Improvizimet kushtetuese të Kosovës
Pëlqej
Albeu.com
Në përpjekje për të ruajtur njëlloj fytyre sa i takon respektimit të standardeve kushtetuese, por dhe duken pasojat politike që prodhoi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ofroi ditët e fundit dhe një interpretim sqarues të vendimit të saj mbi zgjedhjen jokushtetuese të Presidentit të republikës.

Pak ditë më parë ajo kishte thënë se Kosova nuk kishte president, që në ditën kur u zgjodh ai dhe se për ta zgjedhur atë, seanca e parë do duhej të kishte të paktën dy kandidatë dhe 80 deputetë në sallë. Po ashtu, Gjykata e cila shpërbleu partitë që krijuan krizën me bojkotin e tyre, me rikthim të procedurës së votimit, por duke i bërë thirrje morale që të rrinin në sallë kësaj here.

E vetëdijshme për kaosin e krijuar nga reagimet që u prodhuan dhe mundësia e një krize të thellë politike, Gjykata foli dhe njëherë me shpejtësi të madhe, por kriza vazhdon akoma. Ky interpretim i saj në dukje, u vu në lëvizje prej qeverisë, prej kryetarit të Parlamentit, dhe prej atij që ajo në vendimin e vet e konsideronte si President të pazgjedhur në 22 shkurt.

Para se të merremi me analizën e këtij vendimi të ri në vijim të arsyetimeve në shkrimin e fundit, do të ishte e udhës të pyesnim ata që i dinë më mirë se unë rrethanat politike të Kosovës: pse vallë Gjykata Kushtetuese ka “ngrënë dy presidentë në 6 muaj”? Kjo fjali shërben si njëri prej justifikimeve pse ky vendim i fundit duhet vënë në dyshim për nga soliditeti profesional. Një arsye tjetër është se ky vendim ka prodhuar përveç krizës dhe shumë absurditete në një zinxhir absurdesh. Më poshtë po ilustrojmë disa prej tyre, duke bërë një thirrje për kolegët kosovarë, më të vjetër dhe shumë më ekspertë që të dalin dhe të shpjegojnë vendimet e Gjykatës, duke folur me ndërgjegje profesionale dhe pa kushtëzime politike.

Në fund të vendimit të Gjykatës në 30 mars, thuhej se ai hynte në fuqi që nga momenti i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në 22 shkurt, pra me efekt prapaveprues. Nëse do të ishte kështu, atëherë vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të parakohshme, sepse Parlamenti kishte dështuar ta zgjidhte presidentin me 3 raunde, njëlloj si në Kushtetutën e Shqipërisë (neni 87), ku parashikohen 5 raunde.

Ky ishte arsyetimi i gjyqtarëve perëndimorë, të cilët në shenjë snobizmi për një vendim kaq jo profesional, nuk denjuan të marrin pjesë në interpretimin sqarues të 1 prillit. Nga frika e këtij interpretimi logjik të gjykatësve të huaj, të një pjese të mirë të mediave, por dhe të opozitës Gjykata e korrigjoi gabimin e vet dhe kryetari i saj në një protagonizëm mediatik jo të zakonshëm tha në një intervistë pas vendimit, se z. Pacolli ishte president deri në 30 mars.

Po nëse ai ishte deri në 30 mars, me çfarë cilësie Gjykata ia pranoi kërkesën për sqarim në 31 mars, sepse ai s’kishte të drejtën e ankimimit në GJK? Aq e vërtetë është kjo, sa Gjykata në vendimin sqarues të 1 prillit 2011 përdorte gjetjen: “kërkesa e Presidencës firmosur nga z.Behgjet Pacolli”, por pa iu referuar atij si President. Pikërisht në përgjigje të kërkesës së tij, a ka vendi vakum institucional pas largimit të tij, Gjykata thotë se vendi ka një Ushtrues detyre. Kush është ky Ushtrues? Kryetari i Kuvendit të Kosovës? Jo.

Vetë Gjykata në vendimin sqarues të saj nuk e përmend as emrin dhe as funksionin e tij si Kryetar Parlamenti, por thotë thjesht se “Kosova ka U.D”. Nëse do thoshte se Kryetari i Parlamentit është U.D i Presidentit, Gjykata Kushtetuese do shkelte hapur nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, paragrafi 1, i cili e njeh Kryetarin e Kuvendit si U.D, vetëm kur Presidenti është sëmurë!! Në këtë rast “Presidenti i sëmurë ia lë me shkrim Kryetarit të Parlamentit kohëzgjatjen e largimit dhe arsyet”, me premtimin se do kthehet prapë.

Neni 90 i Kushtetutës së Kosovës, gjithmonë në rastin kur Presidenti është sëmurë dhe s’do të largohet (paragrafi 2), thotë se “parlamenti me 2/3-at mund ta largojë Presidentin përkohësisht, në konsultim me mjekët”. Në të gjithë rastet (e sëmundjes së Presidentit) sipas nenit 90, Ushtruesi i Detyrës nuk mund të rrijë më shumë se 6 muaj.

Dikush mund të thotë se një situatë e ngjashme u paraqit me rastin e Sejdiut, kur zoti Krasniqi i zuri vendin. Edhe atëherë u gabua, por atëherë askush nuk u riankua në Gjykatën Kushtetuese për U.D. Presidenti Sejdiu, megjithëse me “background” akademik nga fusha e së drejtës, bëri gabim që e braktisi detyrën, njëjtë sikur ministrat e partisë së tij. Presidenti, çdo funksionar i lartë tjetër, ministri, Kryeministri, duhet të rrinë në detyrë, derisa të vijë pasardhësi.

As atëherë s’duhet të kishte U.D. Prej asaj situate, moszgjedhjes së menjëhershme të Presidentit në dhjetor kemi mbërritur në këtë zinxhir gabimesh, absurdesh, para të cilëve më duket se ndërkombëtarët s’kanë fuqi dhe vullnet të reagojnë. Megjithëse, duket se prej disa kohësh ata kanë zgjedhur njëlloj strategjie të lënies të më shumë gjërave në dorë të vendorëve. Dhe po mbërrijmë në gabime si këto.

Kosova praktikisht është një situatë kaotike institucionale. Vendi i Presidentit i jepet dikujt në pritje të gjetjes së një marrëveshjeje, por pa asnjë lloj baze kushtetuese, duke vendosur një zakon antikushtetues (contra legem). Mund të rivotohe, por s’është e qartë se ç’do të ndodhë nëse opozita bojkoton përsëri. Sa kohë duhet pritur që ajo të vijë në sallën e Parlamentit? 6 muaj?

Kjo krizë vetëm formalisht u krijua nga Gjykata Kushtetuese, e cila me vendimin e vet injoroi shumë institute kushtetuese (atë të vijimësisë së mandateve; afatet prekluzive në zgjedhjen e institucioneve të larta; doktrinën mbi kuorumet strukturale dhe funksionale; atë të Ushtruesit të Detyrës sipas Kushtetutës së Kosovës).

Gjykata Kushtetuese e Kosovës injoroi modele kushtetuese perëndimore, apo të sugjeruar nga perëndimorët, dhe ndoshta në një vepër të autonomisë së vet profesionale, pa ndikimin e të huajve, gaboi rëndë. (panorama)
Shtuar më 04/04/2011, ora 09:00
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori