Kur i pandershmi nderohet edhe prej të ndershmëve
nga Iljasa Salihu
Të jesh sot i pandershëm është bërë një nder i madh. Nderin e të pandershmëve e mbron vetëm ai që pohon se rojtari i vreshtave duhet të vëhet edhe aty ku vërshimi i ujit që moti e ka trajtësuar atë vend në moçalishte. Në këtë mendësi të pamend, të nderojnë edhe të ndershmit, ulesh në vendin ku natyrshëm i përket të ndershmëve, të jepet fjala falas për t’i dhënë këshilla gjithashtu falas atyre që historikisht kishin mohuar dukurinë e pandershmërisë dhe për pasojë kishin ndërtuar diga të çeliktë në rrugë, që pastaj me shumë gulçe bëhej e mundur ecja përpara, ose me shumë pengesa lihej i qetë në rrugë, qoftë edhe nëse nuk kishte ndërmed në ato çaste të ecte.

Ju ka rastisur të jeni i pranishëm nëpër dasma, ndeja, konferenca, tubime politike, përurime librash, xhamia, shkolla e një varg institucionesh e vendesh që në spikamë kanë përurimin e vlerave njerëzore, t’i shihni seç nderohen ata që në kopshtin e jetës së tyre mbollën dhe korrën vetëm dëme, lemeri dhe përgjim, mbase edhe duke i epërsuar dukshëm kundrejt atyre që në arat e tyre mbollën dhe korrën njerëzi dhe për pasojë të atyre qëndrimeve në atë kohë, kuptohet edhe në këtë kohë që mbërthehet me shumë pak njerëzi, hoqën të zitë e ullirit, mbase edhe sot, shumë pakë për të mos thënë aspak nuk nderohen, apo nuk u caktohet vendi i duhur, edhe pse këtyre të sfiliturve shihet se ngjeshur u mungon aftësia e përshtatjes në llojllojshmërinë e mjediseve.

Që çështja të bëhet edhe më e rëndë, kjo shprehi, tashmë e mishëruar në çdo cep të përditshmërisë sonë, arsyetohet me plot vetëdije prej atyre që janë të vetëdijshëm se njeriu që është duke u nderuar fare pa vend, bëhet me qëllim të mbërritjes së një qëllimi të mirë. Sa e habitshme! Si u bëka që mjeti i keq ta arsyetojë qëllimin e mirë. Vallë, është kjo cilësi e njerëzorës, edhe pse bëhet prej njerëzve? Mbase duhet ditur edhe atë se jo çdo njeri është i përthekuar me njerëzi, madje mos të harrojmë se edhe budallai i bërë dhe jo i lindur është i pajisur me kokë të njeriut. Duke e përdorur si fjalëkalim nderimin e të pandershmëve, gjoja se për ta kryer një vepër të mirë, në të vërtetë lloji i përkrahësve të këtij koncepti nuk janë duke bërë gjë tjetër, pos duke kultivuar të keqen në kopshtaqet e përgjithshme, loza e së cilës shumë shpejtë mund të mbërrijë në maje të sythit dhe padyshim se do ta kalbte edhe atë, për të cilin thanë se është produkt i qëllimit të mirë. Shtrohet pyetja se çka do të bëhet pastaj, kur dihet mirëfilli i harlisjes së të keqës për arsye të mbërritjes së një të mire, kur është e njohur se molla e kalbur në mesin e nëntë mollave të tjera do ta ketë fjalën kryesore.

Puthadorësi i cili me fjalë të tjera mund të quhet edhe doras i një vrasjeje me paramendim, që për dekada me radhë gjuajti në ndërgjegjen e atyre që kërkonin drejtësi për vete, për familjet e tyre dhe për shoqrinë që i përkisnin, me nderin që i bëhet, nënvetëdijshëm do të mendojë se paska qenë dhe ende qenka njeri i drejtë, paska punuar për të mirën e këtij vendi dhe të kësaj shoqërie, ndaj këtë metodologji dhe koncept të të menduarit dhe të të vepruarit me vrull qenka e nevojshme ta përurojë dhe ta kultivojë, ngase kështu njerëzimi paska mundësi me ecë përpara, duke krijuar kështu mjegull në kokat e brezave që pritet t’i marrin mbi supet e tyre bjeshkën e derteve që natyrshëm i ka dhe do t’i ketë çdo popull. Me këtë lloj nderimi kushtuar të pandershmëve, do të bëhet e mundur rrezatimi i shembullit të keq, prej të cilit fitojnë vetëm keqbërësit. Përmes kësaj mendësie nuk do të mbërrijmë që ta tërheqim kënaqësinë e Krijuesit, mbase edhe ta arsyetojmë ëmbëlsinë e detyrave që Ai prej neve kërkon, sepse botëkuptimi i hakut do të pështjellohet në strumbullarin e krijuar prej keqbërësve dhe atyre që pandehin se janë njerëz vepërmirë, por që për hir të një interesi të ultë të kësaj bote e heshtin dukurinë e tillë, mbase shpeshë edhe praktikisht dhe sipërfaqësisht e përkrahin llojin e tyre.

Shembulli i mbërritjes së qëllimit të mirë me mjet të keq është sikur i atij që kishte vjedhur para me qëllim që t’i ushqejë skamnorët!
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist