Gjak në këmishë të bardhë
nga Iljasa Salihu

Gurrë gjaku në Shqipëri! Vallë ky vend është në luftë? Assesi, madje prej kreut të saj dëgjojmë fjalë miradie për këtë vend, si ato: Shqipëria po ndryshon; Shqipëria lokomotivë e gjithë shqiptarëve; Shqipëria shëmbëlltyrë për rajonin; e të ngjashme. Nuk të habisin këto deklamime me emfazë të kreut të saj, kur dihet se edhe kjo është një mbetje e atij që vrau gjithçka shpirtërore, madje edhe në kohën kur ky deklamues ishte i pranishëm në atë oazë të krimit shumëngjyrëshe dhe si rrjedhojë e asaj përpjekje kozmike, mjekonte atë që vriste e priste dhe fare nuk llogariste pasojat e atyre që nuk pajtoheshin me ideologjinë e sëmurë të tij. Me të drejtë disa shqiptar që kishin kuptuar çiltër realitetin e kësaj panorame mynxyrë, kishin trajtësuar vargje poezish në vargje të përshtatshme për këtë kohë, si ato vargje për mëmëdheun, ku prej brengës së madhe recitonin: “Mëmëdhu quhet toka, ku për një fjalë të shkon koka, ku kam urrejtur mëmë e atë, ku më shporri edhe guri thatë, ku kam glasuar shtëpinë, ku kam mohuar Perëndinë...”! Në këto vargje është paraqitur pasqyra më e drejtë e realitetit shqiptar, edhe pse këtë skajshmërishtë çdo njeri i mençur do ta urrente.
Shqipëria vërtetë është shndërruar në pellg të pështirë, ku pllangat e gjakut dhe trandja prej kësaj pamjeje janë bërë kryefjala e shqetësimit mbarshqiptar. Në kronikën e gurit të zi, lexojmë lajme rrëqethëse. Vriten katër policë; arratiset i burgosuri dhe vret një gardian të burgut; vritet në mes të ditës kryepolici; vritet vogëlushi si pasojë e hakmarrjes; babai godet të birin me sëpatë; përdhunohet dhe vritet një adoleshente; e përdhunuara e vret përdhunuesin dhe kokën ia hedh në mes të rrugës; prej shpejtësisë jotokësore të një furgoni mbyten shtat njerëz; nuk kishte para për ta paguar taksinë dhe për rrjedhojë ia heq kokën dhe së fundmi në këtë kronikë të gurit të zi lexuam se shfaroset një familje e tërë në Lezhë, mbase lus Zotin që pas këtyre lajmeve të mos dëgjojmë për vrasje, përdhunime, mashtrime dhe aksidente si rrjedhojë e ngjasimit të makinave me trenin e shpejtë.
Kjo ecejake vërtetë është shqetësuese. Jemi të njoftuar se në këtë pellg ku lundrojnë pllangat e gjakut, gjakatari komunist Enver Hoxha, për dyzet vjet ia hoqi dhunshëm besimin në Zot njerëzve, me këtë gjymtoi rëndë sjelljet njerëzore, moralin dhe bamirësinë. Megjithëkëtë, kaluan njëzet vjet prej perëndimit të asaj perandorie të së keqës dhe shqiptari i sotëm ka mundësi ta zgjedhë të mbarën dhe të mirën, pavarësisht padrejtësive të shumta shtetërore, ku pa asnjë lloj merite, brenda natës shqiptari i sotëm bëhet i pasur dhe brenda natës tjetër vrasësi shpallet i pafajshëm dhe familjes së të vrarit i mbetet të përzgjedhë ndërmjet hakmarrjes dhe faljes, edhe pse për këtë të parën shqiptarët janë të shquar.
Në vend të paraqitjeve shpresdhënëse, të gjithë, pavarësisht ushtrimit të detyrës dhe fushës profesionale, me theks të veçantë prijësit fetar islam, duhet t’i rreken më ngjeshur këtij shqetësimi të përditshëm, të mbjellin fillimisht besim në Zot, të punojnë që këta të paudhë të binden se nuk meriton të adhurohet askush përpos Tij dhe pastaj të punojnë vullnetshëm në këtë arë të lënë djerrinë për dekada me radhë, sepse lulja e njerëzisë nëse vazhdon edhe më tej të ujitet me gjak, ajo do të shndërrohet në një kuçedër gojëmadhe, banorë të së cilës do të jenë edhe ata që në emër të paqes bënin çrregullime në tokë, mbase edhe të drejtit që bënin sehir përballë asaj katrahure.



Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian