashkalohet, të ndryshket, të fiket, të mos përmendet, të mos analizohet, por, nën një slogan tipik të ideologjisë komuniste të quhet, “pushtim barbar”, “natë e zezë”, etj. Kur flitet për historinë e kombit tënd, dhe kur në mes ke një Perandori kushdo qoftë ajo, duhet që logjika e pastër, analiza qytetërimore historike, faktet e shumta dhe mbi të gjitha ndjenja e stërgjyshërve, gjyshërve dhe baballarëve të këtij kombi të prevalojë. Me një të rënë të tastierës fshihet historia e Shqipërisë për 500 vjet. Trajtohen ata qindra mijëra shqiptarë të atyre shekujve si qenie pa ndenja, si rrasa guri mbi të cilat mund të shkruash gjithçka.

Ka libra e botime të cilat tregojnë arsyet e islamizimit të shqiptarëve të cilat janë shumëfaktoriale dhe shumëdimensionale. Mos harrojmë se një ndër faktorët kryesorë ka qenë antagonizmi i dy kishave dominante në Shqipëri asaj katolike dhe ortodokse të cilat i hapën rrugë përzgjedhjes së Islamit si fe tek shumica e shqiptarëve, si dhe mos administrimi i mirë i infrastrukturës dhe mungesa e burimeve njerëzore të kishës.

Historiani Vladislav Skariç për shqiptarët thotë: “Kalimi në fenë islame nuk ka qenë i shpejtë. Osmanët qenë tolerantë në pikëpamjen fetare dhe rrallë i kanë detyruar të krishterët për të kaluar në fenë islame. Të krishterët e kanë ndërruar fenë vullnetarisht” (V.Skariç “Knjiga o Ballkanu II” Beograd 1937 fq.134-142)

Po ashtu Pjetër Mazreku shprehet :”Nga mungesa e meshtarëve janë bërë myslimanë popujt e 45 famullive e më shumë” (I.Zamputi “Relacione” fq. 451)

Kleriku shqiptar Gjergj Bardhi në vitin 1638 shprehet “Në Shkup, Karadakun e Shkupit, Novobërdë, Janjevë, Prizren, Gjakovë, Kratovë, flitet shqip, prandaj është e arsyeshme pse shqiptarët kërkojnë që priftërinjtë t’i kenë shqiptarë dhe t’u dilet në ndihmë atyre, ndryshe, do të kalojnë në fenë islame ose atë skizmatike.” (I.Zamputi “Relacione” II fq 262-263. Jovan RadoniŁ fq 108)

Frat Kerubini thotë:”Shkaku i islamizimit qëndronte në faktin se mot moti nuk kishte pasur priftërinj.” (Jovan Radoniç fq 146)

Më 10 Gusht të vitit 1670 arqipeshkvi shqiptar i Shkupit Andrea Bogdani i ankohet Kongregacionit se “katolikët më shumë vuajnë nga skizmatikët sesa nga vetë turqit.” (Jovan Radoniç fq. 347)

Tomas Arnold thotë: “Është e mjerueshme ajo që autorë të ndryshëm flasin që shqiptarët janë detyruar të ndërrojnë fenë me presione të dhunës e haraçeve të paligjshme. Për këtë shpesh përdorin shprehje të përsëritura (tautologjike). Këto autorë nuk japin të dhëna se a janë të argumentuara akuzat e tyre apo jo.” (Thomas W. Arnold:”Përhapja e Islamit në Shqipëri” Farlati vell. VII fq.31)

Koloneli anglez Link në veprën e tij “Udhëtim nëpër Shqipëri” të vitit 1804 shkruan: ”Shqiptarët bëheshin myslimanë sepse kjo fe pajtohej me natyrën e tyre dhe nuk toleronte përuljen, martirizimin, servilizmin dhe ofendimin”.
“Realisht feja islame me vetitë e saj toleruese, kulturës shqiptare nuk ia mbylli perspektivën e zhvillimit evropian, por i la mundësi të mëdha për t’u zhvilluar mbi shtratin e traditës etnike, për t’i kultivuar më tutje, vlerat e seleksionuara të kulturës shqiptare... Islami nuk ishte fe turke dhe as fe e pushtuesit, por ishte sa fe e turqve aq edhe e shqiptarëve dhe e të tjerëve, dhe se turqit myslimanë osmanë, paraqitnin vetëm pakicën sunduese.” (Dr. M. Pirraku “Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë Etnike dhe të kombit shqiptar” fq 83)

Duke u kthyer tek thelbi i çështjes së regjistrimit të popullsisë për nga afishimi etniko-fetar themi se askush nuk ka frikë nga realiteti, frika qëndron në shtrembërimin e realitetit me anë të formave dhe trysnive të larmishme. Ky regjistrim përbën një fakt historik i cili do të stampohet në historinë e shqiptarëve për një periudhë relativisht të gjatë kohe, ndaj duhet që kjo punë duhet bërë e pjekur dhe kur kriteret e regjistrimit si dhe individët shqiptarë të jetë më pak të kompleksuar dhe më tepër të integruar.

Nëse do të bëhej vërtet ky regjistrim dhe nëse rezultati nuk do të ketë ndryshim nga statistika aktuale, frika e vërtetë është se PDK dhe kryetari i saj do të kërkojnë të hapin kutitë. (start)
Shtuar më 12/02/2010, ora 16:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori