I pasur me para te shtetit
Albeu.com
Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, arriti që nga një familje e varfër kroate, përmes punëve shtetërore, të shndërrohet në njërin prej kroatëve më të pasur.
Sipas biografisë “zyrtare”, rrugëtimi politik i Ivo Sanader filloi në fund të viteve të tetëdhjeta, kur e themeloi degën e HDZ në Austri dhe kur, sipas legjendës partiake, i realizoi kontaktet e para me Franjo Tudjman, të cilin e trashëgoi rreth dhjetë vjet më vonë, më saktësisht në prill të vitit 2000, në Kongresin e Pestë të HDZ.

Një familje e varfër dhe religjioze

Ndryshe, biografia tjetër, ajo “e vërteta”, thekson se Sanader u lind në qershor 1953 në Split, dhe se, siç dihet, jetoi në një familje religjioze punëtorësh në rrugën Plinarska, bashkë me tre vëllezër dhe një motër. Familja Sanader, modeste për nga të ardhurat, nuk mund t’ia lejonte vetes shkollimin e katër fëmijëve, por ja që Ivo ia doli që sot të hyjë në mesin e kroatëve më të pasur, edhe pse pjesën më të madhe të jetës e kaloi në detyra shtetërore.
Kishte edhe pauza ndërmjet punëve shtetërore, sepse gjatë viteve të 80’a punoi në sektorin e marketingut në Dalmacija Turist, dhe ishte kryeredaktor i botimeve Logos, ndërkohë që gjatë fundit të të 80’ave posedonte dhe dy kompani në Austri, edhe pse ato nuk ishin edhe aq të suksesshme.
Para se të hynte “me të dy këmbët” në politikë, punonte në agjencinë Meyer Press, me të cilën revista Start, e cila gjithnjë publikonte posterë të vajzave nudo, kontraktonte sigurimin e materialeve. Mirëpo, falë stazhit politik arriti atë që nga shumica e kroatëve konsiderohet një lartësi e paparamenduar financiare.

Përnjëherë, orë të shtrenjta dhe vepra artistike

Qysh në vitin 2003 Sanaderi modest posedonte një bazë solide financiare. Asokohe ai lajmëroi e ka një banesë në Split, një banesë prej rreth 200 metrash katrorë në Zagreb dhe një vresht në Zapresic. E, prej atëherë fillon edhe rritja proporcionale e pronës së Sanader, sepse edhe pse sipas të dhënave zyrtare rroga iu rrit për vetëm 5,000 kuna (695 euro), ai arrit që për gjashtë vjet të kursejë 16,680 euro dhe që, pas vdekjes së babait, përnjëherë të trashëgojë 105,000 euro. Nga honorarët fitonte nga 4.170 euro në vit, e gruaja e tij rreth 12,500 euro, edhe pse para se të ishte gruaja e kryeministrit nga honorarët mezi merrte rreth 2,000 euro.
Ndërkohë, në vitin 2007 Sanader përnjëherë pranoi se posedonte një sërë veprash artistike dhe orë famoze, por edhe pronë të luajtshme me vlerë prej 1.5 milionë kuna (208,500 euro), e cila asnjëherë nuk është hetuar deri në fund.

Nga intendanti në ministër

Le të merremi përsëri pak me biografinë e Sanader pas kthimit nga Austria. Në fakt, pas kthimit në atdhe, pak para Luftës Atdhetare, me ndihmën e kryebashkiakut të atëhershëm të Splitit, Onesin Cvitan, në mënyrë të çuditshme bëhet intendant i Teatrit Popullor të Kroacisë (HNK). Thuhet se pas pirjes së një kafeje dhe një bisede me të Cvitan e kuptoi se Sanader do të mund të emërohej intendant. Nga ky post shkon në Kuvend, në gusht të vitit 1992, dhe shumë shpejtë emërohet ministër i Shkencës, Teknologjisë dhe Informatikës, në të cilin post mbetet deri në janar të vitit 1993.
Së shpejti emërohet zëvendësministër i Jashtëm, kur, siç pohohet edhe fillon “dashuria” e tij me përfaqësuesin e Hypo Bankës. Gjegjësisht në vitin 1995, ngase kontrata e parë mes asaj banke dhe Kroacisë u përmbyllë pikërisht me Ministrinë e Jashtme kroate.
Po ashtu, duhet rikujtuar edhe atë se, siç thuhet, Sanader asokohe fitonte provizione për rregullimin e kredive në Hypo Bankë. Kështu u mundësua marrja e kredisë prej 4 milionë markash gjermane Miroslav Kutla’s, gjegjësisht firmës së tij Diona, në Hypo Bankë, gjë që u mundësua pasi që Sanaderit iu dha një provizion prej 800,000 markash. Duke u bazuar vetëm në këtë kontratë, del se Sanader vërtet ishte njeriu kryesor i kësaj banke në Kroaci dhe se fitonte majmë nga punët e ndërmjetësimit.

Zgjedhjet e dyshimta në HDZ

Në fund të nëntorit 1995 Sanader emërohet udhëheqës i Zyrës së presidentit të Kroacisë , dhe për një kohë të shkurtër edhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare (VONS). Megjithatë, pas disa vitesh kthehet në Ministrinë e Jashtme.
Por, kthesa kryesore ndodh në Kongresin e Pestë të HDZ, kur Sanader zgjidhet për trashëgimtar të Tudjman. U prit si një reformator dhe si njeriu i duhur që më në fund do ta transformojë HDZ’në nga një lëvizje në parti politike. Fillimisht, gjegjësisht gjatë konfrontimit me Ivic Pasalic, u mendua se HDZ do t’i luftonte njëherë e përgjithmonë me ‘tipat’ e dyshimtë brenda radhëve të veta. Asokohe Sanader tërhiqte vëmendjen jo vetëm të opinionit kroat por edhe të shumë intelektualëve kroatë dhe të një pjese të opinionit ndërkombëtar.
Zgjedhjet në parti i fitoi me ndihmën e plotë të Branimir Glavas, i cili sot kërkohet nga drejtësia kroate, dhe në një mënyrë tejet të dyshimtë. Diçka rreth kësaj gjëje zbardhi bashkëpunëtori i Glavas, Ivan Drmic, i cili tregoi në detaje se si ishin kurdisur ato zgjedhje.

Nga Riva e Splitit deri te Lindja e Krishtit

Që prej se u bë shef i HDZ dhe yll politik i opinionit kroat, Sanader menjëherë filloi të punojë në ‘spin’, gjegjësisht të orientohej sipas asaj që të fliste diçka tjetër, të bënte diçka tjetër, dhe të mendonte krejt diçka tjetër, dhe që gjithnjë të bënte lëvizje që i habitnin kundërshtarët e tij politik.
Kështu në vitin 2001, gjatë mitingut tashmë historik në Rivën e Splitit, që u mbajt pas arrestimit të gjeneralit Mirko Norac, Sanader u imponua si një përkrahës i opsionit të një Kroacie ‘atdhetare’, e cila “nuk do t’i dorëzojë gjeneralët”. Më vonë, lëvizjet e tij lidhur me krimet e luftës dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës i demantuan fjalët e tij të ashpra, megjithëse ai arriti të përfitonte mirë nga to gjatë zgjedhjeve të vitit 2003, kur i fitoi 43.42 për qind të votave. HDZ krijoi qeverinë me HSLS, DC SDSS, HSU dhje me disa deputetë të pakicave, ndërkohë që partia e padëshiruar në Evropë, HSP, u shndërrua në një alet të qetë.
E kur bëhet fjalë për familjen, sot tingëllon tejet interesante e dhëna se pikërisht vëllai i Ivo’s, Vinko, i cili përndryshe është prift, ishte kuadri kryesor në kompanitë shtetërore, siç u publikua kohë më parë në media.
Viti i ardhshëm, 2004, u mbajt mend me urimin që Sanader ua dërgoi besimtarëve ortodoks për Krishtlindje, e që njihet si “Hristos se Rodi” (Krishti u Lind). Asokohe Sanader e “bleu” Evropën, sepse para saj e prezantoi një HDZ të ri, të pastruar nga retorika nacionale.

Përplot afera

Miomir Zuzul dhe aferat e para korruptive që asokohe arritën të shfaqeshin në mediat që të shumtën ishin blerë drejtpërdrejt ose përmes ndërmjetësimeve nga Sanader, tregojnë fytyrën e vërtetë të pushtetit të Sanader. Aferat e shumta, darka në Veronë, Imostroj, orët e Sanader, Pliva, sapo kishin filluar të zbardheshin, deri në përfundimin e turpshëm të tij. Në fund të vitit 2005, që u karakterizua me afera të mëdha, ndodhi edhe rasti që e shënjoi mandatin e parë të Sanader ai kryeministër, kur 7 dhjetor në ishujt Kanare u arrestua gjenerali Ante Gotovina. Ishte pikërisht rasti Gotovina ai që reflektorët e opinionit publik për shkurtazi i ktheu nga prona e tij.
Vitin e radhës, 2006, e karakterizoi afera Kamen Ingrad, si pasojë e të cilës e pësoi Vlado Zec, të cilit u vërtetua se shteti “i kishte dalë në ndihmë pas si tepër”. Po atë vit fillon edhe konfrontimi me Branimir Glavas, dhe hapet afera Brodosplit, me të cilën Sanader vihej në lidhje për shkak të lidhjes personale që kishte me njërin prej të dyshuarve, Drago Macek.
Viti i fundit i Ivo Sanader në pushtet u karakterizua me një sërë aferash me elemente korruptive, të cilat vërtet çyshtë vështirë të numërohen, megjithëse çdo herë theksohej përfitimi i tij financiar nga to.

Kosor: Gjendja e trashëguar nga Sanader, e pamundur

Deri atëherë Sanader ishte i dashur në opinion, për të cilën gjë mund t’i falënderohet faktit se posedonte ose kishte ndikim të madh në shumicën e mediave. Shpallej si “person i vitit” ose si “reformator i vitit”, gjegjësisht asi kroati i vetëm që është në gjendje që Kroacinë ta fus qetë, sigurt dhe shpejtë në BE dhe NATO. Megjithëse, rrugës për atje vendin e solli në qorrsokak.
Siç u pa, Sanader me këmbëngulje e fshihte të vërtetën për buxhetin, paratë, bankat, punësimet, megjithëse në fund ishte përcjellësja dhe përkrahësja e tij më e madhe, Jadranka Kosor, ajo që pranoi se pas largimit të Sanader gjëja më e vështirë për të ishte që ta kuptonte gjendjen reale në të cilën ndodhej shteti.
Megjithatë, ende mbetet pikëpyetje nëse Kosor ka forcë, vullnet, e ndoshta edhe aftësi, që të zbulojë se çfarë bëri Sanader në prani të saj, e që të mos e diskreditojë edhe vetveten, sepse, fundja, ajo ishte ndihmësja e tij e parë.

The Washington Times: Burgosni Sanaderin dhe bashkëpunëtorët e tij

"Në SHBA Bernard Madoff u dënua me 150 vjet burg për shkak të mashtrimit financiar të investitorëve të tij. Sanader i mashtroi qytetarët kroatë që paguajnë tatim. Pra edhe ai, bashkë me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, duhet të burgoset. Kjo do të ishte mënyra e duhur e përfundimit të pushtetit të tij”, përfundon ‘The Washitngon Times’ shkrimin për qeverisjen e Sanaderit me Kroacinë. As mediat tjera ndërkombëtare nuk kanë pasur fjalë të mira për ish-kryeministrin kroat - përkundër asaj fjalës së urtë: Për të vdekurit (politik) vetëm fjalë të mira. (index.hr, ne shqip express)
Shtuar më 01/07/2010, ora 22:08
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori