Veteranët që protestuan aty ku ka kuptim protesta
nga Iljasa Salihu
Albeu.com
Modelin më të mirë të zgjidhjes së problemeve të caktuar, pa asnjë dyshim na e dhanë disa ish pjesëtarë të UÇK-së, të cilët më në fund shkuan për të protestuar aty ku duhej. Aty ku duhej protestuar për çdo pakënaqësi e padrejtësi. Aty ku nuk do të duhej të mbretëronte qetësi, kur dihet se jashtë kësaj godine gëlon zallamahia. Ata më në fund, protestuan para dhe brenda selisë së BDI-së, edhe pse shiheshin xixat e provokimeve, mirëpo fal urtësisë së atyre burrave, dashakëqijtë nuk arritën ta tërheqin vëmendjen diku tjetër.

Pas shumë ankesave, ata nuk lejuan ta luajnë rolin e analistëve apo të publicistëve, të cilët me të drejtë kritikojnë e japin mendime, mirëpo ky grup i veteranëve ia mësyu asaj shtëpie prej nga vijnë problemet dhe prej nga parimisht duhet të vijnë zgjidhjet. Ata ishin të vendosur në kërkesat e tyre. Ata mund t’ia kenë prishur planet atyre që janë mësuar të punësojnë duke marr ryshfet. Ata me të drejtë ishin të vendosur; ose punë ose përfaqësuesit politik të popullit tutje nuk do të mund të jenë të qetë. Ata ishin kapur për një problem që sot botërisht me të drejtë pandehet si tejet i rëndësishëm, papunësia. Kjo nuk do të thotë se me gjërat tjera ata ishin të kënaqur, ngaqë kemi mjaftueshëm raste kur pjesëtarë të këtij grupi kanë ngritur zërin për padrejtësi të shumta, për vrasjet dhe burgosjet që me çdo kusht u punua që këto raste të mbesin enigmatike, porse këtë herë kishin vendosur ta zgjidhnin vetëm një problem, punësimin e tyre, ngaqë pasi t’ia sigurosh koren e bukës vetes dhe familjes, atëherë do të jesh më i fortë e më i arsyeshëm për çështje tjera. Këta nuk lejuan të bëhen mjet i dikujt e të bëheshin prej atyre që fare nuk punojnë, mirëpo mirëqenien ekonomike ta kenë të siguruar mjaftueshëm. Këta punuan që të ushqehen përmes punës së tyre dhe jo të bëhen parazitë dhe pastaj duke e shfrytëzuar djersën dhe gjakun e luftës të ushqehen prej duarve të ndryshme, mbase edhe më keq prej duarve të padukshme.

Ndonjë i pacipë, duke pasur për qëllim diçka tjetër në këtë rast, mund të thotë se nuk shitet burri për një punë. E para, këta të dobët, le të ofrojnë argumente se ky grup u shitë, sepse mendjet e kthjelltë askund nuk panë shitje, pos ankesa dhe kërkesa krejt normale. E dyta, ky grup burrash nuk lejoi që të ankohet vetëm me fjalë, siç bëjnë disa njerëz të cilët mëtojnë se përfaqësojnë veteranët, kurse harruan se roli i tyre nuk ishte të ishin analistë e të vajtonin apo të luanin rolin e vajtuesit me vite të tëra, njëherësh duke mos ofruan zgjidhje konkrete, por këtë veprim që para disa muajsh e bëri ky grup burrash, ata qenë dashur ta bëjnë para 12 vjetësh. E treta, këta ish pjesëtarë të UÇK-së, që përbëjnë lavdinë tonë, askujt nuk ia zunë vendin e punës, pos që e morën atë që ishte dashur ta merrnin para 12 vjetësh. Natyrisht, ky nuk është përvijim i idealit të tyre as vepra e tyre nuk përbën idilin e arritjes së një suksesi të caktuar, por kjo është vetëm një pjesë e mohuar të cilën me vështirësi dhe guxim arritën ta merrnin. Është foshnjëri të thuash se pjesëtarët e këtij grupi të cilët qenkan me arsimim të ulët ia paskan zënë vendin studentëve. Çfarë kundërthënie! Nëse këta qenkan me arsimim të ulët, atëherë si paska mundësi t’ia zënë vendin atyre që nuk janë me arsimim të ulët?! S’do mend se në këtë rrëmujë, kemi edhe të atillë që gjejnë kohë ta kritikojnë pjesën më të diskriminuar të shoqërisë, prandaj jo rastësisht çdo ditë ngjyra e zezë bëhet ngjyrë mbizotëruese në horizontin tonë!
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist