Iluzionet kosovare për vizat
Pëlqej
Albeu.com
Liberalizimi i vizave për Shqipërinë në Kosovë është pritur në mënyrë kundërthënëse. Përkundër vlerësimit të madh për qeverinë e Shqipërisë, që ia arriti kësaj dite, ekziston dhe pezmi ndaj europianëve, që e lanë Kosovën jashtë. Një ministër përgjegjës për këtë çështje, duke shfrytëzuar faktin se qeveria është e rrëzuar, por dhe karakterin e tij të çiltër, ia vuri madje fajit një emër, - Malstrom, emri i Komisioneres së Brendshme të BE-së. Kosova nuk ka ende një plan për liberalizimin e vizave, i cili sigurohet prej negociatave të rregullta me Bashkimin Europian. Kosova nuk ka hyrë ende në negociata të tilla dhe ekziston premtimi se shumë shpejt ato fillojnë. Por nga ajo ditë, deri në heqjen e plotë të vizave, duhet të kalojë ndoshta një vit.
Deri këtu, këto reagime kosovare duken brenda normales. Kosova praktikisht është vendi më i izoluar i Europës. Kosovarët kanë mundësi të shkojnë pa viza në vetëm 5 shtete. Madje dhe Shqipëria në mënyrë të ngurtë, ka pranuar me siguri imponimet e Bashkimit Europian që të forcojë regjimin e kufirit, i cili në realitet po përkthehet në kontrolle më të rrepta, vonesa dhe radhë të gjata për kosovarët, por dhe për shtetasit e Shqipërisë që udhëtojnë andej-këtej kufirit shqiptar. Duket si një ëndërr periudha e verës kur kalohej pa kontrolle, të paktën në një pikë të kufirit.
Por ajo që duket jonormale në këtë situatë të krijuar në Kosovë rreth Kosovës, është një nxitje e elektoratit, e kalkuluar politikisht për të marrë pasaportat e Shqipërisë. Kur them e kalkuluar politikisht, i referohem fushatës elektorale që zyrtarisht nuk ka nisur, megjithëse realisht ka shumë kohë që ka filluar. Një deputet i partisë qeveritare PDK, madje premtoi se do të bënte ç’është e mundur, që Shqipëria të lehtësojë dhënien e vizave për shqiptarët e Kosovës. Si për t’i mbushur mendjen kosovarëve për këtë, edhe ambasadori i Shqipërisë jep një intervistë, sigurisht me natyrë informative, ku shpjegohen hapat që duhet të hedhë një shtetas i Kosovës për të marrë shtetësinë shqiptare. E gjitha kjo, e shoqëruar me interesimin praktik të kosovarëve, sesi mund të shmangen kushtet e ligjit, sigurisht shtron disa çështje.
Së pari, është krejt irracionale që një parti në pushtet të krijojë iluzione të tilla me karakter elektoral tek votuesit e vet, tek qytetarët e Kosovës. Kosova ka vetë mekanizma për ta përshpejtuar këtë proces, madje e ka humbur pak trenin. Kështu për shembull, pala serbe e pranoi rezolutën europiane për në OKB, por ama vuri kushte që të përshpejtonte kursin e vet drejt BE-së. Ndërsa pala kosovare nuk vuri asnjë kusht për t’u ulur në bisedime. Madje, nuk rezulton në përgjithësi asnjë lloj kushtëzimi prej Kosovës ndaj BE-së, apo Perëndimit në marrëdhëniet e tyre. Përgjithësisht, pala kosovare thjesht pranon imponimet ndërkombëtare. Ndërkohë, vetë Kosova s’ka asnjë mundësi për ta lehtësuar këtë proces të dhënies së shtetësisë nga kosovarët. Shqipëria ka një kuadër ligjor, që nuk e ndryshon dot edhe me lutjen e bashkatdhetarëve.
Së dyti, liberalizimi i vizave në Shqipëri koincidon me dy ngjarje në Kosovë. Jo vetëm me zgjedhjet, por dhe me regjistrimin e popullsisë. Ky regjistrim ka jo thjesht vlerë kosovare, por vlerë ndërkombëtare. Të kesh një numër të madh kosovarësh që kanë dhe shtetësi shqiptare, nuk ndikon në besueshmërinë e të dhënave të këtij regjistrimi. Pala serbe mund të kontestojë përqindjen e shqiptarëve në këtë regjistrim, duke thënë se ata janë shtetas të Shqipërisë. Një argument të tillë, madje pala serbe e ka përdorur me kohë, për të deformuar raportet etnike brenda Kosovës.
Së treti, vetë marrja e shtetësisë mund të frymëzojë qoftë dhe jo drejtpërdrejtë braktisjen e Kosovës, në favor të banimit në Shqipëri. Kjo do të ishte e gabuar sot që Kosova ka shtetin e vet, ashtu si dhe dje që ai i takonte serbëve. Kosovarët duhet të rrinë e ta zhvillojnë vendin e tyre dhe s’kanë arsye ta braktisin atë. Nëse Kosova është mbrapa me ritmet e zhvillimit, atëherë kjo është një arsye që ata të ndryshojnë qeverisjen e tyre me votë, por jo ta braktisin vendin e tyre.
Për të gjithë këto arsye, në emër të interesit kombëtar, Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të japë mesazhe se marrja e shtetësisë shqiptare është e lehtë. Një mesazh i tillë u dha po prej kësaj shumice në vitet e para pas vendosjes së pluralizimit, kur u abrogua ligji i vitit 1953 dhe thuajse s’pati asnjë kuadër ligjor për shtetësinë, por thjesht akte nënligjore. Krijimi i iluzioneve të tilla do të favorizojë korrupsionin e zyrave të gjendjes civile, komisariatet e policisë që ofrojnë dokumente të nevojshëm për marrjen e shtetësisë dhe sigurisht, do të shtonin presionin në zyrat ku merren pasaporta. Ky nuk është një zhvillim imediat, por gjithsesi duhet parandaluar që sot. Duhet theksuar që marrja e shtetësisë nuk është e mundur për ata kosovarë që nuk kanë plotësuar tre vjet qëndrimi në Shqipëri, të provueshëm me lejen përkatëse të lëshuar nga komisariatet e policisë.
Ka dhe arsye të tjera, pse duhet parandaluar një eksod kosovar drejt Shqipërisë, por dhe kaq mjaftojnë që kosovarët ta konsiderojnë momentin zgjedhor që po kalojnë si moment për të menduar më shumë rreth cilësisë së qeverisjes, duke e ndryshuar atë me votë. Kështu, bashkë me lirinë e lëvizjes, mund të fitojnë dhe mirësi të tjera. (panorama)
Shtuar më 24/11/2010, ora 09:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori