Liria e besimit në Armatën e Republikës së Maqedonisë
nga Iljasa Salihu
Si mund t’i jepet kuptimi i drejtë shpjegimit të lirisë së besimit, duke kërcyer mbi rreshtat që e sqarojnë njëmend kuptimësinë e besimit? Domethënia e besimit fillon të venitet, atëherë kur këtë nocion e shpjegojnë ata që praktikisht janë kundër kuptimit thelbësor të tij, ngjashëm sikur ekuacionet matematikore t’i shpjegojë një biolog i rryer, i cili për shkak se aq shumë e kishte urryer lëndën e matematikës ia kishte mësyrë me përkushtim të ngjeshur lëndëve që kishin lidhje me biologjinë. Në vetvete njeriu edhe në kohërat më të egra që grisnin çdo gjë që përkonte me besimin në Zot, ishte i lirë të besojë, ngase besimi nëse nuk mbërrinë të jetësohet në jetën e përditshme është besim i paqenë dhe i padëshmuar, sepse dijetarët islam për besimin u shprehën: Të besosh në Zotin Një dhe ta njësosh në adhurim vetëm Zotin, të pohosh me gojë, ta vërtetosh me zemër dhe të veprosh me gjymtyrë, duke dëshmuar kështu rrugëtimin e njohjes së gjashtë kushtet e imanit. Ky është kuptimi i plotë dhe natyral i domethënies së besimit dhe lirisë së besimit.
Meqë jetojmë në shtete shekullare ku ligji rrjedhë dhe komentohet prej kasollës shekullare, në vijim do të përpiqemi të shpjegojmë se çështja e jetësimit të lirisë së besimit ka vend edhe në vende të këtilla.
Ndërmjet bjeshkës së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që kushtetuta e Republikës së Maqedonisë (RM-s) i ka garantuar, janë edhe liria e besimit dhe shprehja e lirë dhe publikisht e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët (neni 19 i Kushtetutës së RM-s). Kjo e drejtë dhe liri nuk mund të kufizohet me ligj, pavarësisht rrethanave ku gjendemi, madje një liri e tillë është e lejuar edhe gjatë kohës së gjendjes së luftës.
Edhe e drejta ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut garanton që secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë (neni 18 i Deklaratës Universale për të drejtat e Njeriut). Gjithashtu, është e garantuar që secili është i lirë për të pasur dhe jetësuar në gjirin e tij një fe ose një besim sipas zgjedhjes vetjake, si dhe lirinë për të manifestuar fenë apo besimin e vet, qoftë individualisht apo së bashku me te tjerët, si publikisht ashtu edhe privatisht, nëpërmjet kultit dhe kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimit. (neni 18 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të Kombeve të Bashkuara i vitit 1966 - hyri në fuqi në vitin 1976).
Gjithë hierarkia ushtarake janë pjesë e këtij rendi kushtuetues dhe njerëz që kanë nevojë të besojnë dhe ta jetësojnë fenë si vlerë universale në përditshmërinë e tyre, ndaj edhe armata e një shteti të caktuar duhet ta merrë parasyshë këtë fakt të pakontestueshëm. Mbase vlerësoj të nevojshëm ta përmendi këtu edhe një përvoj timen. Katër muaj e gjysëm sa isha në Kanada, kisha një imam që ishte edhe kolonel kanadez me gradë, pas të cilit çdo të premte u lidhja për ta falur namazin e xhumasë, edhe atë, ai këtë ritual kryente duke qenë me uniformë ushtarake. Dihet se shteti i Kanadasë është anëtar i plotë i NATO-s dhe në atë vend unë me kënaqësi kryeja obligimet fetare që natyrshëm i përkasin secilit besimtar. Ndërsa edhe pse pretendente për në këtë familje, ende në Armatën e Republikës së Maqedonisë nuk shihet ndonjë xixë shprese për krijimin e kushteve të shprehjes së lirë të fesë (jo vetëm lirinë e besimit të pashprehur, ngase edhe në komunizëm kjo liri ishte e paprekur, ngase nuk shihej prej njerëzve), si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte, ndoshta kjo si mbetje e rrjedhave të dikurshme të qëndrimit të shtetit ndaj kishës gjatë periudhës së socializmit. Thënia se institucioni fetar është i ndarë nga shteti (neni 19 paragrafi 3 i Kushtetutës së RM-së), nuk duhet të jetë një pengesë ligjore për realizimin e të drejtës kushtetuese të shprehjes së lirë të fesë, që nënkupton se nuk duhet të pengohet në çfarëdo qoftë rrethana.
Ndarja e kishës dhe e xhamisë prej shtetit mund të kuptohet si një ndalim i propagandës politike apo tentimit të institucionit fetar për pjesëmarrje ose marrjen e pushtetit politik, por jo edhe ta injorojë gjendjen e të drejtave dhe lirive themelore në lidhje me ndjenjat fetare dhe nevojat e qytetarëve. Ndarja e institucionit fetar nga shtetit nuk nënkupton edhe shekullarim institucional të shoqërisë, sepse nësë shteti është me rregullim kushtetues shekullar, kështu nuk është edhe shoqëria. Shteti duhet t’i përmbahet parimit se nuk duhet të imponojë shprehje të besimit ndaj anëtarëve individualë të ushtrisë, por kjo nuk nënkupton se duhet t’i shmanget sigurimit të kushteve të nevojshme për shprehjen e lirë të fesë, si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte. Nëse shteti është i ndarë prej fesë, me këtë nuk nënkuptohet edhe shpallje luftë atyre që duan ta përvijojnë besimin e tyre ndaj Krijuesit të botëve, sepse përmes kësaj do të kishim ndërhyrje në çështjen më të ndjeshme në jetë, siç është ajo e të besuarit dhe të vepruarit në përputhje të plot me udhëzimet e Zotit.
Mbase sipas të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shteti është i obliguar që edhe gjatë konfliktit të armatosur të sigurojë shprehjen e lirë të fesë, madje edhe të burgosurve apo pengjve të luftës. Prandaj është e palogjikshme dhe fare e paarsyeshme që shteti të mos ju sigurojë të njëjtën liri ushtarëve të tij, edhe më keq, nëse i pengon ata prej një të drejte të tillë themelore. Kësisoj, ndër vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë përfshihen edhe këto të drejta: liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarit, të njohura me të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara me Kushtetutë (neni 8, paragrafi 1, alineja 1 e Kushtetutës së RM-së)
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist