Po u frikësuam prej vetvetes, si mendojmë të ballafaqohemi me të tjetër?
nga Iljasa Salihu
Është e qartë se në politikë thuhen disa gjëra që nuk përkojnë me vullnetin e lirë. Ndonjëherë nevojitet të thuash se uji hahet dhe buka pihet. Vetëm ndonjëherë, pikërisht në kohën kur të pihet ujë, por shërbyesi thotë se tani është koha vetëm për ngrënie. Në rregull atëherë, më jep të ha pak ujë! Kurse, të jetosh në vazhdimësi dhe përditë në sajë të këtij rravgimi, atëherë s’do mend se me gjithë mend do t’i thuash sofrës karrige dhe karriges sofër. Me gjithë bindje kështu pohon, sepse rrena që thuhet 100 herë në radhën e 101 ajo do të pranohet si e vërtetë. Mbase aktori që duhet të luajë seria filmike të gjata, ai pas një kohe do të fillojë që personazhin në film ta mishëron në përditshmërinë e tij. Më vjen keq, që disa politikanë shqiptarë dikur nuk ishin këta që sot shihen. Me këtë nuk dua të them se politika është diçka e keqe që edhe më të mirin e botës do të prishte. Mirëpo, duke u mbështetur në të dhënat që kemi arritur t’i marrim përgjatë të kundruarit del se politika është një sprovë e madhe që vështirë se ndonjëri do t’i shpëtonte pllangave të ndyra. Sidoqoftë, sprova nuk është diçka e mynxyrshme!
Fillimisht të theksoj se nuk është e moralshme të merremi me njerëzit e vdekur, ngaqë ata kanë ndërruar jetë dhe tani janë duke e parë produktin e veprave të tyre. Kësisoj, unë nuk do të merrem me Ibrahim Rugovën si njeri e si familjar, por do të merrem me idenë e tij dhe me ata që sot e kësaj dite po mbartin ide të atilla, sepse idetë jetojnë edhe pas vdekjes së prodhuesve të atyre ideve, të cilën pikërisht në këtë kohë ku edhe pranvera po vonohet, disa mediume kanë filluar me të madhe ta shpërndajnë. Me ç’rast, në një pjesëz të një interviste i ndjeri Ibrahim Rugova shprehet kështu: “Duhet theksuar se islamizmi na u imponua gjatë kohës së sundimit të perandorisë osmane. Ne nuk kemi kurrfarë kulture islamike, porse në literaturë dhe në të gjitha gjërat e tjera orientohemi kah Evropa. Bazë e kulturës sonë nuk është islami, porse gjuha, të cilën e kemi të përbashkët me të gjithë shqiptarët si edhe të gjitha të tjerat që lidhen me të. Ne duhet të luftojmë kundër propagandës së Beogradit, e cila kosovarët i paraqet gjithmonë si islamistë.”
Kjo është e vërtetë vetëm sikur të fliste i ndjeri në veten e parë dhe assesi të fliste në këtë çështje në emër të popullit, të cilin edhe ashtu kurrë nuk e përfaqësoi tërësisht. Është tmerr se si një intelektual të mos e di se islami nuk është antonim i Evropës, as krishterimi sinonim i saj. Evropa është koncept gjeografik, pastaj kulturor e qytetërues në gatimin e së cilës pati rol të rëndësishëm qytetërimi që qe prodhuar dhe gatuar në Andaluzi. Ç’të thuash për këtë propagandë që ishte dhënë prej të parit të shtetit, propagandë që prej qarqeve të ndryshme mund të merret si referencë, ngaqë nuk e thotë një gjë të tillë një njeri i thjesht e pa autoritet. Mos vallë tani do të del dikush e të thotë se edhe kjo deklaratë ka qenë e dhënë nën presion të serbëve, ashtu siç e arsyetoi takimin me Milloshiviqin, pikërisht në kohën kur Kosova kishte filluar ngritjen e flamurit të ngadhënjimit.
Fjalia e fundit është thikë me dy tehe të mprehta. Gjoja se të qenit mysliman qenka në epërsi a favor të serbëve, kur dihet mirëfilli se po këta serb çfarë i bën myslimanëve në Bosnjë, si dhe çdo fyerje ndaj shqiptarëve të Kosovës shoqërohej edhe me fyerje të përkatësisë së identitetit fetar. Nuk kishte dhe nuk ka nevojë askush të na paraqesë identitetet tona, ngaqë ato janë të qarta, si dhe identiteti prej të rrallëve është që nuk kërkon zëdhënës, sepse përfaqësues dhe paraqitës të tij janë vetë ata që mbartin identitete. Mbase këtë më mirë se mbreti pa mbretëri e dinte Evropa dhe Amerika, si dhe mëtimi për ta paraqitur ndryshe popullin e Kosovës nga ç’ishte realisht, thjesht ishte dhe është një budallallëk dhe servilizëm i pashoq. Si mund të them unë që Kosova fare nuk ka katolikë. Ka katolikë e ortodoks dhe unë fare nuk turpërohem, pavarësisht pozitave gjeostrategjike të shteteve. Jo unë, por askush nuk mund ta mohojë faktin se në Kosovë shqiptarët mysliman, ortodoks e katolik jetojnë në një kulm, mbase edhe një përqindje e serbëve, romëve, goranëve, turqve jetojnë po në këtë kulm, paçka se prej çatisë me vrima të krijuara prej politikanëve shpeshherë po lagen dhomat e kësaj shtëpie. Sa keq kur mëtohet që gjeografia të paraqitet si fe.
Me krenari, duke dashur që t’i ikte identitetit islam, tha jam evropian. Në rregull i thash, edhe unë jam evropian. Nuk e kishte kuptuar se njeriu mund të jetë mysliman evropian, katolik evropian, ngaqë njëra me tjetrën nuk përjashtohen. Nuk është e njëjtë si të thuash “jam mysliman katolik” me atë “jam mysliman evropian” ngaqë të qenit evropian ndërlidhet me konceptin gjeografik dhe kjo assesi nuk paraqet tjetërsim kulturor, përndryshe në Evropë çfarë kuptimi do të kishte fjala dallueshmëri a shumëllojshmëri (diversity) që me aq emfazë theksohet përditë? Këtë vetëm injorantët dhe servilët tanë nuk e kishin dhe nuk e kanë të qartë, mbase e kishin të qartë, por deshën dhe duan ta luajnë rolin e të shushaturit dhe për pasojë dromcat e mbetura prej këtij roli i kishin shoqëruar gjatë kohë!
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist